Policia e Krujës ka ndaluar 24-vjeçarin Ariel Rraja, djali i Flamur Rrajës dhe nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se ndaj të riu, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Ndërkohë, gjatë ndalimit të Ariel Rrajës, babi i tij Flamur Rraja dhe një person tjetër kanë kundërshtuar efektivët e Policisë dhe janë proceduar penalisht.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Rr., 24 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në vijim të veprimeve për këtë rast, janë proceduar penalisht shtetasit F. Rr., 56 vjeç dhe E. T., 26 vjeç, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë ndalimit të 24-vjeçarit, dhe nuk iu janë bindur urdhrit të tyre, për shoqërimin në komisariat.” – njofton Policia.
Ariel Rraja akuzohet për ngjarjen e ndodhur më 24 Tetor, ku së bashku me babain e tij, Flamur Rraja kanë dhunuar Kujtim Cacën dhe familjarët e tij, pas një konflikti për çështje pronësie. Ngjarja u mbajt e fshehtë nga ana e Policisë në atë kohë, teksa pas dy ditësh u raportua në media.
Ndërkohë, në momentin kur ka shkuar për të dhunuar Kujtim Cacën, 24-vjeçari ndodhej në masën “Arrest shtëpie”, pasi ishte arrestuar më herët për shkak se u kap me rreth 50 gramë kokainë në automjet gjatë një kontrolli policor
Ndërsa babai i tij, Flamur Rraja ka qenë dhe pjesë e dhunës së ushtruar ndaj pjesëtarëve të familjes Maja, ku dhe atëherë u shpall në kërkim. Në atë ngjarje, ku pamjet e transmetuara tronditën opinionin publik, Flamur Rraja shfaqej me një send në dorë, të dyshuar pistoletë, por më pas dosja e atij dhunimi i “shfry” nga drejtësia.