Jonida Proga, motra e 42-vjeçarit Egli Proga, i cili u dhunua për vdekje në Pogradec, akuzon Policinë e Shtetit se për të tretën herë ka përdhosur të ndierin me tentativat për të manipuluar provat e krimit të rëndë.
Gjatë një reagimi në rrjetet sociale, Jonida Proga ka zbuluar pamje nga vendi i ngjarjes, ku kriminelët me “bekimin” e policisë prishin provat e krimit duke “larguar makinën tek e cila kriminelët rrëzuan Eglin”.
Siç mund ta shikoni nga pamjet më poshtë të publikuara nga Jonida e cila me një rreth të bardhë ka veçuar personat të cilët kryen krimin, por qëndronin të qetë në lokal duke pirë kafe kurse policia nuk i arreston por përkundrazi i lejon të prishin provat.
Siç mund të shihni në pamjet më poshtë, makina lëviz nga vendi i krimit ndërsa policët bëjnë sehir duke lejuar që të prishen provat në një skenë krimi, ndërsa automjeti siç thekson Jonida “ishte i lyer me gjakun e Eglit“.
“Asnjë polic në botë nuk mund të justifikojë lëvizjen e makinës së bardhë me targa AD049T nga vendi i krimit. Asnjë polic i ndershëm shqiptar nuk do lejonte që ajo makinë me prapakolp lyer me gjak të largohej nga vendi i krimit rrethuar me piketa policie. E kundërta ndodhi në sy të POLICISË, Arjan Manellari merr makinën e Leonidha Guçes dhe largohet. Asnjë polic në planet nuk do bënte sehir pak minuta pas vrasjes nëse do shihte si pinin kafe te STROPCKA kriminelët Arjan Manellari, Leonidha Guçe bashkë me Voltan Shkulakun që NUK PANË ASGJË”, shkruan ndër të tjera Jonida.
Gjithashtu motra e Egli Progës ka publikuar edhe raportin mjekësor të Eglit për të cilin thotë se është i paqartë me çfarë sendi të fortë është goditur 42-vjeçari.
Jonida thekson se akt ekpertimi mjekoligjor numër 70 nuk ka treguar të vërtetën e vdekjes së Eglit, pasi ka mangësi dhe shtrembërime të pyetjeve të hetimit që mund të jenë shkaktuar nga shkaqe si ato që vijnë nga NDIKIMI I KORRUPSIONIT.
Reagimi i plotë nga Jonida Proga:
“Të dashur miq,
Sot për të tretën herë Policia e Shtetit ka përdhosur kujtimin e vëllait tim të dashur Eglit. Me një paturpësi të papërshkrueshme shpërndanë për publikim herët në mëngjes pjesë të shkëputura nga raporti mjeko ligjor i vdekjes së Eglit duke tentuar të fshihen pas gënjeshtrave e të deformojnë të vërtetën. Policia që dështoi në mënyrë të turpshme në hetimin e vrasjes së Eglit kur vrasja sapondodhi, dështoi në mbledhjen e provave, që dështoi edhe me kapjen në FLAGRANCË TË AUTORËVE vazhdon të dezinformojë. Mbrëmë në emisionin “Opinion” një përfaqësues policie tentoi të justifikojë live të vërtetën e shkatërrimit të provave në sy të kamerave televizive.
Ishte ora 19:20 e ditës së mallkuar 10 gusht kur mediat fiksuan me kamerat e tyre vendin e ngjarjes, trotuarin me gjak, makinën tek e cila kriminelët rrëzuan Eglin. Në Tv dallohen kriminelët që bënin sehir GJYSMË ORE PAS VRASJES NË TË NJËJTIN VEND KRIMI.
Asnjë polic në botë nuk mund të justifikojë lëvizjen e makinës së bardhë me targa AD049T nga vendi i krimit. Asnjë polic i ndershëm shqiptar nuk do lejonte që ajo makinë me prapakolp lyer me gjak të largohej nga vendi i krimit rrethuar me piketa policie. E kundërta ndodhi në sy të POLICISË, Arjan Manellari merr makinën e Leonidha Guçes dhe largohet. Asnjë polic në planet nuk do bënte sehir pak minuta pas vrasjes nëse do shihte si pinin kafe te STROPCKA kriminelët Arjan Manellari, Leonidha Guçe bashkë me Voltan Shkulakun që NUK PANË ASGJË. Kriminelat rrinin ulur pa u shqetësuar te vendi I KRIMIT Z. POLIC. Ata nuk janë njerëz që ndaluan për kafe në vendin e një krimi. Ata janë kriminelët e sigurt që JU NUK I ARRESTONI Z. POLIC.
Familjarët e mi nuk mbyllin dot sytë se kanë parë fotot e fytyrës së masakruar të vëllait tim. Një vëlla, një bir, një bashkëshort i gjakosur nga koka te këmbët në organet jetike dhe delikate, i gjithë integriteti fizik i Eglit u prek rëndë derisa vdiq dhe kanë guximin të thonë me lehtësi të pabesueshme se ishte “grusht”, se “kishte pirë”. Qoftë Prokurorja që iku nga çështja, qoftë kryepolici që foli një ditë më pas, qoftë policët që lane kriminelat të ikin, qoftë dy mjekët ligjor që bënë një akt të çalë, Gjergji Kaçauni me Klevis Shella të gjithë do mbajnë përgjegjësi para LIGJIT për vrasjen e Eglit që kërkohet të mbulohet.
Pyetja për dy mjekët ligjor ishte: Me çfarë mjeti janë shkaktuar këto dëmtime?
Përgjigja e tyre: Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht.
Përse kërkoni ta çoni vrasjen te GRUSHTI “MJEKË”? A nuk mund të jetë goditje me dorëz hekuri, me levë, a me mjete të rënda MBRETËSE? Pyetja nuk ishte “A janë shkaktuar me grusht ose jo dëmtimet ZOTËRINJ MJEK.
Tani kam unë një pyetje për ju: A ka punuar Anduena Kaçauni, motra e njërit prej jush si vartëse e ish drejtorit të Posta Korçë, Valter Gora daja i kriminelit Denis Meçe?
Nëse po atëherë edhe unë kam të drejtën që të dyshoj që Akt ekpertimi mjekoligjor numër 70 nuk ka treguar të vërtetën e vdekjes së Eglit, pasi ka mangësi dhe shtrembërime të pyetjeve të hetimit që mund të jenë shkaktuar nga shkaqe si ato që vijnë nga NDIKIMI I KORRUPSIONIT.
AKTI DO RIBËHET ZOTËRINJ MJEKË TË IML!
Po e vazhdoj vetë hetimin e vrasjes së Eglit se askush nuk më ka dhënë përgjigje pse e vranë Eglin. Po përpiqen ta reduktojnë krimin në një “grusht”. Shoh heshtje, frikë dhe dorëzim përballë kriminelëve që po terrorizojnë qytetin e Pogradecit, atyre që kanë lidhje me policinë, me drejtësinë, me pushtetin e lartë vendor në Pogradec.
Ka ende shumë pyetje pa përgjigje që do u shkoj deri në fund.
Si u dorëzua me Range Rover brenda në Komisariat krimineli Denis Meçe?
Kush polic negocioi me të kur ai nuk “gjendej” dot askund se ku dhe me kë po “flinte gjumë”?
Pse nuk u kontrollua kurrë shtëpia e tij në Pogradec por “u trokit” vetëm te gjyshërit e tij në Buçimas?
Çfarë kërkonte Leonidha Guçe në dyert e spitalit një orë pasi e vranë Eglin?
Çfarë bisedonte një orë më pas në dyert e Komisariatit Pogradec me miqtë e tij policë ky kriminel?
Pse u la të pastrohej vendi i krimit, lokali Stropcka nga brenda dhe jashtë, sidomos tualeti, nga pronari bashkpunëtori në krim Voltan Shkulaku dhe më pas u bë këqyrja?
Pse nuk u mbyll që në çastin kur mbërriti policia në vendngjarje lokali që të fiksohej çdo gjë? A nuk vdiq një njeri????
Me kë ka komunikuar Valter Gora, më datë 10 gusht? Po në 11 gusht?
Kam me dhjetra pyetje të tjera që do t’ua marr përgjigjet medoemos.
Po kërkoj vetëm të vërtetën. Kam dëshmi e prova që po i mbledh me vështirësi pavarësisht se njerëzit kanë frikë të flasin, se kanë frikë nga kriminelat. Frika ka mbërthyer zemrat e tyre sepse askush nuk i mbron në Pogradec. Janë bashkë. Kriminelat lëvizin lirshëm, fshihen prapa krahëve të atyre që duhej të kishin bërë drejtësi. Ata që duhej të ruanin provat, ata që lejuan të pastrohej vendi i krimit, ata që duhej të kishin ndaluar krimin, heshtën dhe kthyen sytë nga ana tjetër.
Do kërkoj pafund e deri në fund DREJTËSI PËR EGLIN. Vrasësit që janë jashtë, ai brenda dhe gjithë ata që ndihmuan në fshehjen e së vërtetës do paguajnë me dënim para ligjit që nga zyrtari më i vogël që ka shpërdoruar detyrën e është korruptuar deri te ai më i larti. Ky është vetëm fillimi i betejës sime për drejtësi. Për të vërtetën e VRASJES që duhet të dalë me çdo çmim në dritë.
Ju përulem me mirënjohje të gjithë njerëzve që kanë ndihmuar Eglin dhe familjen e tij.
Ju përulem me respekt të gjithë atyre që më janë gjendur dhe më kanë ndihmuar në këto ditë të vështira”, shkruan Jonida Proga.