Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i cili u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK për korrupsion dhe fshehje pasurie në lidhje me çështjen e CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA.
Gjithashtu, janë lënë në fuqi dhe masat e sigurisë “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi dhe shtetasen Ema Çoku, ndërsa ka ndryshuar masa e sigurisë vetëm për ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixhon nga “arrest në shtëpi” në masën “detyrim paraqitje” për shkak se është i sëmurë
Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela, teksa prokurorë të çështjes janë Sotir Kllapi, Arben Kraja dhe Altin Dumani.
Seanca maratonë nisi prej orës 09:30, por u ndërpre pas një ore pas përplasjeve të Ilir Metës me kreun e SPAK, Altin Dumanin, teksa rinisi sërish në orën 13:30 dhe zgjati për rreth 4 orë, ku në shumicën e kohës, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë mbrojtur vetë dhe jo përmes avokatëve të tyre.
Gjatë seancës, si Ilir Meta, po ashtu edhe Monika Kryemadhi dhe dy personat e tjerë Pirro Xhixhi dhe Ema Çoku i kanë mohuar akuzat, teksa kreu i shtetit për disa prej akuzave ka pretenduar se nuk ka qenë në në dijeni.
Gjithashtu, nuk kanë munguar as akuzat ndaj tre prokurorëve të SPAK, duke pretenduar për një drejtësi politike me regji të kryeministrit Edi Rama.
Pas vendimit të sotëm, Ilir Meta pritet të dërgohet në ambinete paraburgimi, teksa GJKKO caktoi për Monika Kryemadhin se ajo do të duhet të paraqitet në SPAK një herë në muaj.
Pas vendimit të GJKKO-së, në një prononcim për mediat, Monika Kryemadhi e konsideroi njl drejtësi të kastruar, teksa sipas saj, për çdo akuza Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje, po ashtu edhe për CEZ-DIA, por e kanë bashkuar me akuzat e saj për ta futur në burg,
Kryemadhi ironizoi dhe një deklaratë që sipas saj prokurorët e SPAK bënë, sikur ajo ka bashkëpunuar me Ilir Metën për pagimin e një operacioni.
“Drejtësi e kastruar. E vështirë është që gjyqtarët të dalin kundër vendimit të prokurorisë. Për zotin Meta nuk mund të flas unë. Qëndrimi im është që për çdo gjë që akuzohet Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje. Nuk kanë pasur asgjë për CEZ-DIA dhe e kanë bashkuar me akuzat e mia. Meta nuk më erdhi as në spital kur u operova se do merrej me reformën në drejtësi. Nuk është problem që Ilir Meta është i rrezikshëm, por kështu e kanë ndarë mendjen. Mua më thanë sekret hetimor, ndërsa ju e kishit përpara meje. Më thanë që kam paguar 6 mijë euro me kartë dhe 5 mijë euro cash për operimin në bashkëpunim me Ilir Metën.”, tha Kryemadhi.
Sipas deputetes, avokati Genc Gjokutaj duhet të kishte kërkuar masë sigurie “detyrim paraqitje” për Ilir Metën dhe “arrest në burg” për të, teksa theksoi edhe një herë se çështjet duhet të ishin ndarë më vete.
“Unë sapo i thashë Genc Gjokutajt që është një avokat joserioz pasi duhet të kërkoje detyrim paraqitje për Ilir Metën dhe arrest me burg për mua. Sepse 167 faqe janë veprat e mija për të cilat akuzohet Meta. Nuk ka lidhje Ilir Meta. Ka qenë kryetar parlament, president. Këto janë absurditete akuzat që i kanë ngritur. Ia kërkova dhe Prokurorisë, çështja duhet të ishte ndarë. Në një sallë ishte për të na provokuar dhe për show.
Metodologjia që është përdorur kundër meje dhe famljes time është shumë e shëmtuar uroj që kjo gjë të mos jetë për të tjerët. Sot në politike ke djem vajza apo kushërinj të bandave kriminale. Përfitimet që vijnë nga krimi i organizuar janë shume më të larta se nga rroga e një deputeti.”, tha Kryemadhi.
Më tej Kryemadhi ka zbuluar edhe detaje të prapaskenave politike, për të cilat la të kuptohej se ishte penduar. Ajo deklaroi se bashkë me kryeministrin Edi Rama kanë gënjyer Ilir Metën që ta bënin Erjon Veliajn kryetar bashkie të Tiranës.
“Unë kam përshtypjen se ata e kanë thirrur Edi Ramën, i kanë parë mesazhet bashkë me Edi Ramën tek telefoni im. I janë kujtuar kohët e vjetra, thashethemet që kemi bërë. Se kështu është kur të zënë haqet, që e kemi gënjyer atëherë Ilir Metën unë e Edi Rama për të bërë Erjon Veliaj kryetar bashkie. Që mu thaftë dora e goja bashkë.” – tha Kryemadhi.
Më tej, deputetja e PL-së zbuloi se kishte vendosur që të tërhiqej nga politika pas këtij sesioni parlamentar, pasi e larguan nga Partia e Lirisë.
“Tani që e thatë se po mbyllni karrierën tuaj në dyert e drejtësisë ..mund të mbyllësh karrierën politike, por mund të fillosh një karrierë të re shumë më e mirë se ajo politike. Nuk mund të lejoj një sistem në drejtësi që të më bëjë pis mua. I kam tre trashëgimtar që do e ndjeki këtë gjë. Largimi që mu bë mua nga Partia e Lirisë, unë nuk kisha arsye që të shkoja as tek PS dhe e as tek PD-ja, normal që do tërhiqesha, po tashi ça të bëjmë.” – tha Kryemadhi.
E pyetur se tashmë që shoku i saj i politikës dhe bashkëshorti i saj do të dërgohet në paraburgim, a do t’i dërgojë veshje dhe ushqim nëse i kërkon, Kryemadhi deklaroi se Ilir Meta nuk pranon asgjë prej saj.
Ndërsa, Genc Gjokutaj, avokati i Ilir Metës, u shpreh se ky vendim ishte i pritshëm, pasi sipas tij, ky është një vendim politik i marrë jashtë dyerve të gjykatës.
“Kanë sjellë 34 volume për gjykatën dhe në ato volume nuk ka asgjë. Ne bëmë mbrojtjen tonë, është një vendim politik i marrë jashtë gjykatës dhe ne do të ndjekim rrugën e ankimimit”.
Sa i përket tensioneve brenda sallës së gjyqit, ai u shpreh: “Meta nuk e humbi qetësinë, asnjëherë nuk e ka humbur. Toni i lartë, e vërteta thuhet me zë të lartë”.
Gjokutaj dha përgjigje edhe për akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës. “Sa i përket punës së biznesmenëve, Meta ka njohje, por njohja nuk është miqësi. Çështja e lobimit është nul sepse nuk është ekzekutuar”.
Ndërkohë, Gjokutaj paralajmëroi një padi ndaj Policisë së Shtetit për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës. “Jemi rrugës për të ngritur një padi ndaj policisë për arrestimin e Metës”.
SPAK ka ngritur mbi Ilir Metën akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gjithashtu, Monika Kryemadhi është e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Ndërsa për shtetasin Pirro Xhixho, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, si shtetasja Ema Çoku, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.
Argumente t e SPAK në dosjen e Metës dhe Kryemadhit:
“1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.
Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Ilir Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. Kastriot Ismailaj, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
2- Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ilir Meta në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.
Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.
Personi nën hetim Pirro Xhixho, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim Pirro Xhixho, i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.
3- Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim Monika Kryemadhi, me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).
4- Përgjatë periudhës 2016-2017, Ilir Meta me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
5- Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Fatime Kryemadhi, është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga Fatime Kryemadhi, dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga Fatime Kryemadhi, është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.
6- Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe Fatime Kryemadhi Subjektet Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.” – thuhet në njoftimin e SPAK