Gjyqtarja e Durrësit, Shpëtime Pitaku u përball të mërkurën më 24 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku gjatë seancës dëgjimore që zgjati për pesë orë, u pyet dhe dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha në shumën totale 65 milionë lekë, si dhe për probleme të tjera për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është përmbyllur hetimi paraprak. Ajo pretendoi se përmbysi barrat e provës për pasurinë dhe kërkoi riçeljen e hetimit administrativ për figurën dhe profesionalizmin.
Procesi i vetingut për Pitakun po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Shpëtime Pitaku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Durrës. Në vitin 2015, Pitaku u kallëzua në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për dyshime për fshehje pasurie, por hetimi u mbyll pa rezultat.
Në seancë, Pitaku u përfaqësua nga avokatja Romina Zano, e cila paraqiti kundërshtimet për barrat e provës në kriterin e pasurisë.
Problemet për pasurinë
Komisioni konstaton se subjekti dhe bashkëshorti saj kanë blerë nga babai i këtij të fundit një shtëpi banimi 4+1 në Durrës dhe me sipërfaqe trualli 339 m2 për çmimin 100 mijë lekë, që konsiderohet 50 herë më e ulët nga vlera e pasurisë sipas tregut të lirë. Duke e kryer analizën financiare sipas tregut të lirë, ka rezultuar pamundësi në shumën 6.6 milionë lekë. Po ashtu, pamundësi është konstatuar dhe për investimin në një shtesë prej 32 m2 në këtë banesë.
Avokatja Zano deklaroi se kjo pasuri është krijuar nga vjehrri i subjektit në vitin 1960. Ajo argumentoi se objekti ishte i amortizuar dhe nuk mund të kishte të njëjtën vlerë tregu me një ndërtim të ri, ashtu si është përllogaritur prej KPK-së. Sipas Zanos, vjehrri subjektit ka qenë i moshuar në atë periudhë dhe pronat e tij ua ka kaluar fëmijëve me çmime simbolike, që kanë qenë një mënyrë dhurimi. Avokatja u shpreh se në vitet e para të demokracisë, vjehrri dhe bashkëshorti i subjektit ishin angazhuar në tregtimin të mallrave industrialë. Ajo pretendoi se nëse do të konsideroheshin provat dhe shpjegimet e subjektit, atëherë pamundësia do të rezultonte e papërfillshme.
Subjekti ka deklaruar një dyqan me sipërfaqe 42.6 m2 në Durrës të blerë në vitin 2000 për çmimin 40 mijë USD, me burim të ardhurat nga puna e saj dhe aktiviteti i bashkëshortit si stomatolog dhe kirurg, të ardhurat nga dhënia me qira e pasurive të paluajtshme, si dhe kredi bankare në shumën 15 mijë USD. Lidhur me këtë pasuri, Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar çmimin real, pasi në kontratën e kredisë është shënuar se do të blihej për vlerën 50 mijë USD dhe jo 40 mijë USD. Nga hetimi ka rezultuar se kredia është disbursuar një muaj e gjysmë pas shlyerjes së çmimit të pasurisë dhe se nuk mund të ketë shërbyer si burim. Për rrjedhojë konsiderohet se Pitaku nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për pagesën e shumës 15 mijë USD, si dhe se nuk ka deklaruar një shtesë 3 m2. Nga analiza financiare paraprake e kryer për blerjen e njësisë për çmimin 50 mijë USD, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 6.1 milionë lekë.
Avokatja Zano shpjegoi në seancë se megjithëse fillimisht ishte dakordësuar mes palëve çmimi 50 mijë USD për dyqanin, banka nuk disbursonte vlerë më të madhe se 15 mijë USD dhe për rrjedhojë ishte negociuar deri sa ishte mbërritur në çmimin 40 mijë USD. Ajo këmbënguli se çmimi real që është paguar është 40 mijë USD, ashtu si përcaktohet dhe në kontratë. Lidhur me burimet e shlyrjes së shumës 15 mijë USD, Zano tha se kjo vlerë ishte dakordësuar mes palëve të paguhej kur të rimbursohej kredia.
Ajo kërkoi rishikimin e të ardhurave të bashkëshortit të subjektit nga aktiviteti tij si stomatolog, duke pretenduar se marzhi i fitimit në këtë profesion, edhe sipas Urdhërit të Stomatologut, ishte 85% dhe jo 63% sa e kishte konsideruar KPK.
Sipas Zanos, bashkëshorti i subjektit kishte përdorur ambjente të shtëpisë si klinikë dhe për ta dhënë me qira si magazinë për tregëtarët e produkteve industriale. Ajo argumentoi se banesa gjendej pikërisht në zonën e tregut industrial. Ajo kërkoi rishikimin e analizës financiare, me pretendimin se bilanci rezulton pozitiv.
Shtesën prej 3 m2 e cilësoi të papërfillshme dhe tha se ka qenë një harresë njerëzore mosdeklarimi saj në vite, por që ishte korrigjuar duke u shënuar në deklaratën “veting”.
Hetimit të KPK-së i janë nënshtruar dy apartamente 1+1 në Durrës, me vlerë në kontratë nga 2 milionë lekë secili, me burim krijimi të deklaruar të ardhurat nga puna dhe qiratë e dyqaneve. Një prej apartamenteve shërben si klinikë dentare ku ushtron aktivitetin si mjek stomatolog bashkëshorti i subjektit. KPK konstaton se subjekti në vitin 2004 dhe në deklaratën “veting” ka deklaruar se secili prej apartamenteve është blerë për 2 milionë lekë, në pyetësorët në KPK ka shënuar vlerën 25 mijë USD, ndërsa në një kontratë sipërmarrje të vitit 2003, pasqyrohet çmimi 30 mijë USD për secilën prej banesave. Bazuar në këto të dhëna, KPK vlerëson se duket se Pitaku, në mënyrë të përsëritur nuk ka deklaruar vlerën reale të këtyre pasurive.
Zano tha se deklarimi i çmimit 2 milionë lekë ka qenë i saktë. Sipas saj, fillimisht ishte bërë dakordësimi për 25 mijë USD, por më pas është vendosur që disa prej punimeve të brendshme t’i kryente bashkëshorti i subjektit dhe për këtë arsye ishte finalizuar çmimi 2 milionë lekë. Sipas avokates, bashkëshorti i subjektit kishte investuar afro 4500 USD për punimet në apartamentin që e ka përshtatur si klinikë, kurse apartamenti tjetër është përdorur nga vjehrri, i cili ka kryer dhe punimet përkatëse.
Avokatja pranoi konfuzione në deklarimet e kryera, por theksoi se pasaktësitë e pashoqëruara me mungesa financiare nuk mund të sjellin penalizim. Ajo kërkoi që analiza financiare të kryhet për çmimin e blerjes 2 milion lekë dhe 5000 mijë USD për shpenzimet e punimeve.
Bashkëshorti i subjektit dhe motra e tij kanë blerë nga babai një truall me sipërfaqe 324.5 m2 në zonën e quajtur Currilat në Durrës, për çmimin 50 mijë lekë secili. Në këtë truall kanë kryer ndërtime që sipas avokates së subjektit janë struktura druri, ku ajo e subjektit me vlerë 1.3 milionë lekë. Trualli i është kthyer fillimisht vjehrrit të subjektit si ish pronar. Si burim për blerjen dhe ndërtimin e kryer janë deklaruar të ardhurat nga puna dhe qiradhënia.
Lidhur me këtë pasuri, KPK ka konstatuar pasaktësi në deklarimin e vitit të ndërtimit, pasi në deklarimin periodik dhe në pyetësor është shënuar viti 2007, ndërsa në formularin e legalizimit të vitit 2013, bashkëshorti subjektit dhe motra e tij kanë deklaruar se ndërtimi është kryer në 2008-ën.
Po ashtu, janë konstatuar pasaktësi në deklarimin e sipërfaqeve dhe se duket se nuk është deklaruar vlera reale e ndërtimit, pasi në preventivin e depozituar në ASHK figuron shifra 5.1 milionë lekë dhe jo 1.3 milionë lekë. Po ashtu, duket se subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë deklaruar një shtesë pa lejë në vitin 2013 dhe se nuk kanë pasur burime të ligjshme për këtë investim në vitet 2007 dhe 2008, me bilanc negativ në vlerë të përgjitshme 8.2 milionë lekë.
Avokatja Zano vërejti se dhe në këtë rast, vjehrri subjektit u ka tjetërsuar fëmijëve pasurinë e tij për çmim simbolik. Ajo kundërshtoi analizën e kryer nga Komisioni për blerjen e truallit sipas çmimit të tregut.
Për investimin në objektet e ndërtuara në vitin 2007, ajo nënvizoi se janë struktura prej druri. Sipas avokates, në vitin 2008 ishte nxjerrë leja ndërtimore, por nuk ishte zbatuar si rrjedhojë e probleme në Këshillin e Bashkisë Durrës. Ajo këmbënguli se në asnjë moment nuk ka pasur ndryshim të sipërfaqes së truallit dhe se në aplikimin për legalizim ka pasur një gabim të çastit. Zano kundërshtoi kryerjen e analizës sipas vlerës së përcaktuar në preventiv. Ajo tha se në preventiv nuk përshkruhen punime me materiale druri, ashtu si është ndërtuar objekti dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet ajo vlerë e shënuar. Sipas avokates së subjektit, bazuar në këto rrethana, si dhe duke u konsideruar të ardhurat, ndryshon analiza financiare.
Për një apartament duplex me sipërfaqe 278 m2 = taracë 85 m2 dhe bodrum 202 m2 në Durrës, me vlerë 113 mijë euro, të përfituar me kontratë sipërmarrje të vitit 2006, subjekti ka deklaruar si burime financiare të ardhurat e saj e të bashkëshortit, qiratë e dyqaneve, kredi bankare dhe të ardhura nga shitja e apartamenteve që kanë pasur në pronësi.
Komisioni konstaton se duket se nuk ëhstë deklaruar sipërfaqja dhe vlera reale e kësaj pasurie; se mosregjistrimi i kësaj pasurie nga viti 2011 e deri në 2019-ën, si dhe vijimi i procedurave për legalizim në vitin 2019 e më vonë, janë përpjekje për të shmangur deklarimin e sipërfaqes dhe vlerës reale ndër vite e gjatë procesit të vetingut. Sipas KPK, duke se çmimi i paguar nga subjekti është më i lirë sesa vlera e pasurisë sipas çmimeve referencë të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, që dhe në këtë rast konsiderohet se është kryer me qëllim mosdeklarimin e vlerës reale të investimit. Nga analiza financiare e KPK për këtë pasuri ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 13.1 milionë lekë.
Avokatja Zano solli në vëmendje të Komisionit se për këtë pasuri ka pasur proces gjyqësor midis palës shitëse dhe bashkëshortit të subjektit, që ëhstë fituar nga ky i fundit. Sipas saj, në këtë rast kemi të bëjmë me një gjë të gjykuar. Ajo kërkoi të konsiderohen të ardhurat e deklaruar që do të shkonin në masën 45 milionë lekë dhe do të mbulonin vlerën e këtij investimi.
Komisioni konstaton se subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë deklaruar vlerën reale të blerjes as të një apartamenti tjetër me sipërfaqe 135 m2 në Durrës. Ata kanë deklaruar se kjo pasuri është blerë për 100 mijë euro, me burim të ardhurat nga puna e qiratë, si dhe një kredi bankare në vlerën 60 mijë euro, por sipas KPK, nga dokumentet e administruara, apartamenti rezulton të jetë blerë për çmimin 160 mijë euro. Kjo, pasi sipas akteve të kontratës së shitjes me rezervë dhe një deklarate noteraile, dy këste në shumat 40 mijë euro dhe 60 mijë euro janë likujduar deri më datë 18 qershor 2012, jashtë zyrës noteriale, ndërsa kredia është marrë 10 ditë më vonë dhe është transferuar në favor të shitësit.
Zano theksoi se subjekti nuk ka paguar snjë lek tjetër veç shumës 100 mijë euro. Sipas saj, ky fakt konfirmohet nga shitësi edhe 12 vjet më vonë. Zano sqaroi se në nënshkrimi i deklaratës për pagesën e vlerës 60 mijë euro është kryer pasi ishte kusht nga banka për të marrë kredinë 60 mijë euro, që banesa të likujdohej e të vendosej si kolateral.
Komisioni konstatoi blerjen e një ambjenti shërbimi në vitin 2014 për shumën 70 mijë euro, rreth 40 mijë euro më pak se pala shitëse e kishte blerë tre vjet më parë. Sipas KPK, në vitin 2014 është kryer vetëm një pagesë 20 mijë euro dhe subjekti e bashkëshorti kanë filluar ta ripaguajnë këtë apartament vetëm pas gushtit të vitit 2017 e deri në 2019-ën, ndërkohë që prej 2020-ës e në vijim ka ende 25 mijë euro pa shlyer. Komisioni e cilëson të paarsyeshme, të pabesueshm dhe të pashpjeguar në mënyrë bindëse tolerancën e palës shoitëse, si në lidhje me çmimin 40 mijë euro më të lirë nga sa e kishte blerë, ashtu dhe për mosshlyerjen e gjithë vlerës.
Ndërkohë, është konstatuar se gjyqtarja Pitaku ka gjykuar një çështje me palë administratorin e shoqërisë shitëse, ndërkohë që kishin ende një kontratë interesi të papërfunduar.
Bazuar në këto të dhëna, KPK konstaton se duket se subjekti ka gjykuar në kushtet e konlfikit të interesit dhe ngre dyshime për transaksion fiktiv në shitblerjen e këtij ambjenti shërbimi. Po ashtu, ka rezultuar bilanc negativ për pagesat e kryera.
Sipas avokates Romina Zano, shitësi kishte tre vjet që përpiqej ta tjetërsonte këtë pasuri dhe nuk i’a kishte arritur, prandaj dhe ishte dakordësuar me çmimin 70 mijë euro. Ajo kërkoi që të përfshihen në analizën financiare dhe të ardhura të tjera.
Pamundësi u konstatua pej KPK dhe për blerjen e një automjeti të llojit Audi për çmimin 28 mijë euro, ku janë paguar rreth 8800 euro, ndërsa pjesa tjetër është financuar me kredi leasing. Zano deklaroi se sipas analizës së tyre financiare, mbulohet bilanci negativ prej 8400 eurosh i konstatuar prej KPK.
Komisioni ngre dyshime për ekzistencën faktike të një shume cash prej 50 mijë USD të deklaruar nga subjekti se disponohej në vitin 2003, pasi nga analiza financiare deri në atë kohë, ka rezultuar dhe bilanc negativ. Për këtë arsye, kjo shumë nuk është konsideruar në analizën financiare paraprake.
Ndërkohë, për gjendjen cash në shumën 10 mijë e 700 euro në vitin 2017, ka rezultuar se subjekti ka pasur të ardhura të mjaftueshme, pasi rrjedhin nga shitja e një pasurie 100 mijë euro në vitin 2009. Por, KPK ngre pikëpyetje mbi legjitimitetin e të ardhurave nga kjo shitje, për shkak të burimit fillestar të apartamentit të shitur.
Nga analiza financiare paraprake e përgjithshme ka rezultuar bilanc negativ ne vlerën totale rreth 65 milionë lekë, nga të cilat 14 milionë lekë për periudhën 1993-2002.
Avokatja Zano argumentoi se i vetmi burim lidhur me gjendjen cash në banesë janë deklarimet e subjekteve deklaruese. Ajo tha se nuk mund mund të ngrihen dyshime, pasi subjekti e ka deklaruar dhe në atë kohë nuk mund të hamendësonte që do zhvillohej procesi i vetingut, por i ka shënuar pasi i dispononte.
Lidhur me mosdeklarimin e pakësimeve të cash-it, Zano shpjegoi se kjo lidhet me moskuptimin si duhet të mënyrës së deklarimit. Ajo këmbënguli se nëse do të rikonsiderohen të ardhurat e familjes së subjetit, atëherë përmbyset barra e provës për krijimin e cashit në masën 50 mijë USD.
Zano kundërshtoi dhe konstatimin lidhur me ligjitimitetin e shumës 100 mijë euro të përfituar nga shitja e një apartamenti, duke theksuar se nuk ka mundësi që kjo vlerë të mos konsiderohet e ligjshme.
Ajo kërkoi që të rikonsiderohen të ardhurat e bahskëshortit të subjektit, si dhe ato nga qiratë. Sipas Zanos, si pasojë e pamundësisë objektive për të siguruar dokumente për shlyerjen e detyrimeve, subjekti i ka ripaguar.
Zano kërkoi të konsiderohen dhe të ardhurat nga shitja e një pasurie tjetër duke pretenduar se mospërputhjet kanë ardhur si pasojë e pasaktësive në deklarime, si dhe që të ulen shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit kur kanë qenë të mbuluara për shkak të punës.
Po ashtu, u kundërshtuan dhe pamundësitë e konstatuara për shpenzimet e kryera nga vajza e subjektit, me argumentin se ato janë kryer me të ardhurat e ish-bashkëshortit të saj, prej të cilit ka qenë e pamundur të sigurohen dokumente.
Gjyqtarja Pitaku deklaroi në seancë se kontributi i saj financiar në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve rridhte vetëm nga pagat. Për të ardhurat e tjera ajo sqaroi se rrjedhin nga aktiviteti i bashkëshortit si stomatolog e kirurg, si dhe nga dhënia me qira e pronave, një pjesë e të cilave rrjedhin nga kthimi dhe kompesimi i pronave në favor të vjehrrit, i cili i ka tjetërsuar në favor të fëmijëve të tij për çmime simbolike. Sipas subjektit, ato kanë qenë në formën e dhurimeve, pavarësisht kontratave të shitblerjeve të nëshkruara nga vjehrri, bashkëshorti i saj dhe motra e këtij të fundit.
Lidhur me konstatimet e Komisionit për hetimet penale të kryera ndaj saj, Pitaku solli në vëmendje se është hetuar penalisht lidhur me pasurinë dhe se prokuroria i ka pushuar hetimet për dy çështje në vitet 2009 dhe 2015, me vendim të formës së prerë.
Vëzhguesi ndërkombëtar e pyeti subjektin se si do të vlerësonte ajo për situata të ngjashme me ato të konstatuara nga KPK. Ajo deklaroi se nëse do kishte pasur deklarime për fshehje, atëherë kjo do të ishte e papranueshme. Kessler e pyeti Pitakun se cila ishte magjia që përdornin gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë në transaksionet me automjetet, që i blinin lirë dhe pasi i përdornin për disa vite, i shisnin më shtrenjtë. Ajo tha se bashkëshorti vetëm në një rast e ka shitur një automjet në vlerë pak më të madhe, ndërsa të gjitha makinat e tjera i kishte shitur më lirë.
Në përfundim, gjyqtarja Shpëtime Pitaku pretendoi se kishte arritur të përmbyste barra e provës për kriterin e pasurisë dhe kërkoi riçeljen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin. Po ashtu, ajo kërkoi që të konfirmohet në detyrë në pëmbylkje të procesit të vetingut të saj. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 26 korrik, në orën 09:45./ Reporter.al