Nga Boldnews.al
Gazeta greke “Protothema” publikoi në fundjavën që lamë pas një vendim të Gjykatës së Janinës, sipas të cilit gjyqtares së posaçme shqiptare, Irena Gjoka (Maneku), i është ndaluar të udhëtojë për 10 vjet në zonën Shengen, pasi është kapur duke përdorur një pasaportë fales si “vorio-epirote”.
Ky zhvillim përbën vetëm një konfirmim zyrtar të asaj që Partia Demokratike në opozitë dhe eksponentë të tjerë publikë e deklarojnë të paktën prej katër muajsh.
Por, ndërkohë nga ana tjetër, shënon edhe një minus shumë të madh për procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të “zyrtarëve të lartë të drejtësisë së re”.
Në fund të vitit 2023, disa të dhëna për gjyqtaren, e cila në atë kohë ishte edhe drejtuese e komanduar e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara (GJKKO), e lidhnin atë me një vendim gjyqësor dëbimi nga Greqia, si edhe me një vendim të Presidentit të Republikës së vitit 1996 për shkarkimin e saj nga detyra për “shkelje të rënda ligjore”.
Këto të dhëna u tentuan të mbyten me propagandë në median qeveritare, por edhe nga institucioni përgjegjëse për karrierën e gjyqtarëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Mbrojtja e KLGJ
Në një reagim të publikuar në 4 Mars 2024, KLGJ vendosi të marrë në mbrojtje gjyqtaren Gjoka nga ato që i konsideroi si “sulme denigruese” nga ana e kryeopozitarit, Sali Berisha.
Në reagimin me nota politike të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nuk jepej asnjë detaj mbi ndonjë verifikim për ndonjë dëbim të mundshëm të Irena Gjokës nga Greqia, një detaj që nuk gjendet as në formularin e Dekriminalizimit të gjyqtares së posaçme.
Pas atij reagimi, “Boldnews.al” analizoi se KLGJ u nxitua dhe mbajti qëndrim publik, pa kryer më parë asnjë verifikim.
Pasiviteti i Këshillit të Lartë Gjyqësor ndaj rastit “Irena Gjoka (Maneku)” vijon të shkëlqejë me mos-reagimin e tij.
KLGJ bllokon “Dekriminalizimin” e gjyqtares
Në fillim të Prillit 2024, Partia Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme që të kryejë verifikim të thelluar për të shkuarën e gjyqtares Irena Gjoka, në kuadër të ligjit për Dekriminalizimin.
Ligji parashikon që verifikimet paraprake kryhen nga institucioni i emërtesës së gjyqtarit (në këtë rast, KLGJ për gjyqtaren Irena Gjoka).
Më tej, në rast se ekzistojnë dyshime se subjekti i ligjit nuk është treguar i sinqertë gjatë procesit të plotësimit të të dhënave në formularin e Dekriminalizimit, atëherë i dërgohet për verifikim të thelluar Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, nga ana e saj, ka në dorë mekanizmat për të kryer verifikime jashtë Shqipërisë.
Burime të besueshme të “Boldnews.al” në Prokurorinë e Përgjithshme deklaruan se, pasi është administruar kërkesa e PD-së për verifikimin e thelluar të gjyqtares Irena Gjoka mbi të shkuarën e saj të dyshuar problematike në Greqi, i është kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për të kryer verifikimin paraprak.
Ligji parashikon që KLGJ, si institucioni që kryen verifikimin fillestar, duhet të kthente përgjigje brenda 5 ditëve nga dorëzimi i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme.
Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga kërkesa e Partisë Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka marrë përgjigje nga KLGJ, me qëllim që të kryejë verifikimin e thelluar pranë autoriteteve greke.
Madje, duket se KLGJ ka zgjedhur një mekanizëm për të vonuar verifikimin. Brenda afatit 5-ditor, Këshilli i Lartë Gjyqësor i kthen një përgjigje Prokurorisë së Përgjithshme, duke treguar se do të angazhohet për kontrollin, por pa dhënë rezultate konkrete.
Vetingu i dyshimtë për Irena Gjokën
Të dhënat e publikuara nga media greke ngrenë pikëpyetje të forta edhe mbi procesin e rivlerësimit kalimtar (Vetingut) të gjyqtares Irena Gjoka.
Gjoka, në ish-gjyqtare e Krimeve të Rënda, kaloi automatikisht tek Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) me krijimin e këtij institucioni të ri të Drejtësisë, në dhjetor 2019.
Gjoka u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), me vendimin e datës 26 shkurt 2020, vetëm dy muaj pasi kishte marrë emërimin automatik pranë Gjykatës së Posaçme.
Komisioneri Publik i kohës, Dariel Sina, e ankimoi vendimin e konfirmimit, pasi konstatoi problematika me ligjshmërinë e burimeve të pasurisë së gjyqtares Gjoka.
Komisioneri Sina u emërua në Gjykatën e Lartë, kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit-KPA (shkalla e dytë e Vetingut) ishte në përfundim të procesit për Irena Gjokën.
Komisionerja e re, Irena Nino, në një rast shumë të rrallë, vendosi të tërhiqet nga ankimi dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë, gjë e cila u vulos nga KPA.
Megjithatë, në të gjithë procesin e rivlerësimit për Irena Gjokën, asnjë prej autoriteteve shtetërore që marrin pjesë drejtëpërdrejtë apo si ndihmëse të Vetingut, nuk ka konstatuar problematika në kriterin e figurës së saj.
As Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), struktura me ekspertë ndërkombëtarë dhe që ka aksese për informacion pranë institucioneve të huaja, nuk arriti të sigurojë informacion se Irena Gjoka është ndaluar të hyjë për 10 vjet në zonën Shengen (sipas raportimeve të gazetës “Protothema”).
Duket se shumë institucione kanë dështuar me verifikimet për gjyqtaren Irena Gjokën. Kanë dështuar institucionet vendase dhe ndërkombëtare. Por, kjo “syleshësi” kaq e madhe duket se është e organizuar.
Irena Gjoka u caktua në postin e kryetares së komanduar të Gjykatës së Posaçme. Ajo është gjyqtarja që ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për drejtuesin e opozitës, Sali Berisha, ndërkohë që ndaj tij ende nuk ka asnjë akuzë konkrete.
Irena Gjoka formalizoi arrestimin dhe dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për “korrupsion në zgjedhje”, në një proces që ka shumë probleme ligjore e proceduriale.
Irena Gjoka është kryesuesja e trupës gjykuese në çështjen e kreut të një tjetër partia opozitare, Fatmir Mediu, i akuzuar për “shpërdorim detyre” për çështjen “Gërdeci”.
Ndoshta mund të jetë rastësi që Irena Gjoka është gjyqtare në të gjitha këto çështjet me figurat opozitare.
Por, shumë rastësi nuk përbëjnë rastësi. Aq më tepër, kur gjyqtarja që duhet të japë drejtësi për këto raste, si edhe për shumë e shumë të tjera, dyshohet se ka cënuar rëndë besimin e publikut, pasi, sipas të dhënave të medias greke, ka fshehur të dhëna problematike të së shkuarës së saj.
Për më tepër, fshehja e të dhënave në formularin e Dekrimanizimit janë edhe vepër penale, e dënueshme nga një deri në katër vjet.