Gëzim Balla, personi i pestë i shpallur në kërkim nga prokuroria e Elbasanit, për vrasjen e Roland Rexhepit që njihej me nofkën “Doda”, rezulton të jetë njeriu, që në muajin korrik 2009 ka sjellë furgonin tip “Renault” të bardhë nga Maminasi, në Elbasan.
“Ora News” ka mundur të sigurojë dosjen hetimore, ku tregohet se furgoni u ble në Maminas me një çmim prej 1.7 milion lekë të vjetra, posaçërisht për ta përdorur më pas atë, në vrasjen e “Dodës”, ish-punonjësit të policisë së Elbasanit, i cili ishte futur në rreth të kuq për shkak të përplajes fatale që familja Mema, kishte me anëtarët e fisit Çapja.
Sipas dosjes roli i Gëzim Ballës, në vrasjen e Roland Rexhepit ka dalë nga dëshmia e Donald Hoxhës, i cili u identifikua në këtë ngjarje përmes një gjurme gishti. Hoxha u shpall në kërkim dhe më pas u arrestua në Angli, duke u ekstraduar më pas në Shqipëri.
Gjatë marjes në pyetje nga prokurorët e Elbasanit, Donald Hoxha ka pranuar se ai ka qënë një nga personat që gjatë natës dhe mëngjesit të 22 korrikut 2009, ka shërbyr së bashku me persona të tjerë si vëzhgues të veprimeve lëvizëse të Roland Rexhepit.
Hoxha ka treguar para prokurorëve, se ata ishin pozicionuar në brendësi të një furgoni të parkuar shumë pranë hyrjes së pallatit ku banonte Roland Rexhepi.
I arrestuari, ka treguar se furgoni në atë vend ishte parkuar nga Gëzim Balla, i cili këtë mjet kishte shkuar dhe blerë në Maminas.
Kaq ka mjaftuar që prokuroria të hetojë dhe verifikojë thëniet e të arrestuarit Donald Hoxha, ku ka rezultuar se mjeti tip “Renault”, vërtet ishte blerë në Maminas dhe më pas sjellë në Elbasan, për tu përdorur si pikë vëzhgimi nga personat që do mernin pjesë në vrasjen e “Dodës”.
Nisur nga kjo situatë, është kërkuar caktimi i masës së sigurisë “arrest në burg” në mungesë për Gëzim Ballën, për arrestimin e të cilit është ngarkuar Policia e Shtetit.
Sipas hetimeve të kryera ka rezultuar se makina tip “Renault” e përdorur në vrasjen e Roland Rexhepit,është futur në territorin e Shqipërisë nga shteti Itaian, nëpërmjet Portit të Durrësit dhe ky mjet është futur nga G. Hushi, i cili më pas këtë mjet ia kishte lënë vjerrit të tij S. Gjergji.
Nga pyetja e S. Gjergji, rezultoi se ky person këtë mjet e kishte dërguar në një pikë varreze automjetesh në fshatin Maminas të Durrësit me pronarë, M. Alzeneli.
Pas marrjes së gjumëve të gishtave të këtyre personave rezultoi se gjurmet në furgon, nuk ishin lënë nga M. Alzeneli dhe S. Gjergji ndërsa për G. Hushi dhe A. Zabeli, nuk rezultoi që ata të jenë të rregjistruar në sistem.
Nga pyetja e M. Alzeneli, S. Gjergji, A. Vernozaj, A. Zabeli, M. Shkurti, ka rezultuar se mjetin tip Renault pa targa, e ka futur nga shteti Italin G. Hushi.
Ky mjet është futur në Shqipëri rreth 7 apo 8 muaj përpara ngjarjes.
Këtë mjet G. Hushi e ka mbajtur në banesën e tij për rreth 5-6 muaj dhe përpara se të largohej në shtetin Italian ku dhe është rezident së bashku me familjen ai është takuar me vjerrin e tij S. Gergji, të cilit i ka thënë se do të lë furgonin me qëllim që ky i fundit ta shiste.
G., i ka thënë vjerrit të tij nëse nuk arrin ta shesës si mjet mund ta shiste dhe për pjesë këmbimi.
Pasi S. ka mbajtur mjetin, G. është larguar për në shtetin Italian dhe ka marrë me vete dhe dokumentacionin e mjetit së bashku me targat.
Disa ditë më pas S, ka kontaktuar me M. Alzeneli, të cilin e ka shok dhe ka biseduar me të me qëllim që ta linte këtë furgon në parkingun që ky i fundit kishte në fshatin Maminas ku ai shiste mjete të ndryshme dhe pjesë këmbimi.
Më 19 korrik 2009 M. Alzeneli ka kontaktuar me S, në telefon dhe i ka thënë se në vendin ku ai shiste kishin shkuar dy persona të cilët ishin të interesuar për të blerë mjetin dhe se këta persona pasi kanë parë mjetin kishin ofruar një shumë prej 170.000 lekë për ta blerë.
Mustafaji, i ka sugjeruar S, që ta shiste pasi ishte çmim i mirë. S, sapo ka marrë dijeni se dikush ishte intersuar për blerjen e furgonit ka shkuar te pika e shitjes së M dhe kur ka mbrritur atje nuk ka gjetur njeri, por M, i ka thënë se ata që intersoheshin ishin dy persona dhe janë larguar për të pirë kafe, por do të vijnë pak më vonë.
Pas pak kohe te pika e M.Alzeneli, kanë shkuar dy persona të cilët janë takuar me S. dhe i kanë kërkuar që ta shiste furgonin në shumën prej 170.000 lekë. S, ka biseduar me njërin prej këtyre personave dhe pasi kanë rënë dakort ky i fundit i ka dhënë S. shumën prej 130.000 lekë dhe 300 Euro.
Gjatë bisedes mes tyre personi i cili i kishte lekët i ka thënë S, se ishte nga Lushnja por S. deklaron se nuk i është dukur nga dialekti se ishte Lushnjar.
Në deklarimet e dhëna në lidhje me këta dy persona nga ana e S. dhe M, janë dhënë karakteristikat e këtyre personave, ku njëri ka qene me një gjatësi 1,65 -1,75 cm, i mbushur, i veshur me rroba sportive, bluzë dhe pantallona të shkurtëra, flokë të prera shkurt dhe pak të rena përpara me ngjyrë si të celur, fytyrë si me gropa dhe me moshë rreth 30 -35 vjec.
Ndërsa personi i dytë, ka qenë i moshës pak më i ri se personi i parë.
Këta persona e kanë marrë mjetin rreth orës 15 -16 të datës 19 korrik 2009. Këta persona në momentin kur e kanë blerë mjetin u është thënë nga S, se targa dhe dokumente nuk kishte dhe ata i kanë thënë se nuk i duam pasi kemi firmë ndërtimi dhe e duam mjetin thjesht për të transportuar puntorë.
Po në datën 19 korrik, nga Maminasi, makina është çuar në lagjen e “Banesave” në Elbasan duke u parkuar në hyrjen e pallatit, përballë derës së garazhit ku parkonte makinën, Roland Rexhepi.
Në 22 korrik 2009, pas kryerjes së vrasjes së Roland Rexhepit, policia gjeti në brendësi të furgonit tip “Renault”, 12 copë bishta cigaresh të hedhura në dysheme dhe një maskë.
Pikërisht në këtë furgon kanë qëndruar si vrojtues Florind Shabani, Gëzim Balla, Donald Hoxha dhe disa persona të tjerë. Ndërsa sipas prokurorisë së Elbasanit njerëzit që kanë qëlluar me armë në drejtim të Roland Rrexhepit, janë Marjus Tafa dhe Armando Llakaj.
Për ekzekutimit e ish-efektivit të antidrogës, deri tani janë arrestuar 4 autorë, Marjus Tafën dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxhën, i cili u ekstradua nga Anglia dy muaj më parë.
Ndërsa Gëzim Balla, është shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga Policia e Shtetit.
Kjo vrasje është një ndër ngjarjet e bujshme që ka vijuar sagën e tmerrshme të vrasjeve në Elbasan në 2 dekadat e fundit, ku urdhëruar dhe financues kanë qënë anëtarët e një grupi kriminal në Elbasan.
Ndërkohë tre vite nga vrasja e Roland Rexhepit (Doda), në 30 dhjetor 2011, në Elbasan ka mbetur i vrarë vëllai i tij, Ilir Rexhepi./Ora News