Kryeministri izraelit kërcënohet nga urdhërarresti ndërkombëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Gjermania ndodhet kështu në dilemën mes kauzës shtetërore për Izraelin dhe së drejtës ndërkombëtare.
Ishin kryetituj që qeveria gjermane nuk do të donte t’i shihte: “Zëdhënësi i Scholzit le të kuptohet: Gjermania do ta arrestonte Netanjahun”, titullonte gazeta gjermane me tirazhin më të lartë “Bild Zeitung” të mërkurën në mbrëmje (22.05.) Edhe gazeta “Welt” shkroi: “Gjermania do ta ekstradonte Netanjahun, le të kuptohet zëdhënësi i qeverisë.”
Po mund të paramendohet kjo? Që Gjermania të ndalojë me arrest liderin politik të shtetit izraelit apo madje edhe ta dorëzojë atë, nëse do të lëshohej urdhërarresti ndërkombëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kundër kryeministrit, Benjamin Netanjahu? Për kreun e partisë më të fortë opozitare, CDU, Friedrich Merz, thjesht mendimi për këtë është i padurueshëm. “Heshtja e qeverisë gjermane deri tek aludimi i zëdhënësit të qeverisë, se Netanjahu në tokën gjermane do të arrestohej, po kthehet vërtet në një skandal”, tha Merz për “Bild-Zeitung”.
Kërkesa për padi kundër Netanjahut dhe ministrit Gallant
Çfarë ka ndodhur? Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, avokati britanik, Karim Khan të hënën (20.05.) për shkak të dyshimeve për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte aplikoi për urdhërarrest kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si edhe kundër tre drejtuesve të organizatës radikal-islamike palestineze, Hamas. Arsyeja; Vuajtja e madhe e njerëzve në Rripin e Gazës, pasi Izraeli u kundërpërgjigj ashpër ushtarakisht pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor vitin e kaluar. Khan e akuzon Netanjahun dhe ministrin e tij konkretisht se përdor si armë lufte vdekjen nga uria të njerëzve në Rripin e Gazës.
Pra janë kërkesa për urdhërarreste kundër drejtuesve si të Izraelit edhe të Hamasit, organizatës që nga shumë vende perëndimore, edhe nga Gjermania kategorizohet si organizartë terroriste. Khan i paraqiti njëherësh kërkesat që po verifikohen dhe shqyrtohen nga gjykata. A po vendos ai në një shkallë kreun e qeverisë izraelite me tre krerët e Hamasit? Pikërisht kjo gjë e zemëron Merz. “Thjesht kërkesa për urdhërarrest në të njëjtën kohë si kundër kryeministrit izraelit, Netanjahu edhe drejtuesit të Hamasit, Sinvar është një përmbysje absurde e viktimës dhe autorëve të krimit”, ka theksuar kreu i CDU.
Një qeveri e tensionuar
Se sa të vështirë e ka qeveria gjermane vërtet të pozicionet qartë në këtë rast, u bë e dukshme në konferencën e shtypit me zëdhënësin e kancelarit gjerman, Steffen Hebestreit. Dukshëm i tensionuar Hebestreit duhet t’u dilte përballë zërave të mërkurën, se Scholz ishte i “tronditur” nga njoftimi i kryeprokurorit. Hebestreit tha se “nuk mund të raportoj për tronditje dhe zemërim. Ne kemi bërë të qartë, se këtë e shohim si shumë kritike. Dhe kemi kujtuar qartë dallimet në lidhje me strukturën e shtetit të Izraelit, drejtësisë së tij të pavarur.”
A do të ishte i drejtë ligjërisht një urdhërarrest kundër Netanjahut?
Pra mund të vlerësohen ndryshe akuzat e gjykatës me seli në Hagë? Kjo sepse njëherë preket një shtet ligjor dhe njëherë jo? Vërtet që edhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare shprehin rezerva, nëse Khan mund ta kishte ngritur padinë kundër Netanjahut. Tek rregullat kryesore të gjykatës bën pjesë, sipas ekspertit Constantin Ganß në “Tagesspiegel”, se ajo mund të bëhet aktive, nëse shteti në fjalë nuk është i gatshëm apo nuk është në gjendje të fillojë vetë hetimet e veta. Si për shembull në vende diktatoriale. Por jo kjo në shtetin demokratik të Izraelit.
Dilema e qeverisë gjermane tani: Gjermania bën pjesë tek mbështetësit kryesore të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila që nga viti 2002 heton për shkelje si gjenocid apo krime lufte dhe jep edhe gjykime. Kundër personave, por jo kundër shteteve. Vetëm në vitin 2023, qeveria gjermane dha 20 milionë dollarë për gjykatën. 123 vende e mbështesin këtë gjykatë, që nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara. Por shtete të rëndësishme si SHBA apo Izraeli nuk e bëjnë këtë.
Gjermania dhe marrëdhënia e veçantë me Izraelin
Nga ana tjetër: Për Gjermaninë mbështetja e Izraelit është kauzë shtetërore, edhe si pasojë e historisë më të errët të Gjermanisë me vrasjen e miliona hebrenjve gjaë diktaturës naziste. Por a vlen kjo edhe për kreun e qeverisë Netanjahu personalisht? Hebestreit për këtë tha: “Parimisht ne jemi mbështetës të Gjykatës Ndërkombëtare dhe kjo do të mbetet kështu. Ne respektojmë të drejtën dhe ligjin.”
Edhe ai e kritikoi procedimin e Khan. “Vënia njësoj është se kryeprokurori zgjodhi një intervistë në CNN, dhe i shprehu në një frymë aplikimet për urdhërarreste si kundër tre krerëve të Hamasit edhe kundër kryeministrit izraelit e ministrit të Mbrojtjes.”
Kritikë e ashpër kundër Khan erdhi edhe nga ambasadori izraelit në Gjermani, Ron Prosor, por ai iu drejtua edhe qeverisë gjermane. “Tani kauza shtetërore ndodhet në testim, pa po e por.” Ai i quajti vlerësimet e qeverisë si “të pakapshme” dhe shtoi se “deklarata, që Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, humb besueshmërinë, nëse na lidhen duart, që ta vemë këtë në zbatim”.
Reagime nga shtete të tjera
Vërtet shtete të tjera janë më të qarta në deklaratat e tyre krahasuar me Gjermaninë, kur pyeten nëse do ta arrestonin Netanjahun. Hungaria tha psh Jo. Ky vend e mbështet Gjykatën Ndërkombëtare, tha Gergely Gulyas, drejtuesi i zyrës së kabinetit të kryeministrit Orban. Por në rastin e vizitës në Hungari, Netanjahu nuk duhet të presë arrestimin. Edhe para ditësh, presidenti amerikan, Biden, e kishte cilësuar si zemëruese kërkesën e Hagës. Por SHBA asnjëherë nuk e ka mbështetur këtë gjykatë. Në Gjermani situata është ndryshe, e kështu edhe më e komplikuar./DW