Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet sot për të diskutuar mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Vendimi u mor nga kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali pas kërkesave të opozitës.
Në mbledhjen e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali do të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e urdhëroi Kuvendin, t’i dërgojë kësaj gjykate mandatin e Olta Xhaçkës për të vendosur nëse është në konflikt interesi apo jo.
Thirrja e Këshillit të Legjislacionit pa përfunduar ende pushimet e verës për deputetët jashtë sesioni u bë pas kërkesës së grupit parlamentar të partisë Demokratike.
Deputetët e opozitës e cilësojnë si të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë, që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.
Çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të statusit të investitorit që ka bashkëshorti i saj. Vetë socialistët kanë vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, siç e cilëson ajo, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
- Bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi shpallet ‘investitor strategjik’
Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.
Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.
Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan në qershor të vitit 2022 heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës për përfitime antiligjore nëpërmjet statusit të investitorit strategjik dhënë bashkëshortit të saj. Kjo kërkesë erdhi pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.
Më vonë, Gjykata kushtetuese i kërkoi Kuvendit të dërgonte në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës, por në qershor të 2023-it, anëtarët socialistë në Këshillin e Legjislacionit kërkuan që të rikthejnë në pikën zero diskutimin për këtë çështje duke propozuar rimarrjen në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.
Prej më shumë se një viti, kjo çështje rrinte në sirtarët e Lindita Nikolla (kryetares së Kuvendit), duke moszbatuar vendimin e Kushtetueses. Tashmë, edhe më keq, publikisht, jo vetëm Nikolla, por e gjithë mazhoranca në bllok, me urdhër të Ramës u kthyen në mburojë të mandatit të Olta Xhaçkës dhe nuk zbatojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës.
Për çështjen në fjalë, SPAK ka sekuestruar të gjithë sipërfaqen e tokës që i ishte falur ish-deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.
Gjithashtu, në burg për këtë çështje ndodhet dhe ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të shoqërisë private të zotëruar nga Artan Gaçi.
Po ashtu, edhe vetë Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij deputete Olta Xhaçka kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me këtë çështje që vijon të jetë në hetim.
- Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese
Në një rast thuajse të paprecedent, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, pranohet të paktën dy herë se kjo çështje ka nxitur “krizë kushtetuese”.
Shumica e trupës gjykuese vlerëson se refuzimi i shumicës parlamentare socialiste për të zbatuar një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, ku detyrohej Parlamenti të dërgonte para saj rastin “Xhaçka” ka çuar “në një krizë kushtetuese, e cila cënon thelbin e shtetit demokratik…”.
Në një rast tjetër, brenda të njëjtit vendim, gjyqtarja e vetme në pakicë, Sonila Bejtja, përmend sërish shprehjen “krizë kushtetuese”, por kësaj radhe duke iu referuar qëndrimit të shumicës së gjyqtarëve, të cilët treguan sjellje injoruese ndaj kërkesave të subjektit të legjitimuar nga Kushtetuta, një të pestës së deputetëve.
“Mosdhënia përgjigje, në thelb, të kërkesës së 1/5 së deputetëve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, do të krijonte një impass të tillë, i cili do të përkthehej në krizë kushtetuese”, mban qëndrimin gjyqtarja në pakicë.
Çështja “Xhaçka” në kalendat greke
Në prill të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese pranoi të shqyrtonte një kërkesë me disa objekte, të cilat lidheshin me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, përfitoi statusin e “investitorit strategjik” dhe lehtësira të tjera nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Në kërkesën dërguar Kushtetueses, 1/10 e deputetëve, përfaqësues të opozitës, kërkuan që Gjykata të detyronte Kuvendin të zbatonte një vendim të mëhershëm të trupës gjykuese, e cila kishte kërkuar nga ligjvënësit që të dërgonin për interpretim vlefshmërinë e mandatit të Xhaçkës.
Në të njëjtën kërkesë, 1/5 e deputetëve, po përfaqësues të opozitës, kërkonin interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për nenet e Ligjit Themeltar që kanë të bëjnë me pavlefshmërinë e mandatit të deputetit.
Në këtë pikë të dytë të objektit, mbeti e paqartë nëse kërkohej drejtëpërdrejtë shpallja e pavlefshme e mandatit të Xhaçkës, për aq kohë sa përfaqësuesi i kërkuesve nuk e deklaroi shprehimisht diçka të tillë në seancë plenare para Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë shqyrtimi i kësaj kërkese do të jepte një përgjigje edhe për vlefshmërinë e mandatit të ligjvënëses socialiste.
Në 10 Korrik 2024, Gjykata Kushtetuese, me një votim 8-1, vendosi të pranojë kërkesën e 1/10 së deputetëve, ku ritheksohet detyrimi i Parlamentit për ta dërguar rastin “Xhaçka” para trupës gjykuese.
Ndërkohë, sërish si në një vendim të mëparshëm, të marrë në Shkurt 2023, Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim kërkesën e 1/5 së deputetëve, e cila mund t’i jepte zgjidhje përfundimtare çështjes “Xhaçka”.
Në vendimin prej 36 faqesh, të zbardhur në fund të Korrikut, Gjykata Kushtetuese ka analizuar gjerësisht kërkesën e 1/10 së deputetëve, duke u ndalur kryesisht në “reagimin” e saj për injorimin që i bëri shumica parlamentare vendimit të saj nr.1 të vitit 2023, ku kërkoi nga Kuvendi që të dërgonte për intepretim pranë saj kërkesën për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Olta Xhaçkës.
Shumica e trupës gjykuese tregohet “e indinjuar” me qëndrimin refuzues të maxhorancës parlamentare, duke i rikujtuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyrimisht të zbatueshme dhe nuk mund të analizohen apo të hidhen poshtë nga asnjë institucion tjetër.
“Gjykata vlerëson se Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës…”, thuhet në vendimin e miratuar nga shumica e gjyqtarëve kushtetues.
Më tej, thuhet se “Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e Gjykatës, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132 i Kushtetutës… Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cënon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës…”.
Terminologjia, por sidomos tempi i gjuhës së përdorur në këtë pjesë të vendimit, ngjan me një “fshikullimë” të fortë që Gjykata Kushtetuese i jep Kuvendit, më saktësisht shumicës socialiste që rrëzoi me votë vendimin e saj të mëparshëm.
Por, a është vërtetë “fshikullimë” e Gjykatës Kushtetuese ndaj maxhorancës së Edi Ramës, aq më tepër kur kjo trupë gjykuese ka treguar thuajse përherë se shërben si një zgjatim i pushtetit të kryeministrit?
Shohim disa detaje të tjera, për të kuptuar më mirë se ajo që ngjan si “fshikullimë”, në fakt duket më shumë një lojë e hollë proceduriale, për të shpëtuar sërish mandatin e Olta Xhaçkës.
Loja “fine” e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese kishte mundësinë që të shqyrtonte drejtëpërdrejtë vlefshmërinë e mandatit të deputetes socialiste në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve.
Por, në mënyrë shumë fine, u shmang nga shqyrtimi i kësaj kërkese, duke treguar sërish se nuk ka as guximin më të vogël për t’u përballur me njerëzit e oborrit të Edi Ramës.
Ndërkohë që sqarimi mbi kërkesën e 1/10 së deputetëve, pra ai që lidhej me “keqardhjen” e Gjykatës për refuzimin e Parlamentit shtrihet gjerësisht në shumë faqe të vendimit, qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e 1/5 së deputetëve, aty ku mund të vendosej fati i mandatit të Xhaçkës, është i shprehur vetëm në dy paragrafë.
Në mënyrë të përmbledhur, këta paragrafë shprehen me fjalinë: “….Gjykata vlerëson të mos ndalet në analizimin e kritereve paraprake dhe themelin e çështjes”, pasi më parë kishte arritur në konkluzionin se duhet të ri-detyronte Parlamentin t’i sillte rastin e Xhaçkës për shqyrtim.
Gjykata shkakton krizë kushtetuese
Kushtetuta dhe ligji organik i Gjykatës Kushtetuese e njohin 1/5 e deputetëve si një prej subjekteve që mund të vënë në lëvizje gjykatën në mënyrë të pakufizuar.
Pra, 1/5 e deputetëve mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështje të natyrës së përgjithshme të kushtetutshmërisë ose edhe për çështje me interes konkret.
Në praktikën shumë-vjeçare të Gjykatës Kushtetuese, ky pa-kufizim i 1/5 së deputetëve është pranuar gjerësisht dhe trupat gjykuese kanë shqyrtuar vite më parë kërkesa të këtij subjekti, si të natyrës së përgjithshme, ashtu edhe për çështje me interes konkret.
Por, megjithëse nuk ka asnjë ndryshim në Kushtetutë apo ligj për të drejtën e pakufizuar të 1/5 së deputetëve, trupa gjyqësore e krijuar pas “Reformës në Drejtësi” ka treguar një qasje shumë më ndryshe, shumë më kufizuese. Dhe, për rastësi, kjo qasje “kufizuese” lidhet sidomos me rastin e Olta Xhaçkës.
Në vendimin e parë që lidhej me mandatin e deputetes socialiste, të marrë në Shkurt 2023, Gjykata Kushtetuese, megjithëse e pushoi atë gjykim, dha intepretimin se 1/5 e deputetëve mund t’i drejtohej gjykatës vetëm për çështje me interes konkret.
Ndërsa në vendimin e radhës, atë të marrë në Qershor të këtij viti dhe të zbardhur vetëm pak ditë më parë, shumica e trupës së Kushtetueses e ka injoruar fare subjektin kërkues 1/5, pra, praktikisht, duke ia hequr tërësisht të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën.
Ky handipak është konstatuar nga gjyqtarja në pakicë, Sonila Bejtja.
“Ligji nr. 8577/2000 i ka parashikuar dy subjekte që mund të vënë në lëvizje Gjykatën për shqyrtimin e papajtueshmërisë me mandatin të deputetit, konkretisht Kuvendin dhe, në rast të mosveprimit të tij, edhe 1/5-ën e deputetëve”, u rikujtoj ajo kolegëve të saj.
Në vijim, gjyqtarja në pakicë shprehet se “arsyetimi i përdorur nga shumica në vendim për kërkimin e 1/5-ës ka evituar dhënien e një përgjigjeje në lidhje me legjitimimin e këtij subjekti kushtetues, ndërkohë që duhet të kishte mbajtur qëndrim të arsyetuar në këtë drejtim”, duke lënë të kuptohet se nuk janë dhënë argumenta të qartë se përse nuk është marrë në konsideratë kërkesa e subjektit “1/5 e deputetëve”.
Sipas saj, ky qëndrim “përjashtues” i shumicës së trupës gjykuese për “1/5 e deputetëve” përbën dhe do të vijojë të përbëjnë një arsye të fortë për krizë kushtetuese, pasi po i heq në mënyrë të paligjshme të drejtën këtij subjekti për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
“Mungesa e një arsyetimi të shumicës në këtë drejtim (pra, heqja e të drejtës së kërkuesit 1/5 e deputetëve, shën.red) dhe mosdhënia përgjigje në thelb të kërkimit të 1/5-ës së deputetëve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka do të krijonte një impass të tillë, i cili do të përkthehej në një krizë kushtetuese”, shprehet gjyqtarja në pakicë, Bejtja, e cila votoi në favor të pranimit të kërkesës së 1/5 së deputetëve.
Pikërisht, kjo përplasje në qëndrimeve mes anëtarëve të trupës mund të shërbejë si një indikator i mirë për të kuptuar se ai “fshikullimi” në dukje që Kushtetuesja i bëri maxhorancës, në fakt nuk është gjë tjetër veçse një mbulesë e bukur, me të cilën shumica e gjyqtarëve kushtetues fshehin qëllimin e vërtetë-mbrojtjen e mandatit të Olta Xhaçkës, rrjedhimisht edhe të pushtetit të Edi Ramës.
- Të paturp/ Kushtetuesja mbron mandatin e Xhaçkës, duke bërë sikur “ankohet” për PS
Gjykata Kushtetuese jo vetëm që është shndërruar prej kohësh në një vasale “të rëndomtë” të pushtetit të Edi Ramës, por tashmë as nuk ka ngjyrë në fytyrë për ta fshehur këtë lloj varësie skandaloze institucionale.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, njoftoi se shumica e gjyqtarëve kishte vendosur t’ia rikthente edhe njëherë Parlamentit çështjen e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Me një fjalor, që donte të tregonte se Gjykata ndihej aspak komode me faktin që shumica socialiste nuk e kishte respektuar vendimin e mëhershëm të Kushtetuese për të dërguar shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës për shqyrtim pranë trupës gjyqësore, Zaçaj mbuloi një skandal akoma edhe më të rëndë.
Atë që, Gjykata Kushtetuese, nuk guxoi as kësaj here të shqyrtonte në themel rastin e Olta Xhaçkës.
Partia Demokratike kishte dërguar pranë kësaj gjykate një kërkesë me objekt të dyfishtë;
– E para, që Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte konfliktin e kompetencave brenda Parlamentit dhe të detyronte Kuvendin që të pranonte iniciativat e 1/10 së deputetëve dhe të dërgonte raportin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
– E dyta, të shqyrtonte në themel rastin e mandatit të Olta Xhaçkës.
Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të Mërkurë (10 Korrik 2024) thuajse njëlloj si edhe në një shqyrtim të mëparshëm për të njëjtën çështje, kur ktheu rastin në Parlament dhe refuzoi të vlerësonte në themel mandatin e ish-ministres së Jashtme, Xhaçka.
“Boldnews.al” e ka paralajmëruar më herët se Gjykata Kushtetuese, nën një shërbim të plotë të Edi Ramës, do të bëj gjithçka për të vonuar shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës, derisa asaj t’i përfundojë zyrtarisht në mesin e vitit 2025.
Parashikimet e redaksisë kanë rezultuar thuajse 100 përqind të sakta dhe Olta Xhaçka do të vijojë të shijojë mandatin e plotë, megjithëse besohet se bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.
Parashikimi: Xhaçka merr frymë
Në prill të këtij viti, “Boldnews.al” analizoi një debat në distancë për mandatin e Olta Xhaçkës, mes Gazmend Bardhit e Lulzim Bashës, dy ish-bashkëpunëtorë të ngushtë politikë dhe dy përgjegjës kryesorë për zgjatjen pa fund të mandatit të ish-ministres së Jashtme.
Dikur bashkëpunëtorë të ngushtë, tashmë Lulzim Basha dhe Gazmend Bardhi kanë këndvështrim të ndryshëm për shumë gjëra. Debati më i fundit mes tyre është ai për mënyrën se si duhet të trajtohet rasti i mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Rreth një vit e gjysmë më parë, Basha, Bardhi e pas tyre edhe Enkelej Alibeaj, ndoqën një rrugë të gabuar për të kërkuar shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Ata ndoqën një strategji, e cila i dha frymëmarrje mandatit të ligjvënëses socialiste, megjithëse është e dyshuar se gjendet në kushtet e konfliktit të interesave, pasi bashkëshorti i saj u shpall investor strategjik nga qeveria e Edi Ramës.
Rreth një vit e gjysmë më parë, Basha, Bardhi e Alibeaj, si përfaqësues të 1/10 së deputetëve në Parlament, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të detyronte Parlamentit të dërgonte pranë asaj gjykate kërkesën për shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës, në përfundim të punimeve të një komisioni hetimor parlamentar të ngritur për atë çështje.
Kërkesa e këtij poli politik, u pa si një stërkëmbësh për një tjetër kërkesë, të dorëzuar nga 1/5 e deputetëve, të drejtuar nga Sali Berisha, të cilët kërkuan drejtëpërdrejtë përfundimin e mandatit të Olta Xhaçkës.
Gjykata Kushtetuese shfrytëzoi në atë kohë kërkesën e polit Basha-Bardhi-Alibeaj për ta kthyer çështjen në Parlament.
Ndërsa kërkesën e 1/5 së deputetëve, që lidhej me themelin e çështjes “Xhaçka”, Gjykata Kushtetuese e pushoi, me argumentin se “nuk ka objekt”, pasi rasti i ishte kthyer Parlamentit, sipas kërkesës së 1/10 së deputetëve.
Pasi çështja u rikthyer në Parlament, maxhoranca socialiste sërish vendosi të mos e dërgonte çështjen “Xhaçka” në Gjykatën Kushtetuese.
Bardhi u duk se reflektoi për atë gabim, megjithwse jo plotwsisht. Në emër të 1/5 së deputetëve të Parlamentit, kreu i grupit demokrat iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar themelin e çështjes së mandatit të Xhaçkës.
Ndërsa Basha është ende larg reflektimit. Në reagim të lëvizjes së Gazmend Bardhit, Basha dha opsionin që çështja e mandatit të Xhaçkës nuk mund të shqyrtohet më në Kushtetuese, por të zgjidhet politikisht.
Ai avancoi më tej idenë e tij, duke thënë që zgjidhja e vetme është shpërndarja e Parlamentit nga Presidenti i Republikës, pasi maxhoranca në Kuvend refuzoi dërgimin e rastit Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, sipas një vendimi të dhënë më herët ajo gjykatë.
Me këtë opsion, Basha duket se kishte hipur në një tren fluturues. Ai nuk ka asnjë lloj fuqi parlamentare për të nxitur një zgjidhje të tillë politike dhe duket se deklarata e tij ishte thjesht një kundërvënie pa thelb ndaj vendimit të Bardhit për të ridërguar çështjen në Kushtetuese.
LEXO EDHE:
Debati shterpë Basha-Bardhi/ Të dy janë fajtorë për dështimin me mandatin e Xhaçkës
Manovra/ Kushtetuesja shfrytëzoi grupin “Alibeaj” për të shpëtuar mandatin e Xhaçkës
Detajet/ A e humbi opozita e vulës lojën për shkarkimin e Olta Xhaçkës?