Nënat e ardhshme shprehen të tronditura nga informacionet se çdo e nënta vdekje e të porsalindurve në Maqedoninë e Veriut, është pasojë e ajrit të ndotur.
Prej vitesh, ky vend është ndër të parët në Evropë sa i përket ajrit të ndotur, por vetëm 0.8 për qind e buxhetit ndahet për mjedisin.
Shkupi është ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë, e masa e vetme që ndërmerret, është transporti publik falas kur ajri është më i ndotur.
“Vitin e kaluar kisha një situatë të padëshiruar, humba një fëmijë. Nuk them se ndodhi për shkak të ajrit të ndotur, por ndoshta gjithçka ndikon: ajri, toka, ushqimi që hamë, gjithçka i ekspozohet ndotjes”, thotë Adelina Dizdareviq nga Shkupi.
Tani në muajin e gjashtë të shtatzënisë, ajo pret të lindë në fillim të janarit, kur cilësia e ajrit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është në gjendjen më të keqe.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se është e shqetësuar nga statistikat e reja që publikoi Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, javën e kaluar.
“Çdo e nënta vdekje në mesin e të porsalindurve në Maqedoninë e Veriut lidhet me ajrin e ndotur”, vlerësoi ky fondacion.
Këto shifra janë tronditëse për Adelinën. Ajo thotë se përpiqet të marrë suplemente natyrale të shtatzënisë, që i blen jashtë vendit, dhe të shëtisë nëpër male.
“Përpiqem të bëj jetesë të shëndetshme, por çështja është se sa mund të mbrohemi”, thotë Adelina.
Të dhënat zyrtare nga monitorimi shtetëror i ajrit tregojnë çdo vit se qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova, kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10, sidomos në muajt e dimrit.
Në shkurt të vitit 2024, Shkupi ishte sërish në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë, me nivele mesatare të grimcave PM10 ose PM2.5 që i tejkalojnë kufijtë e lejuar për më shumë se 100 ditë në vit.
Ajri i ndotur depërton në mitër deri te fetusi
As mitra e nënës nuk mund ta mbrojë fetusin nga grimcat e ndotura, thonë gjinekologët.
Valentina S., e cila është në muajin e pestë të shtatzënisë dhe jeton në Shkup, ka frikë nga kjo.
“Më trembin muajt në vazhdim, kur mendoj për mjegullën dhe smogun që na pret. Më keq do të jetë në shkurt, kur unë do të lind. Kemi blerë edhe një tjetër pastrues ajri në banesë. Përveçse të qëndroj në shtëpi kur është ajri i ndotur… nuk mund të bëj asgjë tjetër. Por, nuk jam e bindur se do ta mbroj shëndetin e foshnjës edhe kështu”, thotë Valentina.
Ajri i ndotur, përmes nënës, kalon barrierën e placentës dhe depërton deri te fetusi, shpjegon mjeku Dushko Fillipovski, kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve Privatë.
“Mund të flasim për shëtitje, për pastrues ajri në shtëpi, por ja ku kemi ardhur me këshilla të tilla. Çfarë do të bëjmë me pacientët që kalojnë 90 për qind të kohës së tyre në mjedisin urban? Nuk mund të jesh në natyrë gjatë gjithë kohës. Ndotja është problem global. Shteti duhet të marrë masa për të reduktuar emetimin e grimcave të dëmshme”, thotë Fillipovski për Radion Evropa e Lirë.
Oliver Zafirovski, mjek pneumolog, i cili për më shumë se 30 vjet ka punuar në Klinikën për sëmundje respiratore të fëmijëve “Kozle”, thotë se ajri ka prani gjithnjë e më të madhe të ndotësve si: dioksidi i squfurit dhe dioksidi i karbonit.
“Ajri, toka, uji dhe ushqimi janë të ndotur. E gjithë kjo ka ndikim negativ në shtatzëni dhe është faktor i drejtpërdrejtë i rrezikut për të sapolindurit”, thotë Zafirovski.
Njerëzit vdesin, masa nuk ka
Në fillim të vitit 2024, Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë së Veriut publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet shëndetësore”, sipas të cilit, gati 18 për qind e vdekshmërisë totale në këtë vend mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimit të grimcave PM2.5.
“Edhe pse trendi i grimcave (PM10 dhe PM2.5) ka rënë viteve të fundit, ai është ende shumë mbi vlerat e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat bazohen në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Prognozat nuk janë shumë optimiste nëse nuk ndërmerret diçka konkrete, afatgjate dhe e qëndrueshme”, thotë profesoresha Mirjana Dimovska nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas saj, mbrojtja më e mirë është reduktimi i emetimit të substancave të dëmshme në ajër nga të gjitha burimet, krahas masave që secili i merr personalisht për t’u mbrojtur.
Dimovska beson se masat duhet të përqendrohen te kategoritë më të cenueshme të njerëzve, andaj, thotë ajo, shumë vende janë duke i krijuar të ashtuquajturat zona pa ndotje rreth shkollave, kopshteve, spitaleve dhe shtëpive për të moshuar.
“Për të pasur një parandalim të mirë, duhet të keni buxhet të mirë për mjedisin dhe shëndetin, përkushtim dhe vazhdimësi serioze. Sa u përket këtyre, ne nuk mund të mburremi as si sistem, as si qytetarë”, thotë Dimovska për Radion Evropa e Lirë.
Qytetet më të ndotura janë: Shkupi, Tetova dhe Manastiri, ku stacionet matëse shpesh tregojnë përqendrime të larta të grimcave PM2.5, të cilat janë ndër ndotësit më të rrezikshëm.
Megjithatë, analiza dhe ekspertë të shumtë thonë se ajri është i ndotur pothuajse në çdo vend të populluar, me përqendrime të grimcave PM2.5 dhe të ndotësve të tjerë që rregullisht i tejkalojnë nivelet e përcaktuara nga BE-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Të dhënat e fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) tregojnë se ajri i ndotur është shkak i më shumë se 5.000 vdekjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut.
Aktivisti Gorjan Jovanovski, nga nisma “Qyteti i gjelbër për njerëzit”, i cili është edhe këshilltar në Qytetin e Shkupit, frikësohet se në këto të dhëna nuk përfshihen të porsalindurit.
“Të dhënat janë të frikshme, por, për fat të keq, nuk janë ndonjë befasi e madhe. Ne, aktivistët, kemi vite që protestojmë dhe themi se ndotja e ajrit po vret edhe të rinj, edhe të moshuar dhe se askush nuk kursehet”, thotë Jovanovski.
Se sa alarmante janë këto të dhëna për autoritetet, tregojnë paratë që shteti ndan çdo vit nga buxheti – vetëm 0.8 për qind për mjedisin.
Tatjana Çukalev, nga organizata mjedisore “Iniciativa O2”, thotë se nuk ka asnjë koordinim ndërmjet institucioneve dhe komunave, e as masa konkrete që do të zvogëlonin ndotjen e ajrit.
“Nuk ka as buxhet për zbatimin e tyre. Nëse dhe kur autoritetet tona do të merren seriozisht me zgjidhjen e kësaj çështjeje që kushton jetë… ne duhet të presim dhe t’u bëjmë presion që të fillojnë ta zbatojnë atë që u kërkohet prej vitesh”, thotë Çukalev.
Shqetësimet janë rritur veçanërisht në prag të stinës së dimrit, kur ajri ndotet më shumë, për shkak të ngrohjes së shtëpive, emetimit të gazrave të dëmshme në trafik dhe aktiviteteve industriale.
Ajri “nuk është prioritet” për autoritetet
Të dhënat për shkallën e lartë të vdekshmërisë duket se nuk i shqetësojnë autoritetet në Qytetin e Shkupit, thotë Jovanovski.
Sipas tij, udhëheqja aktuale nuk e sheh ajrin aspak si prioritet dhe as si problem të madh.
“Kam ndjesinë se kryetari i komunës dhe drejtoria e mjedisit besojnë se po thithin ajër ndryshe nga ne të tjerët. Kështu që ata, thjesht, nuk ndihen përgjegjës për trajtimin e këtij problemi, i cili nuk është as politik, as etnik, as kulturor, por një problem vdekjeprurës”, thotë Jovanovski.
Ndonëse vetëm në Shkup janë mbi 100 institucione që ngrohen me naftë dhe mazut, sipas të dhënave të iniciativës qytetare “Shansi për Qendrën”, këshilltarët e Qytetit të Shkupit, më 30 gusht, kanë dhënë mendim negativ për masën për zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes së objekteve publike, të propozuar nga Kuvendi Klimatik i Shkupit.
Masa ishte ndër 19 propozimet për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga Kuvendi Klimatik, i përbërë nga 65 qytetarë.
Me ndihmën e ekspertëve, ata i kanë hartuar masat dhe ua kanë dorëzuar autoriteteve qendrore dhe lokale.
Masat tjera përfshijnë përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të biçikletave në Shkup, vendosjen e instrumenteve matëse për monitorimin 24-orësh të industrisë së madhe në qytet, mbulimin e plotë të objekteve publike me fasada efikase energjetike etj.
Në vend të tyre, Këshilli i Qytetit të Shkupit ka votuar për Programin për Mbrojtjen e Mjedisit, për të cilin organizata “Green Human City” thotë se ka vetëm një masë për të reduktuar ndotjen e ajrit, e ajo është transporti publik falas kur ajri është shumë i ndotur.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka bërë të ditur nëse do të marrë masa kundër ndotjes së pritur të ajrit, dimrin e ardhshëm./REL