Prej më shumë se 2 orësh është zhvilluar protesta e opozitës të cilët kanë arritur që të paralizojnë qarkullimin në Tiranë.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, protestuesit bllokuan 5 kryqëzimet kryesore të kryeqytetit në kuadër të aksionit të “mosbindjes civile”.
Deputetët demokratë udhëhoqën protestuesit të cilët u vendosën në pesë zona të njohura si: te rrethrrotullimi Zogu i Zi, Rruga e Elbasanit, Sheshi Willson, te Pallati me Shigjeta dhe Bashkia e Tiranës.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thënë lidhur me këtë protestë se PD ka qenë e qartë që nuk është për dhunën dhe luftë guerile kundër “narko-regjimit dhe diktaturës”, por ka zgjedhur ta kundërshtojë atë me anë të mosbindjes civile.
Tubimi nisi me përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Përplasje të ashpra janë regjistruar te rruga e Elbasanit. Shkak është bërë ndërhyrja e policisë për të shpërndarë qytetarët e mbledhur te ky aks rrugor.
Siç shihet edhe nga fotot, deputetët Flamur Noka dhe Xhelal Mziu janë përplasur me efektivët e policisë.
Gjithashtu deputetët demokratë në krah të qytetarëve janë përplasur me efektivëve të cilët u kanë bërë thirrje që të mos bllokohen rrugët pasi po kryejnë ‘vepër penale’. Ndërkohë deputetët e PD-së thonë se po u shkelet e drejta e tyre kushtetuese për të protestuar.
Policia pasi qytetarët kanë bllokuar rrugën, ka nisur aksionin për të shtyrë qytetarët. Ndërkohë që një prej qytetarëve është kapur nga efektivët dhe është shoqëruar drejt makinës së tyre.
Raportohet se përplasjet kanë nisur pas zëvendësdrejtori i policisë së Tiranë, Sokol Bizhga ka urdhëruar efektivët të shpërndajnë protestuesit.
Gjatë përplasjeve një nga qytetarët ka humbur ndjenjat, ndërsa është marrë me ambulancë. Përplasje të ashpër fizike ka pasur edhe mes deputetit të PD-së, Flamur Noka me policinë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ndodhet në krye të protestës së opozitës te Rruga e Elbasanit.
Noka tha për mediat se policia po tenton të kërcënojë dhe intimidojë protestuesit dhe opozitën.
Ai bën thirrje që punonjësit e policisë të heqin duart nga qytetarë, ndërsa shtoi se askush nuk e ndalon mosbindjen civile të opozitës.
“Asgjë më shumë se sa po përmbushim misionin e opozitës. Banditët me uniformë, të rekrutuar nga rilindja, kërkojnë të kërcënojnë opoiztën. Sokol Bizhga, njeriu që nxori në pritë Gjergj Mehmetin në vitin 1997 dhe u vra nga bandat, është shpërblyer për urrejtjen e tij ndaj PD dhe vjen këtu të drejtojë falangat e krimit. I bëj thirrje nipit të Enver Hoxhës dhe nipit të Spiro Kolekës, Edi Rama, hiqni falangat e krimit nga policia dhe largoni duart nga qytetarët. Duart do t’ju djegin ju. Ky është një mesazh që u përcjell nga ky vend ku po ushtrojmë mosbindjen civile. Askush nuk e ndalon dot mosbindjen civile të opozitës. Unë e kuptoj se janë në panik, janë të tmerruar, prandaj po ndërhyjnë sepse vala e revoltës qytetare do mbërrijë në Surrel.”, tha Noka.
- Bylykbashi përplaset me efektivin civil: Mos guxoni të shoqëroni protestues!
Gjatë shoqërimit të qytetarëve deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi pati një debat me një efektiv civil. Bylykbashi iu drejtua efektivit që të mos shoqërojnë protestues.
Debati:
Bylykbashi: Mos guxoni të shoqëroni protestues.
Polici civil: Mos prek punonjësin e policisë.
Bylykbashi: Ose do merremi me ne pastaj
Polici civil: Merru sa të duash.
Bylykbashi: Kur të merrem unë nuk ju ikën shejtani, kaq po të them.
- Policia hedh ujë me lëndë djegëse drejt protestuesve te bashkia e Tiranës
Pas përplasjeve fizike përpara Bashkisë së Tiranës, policia përmes autobotit ka shpërndarë ujë.
U raportua se nga presioni i ujit, disa protestues kanë rënë në tokë.
Tensioni është duke vijuar, ndërsa një ambulancë ka arritur në vendngjarje, për të marrë një zonjë, e cila u dëmtua nga uji me presion.
- Protestuesja: Janë imoralë, duam largimin e Ramës dhe Veliajt
Në protestën e radhës të opozitës, qytetarët kanë bllokuar disa prej akseve kryesore të Tiranës, por një gjë e tillë është tentuar të pengohet nga Policia e Shtetit, e cila mesa duket ka marrë urdhër të mos lejojë qytetarët të shprehin indinjatën dhe irritimin e tyre me këtë narkoqeveri.
Protestuesja 80-vjecare, u shpreh se policia po i dhunon dhe po i’u hedh ujë me spec duke iu mohuar të drejtën e protestës.
80-vjecarja tha se kam punuar 80 vite për Tiranën, kam çuar katër fëmijë në botë, se s’kanë pasur ca të hanë.
“Janë imoral, nuk mund të më shtyjnë dhe të më hedhin mua ujë me spec ata, jam 80 vjeçe. Dua ikjen e Veliajt dhe Ramës, vetëm nëse e mbyt krejt popullin shqiptar. Tirana është e imja, kam punuar 80 vite për Tiranës, kam çuar katër fëmijë në botë, se s’kanë pasur ca të hanë, edhe pse ikshin me shkollë, kam mall për ta. E shiti Shqipërinë, fëmijët nuk i kemi këtu. Nuk i vjen turp të bëjë kështu nënën 80-vjeçare kështu”, tha ajo.
- Tedi Blushi bllokoi autobotin, policia hedh gaz lotsjellës drejt protestuesve
Forcat e policisë kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në sheshin “Willson”.
Kjo situatë erdhi pasi disa deputetë të PD dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u pozicionuan para autobotit me ujë, duke mos lejuar policinë për ta përdorur.
Në momentin që pati një zhvendosje të tyre si pasojë e gazit dhe të deputetëve nga autoboti, nga ky i fundit u lëshua ujë me presion, duke detyruar protestuesit që të largoheshin nga rruga.
- Noka paralajmëron drejtuesit e policisë: Do ta paguani
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka hedhur akuza të forta mbi policinë, për të cilën tha se janë përfshirë në krime dhe theksoi se i ‘lëshohet opozitës si bisha të tërbuara’.
Noka foli me emër, duke thënë se Sokol Bizhga, Ilir Proda dhe Neritan Nallbati janë të emëruar nga krimi, ndërsa u shpreh se “këta do ta paguajnë”.
“Kjo polici nuk përfaqëson as ligji dhe as shtetin, prandaj i lëshohen si bisha të tërbuara opozitës, sepse janë mercenarë të krimit të organizuar. Nuk kanë lidhje me ligjin dhe shtetin. Janë polici politike, kupolë e inkriminuar kundër opozitës. Ne jemi në mosbindje civile, policia nuk ka të drejtë as të japë leje dhe as të marrë leje. Policia vetëm njoftohet. Sokol Bizhga urdhëron dhunën ndaj opozitës dhe urdhërojnë vjedhjen e votës, por do ta paguajnë. Sokol Bizhga, Ilir Proda dhe Neritan Nallbati janë të emëruar nga krimi”, tha Flamur Noka.
Noka po ashtu paralajmëroi policinë se: “Ata që guxojnë ti shërbejnë politikisht bandës së pushtetit në kundërshtim me cdo ligj dhe normë duhet ti bëjnë mirë hesapet”.
- Protesta mbyllet vetëm te ‘Sheshi Uillson‘, Bardhi dhe grupi i bashkohen pjesës te Bashkia e Tiranës
Protesta mbyllet vetëm te Sheshi Uillson, grupi i të cilëve u drejtua për te Bashkia e Tiranës.
Nënkryetari i PD-së Gazment Bardhi sulmoi ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha si të lidhur me bandat në Durrës.
Duke u larguar nga sheshi Uilson gjatë protestës së PD-së, drejt bashkisë së Tiranës, Bardhi sulmoi dhe policinë e shteti që sipas tij nuk arreston anëtarët e bandës së Elbasanit por merret me qytetarët e thjeshtë.
‘Janë ekzekutuar vetëm 5 edhe këta jashtë territorit. Në vend që të arrestonte bandën e Elbasanit ishite sot kundër qytetarëve. Provuan që janë narko-polici kundër qyetarëve të ndershëm. Një polici që drejtohet nga ministri i Brendshëm ushtar i provuar i bandës së Durrësit. Lidhje e vjetër e trafikut të drogës. Secili prej këtye fakteve do bëhet publik në vijim.’, tha Bardhi.