Ngritja komisionit për dezinformimin është kryer pa transparencë dhe procese gjithpërfshirëse. Ky ka qenë shqetësimi i opozitës dhe i shoqërisë civile gjatë këtyre javëve. Faktoje ka kërkuar të njihet me procesin e punës së këtij komisioni që në fokus pritet të ketë influencat e huaja malinje që lidhen sa me informacionin po aq edhe me financat e mediave dhe partive politike.
Ngritja e një komisioni për dezinformimin u njoftua në 28 Mars në rrjete sociale nga kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi. Një javë më pas, në 3 Prill, Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë miratoi kërkesën e PS-së vetëm me votat e socialistëve.
Kërkesa për komisionin nuk u konsultua me opozitën parlamentare, edhe pse sipas kreut të parlamentarëve socialist, Bledi Çuçi “të gjitha palët duhet të jenë bashkë” për këtë komision.
Fusha e veprimit të këtij komisioni nuk u konsultua as me aktorë të shoqërisë civile, të cilët sipas kreut të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadorit Silvio Gonzato, janë kyç në këtë proces.
Më 11 prill komisioni për dezinformimin u fut në rendin e ditës pa parashikuar debat nga deputetët. Ai u miratua me 73 votat e socialistëve.
Ky komision pritet të ketë si qëllim identifikimin e fushatave dezinformuese në media, mbështetjen financiare të mediave apo organizatave të shoqërisë civile. Një element kyc ështe edhe identifikimi i burimit të të ardhurave të shpenzuara të partive politike në fushata elektorale.
Komisioni për dezinformimin parashikon ndërmarrjen e masave në rast të identifikimit të ndërhyrjeve të mundshme të huaja apo dashakeqe. Kërkesa parashikon masa të tilla si ndryshimin apo miratimin e ligjeve për të rritur përgjegjshmërinë e platformave dhe mediave sociale në klasifikimin e informacioneve të shpërndara.
“Masat parashikojnë edhe mbylljen e llogarive të personave apo subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara jo autentike në internet.” – thuhet në kërkesën e miratuar të socialistëve për komisionin për dezinformimit.
Shqetësimet e Opozitës
Kërkesa për ngritjen e këtij komisioni për dezinformimin për bazohet në disa dokumenta. Ndër to është memorandumi i firmosur mes Shqipërisë dhe SHBA-së gjatë vizitës në Tiranë të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken. Por qeveria shqiptare ende nuk e ka publikuar memorandumin, për t’u njohur me atë ç’ka kërkohet në dokument. Faktoje ka kërkuar një kopje të memorandumit dhe është endë në pritje të dokumentit zyrtar nga Këshilli i Ministrave.
Deputetja e opozitës Jorida Tabaku, argumenton se marrëveshja e firmosur me Blinken është e nivelit politik, që tregon se Shqipëria u angazhua të luftojë influencat malinje, veçanërisht në proceset demokratike dhe në media.
“Në vijim të marrëveshjes do duhej të ishin kryer takime bilaterale dy-palëshe për ta detajuar këtë angazhim në një plan veprimi.” – thotë Tabaku për Faktoje.
Ajo kujton gjithashtu rezolutën e miratuar në Parlament në 2019-ën pikërisht për këtë temë dhe institucione si Shërbimi Informativ i Shtetit, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Agjencia e Inteligjencës Financiare etj duhet të mblidhnin informacione dhe të paraqisnin raporte të përvitshme në parlament. Kjo nuk ka ndodhur.
“Ndaj ne kërkuam që ky komision të mos përdoret për politikë dite dhe sa për të kaluar rradhën, pasi është diçka e rëndësishme që po ndodh edhe në vende të BE-së. Kërkuam transparencë që të kuptojmë pse pas 4 vitesh, pa patur asnjë raport institucionesh u kujtuan për këtë komision.” – Jorida Tabaku.
Një tjetër shqetësim i opozitës është fokusi i gjerë i komisionit që ngre shqetësime për rikthimin e të ashtuquajturës “paketa antishpifje” për kontrollin e mediave. Kjo sipas Tabakut do bëhej më e vështirë për qeverinë nëse komisioni për dezinformimin do të ishte krijuar me bashkëdakordësi dhe përbërja e tij të ishte më gjithpërfshirëse.
“Kërkuam që të mos çënohet liria e medias, sepse komisoini do ekzistojë deri në prill 2025 kur është fushata zgjedhore, ndaj ka rrezik. Sa i përket përbërjes së komisionit, ne gjykojmë që duhet të ishte me diverse nga pikëpamja e kontributeve me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të medias, ekspertë sigurie, të cështjeve me jashtë, NATO-s etj.” – shpjegon Tabaku.
Shqetësimet e shoqërisë civile
Silvio Gonzato, ambasadori i BE-në Tiranë theksoi kompleksitetin e trajtimit të dezinformimit dhe shprehu besimin se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të fokusohet vetëm në aspektin mediatik, që sigurisht është i rëndësishëm.
“Mendoj se Kuvendi duhet të shohë një kontekst më të gjerë këtu në Shqipëri kur vjen puna tek mediat dhe ne e dimë që dezinformimi është i përhapur, sepse ndonjëherë janë edhe vetë kushtet jo ideale në të cilat punojnë gazetarët shqiptarë. Ka shumë pasiguri por ka edhe shumë presion për shkak të lidhjeve mes biznesit, politikës dhe medias.” – Silvio Gonzato, DW.
Rrjeti SafeJournalists i dërgoi një letër Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ku shprehu shqetësimin e tij për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, duke theksuar mungesën e procesit konsultativ, nxitimin në miratimin e tij dhe mungesa e konsensusit me opozitën.
Reagime që shprehin shqetësim ndanë edhe nga organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri.
SciDev theksoi mungesën e dukshme të gjetjeve nga kërkimet e pavarura për ndërhyrjet e huaja të përmendura në kërkesë duke kërkuar transparencë për publikun në rast se ‘deputetët kanë informacione për ndërhyrjet e huaja në hapësirën e informacionit të Shqipërisë nga autoritetet publike të ngarkuara me çështjet e sigurisë’.
Edhe Këshilli i Medias publikoi reagimin e tij duke listuar 10 arsye kundër ngritjes së këtij komisioni për dezinformimin, duke u përqëndruar tek shqetësimi kryesor, mundësia që ky komision krijon për të abuzuar me mediat, pa u fokusuar tek problemet madhore të terrenit mediatik, të faktuara në raportet e BE-së.
Çfarë thonë ekspertët
Ngritja e komisionin të posacëm për disinformimit ka nevojë për një proces sa transparent dhe gjithëpërfshirës.
Studiuesi Afrim Krasniqi vlerëson se nëse parlamenti do e bëj këtë veprimtari në mënyrë konsensuale dhe gjithpërfshirëse duke pasur konsultim me këshillin kombëtar të sigurisë të Presidentit të Republikës dhe me aktorë të tjerë sidomos ata ndërkombëtar si Ambasada e SHBA dhe delegacioni i BE atëherë do ishte një sjellje normale.
Kërcënim, sipas tij, do të ishte një proces parlamentar i distancuar nga publiku dhe nga detyrimet dhe standardet e transparencës.
Erjon Tase, pjesëtar i shoqërisë civile në Shqipëri prej dekadash dhe drejtues i Akademisë së Studimeve Politike na kujton se hartimi i legjislacionit dhe mbikqyrja e zbatimit të tij nga ekzekutivi është kompentencë kyresore e Kuvendit, që shpesh përfshin ekspertë të jashtëm, vendas dhe të huaj, siç do jetë edhe rasti i këtij komisioni.
“Ajo që nevojitet të theksohet është sigurimi i transparencës dhe konsultimi sa më i gjerë i aktorëve jo-shtetërore (mediave, kompanive që ofrojnë shërbimet teknologjike, shoqërisë civile) në procesin e diskutimeve të këtij komisioni.” – Erjon Tase
Financimi i partive politike, pjesë e punës së komisionit
Studuesi Afrim Krasniqi thekson se partitë politike janë grupet më të mëdha informale në Shqipëri.
“Ato ose nuk kanë deklarime ose i kanë të rreme. Koncepti i lobimit ndërkombëtar është përdorur si koncept tërësisht informal dhe me burime informale që mund të rezultojnë si personale, të lidhura me krimin apo grupe të ndryshme lobimi. Dhe liderët e sotem politik, si Rama, Berisha, Basha dhe Meta kanë qënë të akuzuar për financime direkte apo indirekte ruse.” – Afrim Krasniqi.
Ndaj, që ky komision të mund të mbikqyrë financat e partive gjatë fushatave elektorale do duhen më shumë sqarime sesa ofrohen deri tani për mënyrën si kjo do të ndodhë.
Rekomandimet për kontrollin e financimit të fushatave, ku më e rëndësishme është fushata online, janë pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe aktorëve të tjerë të angazhuar në Reformën Zgjedhore. Për këtë Erjon Tase kujton nxitjen gjithnjë e më të zëshme për përmirësime të ligjit të partive politike, që mesa duket partitë parlamentare nuk dëshirojnë ta vënë në tryezën e punës ende.
Rregullimi i financimit të mediave
Domosdoshmëria për një rregullim të kaosit mediatik, veçanërisht atij online, flitet prej vitesh nga përfaqësues të shoqërisë civile. Pasqyrimi i “xhunglës” me rreth 800 portale online, pjesa më e madhe e të cilave janë zyrtarisht të paregjistruara apo pa deklarim se nga financohen.
Për Erjon Tasen kjo situatë e keqpërdorimit të lirisë së shprehjes nga individë që nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë apo punojnë në dëm të interesit publik është duke vënë në rrezik mediat serioze dhe gazetarët e pavarur më shumë sesa regjistrimi i mundshëm i portaleve si biznese që kryejnë aktivitet ekonomik
“Aktualisht flitet për portale që financohen nga politikanë apo edhe ish-ministra që përdoren për të sulmuar publikisht kolegë apo rivalët e tyre. Nëse do të ketë rregullime ligjore për ndëshkimin e dezinformimit do të jetë më e lehtë për të ngushtuar edhe mundësinë e politikës për të shfrytëzuar këto forma dezinfomimi apo sulmesh publike.” – vlerëson Tase.
Edhe ky kontroll i financimit të mediave nga aktorë politik – veçanërisht gjatë fushatave elektorale – mund të bëhet nga komisioni vetëm përmes propozimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, shpjegon Afrim Krasniqi.
Sa i përket frikës për një rikthim të “paketës antishpifje” Krasniqi mendon se kjo do duhet parë me kohën. “Është herët për të thënë nëse kjo do të kërcënojë lirinë e medias. Në këtë pikë mendoj që shoqëria civile dhe aktorët e tjerë kanë rol për të bërë.” – shpjegon ai.
/Faktoje