Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë fjalimit të mbajtur në protestë është shprehur se drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Lideri demokrat tha se drejtësia e re është bërë për t’u nxirë jetën shqiptarëve duke pritur për një vendim gjyqësor 15 vite, teksa sipas tij, kjo drejtlsi amniston Edi Ramën, Ilir Beqajn, Erion Veliajn dhe gjithë të korruptuarit e Qeverisë.
Berisha e krahasoi Shqipërinë me Rusinë e drejtuar nga Putin, ku sipas tij,ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare. Sipas tij, kandidatët e opozitës që zgjidhen kryetarë bashkie burgosen vetëm pse nuk plotësojnë interesat mafioze të Edi Ramës.
Kreu i opozitës tha se nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët, interesat, dinjitetin, sovranitetin e tyre, qenka një “non-grata”, qenka një arrest pa prova, do ta bënte prapë, jo një, por edhe 1000 herë të tjera
Sali Berisha: Të gjithë jemi dëshmitarë se si Edi Rama për zëvendësimin e shtetit ligjor me narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, emëroi në krye të rendit balozët e drogës, Tahirin, Xhafën, Ballën. Korruptoi dhe angazhoi si këshilltarë delinkuantë McGonigalin dhe Coldean. Vëllai i tij Olti udhëhoqi klanin e Xibrakës. Bashkë me kanabizmin e Shqipërisë nisën vjedhjet më barbare në historinë e vendit. Në 11 vite, nga buxheti total i shtetit prej 57 miliardë euro, vetëm 9 miliardë janë përdorur për rrogat e shqiptarëve. 47 miliardë të tjera janë zhdukur në honet e korrupsionit. Disa miliarda euro pasuri publike po vidhen nga Rama me Dubai Cityn, portin e Durrësit dhe trafikantët si investitorë strategjikë. Këta bastardë zhdukën qindra milionë për një incenerator që nuk ekziston dhe Duman mercenari amniston Erion Veliajn vetëm pse paratë i ka vjedhur me Edi Ramën. Ilir Beqja arresohet për vjedhjen e 150 mijë euro nga fondet e BE, por ai amnistohet nga Dumani dhe nuk ka akuzë për 300 milionë euro që u ka vjedhur shqiptarëve me Edi Ramën. Kjo është e tmerrshme. Por pse amnistohen Beqaj, Veliaj dhe të tjerë? Pse dënohet Saimir Tahiri për shpërdorim detyre kur ka bërë trafik ndërkombëtar droge? Përgjigja është vetëm një, kjo ndodh sepse koka e tyre e krimeve është Edi Rama. Sepse drejtësia e re është bërë për të zbatuar urdhrat e Edi Ramës, për procese politike dhe për të prodhuar statistika kallp për mashtrimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sepse drejtësia e re është bërë për t’u nxirë jetën shqiptarëve duke pritur për një vendim gjyqësor 15 vite. Se ajo është bërë për t’u mohuar drejtësinë shqiptarëve dhe ky është një krim i shëmtuar. Miqtë e mi, të gjithë këto zhvillime kanë sjellë një realitet të ri alarmant për shqiptarët. Ato kanë sjellë urinë e fëmijëve, vdekjen e shqiptarëve për ilaçe. Ato kanë sjellë instalimin, vendosjen në Shqipëri të diktaturës së bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen dhe drogën. Shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë dhe bllokimin e rotacionit politik. Sot në Shqipëri, si në Rusinë e Putinit, ndiqen dhe persekutohen nga prokurorët politikë, drejtuesit e forcave kryesore opozitare. Kandidatët e opozitës që zgjidhen kryetarë bashkie burgosen vetëm pse nuk plotësojnë interesat mafioze të Edi Ramës. Ndërsa Edi Rama, rilindësit e tij të shpifur kanë siguruar të paktën 15 breza dhe në mos më shumë me pasuri përrallore të vjedhura shqiptarëve.
Ja pse Edi Rama kurrë nuk pranoi një faj apo përgjegjësi për kanabizimin e Shqipërisë, as për miliardat e vjedhura dhe nuk shfaqi një fije dhembshurie për shqiptarët e vetëvrarë, për fëmijët e uritur, për të rinjtë e braktisur, për pensionistët e harruar. Ai, për të hequr përgjegjësinë nga vetja dhe ministrat e tij, nuk hezitoi as të shpallë mjekët armiq dhe t’i akuzojë për krime ndaj njerëzimit. Edi Rama, ti ke bërë krime ndaj njerëzimit. Më keq akoma, ke bërë genocid ndaj shqiptarëve, ke nxitur emigracionin e vullnetshëm të tyre. Ti, Edi Rama ke shitur interesin kombëtar, për të ruajtur pushtetin tënd. Ti, Edi Rama me vllaun tënd antishqiptar Vuçiç dhe me armikun e shqiptarëve dhe mbarë njerëzimit Xhorxh Soros, kërkove të copëtosh trojet e Kosovës në vitin 2018. Ti, Edi Rama i le të sëmurët pa ilaçe. Të rinjtë pa të ardhme. Fëmijët pa vakte ushqimi. Ti, Edi Rama mbolle vdekshmërinë, solle Shqipërinë në buzë varri; vendi me më shumë vdekje se sa lindje në vit, për të parën herë në historinë e saj. Ky është realiteti i këtij dhjetëvjeçari për çdo shqiptar. Kjo e vërtetë provon se Edi Rama është sjellë si një pushtues i egër ndaj shqiptarëve. Por, kjo e vërtetë, ky realitet është dhe sfida e madhe historike e Partisë Demokratike. Kjo është një betejë e madhe që Partia Demokratike, parti e përmbysjes së diktaturës dhe vendosjes së rendit demokratik, do ta fitojë. Ne do t’i rikthejmë Shqipërisë demokracinë! Në betejë tonë, ne shënuam fitoren tonë të parë madhore, fitoren për të vërtetën. Pikërisht sepse ne bëmë opozitë të vërtetë, u tentua më shumë se një herë, asgjësimi ynë politik, por ja ku jemi sot, më shumë se kurrë! Partia Demokratike u përball në këto tre vite me luftën politike mafioze më të egër, sikur të ishim në Rusinë e Putinit, Bjellorusinë e Lukashenkos, me përpjekje monstruoze për ta bërë atë si motër të Partisë-shtet, për t’i caktuar asaj kryetarin, për t’i shkatërruar asaj identitetin. Por, ja ku jemi sot në këmbë, më të vendosur, më sovranë, më të fuqishëm se kurrë më parë. Na sekuestruan flamurin, na detyruan të merrnim pjesë në zgjedhje pa komisionerë, pa buxhet, pa vulë dhe pa emrin e kryetarit në fletën e votimit. Por dolëm të pamposhtur! Sot jemi shumica e kombit shqiptar!
Me damkën më të zezë, sot Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, me liderin e opozitës të arrestuar politik pa asnjë fakt, provë apo dokument. Kjo, sepse Sali Berisha denoncoi i pari narkoshtetin, shumë e shumë vite përpara se ta denonconin të tjerët. Sepse Sali Berisha kundërshtoi dhe luftoi në 2018, kundër ndryshimit të kufijëve të Kosovës, copëtimit të saj dhe projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur. Sepse Sali Berisha çdo ditë, këto 10 vite ka denoncuar çdo aferë të Edi Ramës, familjes, ministrave dhe zyrtarë të tij, por me emër dhe mbiemr edhe korrupsionin ndërkombëtar. Kjo sepse Sali Berisha nuk pranoi bashkëqeverisjen me PS, të vendosur me marrëveshjen Rama-Basha. Kjo sepse Sali Berisha denoncoi kapjen e plotë të drejtësisë nga Edi Rama, drejtësinë e munguar për shqiptarët. Dhe ua them sot këtu se, nëse çmimi për të mbrojtur shqiptarët, interesat, dinjitetin, sovranitetin e tyre, qenka një “non-grata”, qenka një arrest pa prova, do ta bëja prapë, jo një, por edhe 1000 herë të tjera. Zoti i bekoftë shqiptarët! Zonja dhe zotërinj! Vetëm demokratët e kuptojnë, dhimbjen e luftës që na bënë. Por ne nuk shtrimë qafën, ne qëndruam si shqiptarë që duam Shqipërinë, qëndruam me forcë, me vendosmëri, nuk u shitëm, nuk u dorëzuam, nuk krijuam parti të re dhe në fund fituam. Fituam betejën e ekzistencës tonë! Fituam sepse kauza jonë ishte e drejtë, qëndruam për dinjitetin tonë dhe të shqiptarëve. Qëndruam për Shqipërinë me opozitë të vërtetë, për demokraci. Qëndruam për interesin dhe për flamurin kombëtar. Dhe falë kësaj qëndrese, sot një flamur ngjyrë blu valëvitet përmbi korrupsionin, përmbi vjedhjet, përmbi krimet, si shpresa e vetme për shqiptarët, duke sjellë kështu fitoren e dytë madhore – shpëtimin e opozitës. Zonja dhe zotërinj, Por sot, në agun e fitores mbi diktaturën e dytë, ne jemi në misionin më të rëndësishëm por edhe të vështirë, që na mbetet për të përmbushur. Tani bien boritë e luftës për shpëtimin e Shqipërisë! Tani është lufta për flamurin e kombit. Tani thirrja është Himni Kombëtar “Nga lufta veçse ai largohet” Sepse kjo nuk është një betejë politike, miqtë e mi. Kjo është një betejë për fatin e Shqipërisë.