Prej kohës kur Shqipëria nisi procesin e integrimit europian, mungesa e konkurrencës në prokurimet publike mbetet një ndër kritikat e vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, kritikë që reflektohet edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimi Europian.
Për të analizuar këtë problematikë në proceset e prokurimit publik, do t’u referohemi fillimisht raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave, vetëm në katër vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro, barrë e cila bie mbi qytetarët.
Emisioni “Vetting” ka analizuar procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 dhe ka zbuluar se në shumicën prej tyre nuk ka garë pasi kompanitë janë shkualifikuar ose ka pasur pjesëmarrëse vetëm një kompani. Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj, sektori i prokurimit publik ka disa probleme. “Në thelb procesi i prokurimit publik në Shqipëri mund të themi që çalon, çalon në cilësi, por edhe në vendimmarrjen e organeve kompetente”, – tha për “Vetting” Muharrem Çakaj.
Problemet me tenderat kanë sjellë krijimin e kushteve për monopole me fondet publike, e cila sipas drejtuesve të lëvizjeve politike duket te numri i kompanive të përfshira në tenderime. “Do duhej që normalisht investimet të ndaheshin dhe tenderat të fitoheshin nga kompani të ndryshme sepse nëse në Shqipëri ka 6000 kompani ndërtimi, ndërkohë 5 apo 10 prej tyre janë ato që fitojnë shumicën e tenderave publikë në infrastrukturë, kjo tregon qartë që se është krijuar një farë monopolizimi i tregut”, – tha për “Vetting” Adriatik Lapaj, kryetar i lëvizjes politike “Shqipëria bëhet”. Nga të dhënat e përpunuara nga “Open Data Albania”, rezulton se një pjesë e madhe e 100 tenderave më të mëdhenj të organizuara nga institucionet publike rezultojnë me “red flag”, ose ndryshe me “flamur të kuq”. “Flamuri i kuq” vendoset automatikisht nga sistemi i “Open Data Albania” kur kemi vetëm një kompani që garon për tenderin, ose janë shkualifikuar të gjitha kompanitë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e kualifikuar. Mungesa e garës praktikisht është si të marrësh pjesë në një konkurs, ku askush nuk paraqitet përveçse një pjesëmarrësi, i cili automatikisht shpallet fitues. Sipas Ilir Brashaj, analist te “Qëndresa Qytetare”, në tenderat me vlerë të madhe numri i ofertave të dorëzuara është relativisht i ulët.
PËRQENDRIMI I FONDEVE PUBLIKE TE DISA KOMPANI
Nëpërmjet të dhënave të përpunuara nga “Open Data Albania”, “Vetting” ka analizuar 40 tenderat më të mëdhenj për periudhën 2020-2023, ku bie në sy mungesa e garës, e cila ka indicie për korrupsion. “Vetting” ka evidentuar se nga 40 tendera, 31 ose 77% e tyre janë me “flamur të kuq”, pasi janë shkualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e mbetur në garë. Vlera e totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë. Pra, në 4 vite 650 milionë euro fonde publike u janë akorduar pa garë një grupi kompanish, të cilat gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publik. Nga raportet e Agjencisë së Prokurimeve Publike evidentohet se vetëm për vitin 2023 janë realizuar 1218 procedura tenderash me vetëm një kompani të vetme, që ka dorëzuar ofertën dhe 24 % e procedurave kanë dështuar. Sipas ekspertit Muharrem Çakaj, fitimi i një kontrate me një vlerë pothuajse sa fondi limit është një flamur i kuq, i cili duhet të ngrejë të gjitha alarmet e mundshme, që kjo procedurë ka diçka që nuk shkon. “Realizueshmëria e procedurave publike në vitin 2023 është diku te 76%, pra gati çereku i procedurave të prokurimit publik dështojnë? E di pse dështojnë? Sepse nuk janë shpallur fitues operatorët që autoritetet duan prandaj dhe vlerësimi im është që ky proces është pjesërisht transparent dhe pjesërisht objektiv”, – shpjegoi eksperti Çakaj.
Disa prej këtyre tenderave dhe kompanive janë nën hetim nga SPAK së bashku me drejtuesit e institucioneve që kanë miratuar këto kontrata. Shumica e tenderave janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën drejtimin e Evis Berberit, i cili në mars 2024 është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Sipas SPAK, Berberi dyshohet për korrupsion pasiv për 3 tendera te Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe për pastrim parash. Një ish drejtor tjetër, që ka organizuar disa tendera, ku janë skualifikuar të gjithë konkurrentët është Ergys Verdho, i cili aktualisht drejton shoqërinë publike Hekurudha Shqiptare dhe është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Në një komunikim zyrtar për “Vetting”, SPAK deklaroi se ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre” për nëpunësit e përfshirë në procesin e prodhimit, shpërndarjes dhe administrimit të energjisë elektrike prej 10 tetorit 2021, ku vet Verdho ka qenë administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
KOMPANITË E PËRFSHIRA NË TENDERA
Në deklaratën e Open Data Albania për tenderat e 2021 theksohet se: “spikat fakti që në 100 tenderat më të mëdhenj, janë 35 kontraktime me procedurë të kufizuar apo negocime të drejtpërdrejtë, me pak fjalë tenderime ‘red flag’ pa garë”. Madje nga 10 tenderat me vlerën më të lartë për vitin 2021, 6 prej tyre janë pa garë pasi janë shkualifikuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e vetme e mbetur në tender. Të 6 tenderat janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe lidhen me infrastrukturën e Unazës së Jashtme të Tiranës. Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj është e vështirë që disa operatorë të japin një ofertë sa fondi limit, duke theksuar se në këto raste ka shumë indicie që gara për tenderin të jetë e rregulluar. Një prej tenderave që bie në sy është organizuar nga Bashkia Durrës me mbështetje nga programi i rindërtimit për “Rehabilitimin e Infrastrukturës së Rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë” me ofertë fituese 19,7 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit, me një diferencë të papërfillshme më konkurrentin. Është një prej procedurave të prokurimit që është denoncuar nga emisioni “Vetting”, pasi përveç procedurës së dyshimtë, njëra nga kompanitë e përfshira në konsorciumin fitues është “ADRIATIK” shpk, në pronësi të babait të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellësit Durrës, Spartak Kovaçi, rast që është nën hetim nga SPAK. Nëse në vitin 2021 ka disa kompani, që kanë konkurruar dhe kanë shkuar deri në fund të garës, në vitin 2022 situata është më e rëndë pasi të gjitha procedurat janë me ‘flamuj të kuq’. Nga 10 tenderat më të mëdhenj për këtë vit, ku shumica janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të gjitha kompanitë janë shkualifikuar duke u shpallur fituese kompania, që thjesht plotësonte kriteret. Në vitin 2023 ka pasur raste që kompanitë kanë bërë ankesë siç është rasti për tenderin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për Ndërtimin e Institucionit për Edukim dhe Rehabilitim të të Miturve me fond limit 19.2 milionë euro.
Në këtë rast, institucioni më i lartë në fushën e prokurimeve, Komisioni i Prokurimeve Publike e ka rrëzuar ankesën dhe ia ka deleguar si rast Agjencisë së Prokurimeve Publike për të realizuar një hetim administrativ. Një rast tjetër nën hetim nga SPAK, që mund të ishte me pasoja tragjike lidhet me shembjen e aksit Ersekë-Korçë, ku një ditë më pas në 17 shkurt 2024 Prokuroria e Posaçme do të niste hetimet për dy kompanitë “A & E ENGINEERING” dhe “A.N.K”. Kjo është një tjetër kompani, e cila ka fituar tender në 2023 duke u shkualifikuar konkurrentët e tjerë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 20.8 milionë euro. Dy tendera të tjerë të vitit 2020, tenderi i Autoritetit Portual të Durrësit për shërbimi i menaxhimit dhe operimit të Terminalit të Kontejnerëve në portin e Durrësit dhe tenderi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë nën hetim nga SPAK. Sipas ekspertit Çakaj, në sektorin e prokurimeve publike në këto 4 vitet e fundit po e hasim gjithmonë e më shpesh nënshkrimin e kontratës me një vlerë sa fondi limit, e cila është e dëmshme për menaxhimin e fondeve publike.
“Së pari, këtu kemi vrasje të garës, sepse teorikisht një procedurë prokurimi ku konkurrojnë disa operatorë ekonomikë, në një garë të ndershme do duhet që secili të japi ofertën e vet dhe oferta do duhet të ketë konkurrueshmëri”, – deklaroi për “Vetting” Muharrem Çaka. Në mbyllje të raportit për vitin 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të bënte kallëzim për tenderin e uniformave të policisë të realizuar në korrik 2020 nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Nga hetimet e SPAK do të arrestoheshin dhe dënoheshin anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shkelje të ligjit të Prokurimit Publik dhe favorizim të kompanisë që fitoi tenderin.
TENDERI I UNIFORMAVE TË POLICISË
Në korrik 2020, kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike do të emërohej Jonaid Myzyri dhe disa ditë pas emërimit të tij do të shpalleshin fitues të tenderit të uniformave të policisë bashkimi i kompanive “D&E” SHPK dhe “SUMMER CONF. s.r.l” dhe “LOVERS s.r.l” dhe “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU”. Pavarësisht ankesave për këtë procedurë, ky tender do të fitohej nga konsorciumi i kompanive, pasi ishin shkualifikuar kompanitë e tjera. Edhe pse pati ankesa dhe kundërshtime, Agjencia e Prokurimeve nuk do të kishte hetim administrativ për këtë tender. Roli i Agjencisë së Prokurimeve Publike është verifikimi i zbatimit të procedurave të prokurimit publik dhe ankandit publik pas fazës së nënshkrimit të kontratës. Në rast shkeljesh të dispozitave ligjore dhe nënligjore, ky institucion vendos gjoba dhe propozon marrjen e masave administrative deri në përjashtimin e kompanive nga gara për tenderat. Por në këtë rast ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka zbuluar paligjshmërinë. Mesa duket historia e këtij tenderi ka fije, që jo vetëm hedhin dyshime për neglizhencë të qëllimshme nga APP-JA, por zbulojnë se Myzyri në deklarimin e pasurisë, ka fshehur vlerat monetare të përfituara nga transaksione financiare.
Sipas avokates Erjola Përlesi, vlerat monetare duhet të deklarohen pavarësisht kohës kur është realizuar transaksioni pasi duhet të dihet nga e ka prejardhjen. Konkretisht, në vitin 2020, Jonaid Myzyri do të themelonte me Gëzim Fezollin kompaninë “AGRO POLIS”, aksionet e së cilës do t’ia shiste në 7 korrik 2020 Valbona Ndrepepaj me vlerë 510 euro, dy ditë përpara se të zgjidhej kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike nga Parlamenti. Nga deklarata fillestare e pasurisë nga kreu i KPP-së rezulton se transaksioni i shitjes së 51% të aksioneve të kësaj kompanie nuk është deklaruar nga Jonaid Myzyri. Njëri nga pronarët e kompanisë fituese të tenderit të uniformave të policisë, “D&E” shpk rezulton në pronësi të Ismail Kadiut. Kadiu deri në vitin 2018 ka qenë bashkëpronar me Gëzim Fezollin te kompania “Liberest Grup” (ish-LIBEREST), kompani e cila me VKM-në e 2014 ka marrë sipërfaqe toke me kontratë 1 euro. Fezolli ka qenë ortak me Jonaid Myzyrin tek kompania “AGRO-POLIS”, transaksion të cilin Joniad Myzyri e ka fshehur. Sipas avokates Erjola Përlesi, çështja e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë ka specifika, që sjellin masa të ashpra kur nuk zbatohet ligji. “Të deklarojë pasurinë financiare si edhe prejardhjen e tyre, në rast se nuk e deklaron kemi refuzim të deklarimit që sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkim nga kodi penal”, tha për “Vetting” avokatja Përlesi. Por në këtë rast ngrihen disa pyetje: Pse e ka fshehur lidhjen e tij me Gëzim Fezollin, Jonaid Myzyri? Cila janë arsyet kaq të forta që Myzyri të rrezikojë postin.
VARTËSI I BALLUKUT
Dritëhijet me garën për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike
Prej korrikut 2020 e në vazhdim, Komisioni i Prokurimeve Publike drejtohet nga Jonaid Myzyri, i cili një vit pas diplomimit në 2014 nga Fakulteti i Drejtësisë do të ishte pjesë e Komisionit të Prokurimit Publik si inspektor. Ngjitjet në karrierë e Joniad Myzyrit do të fillonte paralelisht me ardhjen në detyrë të Belinda Ballukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në janar 2019.
Nga dhjetori 2019 deri në korrik 2020, Jonaid Myzyri do kalonte si përgjegjës te Komisioni i Prokurimit Publik pranë Ministrisë së Infrastrukturës, post nga i cili u largua duke u katapultuar si kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike në korrik 2020. Por procesi i përzgjedhjes ka pasur një procedurë, e cila ka ngritur hije të forta dyshimi për paligjshmëri dhe mungesë transparence, procedurë e cila është realizuar ‘online’ nga Komisioni i Ligjeve në korrik 2020, i cili drejtohej nga ministri aktual i Drejtësisë Ulsi Manja. Sipas ligjit të Prokurimeve Publike, ka disa kritere për t’u plotësuar për të qenë kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik. Disa nga këto kritere është eksperienca mbi 8 vite punë dhe të paktën dy vite punë në pozicion drejtues. Në listën e kandidatëve të propozuar me 5 veta, dy kandidatë qëndronin mbi të tjera me 75 pikë, Jonaid Myzyri dhe Nikollaq Neço. Në prezantimin në 9 korrik 2020 përballë Komisionit të Ligjeve, Zoti Myzyri nuk e specifikon fillimisht se sa vite punë ka, por do të ishte deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, e cila do të hidhte dritë mbi eksperiencën e kreut aktual të KPPsë.
PJESË NGA DISKUTIMET E KOMISIONIT TË LIGJEVE, 9 KORRIK 2020
Vasilika Hysi:Ju përmendët që vini nga shoqëria civile, ku keni qeni të anëtarësuar gjatë kësaj periudhe? Gjithashtu nga informacionet ose nga materiali që na ka vendosur në dispozicion shërbimet e monitorimit, rezulton që ju keni mbaruar studimet në vitin 2014. Pra, në këtë periudhë nga 2014 deri në 2020 në të cilën jeni, cilat janë përvojat tuaja që lidhen me fushën e prokurimit publik përveç këtij dyvjeçari, që keni qenë në marrëdhënie pune?
Jonadid Myzyri: Ndjesë, sepse ka pasur një ngatërresë ose një mosdëgjim të pasaktë. Unë nuk vij nga fusha e Shoqërisë Civile, por nga shërbimi civil. Unë studimet e larta baçelor i kam mbyllur fillimisht në vitin 2012, përkohësisht kam filluar të jem aktiv në punë, edhe gjatë periudhës së shkollës. Nga periudha 2009 e në vijim, nga viti 2015-2019 kam qenë në rolin e inspektorit të komisionit të prokurimeve publike dhe nga viti 2019 e në vijim jam përgjegjës në sektorin e prokurimeve publike pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Jonaid Myzyri e ka mbaruar shkollën në 2014 dhe ka kryer studime me kohë të plotë. Është e paqartë se si kreu i KPP-së ka arritur të kalojë këto filtra nga Komisioni i Ligjeve. Por ky nuk është i vetmi kriter që ngre pikëpyetje. Deputetja Vasilika Hysi do ta pyeste përsëri për pozicionin drejtues, se sa kohë kishte, por Myzyri do të deklaronte që kishte punuar te Ministria e Infrastrukturës, në kompani private, por edhe roli si inspektor është pozicion drejtues, duke shtuar se “është mbi dy vite drejtues në përputhje me ligjin”. Kreu i Komisioni të Ligjeve në atë periudhë, deputeti Ulsi Manja me propozim të deputetes Klotilda Bushka, por edhe në diskutimin me deputetët e tjerë në Komision do të propozonte në votim, që të zgjidhej Jonaid Myzyri. Në atë rast, nuk pati asnjë deputet kundra, asnjë abstenim. Deklaratat kontradiktore në Komisionin e Ligjeve janë vetëm sipërfaqja e një personazhi, i cili ka lidhje të dyshimta financiare. Le t’i marrim me radhë, përballë deputetëve të Komisionit të Ligjeve, Myzyri deklaroi se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e shoqërisë civile, duke fshehur faktin që në të vërtetë ka qenë i punësuar pranë Organizatave Jofitimprurëse. Në deklaratën fillestare të pasurisë, kreu i KPP-së ka deklaruar se ka pasur të ardhura nga organizata jofitimprurëse, “ALBANIA INNOVATION FOUNDATION” për shkak të kontratës “Krijimi i sistemit e-ankand sipas sistemit open data”, OJF e cila rezulton me përfaqësues Alba Hasa. Ky projekt është financuar nga institucioni publik, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Në deklarimin e pasurisë nuk specifikohet nëse gjatë kësaj kohe Myzyri ka qenë i punësuar si inspektor, ndërkohë që në intervistën për Komisionin e Ligjeve deklaron se në vitin 2019 ka punuar si inspektor dhe më pas si përgjegjës te prokurimet te Ministria e Infrastrukturës. Një pasuri tjetër që ka ngritur dyshime për mosdeklarim është apartamenti në unazën e re, të cilin Myzyri e ka publikuar në 2020 për dhënie me qira. Ngrihen pikëpyetjet për këtë aset sepse në deklarimin e pasurisë, kreu i KPP-së rezulton pa apartament.
AKUZAT PËR LIDHJET ME KOMPANITË “ALKO IMPEX”
Përtej aspektit me deklarimin e pasurisë dhe CV-së profesionale, Joniad Myzyri ka treguar se edhe në punën e këtij institucioni ka pasur mangësi. Shpeshherë Komisioni i Prokurimeve Publike nën drejtimin e Jonaid Myzyrit ka qenë në qendër të akuzave për favorizimin e kompanive private, ku ai ka qenë i punësuar.
Sipas deklaratës së hershme në 2016, opozita shqiptare ka akuzuar Myzyrin se ka favorizuar kompanitë “Alko Impex”, ku si administrator shfaqet Arbër Abazi.
Kjo është njëra nga deklaratat e vitit 2016 kur Myzyri ishte inspektor te KPP-ja. Edhe në 2020 zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka lëshuar të njëjtat akuza për lidhjet me kompanitë “Alko Impex”, por në këtë rast Myzyri ka qenë në pozicionin e drejtuesit të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Në asnjë rast, Myzyri nuk ka përgënjeshtruar deklaratat duke nënkuptuar se ka qenë i punësuar te kjo kompani. Janë të paktën dy tendera, për të cilët kompanitë kanë bërë ankesa, por çështja ka përfunduar në Gjykatë. Konkretisht në shtator të vitit të kaluar u organizua tenderi për rindërtimin e Spitalit Rajonal të Dibrës, ku u shpall fitues me ofertë 2.9 milionë euro bashkimi i kompanive “Rafin Company” dhe “Udha” shpk. Në garë mori pjesë edhe kompania “ALKO-IMPEX General Construcion” me administrator Arbër Abazin, i cili bëri ankesë për tenderin, ku në mars 2024 Komisioni i Prokurimit pranoi pjesërisht ankesën, duke urdhëruar Spitalin e Dibrës që të anulojë tenderin dhe ta rishpallë sërish tenderin. Por çështja do të përfundonte në Gjykatën Administrative, pasi bashkimi i kompanive fituese do të ankimonte vendimin e komisionit. Me anë të vendimit nr. 68, datë 22.07.2024 Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, duke e detyruar Spitalin e Dibrës që të vazhdojë me tenderin dhe të lidhte kontratën me kompanitë fituese. Megjithatë, Komisioni i Prokurimit Publik do të prodhonte një rast të paprecedentë pasi nëpërmjet një akti të pazakontë, KPPja ka urdhëruar Spitalin që të pezullojë zbatimin e vendimit të gjykatës. Në fakt, vendimi i Apelit është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për zbatim, por nëpërmjet një shkrese me Gjykatën e Lartë, KPP-ja deklaron se ky rast është i veçantë dhe kjo i jep të drejtën të pezullojë tenderin.
“Vetting”: Dyshime se auditimi i koncesioneve bllokohet qëllimisht!
Me ndryshimet e vitit 2021, Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila prej 7 vitesh drejtohet nga Reida Kashta ka shtuar Sektorin e Monitorimit të Koncesioneve dhe Procedurave në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Ky sektor kryen hetim administrativ, nëpërmjet verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë së procedurave të koncesioneve dhe prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë pas nënshkrimit të kontratës. Sipas raportit të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Agjencinë e Prokurimeve për periudhën 2021-2023 rezultojnë probleme me verifikimin e kontratave koncesionare. Konkretisht në vitin 2021 është firmosur kontrata për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, për të cilën duhet të ishin bërë verifikimet, edhe pse ka shkelur afatin 2-vjeçar, që me ligjin e mëparshëm që ka qenë në fuqi, kjo kontratë duhet të ishte verifikuar.
Në lidhje me këtë gjë, Agjencia e Prokurimeve ka deklaruar se çështja është e referuar në SPAK, por audituesit kanë deklaruar se APP-ja nuk ka dorëzuar asnjë dokumentacion për të provuar shkaqet. Por kjo është vetëm nga njëra nga kontratat koncesionare, pasi në vitin 2022 janë firmosur 3 kontrata të tjera, për të cilat nuk është kryer asnjë verifikim nga Agjencia e Prokurimeve për koncesionin rrugor “Milot-Thumanë”, koncesionin e rrugës “KasharPezë-Lekaj” dhe koncesionin e rrugës “Lekaj-Konjat-Fier”. Sipas avokates Erjola Përlesi, një ndër arsyet që kemi shumë shkelje në procesin e tenderave lidhet edhe me punën e vet institucioneve publike, të cilat nuk realizojnë auditimin dhe nuk referojnë shkeljet në tendera. Sipas KLSH-së, Agjencia e Prokurimeve Publike nuk ka kryer asnjë hetim administrativ për këto koncesione, nuk ka plotësuar stafin për këtë sektor dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë dokument, që kjo agjenci të dëshmojë arsyet se pse nuk janë realizuar këto verifikime. Në raport zbulohet se ngërçi i krijuar ka ardhur si pasojë e mosdorëzimit të dokumenteve te Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila drejtohet nga Belinda Balluku. Madje nga auditi zbulohet se Agjencia e Prokurimeve nuk ka bërë asnjë kërkesë për të plotësuar këtë staf, duke hedhur dyshime se bllokimi i verifikimit të kontratave koncesionare ka qenë i qëllimshëm.
Në shkurt 2024, Myzyri është paraqitur në SPAK, ku ka qëndruar për rreth dy orë, ku ngelen të paqarta arsyet në këtë rast. Në këtë situata parregullsish me procedurat e prokurimit publik, investimet e huaja mbeten në kuota të ulëta. Kështu, në vitin 2023, nga 4007 procedura, që janë finalizuar me kontratë, numri i kompanive të huaja, që janë shpallur fitues është vetëm 18. Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj në kushtet kur Shqipëria kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe kërkon të hapi tregun, ky numër është relativisht i vogël.
“Kjo është një kambanë alarmi që sistemi i prokurimeve në Shqipëri është i mbyllur, sistemi i prokurimeve është i kontrolluar dhe këtu nuk kemi as transparencë e as garë”,- u shpreh për “Vetting” eksperti Çakaj.
Sipas kryetarit të “Shqipëria bëhet” Adriatik Lapaj, pas gjithë kësaj situate të mbyllje të tregut mund të ketë arsye që lidhen me lidhjet e shkurtra politike me qeverisjen e vendit, të cilat në vetvete mund të jenë edhe shkak për korrupsion të kamufluar. Faktet e pasqyruara më lart tregojnë se në Shqipëri, është bërë e zakonshme shkelja e të gjitha rregullave për konkurrim të ndershëm në të gjitha proceset, sidomos në ato që kanë të bëjnë me prokurimet publike. Secili prej zyrtarëve nga nivelet me të ulëta të administratës shtetërore deri në majën e saj, është i vetëdijshëm për rrugëtimin e tij, për çdo cent që ka përfituar padrejtësisht në dëm të fondeve publike të vendit më të varfër në Europë.
/Emisionin “Vetting”