Nga Bujar Leskaj
Më 7 tetor 2024, Partia Demokratike e Degës Vlorë bëri kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit Vlorë, për përgjegjësitë e rënda te bashkë-shkaktimit të përmbytjeve shkatërruese në qytetin bregdetar, me rastin e shirave të 4 tetorit 2024. Këto përgjegjësi nga bashkia, OSHEE dhe drejtuesit e hidrovorit të qytetit janë konkrete, lehtësisht të verifikueshme në terren dhe krejtësisht të dukshme.
Vlora pati përmbytje masive për dy ditë, për shkak kryesor që nuk funksioi asnjë kanal kullues, ndërsa kanali i ujërave të larta që çonte ujin në hidrovorin e Vlorës, u bllokua nga mos pastrimi!
Përmbytjet penguan dhe paralizuan aktivitetin njerëzor dhe ekonomik të mijëra qytetarëve dhe qindra bizneseve, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, të nivelit të miliona eurove, në familjet dhe bizneset vlonjate.
Vlora, në krizë të pashembullt ekonomike dhe sociale
Vlora nuk ka qenë kurrë më parë në një krizë të tillë ekonomike, shoqërore dhe sociale, sa e ka zhytur sot sekti në qeverisje, edhe pse drejtuesi i tij mburret se ka bërë shumë për Vlorën e deliron për futjen e tij në historinë e qytetit dhe krahinës!
Mes rretheve të tjera, të dhëna kokëforta e rendisin Vlorën në vendet e para të papunësisë, largimit të familjeve nga emigracioni galopant, si dhe rënies së konsumit dhe fuqisë blerëse të familjeve vlonjate.
Bashkia e Vlorës është pothuajse inekzistente, pa projekte konkrete, me administratë të tejfryrë me militantë partiakë dhe me nivele shumë të ulta të realizimit të të ardhurave dhe investimeve.
Raportet e bankave të nivelit të dytë që operojnë në Vlorë flasin për rritjen e kredive të këqija dhe pamundësinë e dhjetra firmave dhe bizneseve në prag falimentimi, për shkak se nuk kanë mundësi të shlyejnë kreditë.
Porti i Vlorës, mushkëria kryesore e biznesit të qytetit, pritet të zhvendoset në zonën e Triportit, ndërkohë që në vend të tij do të ndërtohet një port jahtesh, me 22 objekte banimi dhe hotelerie për oligarkët e Ramës.
Shëndetësia e Vlorës rrezikon të mbetet pa mjekë e infermierë, të cilët po largohen dita ditës për jashtë vendit.
Universitetit publik të Vlorës i mungojnë çdo vit me dhjetra studente, ndërkohë që janë mbyllur disa degë dhe priten të mbyllen të tjera.
Institucionet me varësi nga ministritë janë pothujase inekzistente në Vlorë, ku në shumicën e tyre drejtuesit janë militantë partie. Pjesa më madhe e tyre janë të përfolur për abuzime me fondet publike.
Shkollat e mesme dhe nëndëvjeçare të Vlorës janë në masën 90 përqind pa ngrohje, me problematika të shumta në cilësinë e mësimdhënies dhe të disiplinës, ndërkohë që drejtuesit e shkollave janë emëruar jashtë çdo kriteri profesional. Janë thjesht dhe vetëm militantë partiakë, pa formimin dhe përvojën e duhur. Nga shumë shkolla nëntëvjeçare e të mesme raportohen përditë mungesa të nxënësve, të cilët largohen nga shkolla, si pasojë e largimit të familjeve të tyre jashtë shtetit.
Vlora, e mashtruar nga premtimet dhe e braktisur në problematikat e saj
Pak vite më parë, gjatë vizitës në portin e Vlorës, në skelën e famshme, Rama prezantoi dy projektet: “Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve” dhe “Rehabilitimi i Portit Detar Vlorë”. U zotua atë ditë edhe për të futur një linjë të re tragetesh me Italinë. Ku shkuan të gjitha këto projekte, zotime e deklarata?!
Rama dhe sekti i tij vetëm se janë tallur me Vlorën dhe vlonjatët. Vlora nuk është vetëm shëtitorja bregdetare dhe bulevardi Vlorë-Skelë, të cilat, për të thënë të vërtetën, janë kthyer në ngushtica dhe makth për qytetarët që duhet t’i përshkruajnë përditë.
Nga një vëzhgim i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, shikon se e gjithë infrastruktura në të gjitha lagjet e qytetit është e shkatërruar. Në këto lagje, rruget nuk janë më rrugë, por gropa e baltë, ndërkohë që sheshet janë kthyer në moçale!
Premtimi gjoja solemn se Vlora do të furnizohej 24 orë me ujë të pijshëm rezultoi një mashtrim i madh elektoral. Angazhimi se gjoja ujërat e zeza të qytetit dhe rrethinave nuk do të derdhen më në det rezultoi po ashtu një mashtrim i madh.
Pas problematikave të shfaqura me biznesin përgjatë Lungomares, ato po shfaqen dhe në bizneset në të dyja anët e Bulevardit Vlorë-Skelë , ku zhvillojnë aktivitet më shumë se 200 sipërmarrje, që nga kancelaritë e deri tek bankat, duke punësuar me mijëra familje.
Mungesa e parkimeve krijon probleme tek këto biznese. Për këtë arsye, shumë prej tyre kanë filluar të kërkojnë ambiente të reja, ose po mbyllin aktivitetet.
Qyteti bregdetar në degradim e shkatërrim, jo rinovim!
Shumë rrugë, sheshe e blloqe banimi në qytet janë të amortizuara në një masë të konsiderueshme, duke filluar që nga lagjet në qendër si “Lef Sallata” e “28 nëntori”, e deri në periferi, si në lagjet “11 janari”, “Kushtrimi” e Zona Industriale.
Lagjia “Partizani”, zona e e njohur me emrin “Llonxhë”, vetëm 200 metra larg godinës së Bashkisë së qytetit, jeton prej vitesh të tëra në mjerim të plotë, pa asnjë investim. Në të mungojnë kushtet më elementare të jetës në komunitet.
Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Vlorë, investim i qeverisë Berisha, nuk funksionon normalisht. Kjo sjell si pasojë mosmenaxhimin dhe derdhjen e ujërave të ndotura në Gjirin e mrekullueshëm të Vlorës.
Në zanafillë, projekti synonte uljen e ndotjes së ujit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shëndetit të qytetarëve. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur këto 11 vite të (keq)menaxhimit të Vlorës nga sekti Rama.
Vlora është një ndër qarqet me një industri turizmi mjaft të fuqishme për kushtet e vendit tonë, e lidhur fort me detin. Nëse nuk arrihet të frenohet ndotja e ujërave që derdhen në det, atëherë kjo industri dhe për pasojë, të ardhurat prej saj dhe për familjet vlonjate, marrin një goditje mjaft të rëndë.
Ujësjellësi i qytetit, tashmë në duart e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndodhet krejtësisht jashtë kontrollit, për fondet që harxhon, me një skandal në pikun e sezonit turistik, kohë kur qyteti I Vlorës qëndroi 3-4 ditë pa ujë të pijshëm.
Sot Vlora është qyteti me zona të shumta që nuk furnizohen me ujë të pijshem ose furnizohen më pak se 30 minuta në ditë!
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës është kthyer në hapësirë punësimi, për qoka e shërbime ndaj partisë-shtet.
Vendgrumbullimet e mbetjeve në Vlorë dhe në Orikum janë dy gangrena, që u shpërfaqën dhimbshëm edhe në këtë sezon turistik veror. Në kulmin e sezonit, mbetjet u dogjën për 5 ditë rresht, duke shkaktuar një ndotje të madhe dhe tërësisht të dëmshme për shëndetin e qytetarëve vlonjatë dhe turistëve.
Në njësinë administrative Orikum, vërehet e njëjta situatë me vendgrumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve. Kjo, përveç shëmtisë vizuale, përbën një katastrofë të mirëfilltë mjedisore.
Periferia e qytetit është në kaos të plotë ndërtimesh e mungesa hapësirash publike, ku mungojnë rrugë, kanalizime, ndriçim, etj.
Në njësitë administrative, që deri dje ishin komuna, mungojnë gjërat më jetësore për një banor fermer, i cili jeton me bujqësi dhe blegtori.
Rama tani po grabit dhe malet e Vlorës!
Nuk mjaftoi grabitja e pronave të vlonjatëve në bregdet me ligjin famëkeq Nr. 20/20 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” dhe me ligjin “Per Investitorin Strategjik”. I fundit është Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 10 tetor 2024 për ndryshimin e destinacionit të 21.979 m2 pyje dhe kullota të Malit të Çikës, në dobi të kompanisë së një oligarku të Ramës, për ndërtim hotelesh luksoze.
Ky Vendim i Këshillit të Ministrave merret në dhunim të plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Evropian, e cila kërkon garë të hapur në dhënien e aseteve shteterore privatit.
Gara e hapur të lejon të kesh oferta më të mira për komunitetin e zonës dhe banorët vendas, për nxitjen e ekonomisë dhe turizmit, si dhe për projekte më miqësore me mjedisin. Po Rama dhe sekti i tij as që kanë ndërmend ndonjëherë të zhvillojnë garë. Ata duan vetëm të grabisin dhe Vlora me pasuritë e saj natyrore dhe vendndodhjen strategjike, është bërë kryezona e plaçkitjes së sektit Rama, me çfarë i ka mbetur akoma për t’u vjedhur, malet e saj.
xxx
Qeveria dhe bashkia e qytetit Vlorë kanë detyrim publik dhe ligjor të menjëhershëm të dëmshpërblejnë familjet dhe bizneset e dëmtuara nga përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë, e shkaktuar në rradhë të parë nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria skandaloze e tyre, dhe jo vetëm nga rënia e shirave të rrëmbyeshëm.
Këto janë “kryeveprat” e zeza të sektit Rama në Vlorë. Prandaj dhe vlonjatët protestuan fort më 7 tetor në Tiranë dhe nuk do t’i ndalin protestat, derisa bajlozi Rama t’i qërrohet detit dhe tokës së Vlorës, si dhe të gjithë Shqipërisë!