Ekspertë të sistemit arsimor dhe incidenteve që e kanë zanafillën në rrjetet sociale vlerësojnë se vrasja tragjike e 14-vjeçarit në Tiranë është e paralajmëruar për shkak të mungesës së kapaciteve dhe sigurisë në shkolla, ndërsa kërkojnë një reformim të thellë të sistemit arsimor në vend.
Vrasja tragjike e një 14-vjeçari të hënën në Tiranë në rrugicën para shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” dhe plagosja e një tjetri nga një bashkëmoshatar ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në sallën e Parlamentit.
Ata u sulmuan me thikë, pas mësimit, nga të paktën një bashkëmoshatar, i cili u arrestua nga policia pas ngjarjes, motivet e të cilës mbeten të paqarta.
Deputetë të opozitës kërkuan dorëheqjen e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu duke e cilësuar të dështuar politikën e qeverisë për sigurinë në shkolla.
“Paketën e sigurisë në shkolla ku e çuat, te hashashi, te droga që hyn nëpër shkolla, thika, biçaku?! Kjo është paketa?! Si ka mundësi të nderuar kolegë që ne duhet ta kalojmë këtë me normalitet dhe nuk duhet të kërkojmë përgjegjës,” tha deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Shumica në parlament kërkoi nga ana e saj që ngjarja të mos përdorej për politikë. Ministrja e Arsimit, Manastirliu, theksoi se ngjarja nuk kishte ndodhur brenda shkollës dhe kërkoi reflektim. “Dhimbja e komunitetit, e jona, e imja personale është e paimagjinueshme dhe është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë, na fton se si përfaqësues të qytetarëve këtu në këtë sallë të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më te mbrojtur për fëmijët tanë”, tha ajo.
Për ekspertët e arsimit dhe sigurisë në shkolla, vrasja e fëmijës është një këmbanë alarmi që kërkon reagim të menjëhershëm dhe reforma të thella në sistemin arsimor dhe në shkolla.
“Është një thirrje e fortë për sistemin arsimor,” i tha BIRN Ilir Gedeshi, drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale.
Borjana Dine, zyrtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve pranë CRCA/ECPAT Shqipëri, thotë se ngjarja fatkeqësisht është e paralajmëruar, për shkak të tendencës në rritje të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. “Ka gjuhë urrejtje të madhe, ka bullizëm ka denigrim dhe dashur pa dashur kalojnë në dhunë fizike,” tha Dine, duke iu referuar edhe gjuhës në rrjetet sociale.
Dhuna e kudondodhur
Shkolla konsiderohet një mjedis i sigurtë dhe i monitoruar, por mungesa e vëmendjes për vite me radhë dhe rënia e cilësisë së saj, siç provohet nga testimet PISA, ka sjellë një mori problemesh.
Të dhënat e raportuara nga Ministria e Arsimit tregojnë se vetëm gjatë vitit shkollor 2022-2023 u raportuan 796 raste të dhunës fizike, 912 raste të dhunës psikologjike dhe 954 raste të bullizmit në shkolla.
Një raport monitorimi i organizatës Qëndresa Qytetare gjeti se ndryshe nga premtimet e qeverisë, oficeri i sigurisë, një element i shtuar për të shmangur ngjarje të kësaj natyre, mungonte në shumicën dërrmuese të shkollave deri në pranverë të vitit 2024. Njëlloj në mungesë ishte edhe psikologu apo punonjësi social. Raporti thotë se një psikolog ka në përgjegjësi rreth 506 nxënës.
Kolindo Vjerdha, studiues pranë Qëndresa Qytetare, thotë se të dhënat tregojnë që mekanizmat e mbrojtjes dhe parandalimit dështojnë dhe se “sistemi e ka të vështirë t’i adresojë problemet e dhunës me kapacitetet që ka sot”.
Vjerdha thotë se është e nevojshme që i gjithë zinxhiri i përfshirë në rritjen e fëmijës duhet të funksionojë dhe ngjarjet duhet të sinjalizohen.
“Ajo që duhet është që këto hallka të bashkëveprojnë me njëra –tjetrën dhe të paktën të evidentojnë rastet”, thotë ai. Sipas tij, hallka si punonjësi social, psikologu apo oficeri i sigurisë edhe pse janë prezantuar në shkolla për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, nuk kanë dëshmuar efektivitet.
Për Ilir Gedeshin, ngjarja shumë e rëndë është thirrje për ndryshim të thellë dhe të shpejtë. “Duhet ndryshim te të gjitha hallkat e sistemit, edhe prindërit, edhe mësuesit dhe personeli tjetër, duhet të ndryshojë edhe gjithë klima në shkolla në mënyrë që ngjarje të tjera dhe më të vogla të mos përsëriten,” thotë ai.
Borjana Dine, nga CRCA, vë në dukje se përmasat e dhunës në realitet dhe ato në rrjete sociale janë të tilla që situata është emergjente. Vetëm gjatë vitit 2024, ajo thotë se kanë marrë më shumë se 300 denoncime për episode dhune në rrjetet sociale.
“Ndodhi ajo që kishim edhe frikë,” thotë Dine, e angazhuar njëkohësisht në platformën isSgurt.al që mbledh të dhëna mbi sigurinë në rrjetet sociale dhe internet.
Dine thotë se ka mungesë të edukimit sa i përket sidomos përmbajtjes në rrjetet sociale dhe për të kuptuar se kur një fëmijë ka shqetësime.
“Hallka e parë lidhet me prindërimin, prindërit janë duarlart, të panjohur me situatën e adoleshentëve,” tha ajo, duke shtuar se prindërit shpesh nuk i njohin shqetësimet e fëmijëve dhe nuk u kushtojnë atyre kohë cilësore.
Ajo thotë se edhe në shkollë duhet një vëmendje e shtuar ndaj situatave konfliktuale qoftë edhe kur këto janë të vogla dhe në dukje të papërfillshme. “Të mos konsiderohen zënka, por të angazhohen me përgjegjësi të plotë për t’i zgjidhur”, shtoi ajo.
Dhuna e gjithëpranishme është përhapur edhe më masivisht për shkak të përdorimit të rrjeteve sociale pa monitorim dhe kritere.
“Ka norma shumë më të larta të bullizmit, të urrejtjes dhe kanë dalë jashtë kontrollit. Duhet të ketë padyshim një edukim mbi përdorimin e rrjeteve sociale,” përfundoi Dine.
/BIRN