Turizmi është shndërruar vitet e fundit në sektorin kryesor të ekonomisë shqiptare, ku pritshmëritë janë për një numër gjithmonë e më të lartë të turistësh. E ndërsa Shqipëria po zbulohet dhe pëlqehet si destinacion, dilema është: sasi apo cilësi? Thënë ndryshe, çfarë tipologjie turistësh na duhet?
Të dhënat tregojnë se 9 mujorin e këtij viti, turistët e huaj kanë shpenzuar në Shqipëri një total prej 3.8 miliardë euro, ose 20% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por në rritje të ndjeshme kanë qenë edhe shpenzimet që shqiptarët kanë bërë në udhëtimet e tyre jashtë vendit.
Sipas të dhënave, në 9 mujorin e këtij viti ata kanë shpenzuar jashtë mbi 2 miliardë euro ose 19.1% më shumë se një vit më parë.
Por sa i suksesshëm nga pikëpamja financiare ka rezultuar sektori këtë vit?
Përllogaritjet tregojnë se bilanci i sektorit të turizmit për 9 mujorin e këtij viti ka rezultuar pozitiv, me një total të ardhurash prej 1.8 miliardë eurosh që kanë mbetur në ekonominë shqiptare.
Por përtej kësaj shifre, sa kanë shpenzuar mesatarisht turistët e huaj në vendin tonë? Për të kuptuar edhe tipologjinë e tyre.
Rezulton se mesatarisht një turist i huaj ka shpenzuar për qëndrimin në Shqipëri 391 euro. Një shifër që konsiderohet e ulët dhe dëshmon se Shqipëria është ende larg turizmit elitar që duhet të synojë dhe ajo që kemi aktualisht, është një turizëm masiv me vizitorë të varfër./ A2CNN