Intervistë me profesor Ilir Ciko, autor i studimit “Bëhuni Europianë! Një udhëtim transformues përmes ëndërrave, modeleve, pritshmërive, dhe realitetit”.
Studimi tregon se çmimi mesatar i produkteve të shitura në tregun shqiptar nga tre kompani europiane ishte +79.7 për qind më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte, të shitura në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtat kompani, në tregjet e BE-së.
Profesor Ciko, si i përzgjodhët mostrat e 150 produkteve që analizuat? A kishte ndonjë kriter të veçantë për këtë përzgjedhje?
“Studimi përmban metodologjinë e plotë të ndjekur për përzgjedhjen produkteve që janë pjesë e analizës, përfshirë kriteret e ndjekura në proces. Mund ta përmbledh me pak fjalë duke treguar se produktet janë përzgjedhur në mënyrë të njëjtë nga secila prej tre kompanive europiane që janë pjesë e studimit (50 produkte nga secila kompani), si dhe pjesë e 13 kategorive të ndryshme produktesh (ushqim, detergjente, kozmetikë, ndriçim, pajisje dhomash, ilaçe pa recetë, kujdesi për flokët e lëkurën etj.), duke përzgjedhur në mënyrë rastësore 10 produkte për çdo kategori dhe, për nga rëndësia që ka për konsumatorin shqiptar, 30 produkte për kategorinë e produkteve ushqimore. Kritere të tjera të përdorura ka qenë larmia sa më e madhe e produkteve të përzgjedhura (produkte të ndryshëm brenda së njëjtës kategori) dhe kriteri domethënës (produkte që blihen rregullisht nga konsumatori shqiptar dhe jo të veçantë). Gjithashtu, nga studimi janë përjashtuar produktet në oferta, si në Shqipëri ashtu dhe në vendet nga importohen, produktet e luksit, produktet sezonalë (fruta apo perime të freskëta) si dhe produktet mbi të cilat aplikohen taksa specifike (cigare, pije alkoolike), e gjithë kjo për të mundësuar një krahasim sa më objektiv të çmimeve dhe shmangur në maksimum efektet e faktorëve jo-thelbësorë. Së fundi, për të mundësuar krahasimin e çmimeve, janë përfshirë në listë ato produkte për të cilat janë të disponueshme çmimet e shitjes online në tregun vendas, dhe atë europian nga e ka origjinën secila kompani, apo vendet e tjera të përfshira në studim.”
Cili është produkti me diferencën më të lartë në çmime?
“Nga lista prej 150 produktesh, diferenca më e lartë (në përqindje) rezulton për një pako ushqimi mëngjesi, cornflakes, e cila në Shqipëri shitet me një çmim 212% më të lartë, ose mbi 3 herë sa çmimi që shitet nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen. Ndërsa si kategori, ushqimi për bebe, rezulton me mesataren më të lartë të ndryshimit të çmimit. Për këtë kategori, mesatarja e çmimeve të produkteve të shitura në Shqipëri është 147% më shumë, ose 2 herë e gjysëm sa çmimi i të njëjtëve produkte të shitura në vendin e BE nga vjen kompania që i tregton këto produkte.”
Po ai me diferencën më të ulët?
“Diferenca më e ulët nga 150 produktet rezulton për një aksesor banjoje, i cili shitet në Shqipëri 24% më shumë se çmimi i të njëjtit produkt shitur nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen.”
A mund të na jepni disa shembuj të faktorëve që kontribuojnë çmimet më të larta në Shqipëri krahasuar me BE-në?
“Janë plot faktorë por ndër më të rëndësishmit do të rendisja: mungesa e kontrollit të kompanive të mëdha; mungesa e shembujve realë të ndëshkimit të kompanive të mëdha që abuzojnë me konsumatorin; paragjykimi e besimi i gabuar se kompanitë e njohura ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri nuk përfshihen në praktika të dëmshme për konsumatorin vendas; mungesa e frikës ndaj shtetit e kompanive të mëdha; mungesa e konkurrencës në treg dhe kopjimi i modelit monopol midis atyre pak kompanive që zotërojnë tregun; varësia dhe lidhjet e politikës me interesat e bizneseve të mëdha; burokracia, paaftësia dhe korrupsioni i përhapur në institucione; pamundësia e konsumatorit për zgjedhje alternative; mungesa e prodhimit vendas; marrëveshjet e fshehta mes operatorëve që dominojnë tregun; mungesa e informacionit për konsumatorët; pajtimi dhe bashkëjetesa me të keqen; mungesa e shpresës; politizimi ekstrem i çdo çështjeje publike; gojëmbyllja e intelektualëve; mungesa totale e reagimit qytetar; mungesa e mekanizmave mbrojtës dhe interesit për të mbrojtur konsumatorin, shtetërore, e ca më tepër ato të pseudo-shoqërisë-civile. Pas këtyre mund të flasim për nivelin e taksave të konsumit, kostot e transportit, vlerësimin e lekut ndaj euros, madhësinë e tregut apo elementë të tjerë që në këtë diskutim, janë tepër dytësorë.”
A ka pasur ndonjë reagim zyrtar lidhur me studimin tuaj?
“Jo, asnjë reagim zyrtar deri më tani. Di që studimi është lexuar me interes të lartë nga drejtues e përfaqësues të institucioneve që duhet të merren me këtë problem të çdo qytetari shqiptar, por më ngjan se për shumë syresh studimi është si një elefant tepër i madh brenda hapësirës së komoditetit ku rrinë.”
Çfarë masa rekomandoni që të merren në këtë drejtim?
“Mund të duket paradoksale por besoj se ndryshimi mund të vijë nga kompanitë, sigurisht nën presionin e zërit të qytetarëve. Në studim e kam trajtuar gjerësisht se pse institucionet janë realisht të pafuqishme për të bërë ndryshim, edhe sikur befas të marrin vullnetin e plotë që u jep, e kërkon ligji. Por deri më sot, ende nuk ka asnjë reagim nga kompanitë, çmimet mbeten të pandryshuara nga tre muaj më parë, kur u realizua studimi.”
A mendoni se politika e qeverisë dhe subvencionet mund të ndihmojnë në uljen e çmimeve dhe, nëse po, si mund të implementohen më mirë këto masa?
“Së pari mendoj se ka plot vend për të zbatuar pa vonesë e hezitim ligjin, e më pas ndoshta për të rishikuar me kujdes legjislacionin mbi konkurrencën, kjo as duke u shfajësuar përjetësisht se është legjislacioni që na kufizon, e as duke mos u kufizuar në kopjimin shabllon të modeleve që na serviren. Është një fushë e brishtë por tepër e rëndësishme për funksionimin e tregut dhe është thelbësore që Shqipëria të adaptojë legjislacionin që i përshtatet më së miri kontekstit specifik të saj, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, se sa kërkesave të burokratëve të Brukselit. Hapja e tregut, promovimi i konkurrencës, vënia e interesit publik mbi interesat e kompanive private janë hapat e domosdoshëm për trajtimin afatgjatë të problemit. Për subvencione nuk bëhet kurrsesi, nuk kanë asnjë lidhje me këtë problem. Çmimet mund dhe duhet të ulen në normalitet, dhe jo të kompensohen konsumatorët po nga taksat që ata paguajnë.”
A duhet të ulet TVSH-ja për ushqimet bazë? Mendoni se do të zbuste disi shtrenjtimin e buxhetit të familjeve?
“Është një ndër politikat fiskale që e kam mbështetur në studim, për të ndjekur praktikën e vendeve europiane si Itali, Gjermania etj. që për të mbështetur konsumatorët e veçanërisht shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë, zbatojnë TVSH më të ulët për produktet ushqimore. Fiskalizimi dhe digjitalizimi i bizneseve dhe administratës tatimore sot e mundëson krejt lehtë këtë gjë, nëse gjendet vullneti. Kjo masë lehtëson, por sigurisht nuk është zgjidhja e problemit që po diskutojmë.”
Si mund të kontribuojnë sektorët e bujqësisë dhe industrisë për të përmirësuar situatën e çmimeve në Shqipëri?
“Prodhimi vendas e gjen ende me vështirësi rrugën e hyrjes në marketet e mëdha që operojnë sot në Shqipëri, disa prej tyre tregtojnë thuajse ekskluzivisht vetëm produkte të importuara dhe rrallë e tek ndonjë produkt vendas. Sigurisht prodhimit vendas i duhet shumë punë për të arritur cilësinë dhe afrimin me konsumatorin për të qenë i kërkuar nga operatorët e tregut që ta vendosin atë krah më krah me produktet e importuara që ata tregtojnë, pa përmendur këtu skepticizmin e tepruar të konsumatorit shqiptar ndaj prodhimit vendas dhe besimin e lartë të tij në cilësinë e produkteve europiane. Në fakt, studimi tregon se pikërisht kjo është nyja që mundëson sot kompanitë që të tregtojnë në vend produktet europiane, t’i shesin ato me një çmim shumë më të lartë se sa në të vërtetë duhet të ishin – shfrytëzimi i besimit që konsumatori ka ndaj këtyre produkteve dhe mundësisë së kufizuar në zgjedhje. Dhe së fundi, marketet e mëdha nuk kanë interes të lartë për prodhimin vendas pasi me të nuk mund të realizojnë marzhe fitimi të larta, krahasuar me produktet që ato sot importojnë.”
Si e parashikoni evoluimin e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri në të ardhmen?
“Mendoj se është çështje që kërkon vëmendje, debat dhe veprim. Se përshembull, sa vlerë ka të diskutohet për një rritje 5 apo 10 përqind të pensioneve apo pagave, kur kemi një problem kolosal me çmimet e produkteve ushqimore që rezultojnë sa dyfishi i atyre që duhet të jenë në treg. Ulja e çmimeve drejt çmimeve europiane është në dobi të pensionistëve e patronazhistëve, të arsimtarëve e gazetarëve, të nëpunësve të shtetit e atyre që punojnë çdo ditë me punë të ndershme për të mbajtur familjet e tyre, por dhe për turistët që jo rrallë habiten me çmimet kur vijnë në Shqipëri, e në fund të fundit edhe për kompanitë, që duke ofruar çmime europiane mund dhe do e kuptojnë se mund të shesin më shumë në Shqiperi, edhe për ata që sot janë të privuar apo që blejnë më pak, se aq munden.”
/Faktoje