Nga Erisa Kryeziu
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaruan të shtunën vendimin për të mbyllur rrjetin social Tik-Tok si reagim ndaj vrasjes nga një moshatar të 14-vjeçarit Martin Cani.
“Ngjarjet tragjike si ajo pranë shkollës ‘Fan Noli’ apo në Cakran na kujtojnë përgjegjësinë për të vepruar menjëherë dhe me vendosmëri që të mos përsëriten,” u shpreh ministrja Manastirliu gjatë prezantimit të të ashtuquajturit plan veprimi për fuqizimin e sigurisë në shkolla.
Duke e krahasuar me “rrugaçin e lagjes” Kryeministri Rama e cilësoi Tik-Tok-un ndikim negativ për të rinjtë. Për këtë, ai tha se rrjeti social do të mbyllet për një vit, duke nisur nga janari 2025, dhe se për këtë do duhen 6-8 javë për ta mbyllur plotësisht.
“Tik-Tok-u është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia,” paralelizoi Rama.
Kryeministri e kritikoi përmbajtjen e TikTok-ut jashtë Kinës, duke e konsideruar platformë që promovon “llum dhe negativitet,” në kontrast me versionin kinez, i cili sipas tij, “promovon edukimin dhe traditat”.
“Rrugaçërira, perversitete, dhunë. Bulizëm, krim, thika, shpata, revole, euro, dollarë nuk sheh në Tik-Tokun e Kinës. Ndërsa në Tik-Tokun jashtë Kinës vetëm llum dhe vetëm qenëri. Për çfarë na duhet ne kjo?” theksoi Kryeministri.
Vendimi për mbylljen e TikTok-ut ka ngjallur reagime të shumta. Kompania Tik-Tok i tha gazetarit Llazër Semini për Associated Press se nuk kishte gjetur prova që incidenti pranë shkollës “Fan Noli” të lidhej me platformën e saj, duke argumentuar se “videot e përmendura ndodheshin në një platformë tjetër” – Snapchat.
“Mbyllja e Tik-Tok vendim censure”
Për Elvin Lukun pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, ky vendim është një “akt censure” ndaj lirisë së shprehjes dhe mundësisë për të promovuar apo bërë biznes.
“Heshtja e mediave tradicionale tregon kontrollin politik mbi spektrin mediatik,” u shpreh ai për Citizens duke e konsideruar si indikator të rëndë censure mungesën e një reagimi.
Edhe SCiDEV, Qendra e Shkencës dhe Inovacionit për Zhvillim, e sheh vendimin me shqetësim, duke paralajmëruar për precedent të rrezikshëm ndaj platformave të tjera.
“Ndalimet e përgjithshme […] mund të zbatohen ndaj platformave të tjera ose formave të komunikimit në të ardhmen. Kjo është veçanërisht shqetësuese në mjedise ku liria e medias dhe liria e shprehjes janë tashmë nën presion,” thuhet në deklaratën e SCiDEV.
Por Luku e sheh mbylljen e Tik-Tok-ut si akt final i një sërë përpjekjesh nga ana e qeverisë për të heshtur zërat e qytetarëve. Ai kujton marrëveshjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) me kompaninë Tik-Tok ku raportoheshin dhe bllokoheshin përmbajtjet e konsideruara “në shkelje të rregullave”. Me qëllim të ngjashëm sipas tij mund të konsiderohet edhe Komisioni Parlamentar për Dezinformimin apo deklaratat e Kryeministrit për një fushatë shpifjesh online kundër turizmit në Shqipëri.
Pedagogu Ervin Goci renditi dhjetë arsye pse ky vendim cenon lirinë e shprehjes, duke përfshirë ndërprerjen e lidhjeve sociale dhe humbjen e kontributeve të përdoruesve. Ai theksoi se mbyllja shkel Nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Vendim për të gjithë popullatën, të pyetur vetëm prindërit
Ministjra Manastirliu deklaroi se nga 25 nëntori deri më 22 dhjetor qeveria kishte zhvilluar mbi 1,300 konsultime me prindër, ku 90% e tyre mbështetën mbylljen e TikTok-ut. Megjithatë, ekspertët kritikojnë mungesën e transparencës, duke theksuar se konsultimet janë ndikuar nga emocionet e ngjarjes tragjike.
“Vendime të kësaj natyre kanë impakt të madh ndaj procesi që duhet të ndiqet duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, i studiuar dhe konsultuar gjerë,” argumenton Armando Bode, ekspert ligjor.
Në këtë kontekst, duke qenë vendim që prek në masë të madhe popullsinë që i qaset kësaj platforme, ekspertët gjykojnë të gabuar mbështetjen vetëm te perceptimet e prindërve, duke vënë kështu në diskutim transparencën dhe mekanizmin mbi të cilin u bazua qeveria për të dalë në këtë vendim.
SCiDEV thekson se palë të rëndësishme si mediat, shoqëria civile, agjencitë e sigurisë apo parlamenti u përjashtuan nga diskutimi duke krijuar një precedent të rrezikshëm censure për të ardhmen.
Edhe Ervin Luku e sheh me shqetësim mos përfshirjen e grupeve të tjera në konsultim.
“Rrjeti social nuk është kufizuar për një grup-moshë të caktuar, por është mbyllur aksesi, një akt i rëndë censure. Nuk u pyeten as ekspertë komunikimi, as ekspertë mediash, as gazetarë as drejtues mediash që janë përdorues dhe njohës të platformës,” thekson Luku për Citizens.
Për Armando Boden, mbyllja e Tik-Tokut është masa më drastike dhe duhet të ishte zgjidhja e fundit pas provimit të masave më të lehta. Më tej eksperti ligjor specifikon se në rastin e Shqipërisë nuk kemi të bëjmë me mbyllje, por bllokim aksesi, pasi askush nuk ka kompetencë apo autoritetet ta bllokojë platformën në tërësi veç kompanisë mëmë.
“Çfarë mund të bëjë është të bllokojë askesin e ‘userave’ shqiptarë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Më shumë prek të drejtat e përdoruesve se sa të Tik-Tokut më vete,” shpjegon Bode.
A u përmbushën kërkesat e prindërve protestues?
Protestat e prindërve pas ngjarjes në shkollën “Fan Noli” kërkuan siguri në shkolla dhe rritje të buxhetit për arsimin. Megjithatë, ekspertët shprehin shqetësim për përdorimin e vendimeve populiste në periudha parazgjedhore, duke rrezikuar lirinë e shprehjes dhe përfshirjen qytetare.
Për Migen Qiraxhin, një nga organizatorët e protestës, edhe pse vetë nuk ka simpati për platformën Tik-Tok, thotë se ky vendim drastik nuk ishte kërkesë e prindërve protestues.
“Sigurisht një kërkesë e prindërve ka qenë vendosja e filtrave, rregullimi i moshës, por edhe ndjekja e të gjithave përmbajtjeve ose kontenteve që këto platforma kishin” tha Qiraxhi për Citizens.
Ai e shikon këtë vendim si një formë të qeverisë për të tërhequr vëmendjen nga problematikat reale ndërsa thotë se procedurat e ndjekura për vendimmarrjen janë shqetësuese, pasi u anashkaluan ekspertët dhe të dhënat faktike si statistikat nga platforma.
“Duhet të na tregonin kush janë statistikat e Tik-Tokut, a është një platformë në rritje apo në rënie? Sa për qind e tyre janë të mitur? Sa kohë shpenzojnë në këto platforma? Cilat janë përmbajtjet? Si mund të kontrollohet përmbajtja? Kush janë personazhet kryesore të cilët përhapin gjuhë urrejtjeje?” vijoi Qiraxhi.
Përpos mbylljes së Tik-Tokut, e vetmja kërkesë e plotësuar nga protesta e prindërve është shtimi i psikologëve, punonjësve socialë dhe oficerëve të sigurisë në shkolla.
Qeveria deklaroi se brenda dy viteve do ta çonte numrin e tyre në 1200 teksa u premtua ngritja e një “Rrjeti Kombëtar për Sigurinë Online” ku do të ndihmohej në edukimin dhe mbrojtjen digjitale të nxënësve./ Citizens.al