Skema për ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese po nxjerr në sipërfaqe një kompromis të heshtur politik për të anashkaluar Kushtetutën. Mazhoranca dha sinjalin e parë me procedurën për zëvendësimin e gjyqtares Elsa Toska, që nuk po kundërshtohet nga grupi më i madh i opozitës. Një argument të ngjashëm, demokratët po e përdorin për të zgjatur mandatin e gjyqtares tjetër kushtetuese, Sonila Bejtja. Profesoresha Aurela Anastasi e vendos përgjegjësinë te vetë Gjykata Kushtetuese, që duhet të ruajë pavarësinë e saj duke treguar kufijtë. Ambasada Amerikane thekson se duhet që çdo tre vjet, kjo gjykatë duhet të rifreskohet me tri anëtarë.
Më 30 dhjetor 2019, kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i kërkoi ndihmë, përmes një letre, Komisionit të Venecias.
Në Shqipëri institucionet ishin përfshirë në një konflikt mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe kohëzgjatjen e mandateve të këtyre gjyqtarëve, ndaj një arbitër i jashtëm duhej të “përkthente” Kushtetutën tonë.
Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016, kishte vendosur në Kushtetutë, në nenin 125 të saj, rregullin se çdo tre vjet, Gjykata Kushtetuese do të rifreskohej me nga 3 gjyqtarë. Kjo do të realizohej duke garantuar balancën e institucioneve që emëronin gjyqtarët kushtetues, ndaj, në çdo grup gjyqtarësh që do të linin detyrën përpara kohe, njëri do të ishte i emëruar nga Presidenti, njëri nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë.
Opinioni i Venecias, i ardhur në qershor të vitit 2020, tha qartë, me vite dhe me emra konkretë, se cila ishte radha e emërimit të gjyqtarëve kushtetues e po ashtu, cilët ishin gjyqtarët që do të kishin një mandat të kufizuar me qëllim ruajtjen e skemës së ripërtëritjes çdo tre vjet.
“Në zbatim të këtij neni prodhohet skema e mëposhtme:
Raundi i parë: Pasardhësit e Sokol Berberit dhe Vladimir Kristos (mbarimi i mandatit 25.04.2016) – i pari nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi; pasardhësja e Vitore Tushës (mbarimi i mandatit 10.03.2017): Gjykata e Lartë (deri në 2025-n)”.
Edhe pse opinionet e Komisionit të Venecias janë këshillimore dhe jo detyruese, politikanët shqiptarë tradicionalisht i janë drejtuar për mendim, duke e pranuar gjithmonë si një arbitër të pakundërshtueshëm.
E përkthyer me përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, në pranverën e ardhshme, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të largohen. Konkretisht, më 25 prill 2025 duhet të ikë Sonila Bejtja, që zuri vendin e Sokol Berberit (emëruar nga presidenti Meta) dhe po në të njëjtën datë edhe Elsa Toska, e cila zëvendësoi Vladimir Kriston (emëruar nga Kuvendi). E përzgjedhura nga Gjykata e Lartë në vend të Vitore Tushës ikën më herët. Ajo është kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, mandati i së cilës përfundon më 10 mars 2025.
“Kushtetuesja të vendosë kufij”, a do të ikin 3 gjyqtarët në pranverë?
Kushtetuta dhe opinioni i Komisionit të Venecias orientojnë se raundi i rifreskimit të Gjykatës Kushtetuese do të ndodhë në vitin 2025. Pra, 3 gjyqtarë, një i emëruar nga Presidenti, një nga Kuvendi e një nga Gjykata e Lartë duhet të zëvendësohen.
Po cilët janë emrat dhe a do të ikin vërtet ata?
Mbarimi i mandatit të një gjyqtari kushtetues shpallet me vendim të kësaj gjykate, në respekt të ligjit organik të këtij institucioni. E pyetur nga “INA Media” që më 22 nëntor, se kur përfundojnë mandatet e këtyre tre gjyqtarëve dhe kur do të shprehet gjykata për këtë çështje, ky institucion nuk dha përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Kjo trupë duhet të marrë vendim, së pari, për kryetaren e kësaj gjykate, Holta Zaçaj. Kjo duhet të ndodhë 3 muaj përpara mbarimit të mandatit, pra së shpejti, deri më 10 dhjetor. Më pas, gjykata, brenda datës 25 janar, duhet të shpallë me vendim përfundimin e mandatit të gjyqtarëve Elsa Toska dhe Sonila Bejtja.
Dorëheqja e parakohshme e gjyqtares Toska e futi situatën në një ngërç, pasi Kushtetuesja e njoftoi Kuvendin për krijimin e vakancës së parakohshme, por pa treguar se kur do të fillonte e kur do të mbaronte mandati i atij që do të zëvendësonte Elsa Toskën.
Pedagogia e të drejtës kushtetuese në Universitetin e Tiranës, profesoresha Aurela Anastasi, tha për “INA Media” se është pikërisht kjo shmangie e vetë Gjykatës Kushtetuese që iu ka hapur rrugë shkeljeve.
“Gjykata Kushtetuese duhet të riparojë formulën e saktë, me qëllim që të respektohet ripërtëritja. Historia e kësaj çështjeje dëshmon të kundërtën. Kjo gjykatë nuk vendosi asnjëherë një formulë të rregullt për këtë çështje dhe ripërtëritja ka vuajtur vazhdimisht nga parregullsitë”,- tha konstitucionalistja.
Sipas Anastasit, prishja e radhës së përtëritjes sjell si pasojë mosrespektimin e përtëritjes së pjesshme çdo tre vjet me 1/3 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese është organi kompetent që duhet të mbajë këtë radhë. Kjo është e rëndësishme për pavarësinë e saj”,- thekson profesoresha e të drejtës kushtetuese, e cila sjell në vëmendje ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet: “Kryetari i Gjykatës Kushtetuese njofton për vendin vakant…”.
“Në këtë rast, kryetari/ja duhet të njoftojë organin e emërtesës sipas radhës së emërimit, edhe për kufijtë kohorë të mandatit për vendin vakant”,- thotë Anastasi, veprim i cili, po të ishte bërë deri tani nga vetë gjykata, do të kishte shmangur manovrat e politikës mbi të.
Kuvendi i Shqipërisë, i pyetur nga “INA Media” mw 22 nëntor, se kush është gjyqtari që ky institucion do të emërojë gjatë vitit 2025, në respekt të skemës përtëritëse të përcaktuar nga neni 125 i Kushtetutës, nuk dha përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Kreu i shtetit, Bajram Begaj, i cili po ashtu duhet të bëjë një emërim të ri, muajt e ardhshëm, preferoi të mos përfshihej në këtë debat në këtë moment.
“Institucioni i Presidentit të Republikës nuk komenton paraprakisht procedura kushtetuese, të cilat kërkojnë bashkëpunim institucional të disa organeve kushtetuese, secili sipas kompetencave të përcaktuara qartë”,- tha zyra e tij për “INA Media”.
I vetmi institucion emërtese i qartë për afatet e tij dhe i gatshëm për të ndarë një qëndrim me publikun është Gjykata e Lartë.
“Referuar datës 10 mars 2025, si data e përfundimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të emëruar nga Gjykata e Lartë, rezulton se procedura për emërimin e radhës do të nisë 3 muaj përpara përfundimit të këtij mandati. Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë mbarimin e mandatit të znj. Holta Zaçaj jo më vonë se data 10.12.2024”,- tha Gjykata e Lartë në përgjigje të një kërkese për informacion nga “INA Media”.
SHBA: Gjykata Kushtetuese të rinovohet me tri anëtarë çdo tre vjet
E pyetur nga INA Media mbi këtë proces, Ambasada Amerikane në Tiranë theksoi se Gjykata Kushtetuese duhet të rinovohet me tri anëtarë çdo tre vjet.
“Kushtetuta e Shqipërisë është ligji më i lartë i vendit dhe institucionet e drejtësisë mbartin përgjegjësi të madhe në respektimin e parimeve kushtetuese. Kjo përfshin përgjegjësinë e shumë institucioneve, përfshi Gjykatën Kushtetuese dhe organet e emërtesës, për të respektuar parimin e rinovimit të gjykatës me tri anëtarë çdo tre vjet,” komentoi zyra e shtypit e ambasadës së SHBA.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në 11 nëntor, edhe OPDAT, instrumenti i SHBA për sistemin e drejtësisë.
Çfarë fshihet pas heshtjes së “të mëdhenjve” të politikës?
Kur më 30 shtator të këtij viti, Kuvendi shpalli vakancën për zëvendësimin e parakohshëm të gjyqtares kushtetuese, Elsa Toska, pas dorëheqjes, u vu re se thirrja iu bëhej aplikantëve për një mandat që duhet të përfundonte në vitin 2028 dhe jo në vitin 2025.
Ky veprim duket si zgjatimi i një “gabimi” të bërë që në vitin 2019, kur në emërimin e gjyqtares Elsa Toska, Kuvendi e përcaktonte mandatin e saj të plotë deri në vitin 2028, pa e përfshirë në skemën e ripërtëritjes të përcaktuar në nenet 125 dhe 179 të Kushtetutës.
E vetmja që e denoncoi këtë veprim ishte deputetja demokrate, Jorida Tabaku.
Përmes një reagimi të vetëm në rrjetin social “Facebook”, deputetja akuzoi kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë se kishte ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr.
“A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim kryetarja e Kuvendit të mbajë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar reformën në drejtësi?” – shkroi Tabaku më 3 tetor e që nga ajo ditë, ajo nuk e ngriti më këtë çështje publikisht. “INA Media” e pyeti deputeten nëse ajo iu qëndron ende këtyre deklarimeve dhe pse grupi parlamentar demokrat ku ajo bën pjesë nuk e ka ndjekur këtë çështje, por zonja Tabaku nuk dha asnjë koment.
“INA Media” iu drejtua me një kërkesë 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pa asnjë përjashtim, në disa kanale zyrtare komunikimi, për t’i pyetur mbi këtë çështje, por rezultoi se 110 deputetë nuk kishin asgjë për të thënë, pavarësisht se në fund të gjithë do të votojnë për pasuesin e Elsa Toskës. 17 të tjerë nuk u ndjenë kompetentë për të komentuar, me argumentin se nuk ishin juristë apo se për shkak të angazhimeve të tjera parlamentare nuk kishin kohë ta studionin çështjen, edhe pse redaksia i njoftoi se do të priste 5 ditë që ata ta analizonin rastin. Vetëm 13 deputetë mbajtën një qëndrim të caktuar mbi emërimet që duhet të bëjë Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk dha asnjë koment për këtë rast, kurse kryetarja e Komisionit të Ligjeve, komision përgjegjës për plotësimin e kësaj vakance, Klotilda Ferhati, tha: “Do të më duhet të studioj e analizoj parashikimet kushtetuese dhe rezervoj ta shpreh qëndrimin tim në Komisionin e Ligjeve, kur çështja të jetë objekt shqyrtimi në kuadër të procedurës përkatëse parlamentare.”
Deputeti tjetër i Komisionit të Ligjeve, Toni Gogu, mbështeti kryetaren Elisa Spiropali, duke sjellë në vëmendje se vendimi i Kuvendit për emërimin e Elsa Toskës, ku shkruhej se mandati i saj ishte deri në vitin 2028, ishte “ende në fuqi” dhe asnjë organ tjetër nuk e kishte rrëzuar atë pas 5 vitesh.
Veprimet e mazhorancës socialiste mbështeten edhe nga deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i cili thotë se ky “është një debat fiktiv, i nxitur vetëm nga interesa personale”.
“Mandati është i plotë dhe përfundon në vitin 2028, ashtu sikurse Kuvendi ka bërë në mënyrë korrekte dhe ligjore edhe shpalljen e vakancës. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk filloi menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2016, por tre vjet më vonë”,- tha Vasili.
Ata që janë “divorcuar” politikisht nga Partia Demokratike, në fakt, mbështesin shqetësimin e ekspertëve dhe të Jorida Tabakut, duke e quajtur spostimin e mandatit të Elsa Toskës dhe zëvendësuesit të saj deri në vitin 2028 “kapje të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi”.
Deputeti Lulzim Basha deklaron se “shkelja nga Kuvendi” në lidhje me mandatin e dhënë gjyqtares Toska është “një precedent i rrezikshëm antikushtetues”.
“Afatet për ripërtëritje në këtë kontekst lidhen ngushtë me vitet 2025, 2028 dhe 2031 dhe çdo shmangie nga ky cikël përbën shkelje të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë shkeljen e saj nga mazhoranca, e cila duket se ndjek interesa të ngushta politike. Nëse mazhoranca nuk ndërhyn në kohë për të adresuar këtë situatë, kjo rrezikon të fusë në krizë Gjykatën Kushtetuese”, – deklaroi Basha në një prononcim për “INA Media”.
Anëtari i opozitës në Komisionin e Ligjeve, Enkelejd Alibeaj, tha se kryetarja e Kuvendit ka uzurpuar kompetencën që i takon gjithë Kuvendit dhe jo një deputeti të vetëm, qoftë edhe në postin e kryetarit. “Viti 2025 është viti kur duhet të ndodhin këto 3 ripërtëritje. Mandati që znj. Toska ka marrë fillonte në 2016-n. Zonja Toska nuk e ka marrë prej fillimit (2016), por 3 vjet më vonë. Ky mandat ushtrohet deri në 2025-n. Zgjatja deri në 2028-n e shtrin këtë mandat në 12-vjeçar, duke prishur (ndër të tjera) edhe këtë rregull kushtetues”, – u përgjigj Alibeaj për “INA Media”.
“Mandati zëvendësues i znj. Toska duhet të përfundojë në 2025-n. Mazhoranca synon të rrisë kontrollin mbi Gjykatën Kushtetuese në shkelje të Kushtetutës, duke zgjedhur për një mandat deri në 2028-n zëvendësuesin e znj. Toska”,- tha deputeti Agron Shehaj.
Në të njëjtën linjë është edhe deputeti Dashamir Shehi.
“Nuk janë vendosur kot rregullat me disa kufizime, ato janë menduar si të tilla që të ruhet balanca dhe influenca e çdo institucioni në Gjykatën Kushtetuese. Shpallja e vakancës për deri në vitin 2028 është gabim”,- nënvizoi Shehi gjatë një bisede telefonike me “INA Media”.
Grupi parlamentar demokrat dha një koment me shkrim pas kërkesave të përsëritura nga redaksia e “INA Media”-s.
Gazment Bardhi nënvizoi se grupi i tij e ka ndjekur nga afër debatin publik të zhvilluar lidhur me këtë çështje dhe i ka marrë në konsideratë këto shqetësime, duke kryer në kohë një analizë të plotë kushtetuese të këtij rasti.
Pas një analize të bërë nga ata që në PD i quajnë “ekspertët tanë”, demokratët kanë arritur në konkluzionin se vetëm dy gjyqtarë kushtetues duhet të përfundojnë mandatin para kohe në funksion të ruajtjes së skemës së përtëritjes dhe ata janë, sipas Bardhit, Holta Zaçaj dhe Sandër Beci.
“Për të gjithë gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta dhe ligji parashikon se emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit të tyre (pra 9 vjet)”,- tha Bardhi.
Ajo që bie në sy nga “konkluzionet e analizës së ekspertëve të grupit të PD-së” është se demokratët jo vetëm që nuk janë të shqetësuar që mandati i atij që do të zëvendësojë Elsa Toskën do të shkojë deri në vitin 2028, por nuk përmendin as gjyqtaren tjetër, Sonila Bejtja.
Kjo e fundit është e përzgjedhur mes kandidatëve dhe është emëruar nga presidenti Meta, një kundërshtar politik i mazhorancës që në kohën që ishte kryetar shteti. Bejtja është konsideruar si një mbështetëse e opozitës, jo vetëm prej origjinës së emërimit, por edhe prej qëndrimeve të njëpasnjëshme që ka mbajtur gjatë gjykimeve në Kushtetuese.
Pozicionimi i demokratëve se as ajo nuk duhet zëvendësuar në vitin 2025 ngre dyshimin nëse opozita “po hesht” kur socialistët po i zgjatin mandatin pasuesit të Elsa Toskës në mënyrë që ky precedent të aplikohet edhe për gjyqtaren e komentuar si “miqësore” ndaj opozitës, Sonila Bejtja.
A ka vërtet rëndësi? Kriza e vitit 2028
Siç parashtrohet nga analiza e fakteve, prishja e formulës së rifreskimit nuk është vetëm çështje kalendari apo radhë për respekt. Gjykata Kushtetuese me 9 anëtarë duhet të ruajë balancën e brendshme në çdo kohë, ku 3 anëtarë të jenë si emërime nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Shkatërrimi i këtij proporcioni mund të sjellë në një formë të paparashikuar që në një moment të caktuar, një nga këto 3 institucione të ketë emëruar më shumë gjyqtarë se të tjerët, çka mund të influencojë vendimmarrjet e Kushtetueses.
Nëse në vitin 2025 nuk zëvendësohen 3 gjyqtarë kushtetues, kjo mund të bëjë që në vitin 2028 të duhet rifreskimi i 4 apo 5 anëtarëve njëherësh të kësaj gjykate, çka mund të prodhojë një krizë, siç paralajmëron edhe Gjykata e Lartë.
“Ky proces kushtetues është i detyrueshëm për t’u kryer në kohë, si nga Gjykata e Lartë, ashtu edhe nga dy institucionet e tjera, me qëllim shmangien e çdo krize a tensioni që mund të krijohet”,- thuhet në komentin e dhënë nga kjo gjykatë për “INA Media”-n.
Gjykata e Lartë, e pyetur specifikisht për pasojat që mund të vijnë në vitin 2028, tha: “Misioni kryesor i Gjykatës Kushtetuese është të sigurojë epërsinë dhe stabilitetin e Kushtetutës, të ruajë ndarjen e pushteteve”.
Për këtë arsye, kjo gjykatë nënvizon se rregullat e ripërtëritjes së gjyqtarëve janë të paracaktuara për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të mbetet funksionale dhe e balancuar në përbërjen e saj.
“Për të ruajtur funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues që organet emërtesë të tregojnë vëmendjen e duhur për të siguruar plotësimin e numrit të nevojshëm të gjyqtarëve çdo tre vjet, duke ruajtur rregullin e ripërtëritjes”,- përfundon komenti i Gjykatës së Lartë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili filtron dhe rendit kandidatët para se të vendosë Presidenti, Kuvendi apo Gjykata e Lartë, tha për “INA Media”-n se“çdo tre vjet (viti 2025, 2028 e në vijim) ripërtëritja kthehet në normalitet”.
Në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të datës 11 nëntor të këtij viti mësohet se përfaqësuesja e OPDAT, mision i Ambasadës Amerikane që mbikëqyr dhe asiston sistemin e drejtësisë, ka theksuar se “është e rëndësishme që të respektohet parimi kushtetues i përtëritjes së Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë çdo tre vjet”.
Edhe opinioni i Komisionit të Venecias i qershorit 2020, në pikën 18, thotë se “në këtë mënyrë, pika 3 e nenit 179, synonte të rikrijonte tre grupe me nga tre gjyqtarë, mandati i të cilëve do të përfundonte në të njëjtin vit: tre në 2025-n, tre në 2028-n dhe tre në 2031-shin”.
Por ndryshe nga të gjithë këta aktorë, Gazment Bardhi mendon se në vitin 2025 duhet të ikë vetëm kryetarja e gjykatës, Holta Zaçaj.
“Ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese ka një rëndësi thelbësore për të garantuar koherencën e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese”,- tha Bardhi në reagimin e tij për “INA Media”-n, por ai shtoi se“kjo prishje skeme erdhi si pasojë e shkarkimeve nga vettingu, të cilat nuk ishin parashikuar nga kushtetutëbërësi”. Ndaj ai sugjeron që skema të korrigjohet “përpara vitit 2028 përmes ndryshimeve tranzitore kushtetuese”.
Në përfundim, teksa aktorët politikë mund të kenë interpretime apo interesa të ndryshme, një prej zërave më autoritarë në leximin e Kushtetutës dhe e distancuar politikisht, prof. Aurela Anastasi, thekson se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet “ta shpëtojë veten”.
“Respektimi dhe ruajtja e rregullit të përtëritjes nga Gjykata Kushtetuese nuk lejon që organet e emërtesës të ndërhyjnë dhe të prishin këtë radhë. Organet e emërtesës kanë detyrë t’i binden rregullit të mbajtur nga Gjykata Kushtetuese”, – gjykon Aurela Anastasi, pedagoge e të drejtës kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë.
Deputetët e vetëm që kishin një mendim mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese
- Agron Shehaj – Partia Demokratike – larguar
- Arbi Agalliu – Partia Demokratike – larguar
- Enkelejd Alibeaj – Partia Demokratike – larguar
- Lulzim Basha – Partia Demokratike – larguar
- Dashamir Shehi – Lëvizja për Zhvillim Kombëtar – Partia Demokratike
- Edi Paloka – Partia Demokratike
- Dhurata Çupi – Partia Demokratike
- Gazment Bardhi – Partia Demokratike
- Oerd Bylykbashi – Partia Demokratike
- Petrit Vasili – Partia e Lirisë
- Toni Gogu – Partia Socialiste
- Bujar Çela – Partia Socialiste
- Ilir Metaj – Partia Socialiste
/ Esiona Konomi – INA MEDIA