Këmborët e bagëtive të Zall Gjoçaj, të cilët nuk ekzistojnë më, për shkak të tharjes së burimeve ujore ranë mëngjesin e sotëm para prokurorisë së Lezhës.
Abdi Toçi bashkë me të tjerë banorë të Zall Gjocaj kërkoi të zgjojë kësisoj drejtësinë, duke apeluar për hetim të çështjes së hidrocentraleve.
“Kujt t’i dalë emri të shkojë në SPAK. Edi Rama, Kryeministër. Belinda Balluku, zëvendës Kryeministre. Blendi Klosi, ish-ministër i Mjedisit. Nezir Rizvani, ish-kryetar i bashkisë. Agim Hysa, ish-kryetar i këshillit të bashkisë. Nesbedim Shehu, prefekti i Qarkut Dibër, Agron Malaj, kryetar i bashkisë Mat. Këta do të shkojnë në SPAK. Këta kanë “vrarë” popullsinë e asaj krahine, këta kanë “vrarë” bletët, kanë “vrarë” bagëtinë. Këto kumbora janë të bagëtive që i kanë vrarë”-u shpreh Abdiu.
Në vitin 2021 banorët e Zall Gjocaj të mbështetur nga aktivistët e “Grupit ATA” kallëzuan penalisht zyrtarët publikë si përgjegjës për shkatërrimin e natyrës dhe lejimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e kësaj zone.
“Duke filluar nga kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj, eksperti që ka bërë akt ekspertimin e deri te ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, Zamir Dedej dhe zyrtarë të tjerë. Ata janë përgjegjës për procesin e zhvillimit të konsultimeve, dëgjesave publike, por edhe ndërtimit e marrjes së lejes. SPAK-u ka vendosur më pas që t’ja kalojë për kompetencë Prokurorisë së Lezhës, por pas vitit 2022 nuk kemi pasur më asnjë lloj zhvillimi”, –shprehet Diana Malaj nga ‘Grupi ATA”.
Banorët dhe aktivistët e Zall Gjoçaj protestojnë prej pesë vitesh kundër dy hidrocentraleve “Sekë” dhe “Zais”.
“Para 3 vitesh kemi ardhur këtu dhe kemi dëshmuar. Kemi paditur falsifikatorët, ekspertiza ka nxjerrë që kanë firmosur edhe për njerëz të vdekur edhe jo më për të gjallët. Deri tani asnjë veprim nuk është bërë. Prandaj ne sot organizojmë këtë protestë dhe i kërkojmë Prokurorisë dhe gjykatës që sa më parë të marrë në shqyrtim kërkesat tona, sepse janë kërkesa të drejta”,-shprehet Adem Gjokolaj, banor i zonës.
Hidrocentrali tanimë i përfunduar ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e banorëve të zonës.
“Fshatin e kanë braktisur. E kanë bërë këta dhe qeveria që ta braktisin. Fshati nuk rri pa ujë, pa bagëti apo pa bletë. Këta e kanë shkatërruar zonën e mbrojtur”,- rrëfen Abdi Toçi.
Sipas aktivistëve, edhe pse HEC-i është ndërtuar nuk ka paqe me padrejtësinë.
“Banorët e kanë të nevojshme të vendoset drejtësi edhe pse aty është ndërtuar HEC-i, ne dhe banorët nuk kemi bërë paqe me asnjë lloj padrejtësie. Kanë bërë një seri kërkesash për informacion deri sa së fundmi prokuroria e Lezhës na është përgjigjur, që çështja, e cila është në kompetencë të saj, nuk ka asnjë lloj zhvillimi, madje nuk figuron kund as si informacion bazik”,- argumenton Diana Malaj.
Kjo protestë, ishte në vijim të dhjetra protestave të tjera që ky komunitet ka zhvilluar ndër vite. Por sot, ata nderuan edhe aktivistin Sali Koleci, që u nda nga jeta dy muaj më parë.
“Është një protestë që na mungon aktivisti i shquar Sali Koleci, i cili për gjashtë vite rresht nëpër dyert e gjykatave dhe prokurorive priti një lajm nga këta. Ishte një nga paditësit e parë të abuzimeve me Zall Gjocajn, të abuzimeve me jetën dhe fatin e këtyre banorëve. Kur do të jepet drejtësia, kur ne të kemi vdekur të gjithë?”,-u shpreh mes emocionesh Dhimitër Koleci, ndërsa kërkoi një minutë heshtje në nder të bashkudhëtarit të tyre në këtë betejë.
Në mbështetje të banorëve të Zall Gjoçaj ishin edhe banorë të Thirrës, Dibrës e Madheshit, të cilët njëjtë sikurse ta, prej vitesh kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e tyre.
“Nuk është e jona natyra ndaj se kemi këtë të drejtë ta sakrifikojmë. Është e brezave, është e shqiptarëve . Jua kemi borxh brezave. Kryeministra shkojnë e vijnë sa të duash, por natyra nuk vjen më. I zhdukën pyjet, ndërsa vendi ka mbetur i shkretë atje”,- u shpreh një nga zotërinjtë e pranishëm nga Dibra, që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Solidaritet e mbështetje kishte edhe nga banorët e Thirrës.
“Sot kemi ardhur në mbështetje të Zall Gjoçaj dhe të gjithë këtyre që janë të prekur nga hidrocentralet dhe fabrikat e ujit. Kemi ardhur në mbështetje të tyre. Të njëjtin hall kemi edhe ne që jemi nga Thirra e Mirditës. Ne kemi denoncuar dy herë në Prokurori për dy falsifikimet që janë bërë. Ne me ujin jetojmë, me malin jetojmë, këto kemi bazën e jetesës”,-tha Pashk Bajraktari, banor i Thirrës.
“Zall Gjoçaj”, përtej një kauze
Punimet për hidrocentralet “Sekë” dhe “Zajs” në lumin Flim dhe Urakë janë shoqëruar me protesta dhe qëndresë prej banorëve të Zall Gjoçajt që prej vitit 2019. Paralelisht me protestat, ata kanë ngritur edhe padi ndaj kompanisë “Seka Hydropower”.
Së pari banorët kërkuan shfuqizimin e vendimit për të licencuar shoqërinë “Seka Hydropower”, për një serë shkeljesh, ku më kryesorja është kryerja e punimeve brenda zonës së mbrojtur.
Padia e dytë nga tetë banorë të Matit kërkon zhvendosjen e dy hidrocentraleve dhe zhvillimin e tyre jashtë zonës së mbrojtur.
Ndërsa në shkurt të 2020, banorët e Matit dorëzuan padinë ndaj institucioneve shtetërore për dhënien e lejes mjedisore për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur me ligj, si dhe kompaninë private “Seka Hydropower” që po zhvillon punimet.
Banorët ngritën çadrës së rezistencës në hyrje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj, me shënimin “Lumi është jetë, ta mbrojmë jetën” , i cili u bë për të parandaluar avancimin e punimeve, ndërkohë që çështja po ndiqej edhe në rrugë ligjore.
Në nëntor të 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së parë në Tiranë rrëzoi kërkesën e banorëve për ndalimin e punimeve të ndërtimit të hidrocentralit të Sekës, në lumin Zall Gjocaj.
Në datë 15 qershor 2020, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të rrëzonte padinë e banorëve,të cilët kërkuan ndalimin e hidrocentraleve Sekë dhe Zajs në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj.
Në janar 2021, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë vendosi në favor të banorëve të Zall-Gjoçaj, duke shfuqizuar lejen e dhënë nga Enti Rregulltor i Energjisë (ERE) ndaj firmës private “Seka Hydropower”, për HEC-in “Zais” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
Më 25 janar 2021, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së banorëve të Matit ndaj Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ku kërkohej ndalimi i punimeve brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, park i formuar në vitin 2018 nga bashkimi i Zall-Gjoçaj me Lurën.
Në qershor 2021, banorët protestuan përballë Gjykatës së Apelit duke i kërkuar të marrë në shqyrtim animimin e vendimit të marrë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në qershor të vitit 2020, ku u rrëzua padia e nëntë banorëve dhe u lejua vijimi i punimeve për të ngritur digë brenda zonës së mbrojtur.
Në nëntor 2021 Gjykata e Apelit mbajti në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila i hoqi në janar të atij viti licencën hidrocentralit “Zajs”.
Në mars 2022, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i hoqi licencën kompanisë “Seka Hydropower” për të prodhuar energji nga HEC-i “Zais” që prek lumin Flim në Mat.
Me një vendim të datës 14 shkurt 2022, ERE zbatoi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila kishte vendosur me një vendim të formës së prerë heqjen e licencës për një nga dy hidrocentralet që janë ndërtuar në Zonën e Zall Gjoçajt.
Në nëntor 2022, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit që i ka hequr firmës private “Seka hydropower” licencën për prodhim energjie nga hidrocentrali “Zais”.
/Citizens Channel