Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Arian Muçaj u përball të martën më 26 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime të përmbledhura për disa gjetje në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizimit. Muçaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për prokurorin Muçaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Arian Muçaj e ka nisur karrierën si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 1997 dhe në vitin 2015 u emërua si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër. Në qershor të vitit 2023, ai u transferua në Prokurorinë e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes procedurës së lëvizjes paralele.
Pasuria
Relatorja Sanxhaktari shpjegoi në fillim të seancës së subjekti është ndarë nga trungu familjar në vitin 2016. Sipas relatores, prokurori Muçaj ka shpjeguar se ai ka pasur ekonomi të veçuar nga prindërit dhe familjarët e origjinës që prej vitit 2001 kur është martuar me gjyqtaren Gentiana Muçaj, e cila është konfirmuar në detyrë me vendimin të formës së prerë.
Lidhur me konstatimin për ndarjen nga trungu familjar në vitin 2016, subjekti deklaroi se e kishte kryer pasi në atë kohë motra ishte martuar me një shtetas italian dhe se e kishte çmuar të vështirë të gjente të dhëna për të deklaruar pasuritë e kunatit në shtetin fqinj. Ai shpjegoi se prej vitit 2001 kur kishte lidhur martesë, e kishte pasur ekonominë të ndarë nga babai.
Subjekti ka deklaruar se së bashku me babanë kanë blerë një apartament me sipërfaqe 108.75 m2 në vitin 2009 në vlerën 78 mijë e 387 euro, me burime krijimi 50 mijë euro nga shitja e një apartamenti të mëparshëm dhe një kredi në shumën 3.5 milionë lekë.
Për kredinë KPK nuk ka gjetur probleme. Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se apartamenti i shitur nuk ka qenë ndonjëherë i regjistruar në emër të prindërve të subjektit apo për llogari të këtij të fundit. Po ashtu, nuk janë paguar në kohë detyrimet financiare për të ardhurat e krijuara nga shitja.
Sipas Sanxhaktarit, ky apartament nuk rrjedh nga ndonjë kontratë shitblerje e mirëfilltë. “Duket se ata kanë qenë vetëm përdorues”, pohoi relatorja dhe sqaroi se për këto rrethana nuk janë konsideruar të ardhurat nga shitja e apartamentit, prej nga ka rezultuar pamundësi e babait të subjektit për pagesën e 50 mijë eurove në vitin 2009.
Prokurori Muçaj deklaroi se ai ka pjesë takuese në këtë apartament vetëm për vlerën e kredisë. Lidhur me pagesën me vonesë të detyrimeve, ai tha se kur e kishte pyetur të atin nëse i kishte shlyer detyrimet për të ardhurat nga shitja e apartamentit, kishte mësuar se nuk ishin paguar. Ai shtoi se i ati i kishte shlyer dhe solli në vëmendje praktikën e KPA për konsiderimin e të ardhurave dhe në rastet kur shlyerja e detyrimeve tatimore ishte kryer me vonesë.
Lidhur me mosregjistrimin e apartamentit të shitur në 2008-ën, ai sqaroi se ajo pasuri ishte blerë në vitin 2001 me të ardhura kryesisht nga puna e tij si oficer policie. Subjekti shpjegoi se në atë periudhë punonte në sektorin e krimit financiar që ishte sekret dhe se merrte shpërblime për punën e kryer. Muçaj tha se të ardhurat e dokumentuara e vërtetonin mundësinë financiare për blerjen e apartamentit në vitin 2001, që sipas tij është blerë dhe shitur sipas çmimeve të referencave të Entit Kombëtar të Banesave.
Subjekti këmbënguli se kishte vërtetuar se apartamentin e kishte blerë babai në vitin 2001, pasi dhe kontratat e furnizimit me ujë dhe energji ishin në emër të tij. Megjithatë, Muçaj tha se ai apartament ishte përdorur vetëm prej tij dhe jo nga babai apo familjarët e tjerë.
Lidhur me mos regjistrimin e kësaj pasurie në emër të tij apo të babait, subjekti argumentoi se pallati kishte qenë i bllokuar, si dhe kishte kërkuar ai vetë që të mos regjistrohej pasi druhej për sigurinë e familjarëve për shkak të punës që kryente.
Muçaj tha se babai kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për gjithë investimet dhe shpenzimet e kryera. Sipas tij, babai ishte studiues në fushën e arkeologjisë dhe veç punës në shtet, kishte bashkëpunuar në disa ekspedita të huaja, prej nga ishte paguar mjaft mirë.
Komisioni nuk ka gjetur probleme për blerjen e një automjeti në vitin 2012 për çmimin 1000 euro, për një gjendje cash 450 mijë lekë, si dhe as për disa llogari bankare. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme për një apartament në Fier, të përfituar nga familja e subjektit me privatizim në vitin 1993 dhe të shitur në ’98-ën.
Babai ka rezultuar me mundësi financiare për blerjen e një apartamenti tjetër në vitin 2000 për çmimin 3.5 milionë lekë.
Komisioni konstaton se subjekti ka përdorur një automjet të motrës, të blerë prej në vitin 2015, por nuk e ka deklaruar asnjëherë përdorimin e kësaj pasurie. Po ashtu, KPK konstaton pamundësi të motrës për blerjen e mjetit.
Prokurori Muçaj vërejti se analiza financiare për motrën ishte kryer vetëm për vitin 2015. Ai tha se motra dhe babai kishin pasur kursime dhe nga vitet e mëparshme dhe kërkoi që analiza të shtrohej dhe në atë periudhë për mundësinë e kursimeve.
Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të mjetit të motrës, ai pohoi se edhe e motra kishte përdorur makinën e tij për udhëtime jashtë shtetit. Sipas tij, ajo makinë nuk plotësonte kushtet për përdorim në vitin 2017 kur ishte plotësuar deklarata “veting”. “Nuk kam pasur qëllim ta fsheh atë automjet”, theksoi Muçaj.
Muçaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Lidhur me aspektin profesional u evidentua se nga verifikimi i një denoncimi të mbërritur pak ditë më parë, dukej se subjekti nuk kishte kryer gjithë veprimet hetimore për një procedim penal të vitit 2019, të pushuar.
Subjekti deklaroi se ai ishte rikthyer në Prokurorinë e Gjirokastrës në mars të vitit 2023 dhe atëherë i ishte caktuar vijimi hetimeve për procedimin në fjalë. Muçaj tha se pasi kishte verifikuar aktet, kishte vlerësuar se procedimi duhej të pushohej, kërkim që sipas tij është gjetur i drejtë dhe nga gjykata.
Në përfundim, prokurori Arjan Muçaj kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 28 mars, në orën 09:50.
/Reporter.al/