Me 75 vota, shumica socialiste miratoi në parim më 20 nëntor buxhetin për vitin 2025 në një seancë të zgjatur parlamentare të ndikuar nga “mosbindja civile” e opozitës, e cila protestoi jashtë Kuvendit teksa u bë votimi. Më pas buxheti prej €8.2 miliardë kaloi më 3 dhjetor në Kuvend.
Por ndërsa opozita protestoi për atë që e cilësoi si “buxhet i oligarkëve dhe klientëve të qeverisë”, në parlament mungoi debati.
Ekspertët shprehen se nuk ka pasur diskutime cilësore duke shtuar se buxheti nuk adreson asnjë nga çështjet problematike të qytetarëve dhe ekonomisë.
“Buxhet elektoral jo strategjik”
Miratimi i buxhetit është vendimi më i rëndësishëm i një qeverie dhe parlamenti. Për këtë ai ka nevojë për një strategji apo reformë, por për drejtuesin e Institutit të Studimeve Politike (ISP), Afrim Krasniqi, buxheti i vitit 2025 ishte pa qasje të tillë.
“Nuk ka një prioritet, synime në reforma të caktuara, plan strategjik, por i përshtatet vitit elektoral edhe si i tillë konsiderohet buxhet i cenueshëm”, tha Krasniqi për Citizens.al teksa kujtoi se disa herë ka pasur ndërhyrje nga Kuvendi për rishikim dhe rishpënrdarje të buxhetit.
Ngjashëm mendon dhe drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj. Sipas saj, përballë ndikimeve nga inflacioni dhe situatave sociale, buxheti 2025 duhet të adresonte varfërinë dhe standardet jetike.
“Megjithëse me rritje nominale buxheti nuk e ka adresuar asnjërën prej tyre. Mos harrojmë që edhe të ardhurat nga konsumi mund të jenë të ardhura që për shkak të inflacionit të bëjnë të mendosh për një shoqëri ku polarizimi ekonomik i bën të pasurit më të pasur dhe të varfrit më vulnerabël”, tha Brahaj për Citizens.al.
Grupi Parlamentar i PD depozitoi 32 amendamente për buxhetin e 2025, të cilat sipas tyre do të ndihmonin për të siguruar mirëqenien minimale të qytetarëve.
PD kërkoi rritje pagash me 20% në shëndetësi dhe arsim, pezullim pageash për koncesione dhe PPP, rritje pensionesh, kompensim pronash, si dhe miratimin e minimumit jetik në vlerën 20 mijë lekë. Miratimi i minimumit jetik është një kërkesë e herdhme dhe nga grupet jashtë parlamentit. Ka qenë Lëvizja Bashkë që ka dërguar në Kuvend projektligjin për Minimumin Jetik, nismë e cila nuk u mor parasysh nga Kuvendi. Në projektligjin e Lëvizjes Bashkë kërkohet që minimumi jetik të indeksohet sipas inflacionit.
Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës për miratimin e Minimumit Jetik në buxhet, duke e cilësuar si “lëmoshë”.
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu tha se qeveria ka forcuar programet e punësimit dhe sipas saj “stresat e varfëra nuk kanë nevojë që të sigurojnë miqëqenien me lëmoshë por duke i integruar në tregun e punës”.Shqipëria hapi këtë vit bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një proces i konsideruar tejet me rëndësi dhe që pritet të kërkojë kohë dhe maturi. Përballë këtij zhvillimi të rëndësishëm Krasniqi është i mendimit se palët politike duhet të reflektonin një sjellje tjetër në forcimin e rolit të Kuvendit në hartimin dhe diskutimin e buxhetit.
“Duhet të kishte qasje krejt tjetër të raportit të Parlamentit, llogaridhënies së qeverisë përpara tij dhe kërkesës së rritjes së peshës së Kuvendit në shqyrtimin, trajtimin dhe vendimmarrjen e buxhetit,” tha Krasniqi.
Sa i përket cilësisë së gjithë-përfshirjes, diskutimeve, informacionit dhe transparencës, Krasniqi shprehet se pati më pak në raport me buxhetet e viteve të shkuara.
“Pra që do të thotë se u bë një hap pas në aspektin e nevojës së një Parlamenti më të fortë dhe një qeverie më llogaridhënëse përpara Parlamentit,” theksoi Krasniqi.
“Pensionet u përdorën për propagandë”
Diskutimi i buxhetit 2025 në Kuvend nisi me pensionet, ku qeveria në mënyrë deklarative prezantoi trefishimin e shpërblimit të fundvitit për rreth 720 mijë pensionistë – e paparashikuar më parë në buxhetin 2024. Rritja u pa si “shpërblim elektoral” teksa u premtua “bonus” edhe për në pranverë.
Në buxhetin 2025 u vu re se fondi për “bonus pensionesh” ishte më shumë se dyfishi i fondit për indeksimin e tyre.
Qeveria parashikon rreth 1.618 miliardë lekë (€16.3 milionë) për indeksim dhe 3.75 miliardë lekë (€37.8 milionë) për bonus vitin e ardhshëm.
Nga kjo kuptohet se pensionet nuk janë prioritet i qeverisë, por u përdorën për të tërhequr vëmendjen gjatë diskutimit, teksa prej 4 javësh pensionistët protestojnë çdo të mërkurë para Kryeministrisë për rritje pensionesh.
Buxheti i 2025 planifikon rreth 822.2 miliardë lekë (€8.3 miliardë) shpenzime, që përbëjnë 31.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vitit 2025.
“Funksioni Mbrojtje Sociale është funksioni me më shumë peshë [për qytetarët], por kjo nuk do të thotë që pensionet kanë vëmendjen e duhur,” u shpreh Brahaj.
Drejtuesja e Open Data Albania analizoi se skema e mbrojtjes sociale është problematike dhe duhet subvencionuar nga buxheti i shtetit.
“Nëse Kryeministri Rama pret që skema e pensioneve të një vendi ku popullsia tkurret të mbajë veten, kjo do të thotë që perspektiva për pensione, të paktën sa minimumi jetik, është e largët,” tha më tej Brahaj.
Në parim, buxheti është i qytetarëve, pasi bazohet tek kontributet dhe taksat e tyre. Për rrjedhojë ai duhet të adresojë shqetësimet kryesore të qytetarëve. Në këtë këndvështrim Brahaj është e mendimit se nëse do të kishte minimum jetik të caktuar me ligj “asnjë pension nuk do të qëndronte poshtë këtij minimumi” duke e bërë situatën e pensionistëve disi më të lehtë.
Brahaj shprehet se miratimi i minimumit jetik do të detyronte qeverinë të trajtonte në mënyrë të denjë të moshuarit, jetimët, të papunët apo gratë dhe familjet me pak të ardhura.
Ngjashëm mendon dhe Krasniqi, i cili shton se duke qenë se buxheti është për nevojat e qytetarëve, do të duhej të ishte i kuptueshëm për ta, një qasje që sipas drejtuesit të ISP-së mungoi edhe këtë vit.
“Mënyra se si është paraqitur dhe prezantohet buxheti në publik, konsiderohet si një dokument i cili kuptohet vetëm nga individ të cilët merren me të, nga deputetët që votojnë dhe jo nga publiku i gjerë”, sqaroi Krasniqi.
Shumica socialiste e konsideroi buxhetin e këtij viti “më i madhi që është prezantuar ndonjëherë” një retorikë që gjeti vend edhe në raportime në media, por që Krasniqi e hedh poshtë duke theksuar se mbetet cilësim politik për sa kohë logjika e zhvillimit e dikton një ide të tillë ku buxhetet e viteve që vijnë të jenë më të mëdha se ato pasardhëse.
“Këtë vit sidomos, [ka ndodhur] edhe për shkak të ndryshimit të kursit, sepse rënia e euros forcon lekun dhe si e tillë çdo shifër e njëjtë e vitit të kaluar rritet në kushtet e një kursi të ri,” shtoi Krasniqi.
“Shpenzimet qeveritare për 2025”
Open Data Albania analizoi shpenzimet qeveritare të parashikuara për buxhetin e vitit 2025, ku në total janë planifikuar 637.4 miliardë lekë (€6.4 miliardë), ose sa 77.5% e shpenzimeve vjetore për dhjetë funksione publike të cilat garantohen nga shteti. Pjesa tjetër janë “shpenzime të paklasifikuara”.
Peshën më të lartë në shpenzime e zë funksioni i “Mbrojtjes Sociale” me 27.8% të totalit, i cili krahasuar më një vit më parë ka rënie, pasi në 2024 zinte 29.3%.
Më pas vijnë:
- “Çështjet Ekonomike” 9.6% e shpenzimeve
- “Shëndetësia” 9.2% e shpenzimeve
- “Arsimi”, 8.1% e shpenzimeve
Ndërkohë buxheti ka 185.3 miliardë lekë (€1.88 miliardë), ose 22.5% të shpenzimeve të paklasifikuara, ku përfshihen:
- “Shpenzimet e Pushtetit Vendor” 89.9 miliardë lekë (€908 milionë),
- “Pagesat për Shërbimin e Borxhit” 68.6 miliardë lekë (€693 milionë)
- “Fondi Rezervë dhe Kontigjenca e Këshillit të Ministrave” 11.7 miliardë lekë (€118 milionë)
- “Fondi i Rindërtimit” 5 miliardë lekë (€50.5 milionë)
- “Shpenzime të Tjera” 10.3 miliardë lekë (€104 milionë)
Brahaj është e mendimit se ndër fushat që do duhet të kishin më tepër peshë në buxhet janë Arsimi dhe Mbrojtja Sociale.
Sa i takon investimeve publike, për vitin e ardhshëm janë parashikuar të shpenzohen 151.4 miliardë lekë (€1.52 miliardë), që zë rreth 18.4% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Kjo vlerë përbën 5.78% të PBB-së.
Investimi më i kushtueshëm është “Porti i ri tregtar i Durrësit në Porto Romano”, me vlerë 14.745 miliard lekë (€148 milionë).
Ky projekt ishte parashikuar në buxhetin e vitit 2024 si investim i huaj me vlerë 43 miliardë lekë (€430 milionë), por për buxhetin e vitit të ardhshëm është ri-klasifikuar si financim i brendshëm dhe do t’i kushtojë shtetit miliarda lekë.
Deri në vitin 2028, ku parashikohet të përfundojë projekti, ndërtimi i portit do të kushtojë 49.15 miliard lekë (rreth €500 milionë).
Projekti i dytë më i madh është “Kapacitete të Ofruara në Modernizimin e Forcave të Luftimit” me vlerë 10.16 miliard lekë (€102 milionë euro) mbështetje të huaj.
Edhe pse burimi është i huaj është i paspecifikuar. Ky projekt parashikohet të përfundojë në 2027, dhe vlera totale është planifikuar në 47.775 miliardë lekë (€483 milionë) – nga 39.9 miliardë që parashikohej në planin afatmesëm 2024-2026).
Ndërtimi i rrugëve në Elbasan zë peshën e tretë më të kushtueshme të investimeve për qeverinë ku 9 faza punimesh për Elbasan-Lekaj dhe Elbasan-Paper-Ura e Grykshit parashikohet të kenë nevojë për 7.2 miliardë lekë (€72.7 milionë euro).
Autoriteti Rrugor ka shpallur procedurat për 6 faza në tetor. Projekti i rrugës Elbasan-Lekaj pritet në nisë këtë vit dhe të mbyllet në 2027, me vlerë totale prej 18 miliardë lekë (€181.8 milionë).
Buxhetit “nuk ka harruar” as shpenzime për propagandën. Agjencia qeveritare për Media dhe Informim, e cila është kritikuar që në formim nga ekspertët e medias si “mjet propagande”, parashikohet të ketë nevojë për 149 milionë lekë shpenzime (€1.5 milionë) për paga dhe sigurimet e 69 punonjësve të saj.
/Citizens