Policia e Shkodrës ka zbardhur atentatin e regjistruar mbrëmjen e Janarit në zonën e Dragoçit në Shkodër, ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi 33-vjeçari Ramazan Mataj brenda automjetit të tij, tip “Mercedes Benz”.
Burime bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona, babë e bir, si autorë të dyshuar të vrasjes, teksa janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen e rëndë.
Sipas po të njëjtave burime mësohet se në pranga janë vënë shtetasit Rrustem Hasaj, 60 vjeç dhe djali i tij, Arjon Hasaj, 29 vjeç, nga fshati Dragoç i Postribës, i njëjti fshat me viktimën Ndërkohë, dy të shoqëruarit e tjerë janë të afërm të autorëve të dyshuar, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Burime pranë bluve të Shkodrës bëjnë me dije se njëri prej personave është arrestuar në kufi duke tentuar të largohej, ndërsa një është arrestuar në shtëpi. Njëri prej tyre dyshohet si autori kryesor, ndërsa të tjerët si bashkëpunëtorë.
Hetimet e para sugjerojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me konflikte personale, përfshirë mundësinë e ngacmimeve ndaj vajzave në rrjetet sociale.
Ramazan Matajt, babai i tre fëmijëve, i ishte zënë pritë rreth 1.2 km larg banesës së tij. Dyshohet se autori ka qenë duke e pritur i fshehur dhe sapo ka ardhur 33-vjeçari, ka hapur zjarr duke qëlluar me 29 plumba drejt automjetit të tij. Ai ka qëlluar nga të dyja anët e makinës, në mënyrë që atentatori të sigurohej për të eliminuar objektivin e tij
Ka qenë një banor i zonës, ai i cili më pas ka konstatuar viktiminën dhe ka lajmëruar Policinë.
Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar prova të mjaftueshme për ndjekjen penale të të dyshuarve.
Ramazan Mataj ka jetuar për një periudhe 1-vjecare në Belgjikë. Pas kthimit të tij në Shqipëri sipas familjarëve ai punonte në zonën e Ulqinit në ndërtim. 33-vjeçari nuk rezultonte një person me precedent penal.