Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake pas dy vitesh për serat ku kultivohej kanabis të zbuluara në vitin 2022 në fshatin Rërëz të Beratit, ku nën hetim kanë qenë gjithsej 113 persona.
SPAK ka marrë të pandehur dhe i ka dërguar për gjykim 17 persona, teksa ka shpallur moskompetencë për 93 gra dhe vajza, të cilat punonin në serat me kanabis.
Ndërkohë, për tre të tjerë të hetuar aktualisht, janë ndarë aktet hetimore më vete, pasi sipas SPAK, hetimet përfshijnë edhe persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar saktësisht.
Të pandehurit janë marrë shtetasit: Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj, Mirvaldo Disha, Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municionit”.
Sipas organit të akuzës, ata i kanë kryer veprimet në zonën e Rërës, Drenovicë (Berat), në një hapësirë toke nga 10 deri në 20-27 dynym, ku janë gjetur katër sera të mbyllura me plastmasë dhe të instaluara linja elektrike dhe furnizimi me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave.
“Organizimi i aktivitetit kishte nisur në Dhjetor të vitit 2021, ndërsa u shtri gjatë periudhës Qershor-Nëntor 2022 dhe më datë 10 Nëntor të atij viti u gjetën dhe u sekuestruan sasia prej 871.4 kg kanabis (produkt bime “canabis sativa L”), e cila u zbulua në 769 arka plastike dhe brenda 11 thasëve prej plastmasi ngjyrë të zezë, gjithashtu u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri dhe municion luftarak. Nga aktiviteti rezulton të jetë përftuar në total një sasi prej 1.7-1.8 ton kanabis sativa.” – thuhet më njoftimin e SPAK.
Rolet e 17 të pandehurve
Organizimi, drejtimi dhe financimi i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, organizimi, drejtimi dhe financimi i “Kultivimit të bimëve narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer më shumë se një herë, bëhej nga të pandehurit Blerim Xheka e Sadetin Hasaj.
Aktiviteti i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe i “Kultivimit të bimëve narkotike” ushtrohej dhe mbikqyrej njëherazi nga të pandehurit; Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj e Mirvaldo Disha.
Të pandehurit; Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Hamdi Dyli dhe Samoel Lushaj mbanin dhe armë pa leje në mbrojtje të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.
Aktiviteti i “Kultivimit të bimëve narkotikëve” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” ushtrohej kryesisht nga të pandehurit; Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.
Sipas SPAK, spërfaqet e tokave ishin marrë më parë me qera, nga të pandehurit; Hamdi Dyli e Arben Vrapi dhe familjarët e tyre (përmes kontratave).
Pasi janë siguruar farat e kanabisit dhe fidanët dhe janë marrë dhe banesa me qera në Berat, për të qenë më afër aktivitetit ditor, është ngritur infrastruktura për mbjelljen dhe kultivimin e tyre, me qëllim shitjen e mëtejshme- e kryer nga Korriku 2022; të gjithë pandehurit dhe veçanërisht dy të akuzuarat femra, janë marrë me “rekrutimin” e krahut të punës/fuqisë punëtore nga qytete e rrethina të Shqipërisë, kundrejt joshjeve për pagesa të mira ditore për të punuar në sera, transport falas dhe sigurimit të fjetjes në ambientet sera, ku ishin krijuar edhe fjetore.
Prokuroria raporton se të pandehurit janë angazhuar aktivisht në kujdesin ndaj bimëve narkotike, mbarëvajtjes së aktivitetit kultivues, prerjes, tharjes e pastrimit të boçeve të kanabisit, shitjes së mëtejshme, shpenzimeve për mjete të domosdoshme pune, ushqime e medikamente për bimët, medikamente mjekësore si dhe pagesat e punëtoreve në sera.
Sipas SPAK, hetimet nxjerrin përfshirjen edhe të personave të tjerë, josaktësisht të identifikuar në kryerjen e këtij aktiviteti të kundraligjshëm në Grup të Strukturuar Kriminal, dhe ndaj të cilëve vijon të kryhen hetime të mëtejshme.
Vlen të theksohet fakti se të pandehurit janë jo vetëm nga Berati, por një pjesë edhe nga Malësia e Madhe, teksa gratë që rekrutoheshin për të punuar në serat me kanabis vinin nga qytete të ndryshme.