Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve është diskutuar kërkesa e 35 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për projektin e Portit turistik të Durrësit dhe atij në Porto Romano.
Kërkesa e demokratëve erdhi pas publikimit të disa artikujve të mediave gjermane, të cilat hedhin dyshime për afera korrupstive si për projektin e ri që pritet të ndërtohet ashtu edhe për largimin e një kompanie gjermane.
Opozita dyshon se procesi i tenderimit për portin e ri, i pashpallur ende zyrtarisht, është i manipuluar dhe i paracaktuar për aktorë të caktuar. Demokratët kërkojnë transparencë mbi këto dy projekti, mbrojtjen e pronës publike dhe ruajtjen e buxhetit të shtetit në të gjitha kontratat publike që angazhohet qeveria shqiptare.
Në fjalën e mbajtur në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi u shpreh se kemi të bëjmë me një aferë korruptive miliona euro. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, në portin e ri mund të investohen para të pista dhe Kuvendi ka të drejtën të hetojë.
“Kërkesa për komision hetimor është çështje konkrete. Një aferë korruptive qindra miliona euro. Faljen e tokës publike bashke me portin tek një firme private dhe ndërtimi i një porti te ri. Objekti i hetimit është konkret dhe puna e Kuvendit është pikërisht kjo. Është çështje e interesit publik dhe ne e kemi detyre të bëjmë transparencë. Aty mund të jenë para të pista që po investohen dhe Kuvendi ka të drejtë të hetojë, siç ka të drejtë të kontrollojë prishjen e të gjitha marrëdhënieve kontraktuale të mëparshme. Kuvendi ka të drejtë të hetojë edhe se ça po ndodh me portin e ri.
Na u tha që do jetë me faturë zero nga buxheti i shtetit sot na thuhet do kushtojë 1 miliardë. Nuk ka asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se në qofte se çështja është në Strasburg nuk mund të ketë hetim parlamentar. E kundërta është thënë. Gjithashtu i dashur koleg ti lexon gjëra që si kupton se kështu ti kanë dhënë. Nuk ka asnjë opinion të Venecias për këtë çështje siç ti pretendon. Në çdo vendim thuhet se Kuvendi ka rol kontrollues dhe duhet të bëjë kujdes që të mos ketë mbivendosje kompetencash.” – tha Bardhi.
Por, socialistët e refuzuan kërkesnën e PD-së. Nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi, tha se opozita e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe duhet pritur kjo e fundit që të shprehet.
“Ne kurrë s’kemi thënë që jemi kundër komisioneve hetimore. Kur ju i bëni komisionet hetimore me objektin e duhur janë miratuar. Pak a shumë ishin shteruese argumentet e grupit tonë parlamentar. Por dua të shtoj se sa herë që lexoj kërkesën ëe duket edhe e vonuar, edhe e shpejtuar, sepse jemi në limitet e punës së këtij Parlamenti. Në pjesën e fushatës, Parlamenti nuk mund të funksionojë. Më duket e vonuar se mund ta kishit bërë më përpara këtë komision nëse do ta donit”, tha deputeti socialist.
Sipas Çuçit, kjo çështje po shqyrtohet në Kushtetuese dhe nuk mund të merret një veprim tjetër pa pritur atë vendim.
“Më duket e shpejtuar se jemi përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Të presim njëherë Gjykatën Kushtetuese se çdo të thotë për këtë çështje. Ju keni kërkuar shfuqizim e të gjithë korpusit ligjor për çështjen e Portit te Durrësit në Gjykatën Kushtetuese. Të paktën sot ne nuk mund të marrim një vendim për ngritjen e një komisioni të tillë hetimor, pa folur gjykata”, deklaroi Çuçi.
Por, Ina Zhupa së bashku me Gazment Bardhin kundërshtuan argumentet e mazhorancës, ku deputetja demokrate u shpreh se Kushtetuta përcakton ngritjen e Komisioneve.
“Po harxhoni një kohë që nuk është produktive, ju s’keni asnjë të drejtë të rrëzoni një komision hetimor, sepse keni detyrimin që i jep Kushtetuta, Neni 77 e thotë qartë. Argumenti i Z. Balla, i cili në fakt është në konflikt interesi sepse përfaqëson qeverinë në konferencën e kryetareve dhe duhet fliste në fund, se ky është objekt hetimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk qëndron” – tha Zhupa.
Më tej, ajo shpjegoi edhe vendimin e Kushtetueses për kërkesat që depozitohen për komisione hetimore.
“Gjykata Kushtetuese është shprehur në vitin 2014 që ekzistenca e një procesi hetimor/gjyqësor për të njëjtën çështje, nuk përbën pengesë, sepse Komisionet Hetimore ndjekin qëllime të ndryshme. Siç kemi hetuar edhe çështje që gjykon SPAK dhe gjykata e posaçme, që prapë janë pushtet gjyqësor”.
Zhupa u tha kolegëve socialistë se në këtë pikë mund të diskutohej vetëm për afatin dhe jo nëse ngrihet apo jo komisioni.
“E vetmja gjë që mund të diskutojmë është nëse keni sugjerime për afatin, 6 a 5 muaj dhe hajde të punojmë. Sepse interesi publik duhet të jetë i pari për punën e Kuvendit dhe jo interesi klientelist”.
Kurse gazment Bardhi, u shpreh: “Në populizëm dhe në vjedhje të grupit të strukturuar kriminal nuk ju konkurrojmë. Kjo është fusha juaj. Ne kujdesimi për qytetaret dhe jemi krah shqetësimit dhe interesit të tyre”.
Ndërkohë, edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi ka mbajtur qëndrimin e tij, ku deklaroi se ngritja e komisionit hetimor në këtë rast shkel hapësirën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit.
“Së pari, kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës është formuluar dhe interpretuar ndryshe nga Z. Bardhi. Në thelb, kërkesa është për kontrollin e ligjshmërisë së procedurave, ndërsa Z. Bardhi e interpretoi atë si të lidhur me efektet e zbatimit të kontratës, duke e trajtuar kërkesën si të gabuar në mënyrë të tërthortë. Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar.
Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme. Gjithashtu, është fakt që procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend. Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara”, tha Peleshi.
Në fund, Konferenca e Kryetareve nuk arriti dakordësi dhe çështja do t’i kalojë seancës së parë plenare, pas çeljes së sesionit të ri.