Grupi Parlamentar i PD-së i drejtuar nga GAzment Bardhi ka depozituar kërkesën në Kuvend për një mocion me debat përsa i takon lidhjeve të qeverisë me krimin. K
ërkesa vjen pas shfaqjes së pjesës së dytë të dokumentarit mbi Shqipërinë në emisionin investigativ ‘Report’ në RAI3, ku ndër të tjera ishte edhe një deklaratë e ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili nga arratia akuzonte kryeministrin Edi Rama se kishte takuar në zyrën e tij përfaqësues të mafies.
Në shkresën zyrtare, Grupi i PD i drejtohet kryeparlamentares Lindita Nikollës duke kërkuar “zhvillimin e një mocioni me debat mbi lidhjet e politikës me krimin dhe masat që duhen ndërmarrë për shkëputjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve, që po minojnë demokracinë dhe vendosin në rrezik stabilitetin e vendit”.
Në arsyetim, Grupi i PD shprehet se “mediat ndërkombëtare kanë raportuar në mënyrë të përsëritur lidhjet e forta të politikaneëve shqiptare me grupe kriminale. Në përgjimet e Antimafias Italiane të Katanzaros përmendej shprehimisht emri i kryebashkiakut të Tiranës. Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, si dy pika kontakti për të siguruar leje ndërtimi për pastrimin e parave. Po ashtu në përgjimet e publikuara nga media gjermane BILD dolën telefonatat e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrave Tahiri dhe Gjiknuri, ish-kryebashkiakut Dako me individë të përfshirë në veprimtari kriminale, të cilët ishin angazhuar në fushatat elektorale në Dibër dhe Durrës. Emri i kryeministrit Edi Rama ka dalë edhe në dosjen e quajtur “Shqiponja e Zezë, ku u arrestuan 40 persona për trafik ndërkombëtar droge nga autoritetet e drejtësisë belge”.
Gjithashtu Bardhi thotë se, në pjesën e dytë të emisionit investigativ “Report” në RAI 3, “u paraqitën fakte se si kryeministri Edi Rama kishte pritur dhe takuar njerëz të skeduar për rekordet e tyre kriminale, të cilët më pas ishin përfitues të lejeve apo kontratave publike. Ish-numri dy i qeverisë Rama do të dëshmonte se ka parë me sytë e tij grupet kriminale të Dibrës, Durrësit dhe Elbasanit të takoheshin me kryeministrin, me të cilët pastronte paratë nëpërmjet lejeve të ndërtimit. Ndërkohë që në një artikull të publikuar ditën e sotme po nga media gjermane BILD thuhet se Shqipëria është shndërruar në epiqendrën e mafies evropiane të kokainës, me lidhje në nivelet më të larta të politikës në Shqipëri, ku emri i kryeministrit dhe vëllait të tij përmenden shprehimisht si të përfshirë”.
Kërkesa nga PD:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Nr. 223/ Prot.
Tiranë, më 03.06 2024
Kërkesë për mocion me debat.
Lënda:
Drejtuar:
Znj. Lindita NIKOLLA Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Znj. Kryetare e Kuvendit.
Në legjislaturën parlamentare 2013-2017, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike denoncoi me forcë individët me rekorde kriminale, të cilët me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, ia kishin dalë të penetronin në nivelet më të larta drejtuese të shtetit, duke u zgjedhur deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë bashkiakë apo duke u emëruar në funksione të larta publike. Si rezultat i këtyre denoncimeve dhe reagimit të fortë ndërkombëtare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen. emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili kishte për qëllim ndërprerjen e mandateve që kishin fituar individët me rekorde kriminale dhe t’iu pamundësonte këtyre të fundit që të zgjedheshin apo emëroheshin në funksione publike në të ardhmen.
Por, pavarësisht kësaj përpjekjeje që largoi 597 funksionarë publikë nga detyra në periudhën 2016-2023, përkatësisht 9 deputetë. 8 kryetarë bashkie, 38 këshilltarë lokalë, 261 nëpunës civilë dhe 281 punonjës të tjerë të niveleve të ndryshme, kontrata e politikës me krimin vazhdoi të ishte aktive, duke marrë forma të tjera. Ish-funksionarët e larguar nga dekriminalizimi vazhduan të mbeten figura të rëndësishme në forcat e tyre politike. Siç rezulton nga raportet e organizatave të shoqërisë civile, në fushatat elektorale pati të dhëna të shumta se individët partiakë, që kanë humbur mandatin parlamentar ose postet ekzekutive për shkak të ligjit të dekriminalizimit, janë aktivë dhe madje drejtues kryesorë të shtabeve elektorale. Këta individë në bashkëpunim edhe persona të tjerë me rekorde kriminale, përdorin paratë e fituara nëpërmjet aktiviteteve të paligjshme, përfshirë krime të rënda në vendet e BE- së. Mbretërisë së Bashkuar, vendet e Amerikës Latine, apo veprimtari korruptive nëpërmjet tenderave publikë në Shqipëri, për të blerë mbështetje politike për kandidatë apo subjekte të caktuara politike.
Mbështetja që individët me rekorde kriminale i japin kandidatëve apo partive politike nuk vjen aspak falas. Përkundrazi. Kontrata me krimin dikton detyrimin e funksionarëve që zgjidhen a emërohen në funksione publike, që më pas të krijojnë lehtësira për kompanitë e këtyre individëve apo familjarëve të tyre, për të përfituar tendera publikë, konçesione, leje, liçenca dhe favorizime të ndryshme nga paratë apo pasuritë e taksapaguesve shqiptarë. Në disa raste këta individë rezultojnë të përfshirë drejtpërdrejtë si pronar apo administrator të këtyre kompanive. Një pjesë e përfitimeve që krimi përfiton nga politika ia kthen asaj më pas në zgjedhjet e ardhshme politike, Raportet e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, flasin për lumenj parash që kalojnë të pakontrolluara nëpër duart e kryetarëve të partive dhe kandidatëve të tyre gjatë proçeseve zgjedhore. Një tjetër formë që krimi ka zgjedhur për të vazhduar të ruajë pozicione e saj të forta në politikë, është edhe vendosja në listat e kandidatëve të personave anonimë, miq apo të njohur të tyre. Për shkak të mbështetjes nga krimi, këta individë ia kanë dalë të marrin më shumë vota se politikanë me karrierë të gjatë politike, si ish-kryeministra, ish-ministra, ish-kryebashkiakë, ministra dhe deputetë në detyrë.
Hetimet e kryera nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, veçanërisht në kuadër të operacionit “Metamorfoza” kanë dëshmuar se individë të larguar nga postet publike nga dekriminalizimi, familjarë dhe miq të tyre, kanë krijuar grupe të strukturuara kriminale, me shtrirje dhe bashkëpunim të gjërë në të gjithë territorin e vendit. Këto grupe kanë lidhje të forta politike dhe në strukturat më të larta drejtuese, të cilat i përdorin me qëllim vijimin e aktiviteteve të tyre kriminale. përkatësisht kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimin e parave që vijnë nga aktivitete kriminale dhe korruptive, vrasjen e kundërshtarëve të tyre etj. Pikërisht, grupet e dala nga përgjimet e siguruara nga SPAK në kuadër të operacionit “Metamorfoza” kanë shërbyer si shtabet elektorale të Partisë Socialistë në Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë. Durrës, Tiranë, Vlorë etj. Unike jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por ndoshta edhe më gjërë, është rasti i dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Rrahman Rraja, që kishin organizuar grupe vrasësish me qëllim eleminimin fizik të njëri-tjetrin apo familjarëve të tyre.
Por, krahas hetimeve të kryera nga SPAK, të cilat janë në vazhdim dhe pritet që në ditët në vijim të hedhin akoma edhe më shumë dritë mbi kontratën e politikës me krimin, mediat ndërkombëtare kanë raportuar në mënyrë të përsëritur lidhjet e forta të politikaneëve shqiptare me grupe kriminale. Në përgjimet e Antimafias Italiane të Katanzaros përmendej shprehimisht emri i kryebashkiakut të Tiranës. Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, si dy pika kontakti për të siguruar leje ndërtimi për pastrimin e parave. Po ashtu në përgjimet e publikuara nga media gjermane BILD dolën telefonatat e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrave Tahiri dhe Gjiknuri, ish-kryebashkiakut Dako me individë të përfshirë në veprimtari kriminale, të cilët ishin angazhuar në fushatat elektorale në Dibër dhe Durrës. Emri i kryeministrit Edi Rama ka dalë edhe në dosjen e quajtur “Shqiponja e Zezë, ku u arrestuan 40 persona për trafik ndërkombëtar droge nga autoritetet e drejtësisë belge. Në pjesën e dytë të emisionit investigativ “Report” në RAI 3. u paraqitën fakte se si kryeministri Edi Rama kishte pritur dhe takuar njerëz të skeduar për rekordet e tyre kriminale, të cilët më pas ishin përfitues të lejeve apo kontratave publike. Ish-numri dy i qeverisë Rama do të dëshmonte se ka parë me sytë e tij grupet kriminale të Dibrës, Durrësit dhe Elbasanit të takoheshin me kryeministrin, me të cilët pastronte paratë nëpërmjet lejeve të ndërtimit. Ndërkohë që në një artikull të publikuar ditën e sotme po nga media gjermane BILD thuhet se Shqipëria është shndërruar në epiqendrën e mafies evropiane të kokainës, me lidhje në nivelet më të larta të politikës në Shqipëri, ku emri i kryeministrit dhe vëllait të tij përmenden shprehimisht si të përfshirë.
Faktet e mësipërme provojnë se sa thellë ka depërtuar krimi në jetën politike të vendit, duke u shndërruar në një kërcënim serioz për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Kriminalizimi i jetës politike dëmton rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe përbën një regres të theksuar marrëdhëniet e shtetit shqiptar me partnerët e saj ndërkombëtarë. veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontaktë me elementë të krimit të organizuar. Është absurde të mendohet që një gjyqtar a prokuror shkarkohet nga detyra nëse ka kontakte me element të krimit të organizuar, ndërsa një deputet, ministër a kryetar bashkie jo vetëm nuk mund të vazhdojë qetësisht detyrën e tij. por mund të mbështetet të këta individë për të garantuar fitoren e një mandati të ri. Prandaj. duke pasur parasysh sa më lart, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, në mbështetje të nenit 98, pika 1. të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkoj zhvillimin e një mocioni me debat mbi lidhjet e politikës me krimin dhe masat që duhen ndërmarrë për shkëputjen përfundimtare të këtyre marrëdhënieve, që po minojnë demokracinë dhe vendosin në rrezik stabilitetin e vendit.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE KRYETARI
Gazment BARDHI