Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalimit në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, iu drejtua ashpër kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, për veprimet që sollën dënimin e Shqipërisë me një gjobë prej 120 milionë euro ndaj biznesmenit Francesco Becchetti.
Sipas Berishës, kjo gjobë është më e madhja në historinë e vendit dhe rrjedh nga një akt që ai e cilëson si antiligjor dhe antidemokratik: mbylljen e televizionit Agon Channel, i cili raportonte për çështje të ndjeshme, përfshirë akuzat për korrupsion kundër qeverisë.
Berisha tha se mbyllja e këtij televizioni u bë me qëllimin për të censuruar raportimet kritike dhe për të mbrojtur interesat e ngushta të qeverisë dhe lidhjeve të saj. Ai shtoi se Agon Channel informoi publikun për abuzime financiare, si dhe transmetoi dasmën e Veliajt në Kalanë e Gjirokastrës, të cilën ai e lidh me fondet e fituara përmes tenderave të dyshimtë.
Kryedemokrati akuzoi qeverinë e Edi Ramës dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për veprime kriminale që çuan në mbylljen e televizionit Agon Channel, i cili nuk pranoi të bashkëpunonte me qeverinë dhe të ndjekë interesat e saj.
Berisha komentoi edhe heshtjen e Altin Dumanit ku tha se gjykatat ndërkombëtare ndonëse kanë vendosur kundër Shqipërisë, institucionet vendase nuk po ndjekin përgjegjësinë penale ndaj Ramës dhe Veliajt.
“Të dashur miq, këto ditë në mediat e pakontrolluara nga qeveria ka zënë vend kryesor lajmi se Shqipëria pagoi gjobën më të madhe në tërë historinë e saj.
Gjobën më të madhe të kohërave.
Pagoi gjobën prej 120 milionë euro Beketit, i cili fitoi gjyqin kundër narkobanditëve të Tiranës në të gjitha shkallët, në Arbitrazhin e Bankës Botërore, në Bruksel dhe kudo.
120 milionë euro, edhe njëherë e theksoj se janë jo gjoba e shekullit, por gjoba më e madhe e të gjitha kohërave.
Kjo gjobë erdhi sepse Edi Rama me Erion Veliajn, në një akt të mirëfilltë antiligjor, antikushtetues, antidemokratik, mbyllën një televizion, Agon Channel, i cili funksiononte sipas rregullave më të mira të medieve të lira.
Ky televizion nuk pranoi të klonohej si mediat kombëtare që e censurojnë lajmin sot të Edi Ramës. Mediat antikombëtare të klonuara me TVSH-në, por përkundrazi në standardet e një media dinjitoze, informonte shqiptarët për vjedhjet klamoroze të Edi Ramës, qeverisë.
Filmoi dhe transmetoi dasmën në Kalanë e Gjirokastrës të Erion Veliajt, dasmën e bërë me paratë që ky hajdut i kishte dhënë në tender vëllait të tij.
Pra, ky hajdut edhe shenjtërinë e martesës nuk ngurronte ta përdhoste me paratë e vjedhura qytetarëve.
Dhe pastaj u vërsulën të tërbuar kundër televizionit, i vunë drynin, i prenë valët dhe sot në gjykatat më serioze të botës, Shqipërisë i konfiskohen 120 milionë euro të Albkontrollit, në gjobën më të madhe të kohërave.
Miqtë e mi, 120 milionë euro janë 300 përqind më shumë se sa fondi i përcaktuar për 40 përqind të popullatës në Shqipëri, për fermerët shqiptarë.
120 milionë euro janë 4 herë më shumë se sa fondi i përcaktuar për kompensimin e pronarëve.
120 milionë euro janë 4 herë më shumë se sa fondi i përcaktuar në buxhet për indeksimin e pensioneve.
120 milionë euro janë 4 herë më shumë se sa bonusi i fundvitit për 780 mijë pensionistë.
120 milionë euro janë 30 herë më shumë se çmimi vjetor i ilaçeve për të trajtuar në Spitalin Onkologjik për të sëmurët rëndë.
Pra, 120 milionë euro janë një shumë e madhe, të cilën shqiptarët e paguajnë sot sepse ky televizion nuk pranoi të klonohej si mediat e tjera shtetërore.
Nuk pranoi të bëjë pazare me qeverinë, të fitojë tendera apo të kërkojë leje ndërtimi për t’u blerë nga Edi Rama.
Dhe sot, shqiptarët paguajnë nga taksat e tyre aktin kriminal të Edi Ramës, Erion Veliajt ndaj një televizioni.
Paguajnë gjobën më të madhe, kurse Altin Mercenari hesht.
PD e denoncoi në kohë veprën penale të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Ndonëse gjykatat ndërkombëtare dhanë verdiktin, ky kriminel në Skrapin e partisë mbyll dosjen dhe është shndërruar në mburojë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
PD garanton shqiptarët se për këtë krim të shëmtuar, Edi Rama, Erion Veliaj, do paguajnë çdo qindarkë nga pasuritë e vjedhura të tyre.
Do konfiskohen sarajet e Surrelit dhe pallati i Linda Ramës, vila, hotelet e Erion Veliajt.
Miqtë e mi, e njëjtë, dramatike paraqitet situata me buxhetin në të cilin në 8.2 miliardë euro, vetëm thërrime iu kushtohen qytetarëve.
16 milionë, rreth 800 mijë pensionistëve.
40 milionë, 40 përqind popullatës, fermerëve në fshat.
Kurse të tjerat, aty ku lexon shpenzime publike, lexoni vjedhje qeveritare.
Aty ku lexon investime publike, lexoni vjedhje qeveritare.
Të tjerat avullojnë në xhepat e Edi Ramës, Belinda Ballukut, Engjëll Agaçit, i cili është po aq kriminel në gjobën e shekullit sa ç’është Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Të dashur miq, ky është buxheti i fundit i jetës së Edi Ramës.
Edi Rama nuk do miratojë më kurrë buxhet tuajin.
Edi Rama e ka buxhetin e fundit dhe do të japë llogari për të gjitha buxhetet, për vjedhjet e paimagjinueshme që ka kryer gjatë këtyre viteve në Shqipëri.
Me këtë rast, edhe njëherë garantoj shqiptarët se buxheti i parë do jetë buxheti i emergjencës, i vendosjes së minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar, çdo pensionist, çdo i papunë, çdo njeri në ndihmë ekonomike.
Do jetë buxheti i startit të fuqishëm të rritjes së pensioneve dhe rrogave, me synimin që shqiptarët të kalojnë në krye të popujve të rajonit për rrogat dhe pensionet.
Do jetë buxheti që do vendosë në epiqendër qytetarin, problematikat e tij më të mprehta.
Do jetë buxheti me të cilin do pjesëtohen me 10 çmimet e veprave publike.
Me gërshërët e ligjit do i pritet dora cilitdo që guxon të prekë paratë e qytetarëve.
Nuk do dëgjoni kurrë më si tani që ndërtimi i një shkolle të kushtojë 10 herë më shumë se në Europë.
Që 13 kilometra rrugë të copëtohen në 14 kontrata për të vjedhur Lubi Balluku me Edi Ramën 14 herë.
Jo, jo! Kjo nuk do ndodhë më kurrë.
Beteja kundër korrupsionit do të jetë betejë vendimtare për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për mbrojtjen e fondeve dhe pasurive të tyre.”- deklaron Berisha.