Nga kontabilistët, audituesit, ekonomistët e deri tek inxhinierët IT, agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme, avokatët janë grupet që presin efekte negative në aktivitet nga zbatimi i ligjit të ri.
Eduard Milushi, me profesion inxhinier software në pamundësi ekonomike për të përballuar parapagimin e tatimit me vlerë 1,250 euro/muaj, e llogaritur nga administrata tatimore, sipas deklarimeve të 2023, po shqyrton mundësinë e transferimit të biznesit të tij në Kosovë ose drejt Estonisë.
“Nga 20 ditë punë në muaj, pavarësisht se një i vetëpunësuar është natë-ditë në punë, ndryshe nga një i punësuar me orare fikse, 10 ditë duhet të punoj për shlyerjen e detyrimit prej 1,250 euro në muaj dhe 10 ditë për shpenzimet.
Pra të bëj një punë që nuk më siguron fitim. Për këtë arsye, po studioj mundësinë e hapjes së një NIPT-i biznesi në Kosovë ku tatimi është 10% apo në Estoni, ku ofrohen lehtësi fiskale”.
Eduardi ngre shqetësimin se me ligjin e ri, të ardhurat e tij janë taksuar 100%. Ai shpjegon se pavarësisht se shpenzon një vlerë të konsiderueshme të të ardhurave në funksion të punës, e ka të pamundur të dokumentojë shpenzimet nga platformat e huaja online për të cilat kryen shërbime.
“Me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, jam tatuar 100% për të ardhurat e deklaruara, pasi kam deklaruar zero shpenzime, duke qenë se nuk kisha përgjegjësi tatimore.
Edhe sikur të doja t’i deklaroja shpenzimet, me natyrën e punës që bëj, e kam të pamundur t’i dokumentoj nëpërmjet faturave. Mbi 90% të shpenzimeve i kam online për shërbime marketingu në Google, për hosting në platformën Amazon, apo Instagram.
Asnjë prej këtyre platformave nuk i lëshon faturë me NIPT Shqipërinë. Sërish e kam kërkuar te këto platforma lëshimin e faturave për njohjen e shpenzimeve, të gjithë kanë pohuar se nuk kanë marrëveshje për lëshimin e tyre me Shqipërinë”, pohon ai.
IT është një sektor që kërkon që bizneset të jenë në koherencë përditësimi me inovacionin, me qëllim që të mbeten në treg. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e të ardhurave sipas Milushit profesionistët IT i shpenzojnë për kurse online apo pagesash për përdorimin e aplikacioneve të reja.
“Përdorimi i modelit të thjeshtë të ChatGPT minimalisht kushton 20 euro në muaj. Në punën time përdor ChatGPT për të gjeneruar modele marketingu dhe shpenzoj 200-300 euro në muaj.
Pagesa për domain-et është 12 euro në muaj. Unë disponoj 30 copë. Kosto mesatare prej 50 euro në muaj është për 1 server, ku mbahen të dhënat dhe aplikacionet e klientëve për përdorimin e web server. Unë zotëroj 10 servera.
Me profesionin që bëj edhe njohja e shpenzimeve apriori prej 30% të përcaktuara në ligj nuk më shërbejnë, pasi janë më tepër sesa aq”.
41-vjeçari i vetëpunësuar si profesionist IT thotë se është në pritje të vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese për të bërë hapat vendimtarë.
Deri tani, ligji i ri është ankimuar katër herë në Gjykatën Kushtetuese. Fillimisht në muajin shkurt nga grupi parlamentar i PD-së, një tjetër padi në muajin mars u dërgua nga kontabilistët dhe audituesit (IKM dhe IEAKA), më pas u ankimua masivisht nga 400 profesionistë të ndryshëm.
Padia e katërt u depozitua nga Shoqata e Autoshkollave. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar më 18 Qershor mbajtjen e seancës së parë së shqyrtimit të 3 padive të para.
Rishikimi i kësteve apo ndryshimi i normës tatimore nga Gjykata Kushtetuese mbeten shpresa e vetme për një sërë biznesesh, të cilët pohuan se po përballen me vështirësi ekonomike (75% të të anketuarve, ndërsa vetëm 25% thanë që kishin mundësi për të paguar) dhe të papërgatitur për të parapaguar tatim 1,000 apo 1,400 euro në muaj.
Me marrjen e vendimit të Kushtetueses, pjesa dërrmuese e sipërmarrësve të kontaktuara nga “Monitor” thanë se edhe ata do të “vulosin” vendimmarrjen për mbylljen e aktivitetit apo vijimin, për largimin apo qëndrimin në Shqipëri.
Grupet më të prekura
Grupet më të prekur nga nga ndryshimet ligjore për tatimin e profesioneve të lira, sipas rezultateve të sondazhit të Monitor me 613 profesionistë të lirë pritet të jenë financierët (kontabilistë, auditues ligjorë dhe ekonomistët).
Në vend të dytë janë bizneset e sektorit IT. 22,8% e të anketuarve që presin të ndikohen negativisht nga ligji i ri punojnë në fushën e teknologjisë së informacionit.
Efekte negative priten edhe nga 22,9% të të pyeturve që përbëjnë grupin e ofruesve të shërbimeve kërkimore, konsulentë, marketing, përkthyes zyrtar, inxhinier.
9,7% e avokatëve, noterëve dhe juristëve që përbëjnë grupin e katërt të të anketuarve presin gjithashtu efekte negative nga zbatimi i ligjit, i ndjekur nga grupi i mjekëve dhe stomatologëve, që zunë 5,1% të të anketuarve, më tej është grupi i agjentëve të pasurive të patundshme dhe vlerësuesve të pasurive të paluajtshme me 4,8% të të pyeturve dhe 0,8% të bizneseve që përfshijnë ofruesit e guidave turistike.
Rezultatet e sondazhit treguan qartë perceptimin negativ të zbatimit të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat.
Nga 613 biznese të anketuara, 96% prej tyre u përgjigjën që aplikimi i tatimit progresiv do të kishte ndikim negativ në aktivitetin e tyre. Vetëm 3% thanë se nuk do të kishte ndikim, ndërsa zgjedhja për efekt pozitiv ose pa ndikim ishte më pak se 1%.
Kontabilistët parashikojnë rritje të evazionit nga zbatimi i ligjit të ri
Grupi më i madh i të anketuarve që paralajmërojnë pasoja negative në aktivitetin e tyre janë bizneset e profesioneve të lira, si kontabilistë, auditues ligjor dhe ekonomistë (përbënë 34% të të anketuarve që presin efekte negative).
Kontabilistët dhe ekonomistët vlerësojnë se taksimi progresiv te profesionet e lira nuk zgjidh problematikën e evazionit dhe informalitetit të ekonomisë. Ata presin që taksimi i ri të stimulojë rritjen e qarkullimit të parasë cash.
“Si ekonomiste besoj se do të rrisë shumë informalitetin. Nuk jam kundër tatimit, por në shkallë më të reduktuar, pasi ka biznese që bëjnë 20,000 euro xhiro në vit, ka biznese që bëjnë 100,000 euro xhiro në vit, nuk janë të barabartë, dhe jo gjithmonë lidhet me aftësitë e biznesit, pasi nuk është treg i strukturuar me konkurrencë të pastër e të drejta të “barabarta” në Shqipëri.
Mendoj se më tepër, duhet luftuar informaliteti, me kontrolle të rregullta tatimore, analiza tregu, jo dëmtim të biznesit”, vlerëson një nga ekonomistet e anketuara.
Edhe bizneset e reja presin ecuri negative deri në rrezikimin e mbylljes për shkak të rritjes së evazionit nga shtimi i qarkullimit të parasë cash.
“Ky ligj do të shkaktojë shumë evazion fiskal e rritje çmimesh që shumë biznese nuk do t’i përballojnë, siç jam unë, një biznes i ri. Shumë biznese do të fillojnë të operojnë, me para në dorë për rrjedhojë do të rritet evazioni fiskal. Personalisht nuk kam as 6 muaj që e kam hapur NIPT-in, dhe tani po mendoj që ta mbyll”, pohon një kontabilist i ri nga Durrësi.
Nga totali i të anketuarve të sondazhit, 89% e tyre thanë se vendosja e tatimfitimit për profesionet e lira do të rrisë evazionin dhe informalitetin dhe vetëm 3% deklaruan jo.
Për shumicën e kontabilistëve, vendosja e tatimit ishte e pritshme, por për ta shqetësuese është mënyra jokorrekte e zbatimit të ligjit.
“Mendoj se nuk është një çështje individuale, por e së gjithë shoqërisë, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një vlerë tatimi të cilin padyshim e kemi detyrim qytetar për ta paguar, (dhe në këtë pikë besoj se jo vetëm unë, por shumë profesionistë të fushës sonë, si: financierë, kontabilistë, kontabilistë të miratuar, auditues ligjor, profesorë etj., e kanë pranuar që heqja e taksës vite më parë ka qenë e gabuar, por bëhet fjalë për një ligj, i cili ka edhe shumë probleme të tjera.
Nëse një ligj prek një biznes, kushdoqoftë ai, prek drejtpërdrejt punën time, që s’jam në gjendje t’i japë një konsulencë dinjitoze palës së interesuar, por më duhet t’i them që nuk e kuptoj se pse ligjvënësi e ka menduar në këtë formë?
Ne luajmë rolin e edukuesit të tatimpaguesve, duke u shpjeguar edhe logjikën e vendosjes së taksës. Por në këtë rast, nuk kemi se çfarë t’u shpjegojmë.
Vendosja e një rregulli tatimor, duhet të jetë në dobi të të gjithëve. Pra shteti të marrë atë që i takon, biznesi të paguajë atë që duhet pa krijuar kosto të shtuara në menaxhimin e tatimeve dhe taksave.
I tillë është neni 58, ku përveç rritjes së kostos së menaxhimit, krijon paqartësi të rasteve që përfshin ky nen, duke e vendosur biznesin në atë që quhet “pasiguri juridike”.
Tatimi në burim në marrëdhëniet B2B për disa lloje të ardhurash që realizon një tatimpagues rezident apo me seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë të një tatimpaguesi jorezident, është një barrë tatimore e pakuptimtë, ku s’ka të fituar, por vetëm humbës.
Edhe pse janë bërë shkresa të argumentuara nga profesionistë të fushës dhe jo nga biznesi, i cili është prekur nga kjo barrë fiskale, nuk ka një përgjigje apo reflektim kundrejt tyre.
Shteti në rolin e tij, si rregullator në fusha të ndryshme, duhet ta dojë popullin e tij dhe ta trajtojë atë me respekt e dinjitet, qoftë kur vendos dhe merr taksa, po ashtu dhe në rishpërndarjen e tyre. Ndihet një urrejtje dhe arrogancë, jo vetëm te ligjet e miratuara, por sesi i servir nëpër trajnime administrata tatimore.
Ndihemi të sulmuar nga çdo aspekt, pra jo vetëm që do të paguajmë taksa të padrejta, por edhe nuk bëjmë dot mirë punën tonë që është shumë më e rëndë se vetë taksa”, argumenton drejtuesja e një zyre kontabiliteti në Tiranë.
IT “niset” drejt Kosovës dhe Estonisë
Vitet e fundit, tregu i shërbimeve IT në Shqipëri për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime ndaj të tretëve është zgjeruar për shkak të konkurrueshmërisë nga zerimi i taksave.
Për shumë nga bizneset e sektorit IT, me vendosjen e normave tatimore më të larta se Kosova apo shtete të tjera si Estonia dhe Gjeorgjia, Shqipëria humb konkurrueshmërinë dhe pozicionin strategjik në Ballkan për të ofruar shërbime inovative për Europën dhe tregun amerikan me kosto të lirë.
Për rrjedhojë, pas taksimit 15%, janë të shumtë ata që kanë pasion inxhinierinë, si të vetëpunësuar, që tashmë po i drejtojnë sytë drejt shteteve të rajonit apo më tutje për hapjen e biznesit, për shkak të politikave më të favorshme fiskale.
Sipas sondazhit, 23% e të anketuarve po mendonin të mbyllnin aktivitetin, ku 17,5% e tyre thanë se do ta mbyllin ose pezullojnë aktivitetin, ndërsa 5,4% të tjerë thanë se përveçse do ta mbyllnin biznesin, do të largoheshin jashtë vendit. Kosova, Estonia, Gjeorgjia ishin zgjedhjet më të menduara për transferim biznesi.
“Arsyeja që u ktheva në vitin 2016 nga Italia ishin politikat lehtësuese fiskale të parashikuara deri në vitin 2029. Me ligjin e ri kësti i parapagimit më rezultoi 1,200 euro në muaj, një detyrim që nuk e kisha parashikuar që do të niste që këtë vit.
Aktualisht jam duke shqyrtuar mundësinë e transferimit të NIPT-it të biznesit në Kosovë, pasi sipas përllogaritjeve, detyrimi që më duhet të paguaj është 5,000-6,000 euro më pak në vit”, pohon 44-vjeçari i vetëpunësuar për shërbime teknologjike.
Janë të shumtë të vetëpunësuarit e sektorit të teknologjisë së informacionit që po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të bizneseve në shtetet fqinje, për shkak të politikave më të favorshme fiskale.
“Personalisht, nëse ligji nuk rishikohet, do ta mbyll aktivitetin në Shqipëri dhe do të marr në konsideratë të regjistrohem diku tjetër, ku taksat janë më të ulëta p.sh. në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut, por pse jo dhe në vende pak më të largëta siç është Gjeorgjia, që e ka taksën vetëm 1%, e cila është shumë tërheqëse për të huajt për të bërë biznes”, tha një të anketuarit në IT”.
“Në rast se për ndonjë arsye kjo gjë nuk do të jetë e mundur, atëherë me shumë mundësi thjesht s’do të vazhdoj më, si i vetëpunësuar, por do të aplikoj në një shtet tjetër për të filluar punë, si punonjës me kohë të plotë”, pohon një tjetër zhvillues softueri nga Fieri.
Aleksandër Risilia, themelues dhe drejtues i kompanisë “Ritech” që ofron shërbime IT për tregun në SHBA, shpjegoi më herët për podcast-in “Business Plus”, se zerimi i taksave dha shumë kontribut për zgjerimin e tregut IT dhe me taksimin e ri shtrenjtohen shërbimet.
“Nisur nga të dhënat që ne zotërojmë i ka shtrenjtuar shërbimet e ofruara në Shqipëri më shumë se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo do të ndalë rritjen e kompanive dhe të vetëpunësuarve në këtë sektor, por edhe tkurrje të tyre”.
Ndryshimi i taksimit pritet të ketë më tepër efekte te start up në IT, pasi sipas Risilisë, vë në vështirësi aftësimin e tyre profesional.
“Nuk jemi ende gati për të qenë një treg i madh start-up, pasi të gjitha tregjet e ngjashme, si në Poloni dhe Rumani, të cilat e kanë kaluar këtë fazë, fillimisht e kanë nisur duke ofruar shërbime ndaj kompanive të huaja.
Të punosh për kompani të mëdha do të thotë të rrisësh aftësitë profesionale. Kjo ka sjellë që shumë individë, që kanë punuar më parë me kompanitë e mëdha të huaja, janë aftësuar profesionalisht për të krijuar start-up, pasi është shumë e vështirë për të ngritur start up inovativ me ndikim botëror nëse nuk ke aftësi.
Aftësitë fitohen duke punuar për kompani e mëdha. Prandaj është tepër e nevojshme që miratimi i politikave fiskale të jetë i përshtatshëm për IT, pasi janë kontribuuesi më i madh i individëve për ngritjen e start up në Shqipëri”, nënvizoi ai më herët.
Shërbime, kërkime, konsulent
Edhe nga të vetëpuësuarit në arsim apo në fushën e përkthimit zyrtar pritet rritje çmimesh apo mbyllje biznesesh.
Kjo kategori biznesesh së bashku me ofruesit e shërbimeve kërkimore, konsulentë, marketing, inxhinier përbënin 22,9% të të anketuarve të sondazhit që presin efekte negative.
“Ne japim mësim të gjuhëve të huaja, sa mund ta vendosësh vlerën një kursi gjuhe? Domethënë biznesi ynë është shërbim, që nuk përfshihet te domosdoshmëria, kështu që nëse rrisim çmimin, do ulet numri i klientëve, kështu që sërish jemi me humbje”, pohon N.A mësim i gjuhës së huaj në Tiranë.
“Ky ligj e fundos shtresën e mesme. Ndikimi në buxhetin e shtetit është i pandjeshëm, ndërsa ne profesionistet e lirë na rrënohet jeta e përditshme. Të ardhurat tona shkojnë drejtpërdrejt për mbajtjen e familjeve tona.
Çmimet e ushqimeve, qirave, karburantit kanë kërcyer pa asnjë kontroll, ndërkohë që tatimi na heq mundësinë që të përballojmë jetesën e përditshme”, thotë një përkthyese në Tiranë.
Avokatët nisin aplikimin e tarifave të shtrenjtuara deri në 20%
Avokatët paralajmëruan më herët se përfshirja e tyre në taksimin progresiv do t’i godasë për të dytën herë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të hartës së re gjyqësore për rishpërndarjen e gjykatave, çka do të reflektohej në shtrenjtimin e tarifave.
Avokati Përparim Caca pohoi për “Monitor” se për shkak të tatimit të lartë, tarifat e përfaqësimit në gjyq nga avokatët janë rritur mesatarisht 15 deri në 20%.
“Konkretisht, nëse më parë tarifa për çështje përfaqësimi në gjyqet civile kushtonte nga 45,000 lekë tashmë është bërë 60,000 mijë lekë (rritja 33%)”, thotë ai.
Tatimi pritet të ndikojë negativisht sidomos te vajzat e reja që janë në hapat e parë të sipërmarrjes.
“Unë jam Avokate e re në profesion dhe nuk e kam aq të lartë fitimin sa të tatohem me 15%. Mendoj që duhet të bëhen disa përjashtime nga ky tatim si p.sh., këtu po flas për eksperiencën time personale.
Jam Avokate e re dhe prej një viti kam zyrën time, tregu është shumë i ashpër dhe klientela është shumë e vështirë për t’u rritur. Për Avokatët e rinj p.sh., të paktën të bëhet një përjashtim nga ky tatim për 5 vitet e para, që dhe ne të kemi mundësi të qëndrojmë në treg”, thotë një avokate nga Elbasani.
Sipas rezultateve të sondazhit 38% e të anketuarve thanë se do të detyrohen të rrisin çmimet, 26% deklaruan se do të sakrifikojnë fitimin neto dhe 4% deklaruan se do të ulin shpenzimet e aktivitetit.
Me ligjin e ri, fitimi neto i bizneseve taksohet në normat 15 dhe 23%, i llogaritur nga diferenca e të ardhurave vjetore me shpenzimet.
Llogaritjet e administratës tatimore për 9 këstet e parapagimet u mbështetën mbi deklarimet e bizneseve për të ardhurat dhe shpenzimet e vitit 2023.
Ligji përfshiu për herë të parë njohjen e shpenzimeve apriori. Për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit me xhiro 10 milionë në vit, te profesionet e lira njohja e shpenzimeve apriori ishte në masën 30%.
Nga zbatimi i ligjit rezultoi se biznesit nuk iu dha mundësia të zgjedhë regjimin e veçantë për njohjen e shpenzimeve apriori, të parashikuar në ligj, që në vitin e parë të zbatimit.
“Shumë profesionistë të lirë kanë probleme me dokumentimin e shpenzimeve. P.sh. një avokati nuk i njihen shpenzimet për karburant, ku për transportin drejt gjykatave minimalisht shpenzohen 10 litra karburant në ditë, apo 60 mijë lekë në muaj.
Për këtë profesion njihen vetëm shpenzimet për kancelari, të cilat janë në vlera të ulëta.
Gjithashtu edhe vendosja e parapagimit të tatimit, kur askush nga ne nuk e di se sa të ardhura do të realizojë për vitin koherent, është e gabuara. Ligji për tatimin mbi të ardhurat godet tërësisht shtresën e mesme”, pohon avokat Përparim Caka.
Për njohjen e shpenzimeve me deklarimet për vitin 2023, shumë biznese pohojnë se i kanë deklaruar të ulëta, për shkak të vështirësive që hasin në dokumentimin e tyre, si dhe mungesës së përgjegjësisë tatimore.
Ndërsa ekonomistët pohuan se ishin të informuar që zbritja e shpenzimeve fikse, që nuk mund të deklarohej nëpërmjet formularëve të vjetër të deklarimit, për shkak të pamundësisë nga modeli, do të zbatohej si zbritje nga administrata tatimore.
Pas llogaritjeve të kësteve të parapagimit të tatimit nga administrata tatimore është sqaruar se shpenzimet apriori prej 30% do të zbatohen, pasi të përzgjidhen si opsion nga bizneset, për deklarimet e fitimit të vitit 2024, që kryhen më 31 mars 2025.
Avokati Përparim Caca tha se pritet të ketë rritje të tarifave deri 20% edhe për shërbime të tjera të ofruara, si nga stomatologët, psikologë etj.
Grupi i mjekëve dhe stomatologëve që zunë 5,1% të anketuarve që presin efekte negative nga ndryshimet ligjore.
“Dëmton zhvillimin tim profesional. Dëmton ekonominë e familjes sime. Biznesi drejt mbylljes. Blerja e një shtëpie, ëndrra ime në sirtarin e Edi Ramës”, pohon një stomatologe e anketuar nga Tirana.
Çfarë efektesh priten nga agjentët e pasurive të paluajtshme dhe ofruesit e guidave turistike
Profesionet e lira që do të taksohen në normat 15 dhe 23% u klasifikuan në 26 lloje aktivitetesh, që përfshinë 180 kategori biznes ofrues të shërbimeve, sipas vendimit që hyri në fuqi në muajin dhjetor.
Në listën e profesioneve të lira u përfshinë aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimit, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit, operatorët turistikë etj.
Ervin Demirxhiu, broker i agjencisë imobiliare “Perla Real Estate” vlerëson se tatimi në këto norma do të ulë cilësinë e shërbimit dhe do të rrisë informalitetin.
“Shërbimet janë biznese, sa fitimprurës dhe të brishta, duket sikur çdo e ardhur është fitim, por në të vërtet ka shumë kosto, paga, qira, taksa, tarifa marketingu etj.
Çdo taksë, tatim, para që na grabitet, përkthehet në investime të munguara, persona më pak të punësuar, investime më pak të kryera për rritjen e kapaciteteve, daljen jashtë kufijve etj.
Nëse ne paguajmë më shumë taksa, sigurisht që na frenon për t’u zhvilluar më tej, apo për t’u bërë konkurrues në tregje, pastaj sigurisht që do të lulëzojë edhe më shumë informaliteti, dhe shërbimet që ne do të kryenim, do të ofrohen nga sekserët, persona të palicencuar e kualifikuar, ku do të bëhen objekt për konflikte dhe mosmarrëveshje mes shitësve dhe blerësve”.
Të tjerë të anketuar nga ky sektor parashikojnë situatë më të vështirë. “Rrezikoj që 12 punonjësit që janë në menaxhimin tim të mbeten bashkë me mua të papunë.
Arsyeja: Tatim në fitim që po më faturohet është fiks fitimi vjetor neto i imi si punëdhënës”, pohoi një konsulent imobiliar nga Tirana.
Ndërsa për operatorët e guidave turistike, shqetësimi ngrihet jo për pamundësinë e pagesës, por të dëmit moral që ka shkaktuar korrupsioni dhe keqmenaxhimi i taksave.
Në rast të kundërt, shumë nga bizneset e kontaktuar kryesisht IT, pohuan se po studiojnë mundësinë të transferojnë aktivitetin në një tjetër shtet që i favorizon me lehtësi fiskale, ndërsa sipërmarrësit e rinj si avokatë, kontabilistë apo ekonomistë e shohin më të arsyeshme të mbyllin aktivitetin.