Shtatë vendime të Gjykatës Kushtetuese presin zbatim nga Kuvendi i Shqipërisë. Pavarësisht se vendimet janë detyruese, politika justifikohet se konsensusi nuk mund të imponohet. Situata bëhet më komplekse pasi nuk ka as mekanizma ndëshkimi dhe as penalitete për deputetët që refuzojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës.
Noterja G.A. në zonën e Tiranës së Re, ishte duke e mbyllur zyrën e saj, kur një zonjë e moshuar ngjiti shkallët dhe shprehu dëshirën të linte një testament. Noterja rindezi kompjuterin dhe priti të dëgjonte dëshirat e saj të pasvdekjes.
“Kam një shtëpi këtu përballë. Dua që kur unë të vdes, ta mbajë Afërdita, infermjerja ime që tani është familja ime”, – iu përgjigj e moshuara
Noterja u bë më e vëmendshme kur dëgjoi se zonja kishte dy djem, por ata ikën me studime jashtë vendit, dhe pasi ndërtuan jetën atje, nuk i qëndruan më afër nënës. Kur noterja i tregoi ligjin dhe i tha se ai saktësonte se mund të përfshinte në testament vetëm djemtë, e moshuara kundërshtoi.
“Ata nuk kanë çarë kokë për mua, e nuk kanë nevojë për këtë shtëpi. Kanë shtëpitë e tyre në Gjermani. Afërdita është bërë familje për mua. Mos më pengo për këtë”, – i kërkoi ajo.
Pas një ore diskutim, 75-vjeçarja u largua duke protestuar se do të shkonte tek një noter tjetër.
“Jemi të detyruar nga ligji,”-shpjegon noterja për Citizens, duke renditur klauzolat detyruese të ligjit. “Më ka ndodhur që çifte me diferencë moshe vijnë dhe duan të lënë me testament pasurinë tek më i riu. Ligji përjashton bashkëshortët nga testamenti në rast se kanë fëmijë. Ata janë përfituesit e parë sipas Kodit Civil”.
Një testament i lënë në vitin 1993 për një apartament në Vlorë, hapi një konflikt ligjor në vitin 2007 mes dy pretendentëve të ndryshëm për trashëgimtarë: njëri që kishte testament e tjetri që e pretendonte pronën për shkak të lidhjeve familjare. (Lexo këtu vendimin e plotë). Pas plot 16 vitesh përpjekje ligjore dhe betejash në të gjitha shkallët e gjyqësorit, çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese në qershorin e shkuar nga Gjykata e Lartë. Në dhjetor të vitit 2023 ajo e shfuqizoi nenin, duke i kërkuar Kuvendit të gjejë një formulë të re, e cila edhe ruan familjen, por edhe garanton lirinë e individit për të trashëguar pronën.
“Duke mos e parashikuar në kategorinë e trashëgimisë me testament, natyrshëm ekziston mundësia që ai të kthehet në barrë për shoqërinë”,- argumenton Gjykata Kushtetuese, duke i lënë Kuvendit një vit kohë për të gjetur një formulë e balancuar, e cila lejon testamentet me një ekuilibër mes fëmijëve dhe personave të tjerë pa lidhje gjaku.
Ndonëse kanë kaluar 5 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në Kuvend nuk ka asnjë iniciativë për ta zbatuar atë. Këtë detyrë e ka Këshilli i Legjislacionit, një organ këshillimor brenda Kuvendit, që është përgjegjës për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky këshill përbëhet nga 14 anëtarë, shumica me profesion juristë.
“Kodi Civil dhe trashëgimia tek bashkëshortët” nuk është i vetmi rast kur kuvendi po “injoron” vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Janë së paku edhe 6 vendime të tjera si: Herësi i fitimit të një mandati deputeti (30 qershor 2021); Pragu elektoral për kandidatët e pavarur (4 tetor 2021); Vota e emigrantëve (9 dhjetor 2022); Kodi i Procedurës Civile për Kamatvonesat (2 nëntor 2022); Mandati i deputetes Olta Xhaçka ( 23 janar 2023) si dhe Puna e detyruar e studentëve të mjekësisë (25 janar 2024) që presin ligjvënësit të marrin një vendim.
“Çështja Xhaçka” – shumë zhurmë për asgjë
Më 11 prill Kuvendi i Shqipërisë mori një vendim të diskutueshëm, ku socialistët, pasi kishin zvarritur mbi një vit çështjen e ish-ministres Olta Xhaçka, vendosën të mos e dërgojnë atë për gjykim në Kushtetuese.
Kryetari i grupit parlamentar Bledi Çuçi tha se “Kushtetuesja nuk mund ta detyrojë një deputet se si duhet të votojë”, gjë që nga opozitari Gazment Bardhi u konsiderua si ”Mesazhi mafioz që Edi Rama i përcolli SPAK-ut, se nuk mund ta prekë Olta Xhaçkën”.
Vetë deputetja u deklarua e pafajshme nga akuzat duke thënë se ajo e familja e saj nuk kishin përfituar asnjë pasuri publike.
Mosdërgimi i vlefshmërisë së mandatit të saj për gjykim në Kushtetuese është konsideruar nga juristët si mos-bindje ndaj kësaj gjykate. Kuvendi në të paktën 4 raste të tjera ka vendosur ndryshe duke e dorëzuar deputetin përpara gjykatës. Dy prej tyre e humbën mandatin pas gjykimit në Kushtetuese: Ilir Beqaj (2011), Koço Kokëdhima (2016), ndërsa për dy të tjerë, pasi i shqyrtoi Gjykata i gjeti korrekt me Kushtetutën: Valentina Leskaj (2016) dhe Rakip Suli (2016).
“Në momentin që një deputet i jep më shumë rëndësi vetes, se sa Kuvendit, atëherë institucioni ka rënë. Anëtari i një organizate, nuk ka më shumë rëndësi se sa institucioni. Neni 70 i Kushtetutës nuk lë fare vend për debat se çfarë duhet të bënte Kuvendi”,-thotë konstitucionalisti Sokol Hazizaj.
Implikimi me zgjedhjet
Rasti më flagrant se si Kuvendi i Shqipërisë ka injoruar zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, është ai i votës së emigratëve. Ajo u vu në lëvizje nga shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë.”
Me vendimin e 9 dhjetorit 2022, Kushtetuesja ju kishte lënë deputetëve një vit afat të plotësonin ligjin. Më shumë se 6 muaj pas djegies së këtij afati, në Parlament nuk ka asnjë shenjë për zbatimin e këtij vendimi.
Në tërësi janë tre vendime të Gjykatës Kushtetuese që lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet, ku përfshihet edhe formula e herësit se si e fiton mandatin një deputet.
Zbatimi i tyre kërkon dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës, sepse miratohen me 84 vota. “Gjykata nuk mund të na detyrojë të gjejmë konsensus,”-u shpreh socialisti Damian Gjiknuri, “sepse konsensusi është produkt i një negociate politike, e cila mund të arrihet ose jo”.
Opozita përmes Oerd Bylykbashit deklaron vullnetin për të “zbatuar pikë për pikë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, por pavarësisht kësaj dialogu parlamentar ka dështuar deri më tani, duke vënë në pikëpyetje standardin e zgjedhjeve që po afrojnë.
Dritan Çaka, anëtar i propozuar nga mazhoranca në Komisionin Rregullator në KQZ, tha për Citizen se “nëse nga Kuvendi nuk do të ketë plotësim të këtij boshllëku ligjor, nga KQZ është e pamundur që të përgatiten akte dhe procedura për implementimin e votimit të emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025”.
Caka parashikon efekte negative në zgjedhjet e ardhshme edhe nëse nuk qartësohet formula e herësit, se si një deputet fiton mandatin, pasi formulën aktuale Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar.
“Patjetër që kjo do të vështirësojë procesin zgjedhor, besoj duke shkaktuar debat midis vetë kandidatëve në listat e partive kryesisht por dhe mbase të subjekteve zgjedhore brenda tyre gjithnjë në kuadër të politikave apo interesave të brendshme politike që ato kanë,” – sqaron anëtari i Rregullatorit në KQZ, Dritan Çaka.
Punë e detyrueshme në mjekësi
Qeveria dhe Kuvendi kishin kohë deri më 4 qershor për të mos shkelur një tjetër afat të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Kësaj radhe për ligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë për disa vite në atdhe në përfundim të studimeve. Vendimi i gjykatës që ju kërkon ligjvënësve të vendosin afate të reja dhe proporcionale për këta të rinj, u mor në janar, por më shumë se 4 muaj më pas në Kuvend nuk ka asnjë shenjë për të korrigjuar ligjin. Qeveria ka hedhur së fundmi për konsultim publik një variant të ri të ligjit, por ai akoma ka disa faza procedurale për të kaluar derisa të mbërrijë në Kuvend e më pas të miratohet orej tij.
Dea Guri, studente e vitit të 6-të për mjekësi, i tha Citizens se zvarritja e vendimmarrjes po i mban peng mjekët e rinj.
“Ne nuk kemi asnjë lloj reagimi apo formulimi. Jemi me të njëjtin problem, me të njëjtat kushte siç ishin përpara se të dilte vendimi i Gjykatës. Është e njëjta situatë demotivuese për mjekët, nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës. Ne nuk duam të mbahemi peng për punë të detyruar, do të ishte më mirë metodologjia e shpërblimi, vlerësimit dhe krijimit të kushteve për të qëndruar”, –tha Dea Guri.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, organizatë e cila ka ndjekur këtë proces, i tha Citizens se nga kjo zvarritje po përfitojnë vetëm subjektet private.
“Shumë maturantë lanë Shqipërinë për të studiuar direkt jashtë vendit për Mjekësi. Dy universitete private hapën kuota për mjekësi këtë vit dhe grumbulluan studentë të cilët sot paguajnë 7000 euro në vit, të frikësuar nga marrëveshja e ofruar nga universiteti publik”,-deklaron aktivisti i shoqërisë civile, i cili gjithësesi i përgëzon studentët që zgjodhën rrugën e përballjes, jo vetëm në protestë, por edhe në Gjykatë.
Mos-zbatimi, nuk penalizohet askush
Pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese, në fakt nuk ekziston asnjë mekanizëm ndëshkues për ata që nuk i përfillin këto vendime.
Është fakt se askush nuk është penalizuar për “mosbindje” ndaj saj, siç ishte rasti i votës së emigrantëve.
“Gjykata Kushtetuese nuk komenton për çështje për të cilat është shprehur me vendim, si dhe për mënyrën se si zbatohen këto vendime. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit dhe janë detyruese,”-saktëson institucioni në përgjigjen për Citizens.
Jordan Daci, profesor i së drejtës kushtetuese, këmbëngul se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për këdo dhe nuk ka asnjë organ i cili mund të refuzojë.
“Ligjvënësi nuk ka paraparë plenalitete në mënyrë të shprehur sa i takon Gjykatës Kushtetuese, por ligji ngarkon Këshillin e Ministrave si autoritet që duhet të sigurohet që vendimet të zbatohen,”-tha Daci për Citizens.
Ai shton se nga ana tjetër, Kodi Penal ka një nen ku parashikon kundërshtimin e vendimeve gjyqësore.
“Për mua, përbën vepër penale mos-zbatimi i vendimeve të GJK. Ligjvënësit nuk mund të përjashtohen nga ndjekja penale nëse shkelet Kodi Penal. Ka logjikë që të vlerësohet si mundësi. Sigurisht që do të ishte rasti i parë në botë, sepse nuk imagjinohet që ligjvënësi të mos zbatojë vendimet e GJK. Por formalisht ekziston si mundësi potenciale,”-tha profesori i së drejtës kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë, në përgjigje të një kërkese për informacion nga Citizens, tha se për çështjet që lidhen me zgjedhjet “vendimet po shqyrtohet nga grupi i dialogut i ngritur për reformën zgjedhore,”-ndërsa për rastet e tjera, “ditët në vazhdim do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit, i cili do të shqyrtojë këto vendime” ./Citizens