Barack Obama, Bill Clinton dhe figura të spikatura të skenës u bashkuan të enjten për të shpalosur mbështetjen për presidentin Joe Biden. Aktiviteti arriti të mbledhë kontribute rekord prej mbi 26 milionë dollarësh për fushatën për rizgjedhjen e tij.
Në Sallën e Muzikës “Radio City”, ish presidenti Obama lavdëroi vullnetin e presidentit Biden për të negociuar dhe tha se: “Ky është lloji i presidentit që unë dua”. Ish presidenti Clinton dha një zgjidhje të thjeshtë për votuesit këtë vit: “Qëndroni me atë çfarë funksionon”.
Presidenti Biden e drejtoi menjëherë vëmendjen nga Donald Trump-i, duke thënë se idetë e kandidatit të pritshëm republikan janë “paksa të vjetra dhe jo në formë” të mirë.
Gjatë bisedës me tre presidentët, moderatori Stephen Colbert i quajti ata “kampionë të retorikës” dhe bëri shaka se tre presidentët kanë ardhur në qytetin e Nju Jorkut “dhe asnjëri prej tyre nuk ka ardhur për të dalë para gjykatës”, një thumbim ky për sfidat ligjore të ish presidentit Trump.
Sasia e fondeve të mbledhura ishte një demonstrim i rëndësishëm i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden, ndërsa anketimet vazhdojnë të tregojnë një nivel të ulët mbështetjeje nga opinioni publik. Presidenti do të ketë tashmë mundësinë të testojë peshën e fondeve të mbledhura për fushatën, ndërsa përballet me zotin Trump, i cili provoi me fitoren përballë Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016, se nuk i nevojiten fondet më të shumta për të fituar.
Gjatë bisedës pothuajse njëorëshe, ish presidentët Obama dhe Clinton shpjeguan se sa e vështirë është puna e presidentit Biden. Ata folën për vetminë dhe zhgënjimin në lidhje me politikat që funksionojnë, por efektet e të cilave nuk ndihen menjëherë nga publiku. Ata folën nga përvoja e tyre në këtë post dhe u përpoqën të shpjegojnë se përse zoti Biden është njeriu i duhur në këtë detyrë.
“Është një karrige vetmitare”, tha ish presidenti Obama, i cili udhëtoi drejt Nju Jorkut së bashku me presidentin Biden në bordin e avionit presidencial Air Force One.
Biseda mori formë humoristike, por edhe serioze. Në mbyllje, treshja presidenciale vendosën syze dielli ndërsa qëndronin në sallën e errët të muzikës, si një gjest mbështetjeje për syzet karakteristike të firmës Ray-Ban që mban shpesh presidenti Biden.
Biletat ishin shitur të gjitha në sallën e aktivitetit që pasoi udhëtime të shumta të presidentit Biden në kuadrin e fushatës zgjedhore. Ai ka vizituar disa shtete kryesore për betejën elektorale gjatë tre javëve pas mbajtjes së fjalimit për Gjendjen e Vendit, që shërbeu si një thirrje për t’u bashkuar në mbështetje të rikandidimit të tij. Aktiviteti i së enjtes gjithashtu bashkoi tre dekada drejtimi të Amerikës nga demokratët.
Salla e muzikës e kishte reklamuar aktivitetin me mbishkrimin “Një Mbrëmje me Joe Biden, Barack Obama, Bill Clinton”. Oficerë të shumtë të policisë së qytetit të Nju Jork qëndronin në rrugët përreth në kuadrin e masave të forta të sigurisë.
Protestuesit e zemëruar me menaxhimin nga presidenti Biden të luftës në Gazë dhe mbështetjen e fortë për Izraelin, ndërprenë shkurtimisht aktivitetin dhe e shtynë presidentin Biden të zotohet se do të vazhdojë të punojë për të ndalur vdekjet e civilëve, në veçanti fëmijëve. Por ai shtoi se “rrezikohet ekzistenca e Izraelit”. Qindra persona të tjerë protestonin përpara godinës megjithë shiun që binte, duke kërkuar vendosjen e një armëpushimi në Gazë dhe duke valëvitur flamuj palestinezë.
Drejtuesi i shumicës demokrate në Senat, senatori nga Nju Jorku, Chuck Schumer, iu drejtua i pari rreth 5 mijë mbështetësve të mbledhur. Figura të njohura të industrisë së argëtimit morën gjithashtu fjalën. Lizzo luajti këngën e saj të re “About Damn Time” dhe drejtuesja Mindy Kaling bëri shaka duke thënë se ishte gjë e mirë të jesh në të njëjtin mjedis “me kaq shumë njerëz të pasur”, dhe shtoi se i pëlqen fakti që ata mbështesin një president që premton haptazi se “do t’jua rrisë taksat”.
Ish presidenti Obama i parashtroi audiencës zgjedhjet që kanë, duke thënë se “në fund të ditës, duhet të zgjidhni atë që ju kupton dhe kujdeset për ju. Jam shumë i sigurt se ai tjetri nuk e bën këtë”.
Moderatori Colbert tha se ndoshta disa amerikanë mund t’i kenë harruar disa prej aspekteve më shqetësuese të presidencës Trump, përfshirë 6 janarin 2021, kur një turmë mbështetësish të zotit Trump hynë me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, në një përpjekje të pasuksesshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Presidenti Biden tha se shqetësimi për këto trazira u ndje edhe jashtë Shteteve të Bashkuara, ndërsa udhëheqësit e huaj filluan të vënë në pikëpyetje stabilitetin e demokracisë amerikane. Ai shtoi se kjo demokraci është ende delikate.
Në mbi 26 milionë dollarët e mbledhur në Nju Jork përllogariten edhe paratë e dhëna nga mbështetësit gjatë javëve përpara aktivitetit, me dëshirën për të siguruar një biletë. Në total janë mbledhur 6 milionë dollarë më shumë se fondet që mblodhi zoti Trump në muajin shkurt.
Ekipi elektoral i ish presidentit Trump shpreson se do të mblidhen 33 milionë dollarë gjatë një aktiviteti të madh elektoral javën e ardhshme në Palm Beach, Florida. Shifra u bë e ditur nga një person që foli në kushte anonimiteti dhe ishte raportuar më parë në gazetën “Financial Times”.
Ish presidenti Trump ka mbajtur një profil të ulët gjatë javëve të fundit, pjesërisht për shkak të seancave të ndryshme gjyqësore, shpenzimet për të cilat po i paguan nga kontributet e donatorëve. Tubimet e tij të ardhshme elektorale janë planifikuar për të martën në Miçigan dhe në Uiskonsin. Disa udhëheqës republikanë janë të shqetësuar nëse ekipi i tij elektoral disponon infrastrukturën e duhur për t’u përballur në zgjedhjet e përgjithshme me presidentin Biden.
Ish presidenti Trump u gjend në zonën e Nju Jorkut të enjten, për të marrë pjesë në homazhet në Long Island për një oficer të policisë së Nju Jorkut që u vra në detyrë në Queens.
Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Michael Whatley, u përpoq ta paraqesë vendndodhjen e dy kandidatëve të enjten, si një demonstrim i një “kontrasti në stilin drejtues”.
“Në të njëjtën ditë që presidenti Trump ndjek homazhet për oficerin e vrarë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, Jonathan Diller, Joe Biden ngre dolli dhe feston me njerëz të famshëm në një aktivitet për mbledhje fondesh me Barack Obamën dhe Bill Clintonin”, u shpreh zoti Whatley në një deklaratë.
Sekretarja për shtypin e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se faktet tregojnë se krimet e dhunshme u rritën gjatë mandatit të ish presidentit Trump dhe se administrata e presidentit Biden “ka bërë kryekëput të kundërtën, duke marrë masa të vendosura që nga fillimi për të fuqizuar buxhetin për policinë dhe duke arritur një rënie historike të nivelit të kriminalitetit”./VOA