Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama lëshoi fundjavën e kaluar nga “Nju Jork Tajms” thagmën e radhës, krijimin e një shteti sovran Bektashi brenda kryeqytetit shqiptar, Tiranë.
Në mënyrë më të përmbledhur, ai e shpalosi këtë idenë e tij edhe në fjalin vjetor në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë të dielë, ku e prezantoi projektin e “Shtetit Bektashi” si një shembull i tolerancës fetare shqiptare.
Idea, megjithëse e çartur, e gjeti terrenin e diskutimit publik dhe Edi Rama ia arriti të marrë sërish vëmendje edhe në arenën ndërkombëtare.
Natyrisht, një ide e tillë, në një shtet normal, jo vetëm që nuk duhet të diskutohet, por as të shtrohet për diskutim.
Mund të ketë arsye të ndryshme, lokale e ndërkombëtare, që Rama “u zgjua” një mëngjes të shtune dhe prezantoi idenë e “Shteti Bektashi”.
Korrupsioni i shtrirë në çdo qelizë shtetërore dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar e kanë shndërruar pushtetin e Ramës, në mandatin e tij të tretë, në vend të padëshiruar për të qenë partner serioz në zhvillimet demokratike rajonale. Ndaj, dëshira e tij narciziste, mund ta ketë nxitur që të prodhojë ide për të zënë faqet kryesore të medias ndërkombëtare.
Por, mund të jetë edhe një dëshirë e tij për t’u future “me zor” në një përplasje gjeopolitike.
Prej vitit 1922, Shqipëria është caktuar si qendra e Bektashizmit Botëror. Ndërkohë, Irani, nga ana e tij, është i bindur se ka primatin e këtij grupimi fetar, për shkak të numrit shumë të madh të ndjekësve të tij në atë vend.
Pra, me “Shteti Bektashi”, ky lideri global i këtij vendi të vogël mund të ketë synim “sfidimin” e një vendi gjigand dhe “armik”. Në këtë mënyrë, mesa duket po tenton t’i bëjë qejfin Shteteve të Bashkuara, duke sfiduar në mënyrë groteske Iranin.
Në rrafshin lokal, Rama prodhon gjithnjë iniciativa për të siguruar vota. Me një pushtet të bjerrur, mesa duket me “Shtetin Bektashi” synon të marrë aforfe votat e anëtarëve të këtij komuniteti fetar.
Po ashtu, edhe nën darën e skandaleve pafund që po shoqërojë pushtetin e tij, Rama gjen një “lojë” të re për t’u marrë tregu mediatik e publik në Shqipëri.
Idea është e çmendur
Përtej qëllimit apo qëllimeve që ka Rama për të shpallur “Shtetin Bektashi”, idea e tij është tërësisht e çmendur dhe në kundërshtim me kuadrin kushtetues e ligjor.
Bektashinjtë janë një grupim i nderuar, paqësor, që kanë ndikuar në zhvillimin dhe harmoninë në shoqërinë shqiptare. Natyrisht, si çdo fe tjetër në vendin tonë, ata kanë nevojë për mbështetjen e Shtetit në procese administrative, sidomos në kthimin e pronave të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit.
Por, krijimi i një “Shteti” të pavarur për bektashinjtë, është shumë e ekzagjeruar.
Neni 1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në pikë 2, thotë:
“Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”
Qartësisht, Kushtetuta ndalon këdo, edhe një të shumëpushtetshëm si Edi Rama, që të ndajë territorin dhe një copë, sado të vogël, t’ia japë palëve të treta, në rastin konkret Bektashinjve.
Neni 3 i Kushtetutës thotë:
“Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, … janë baza e këtij shteti”.
Neni 208 i Kodit Penal parashikon se:
“Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”.
Urdhëri i Bektashinjve nuk është shtet. Por, idea e Ramës për t’i dhënë territor dhe sovranitet në një hapësirë toke në Tiranë, e shndërron këtë komunitet në “shtet”, të cilit i dorëzohet “pjesërisht territor”, gjë që sipas Kondi Penal dënohet maksimalisht me burgim të përjetshëm.
Kodi Penal nuk përmend askund përjashtim për rastet kur “dorëzohet territory” për grupime miqësore. Në çdo rast, ideatorët dhe zbatuesit e dorëzimit të territorit mbajnë përgjegjësi të rëndë penale.
Për këto arsye kushtetuese e ligjore, por natyrisht jo vetëm duke u kufizuar në to, idea e Edi Ramës për krijimin e “Shtetit Bektashi” është e çmendur.
“Çmenduria” mund të bëhet realitet
Pavarësisht se Kushtetuta është fare e qartë për “tërësinë territorial” dhe Kodi Penal ka parashikime të forta për ata që guxojnë të “dorëzojnë” territory, sërish idea e çartur e Ramës ka të gjitha mundësitë të bëhet realitet.
Rama, me pushtetin e tij, ka krijuar dhe siguruar të gjithë mekanizmat që të mbajë veten të paprekshëm nga institucionet shtetërore.
Në rast se kryeministri e vendos ta bëjë realitet krijimin e “Shtetit Bektashi”, çështja do të duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Me këtë trupë gjyqësore që është aktualisht në detyrë, çdo ide e Ramës merr vulën e “kushtetshmërisë”.
Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, e tregoi më herët se “cedimi i sovranitetit të Shqipërisë për një pjesë të territorit”, është e justifikueshme.
Shembulli është “Marrëveshje për Emigracionin me Italinë”. Pakti Rama-Meloni u miratua në Parlament dhe u dërgua për intepretim në Gjykatën Kushtetuese.
Pakti, i shkruan e zezë mbi të bardhë, parashikont që, të paktën për një periudhë 5-vjeçare, në dy copa territori në Shëngjin dhe në Gjadër, të ketë juridiksion shteti Italian. Në ato dy zona, të cilat do të shërbejnë si qendra pritje për azil-kërkuesit në Itali, do të veprojë ligji Italian, si edhe do të ketë ushtri dhe polici italiane.
Praktikisht, ato territore do të jenë “italiane”.
Por, Gjykata Kushtetuese e sheh më ndryshe. Më saktë, 5 nga 9 gjyqtarët, “ushtarë të bindur” të pushtetit të Ramës, arritën në konkluzionin se “nuk ka shkelje të sovranitetit” në atë Marrëveshje.
Në një vendim të marrë në 29 Janar 2024, Kushtetuesja shprehet:
“Për shkak të pozicionit që zë Protokolli për Migracionin në hierarkinë e akteve në rendin juridik shqiptar, pavarësisht se kjo marrëveshje i mundëson shtetit italian të ushtrojë juridiksion mbi migrantët, përfshirë azilkërkuesit, parashikimet e saj nuk përjashtojnë juridiksionin e shtetit shqiptar në nivel kushtetues dhe konventor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.
Në fakt, Marrëveshja e thotë troç se në kampet e refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër do të veprojë ligji Italian dhe vetëm Italian.
Këtë e pranon edhe vetë Gjykata Kushtetuese, kur deklaron se Kolegji “vëren se, de facto, zonat e parashikuara në Protokollin për Migracionin do të përdoren nga autoritetet italiane për shqyrtimin sipas legjislacionit italian të kërkesave për azil të migrantëve që synojnë të hyjnë në Itali…”.
E, megjithatë, sërish shumica prej 5 anëtarësh e Gjykatës Kushtetuese, thotë se: “Protokolli për Migracionin nuk e kufizon shtetin shqiptar në ushtrimin e juridiksionit të tij në nivel kushtetues dhe konventor (Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut)”.
I njëjti vendim ka edhe disa paragrafë të tjerë përsiatjeje, ku edhe vetë gjyqtarët kushtetues duket se e kanë pasur të vështirë të konfirmojnë trillin e Ramës me “motrën Meloni”.
Megjithatë, ai Pakt e kaloi testin e kushtetutshmërisë dhe hyri në fuqi. Në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën formë e me të njëjtët gjyqtarë, edhe çmenduaria e radhës e Ramës për krijimin e “Shtetit Bektashi” nuk është aspak çudi që të konfirmohet si kushtetuese.