Sfondi i zgjedhjeve në Rusi është i zymtë: Lufta kundër Ukrainës vazhdon, shtypja e pamëshirshme ndaj disidencës është bartur nga debati politik i fushatës zgjedhore në gjykatore, dhe kundërshtari kryesor i presidentit rus, Vladimir Putin, ka vdekur.
Putin, që ka qenë herë president, e herë kryeministër për pothuajse 25 vjet, pritet që të sigurojë edhe një mandat gjashtëvjeçar në zgjedhjet ashpërsisht të kontrolluara të 15-17 marsit, rezultati i të cilave, me Kremlinin që mban të gjitha levat e pushtetit në mbarë vendin, nuk vihet në dyshim.
Zgjedhjet – në të cilat Putin, 71 vjeç, po garon kundër tre kandidatëve të cilët mezi kanë bërë fushatë, po mbahen në hijen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës që tani është në vitin e tretë dhe të vdekjes së dyshimtë të politikanit opozitar, Aleksei Navalny, në një burg në Arktik më 16 shkurt.
Edhe pse rezultati është i parashikueshëm, zgjedhjet megjithatë janë të vështira për Rusinë. Kremlini po tenton që të kthejë zgjedhjet në një shfaqje të unitetit kombëtar për Putinin dhe politikave të tij kyçe: lufta në Ukrainë, shtypja brenda vendit dhe konfrontimi me Perëndimin. Opozita e shtypur e shtetit, me përfaqësuesit e saj kryesisht në burg apo në mërgim dëshiron që të ndihet prania e saj dhe të tregojë se një pjesë e rëndësishme e publikut rus kundërshton shkuarjen e vendit drejt autoritarizmit dhe militarizimit.
“Është një plebishit për Putinin dhe për më tepër një plebishit për luftën”, tha Sergei Medvedev, historian rus që ligjëron në Universitetin e Karlit në Pragë, njëherësh bashkëpunëtor i Radios Evropa e Lirë. “Putin dëshiron një miratim të fuqishëm të luftës së tij me Ukrainën, me Perëndimin, dhe në thelb një luftë botërore për të rishkruar rendin botëror”.
Analisti politik rus, Ivan Preobrazhensky, i përshkroi zgjedhjet si një “operacion të posaçëm për ta riemëruar Vladimir Putinin”, një referencë ndaj eufemizmit që përdor Kremlini për luftën kundër Ukrainës, të cilën e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.
“S’ka asnjë mënyrë që t’i quani këto zgjedhje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Dhe shumica e popullatës e kupton këtë në mënyrë të përsosur”.
Kjo duket se përfshin kandidatët e tjerë që janë në garë: Ata “as që po tentojnë të pretendojnë se vërtetë dëshirojnë të garojnë apo të fitojnë vota”, tha organizata e pavarur për monitorimin e zgjedhjeve, Golos. Kjo organizatë, që është e ndaluar në Rusi pasi ka dokumentuar raportimet për mashtrime të gjera në zgjedhjet e kaluara, e përshkroi fushatën e këtyre zgjedhjeve si “më të zbrazëtën” në periudhën post-sovjetike.
Analisti politik, njëherësh ish-hartuesi i fjalimeve të Putinit, Abbas Gallyamov, i tha Associated Press se zgjedhjet janë një proces ku “zgjedhja e shumëfishtë zëvendësohet me një të thjeshtë: jeni për apo kundër Putinit”.
Votimet në Ukrainë
Siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e tjera ruse që kur Moska mori kontrollin e rajonit ukrainas të Krimesë më 2014, Moska këtë vit do të organizojë votime edhe në pjesët e pushtuara të Ukrainës nga rusët. Ka raportime se autoritetet pushtuese po përdorin taktika të frikësimit për të detyruar njerëzit që të votojnë në këto zona dhe Kremlini ka inkurajuar qytetarët që jetojnë në pjesët e Ukrainës që Moska pretendon, por nuk i ka pushtuar, që të votojnë në mënyrë elektronike.
Ukraina ka dënuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e saj, votime që janë të paligjshme sipas konventave ndërkombëtare. Më 20 shkurt, Estonia, Letonia dhe Lituania përmes një deklarate dënuan votimet në pjesët e pushtuara të Ukrainës, duke i cilësuar si “shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar, Kartës së OKB-së dhe pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
Analistët thanë se votimet në zonat e luftës në territorin ukrainas janë mjete kyçe për Kremlinin që të falsifikojë rezultatet dhe të rrisë margjinën e fitores së Putinit.
Më nuk është viti 2018
Kritikët thonë se zgjedhjet nën Putinin kurrë nuk kanë qenë të lira, e as konkurruese. Megjithatë, shumë nga ndryshuar që nga zgjedhjet e fundit presidenciale të vitit 2018, kur politikani liberal, Grigory Yavlinsky, dhe figura televizive, Ksenia Sobchak, u lejuan të garonin dhe të bënin fushatë kundër Putinit. Navalnyt nuk i ishte lejuar të garonte për shkak të një dënimi më 2013, që ai dhe shumë të tjerë thanë se u mor vetëm për të frenuar ambiciet e tij politike. Megjithatë, ai kishte publikuar një manifest zgjedhor, kishte mbledhur nënshkrime për të treguar peshën tij politike dhe kishte komentuar zgjedhjet.
Që atëherë, megjithatë, autoritetet kanë kryer shtypje të madhe të disidencës që është përshkallëzuar shumë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022. Organizatat e Navalnyt u shpallën “ekstremiste”, duke detyruar që shumica e aktivistëve të largoheshin nga shteti apo të përballeshin me përndjekje penale.
Kur nisi pushtimi, mediat e pavarura u larguan nga shteti, duke mos dashur të punojnë në Rusi nën kushtet e censurës së kohës së luftës. Disidentët politikë gjithnjë e më shumë u etiketuan si “tradhtarë”, ashtu siç u bë e qartë kur politikani opozitar, Vladimir Kara-Murza, u dënua me 25 vjet burgim – dënimi i tij i gjatë kryesisht ka të bëjë me akuzën për tradhti – në prill të vitit 2023.
Zgjedhjet aktuale mbahen në kushte që njohësi i ekonomisë dhe politikës, Kirill Rogov, i quajti “autoritarizëm të pjekur”, karakteristika kryesore e të cilave është se “opozita ka burime të pamjaftueshme për të pasur ndonjë ndikim në rezultatet e votimit apo në zgjedhje”.
Këtë vit, dy kandidatët e mundshëm që dukej se artikulonin qëndrime vërtetë të ndryshme nga ato të Putinit – gazetarja Yekaterina Dunstova dhe ish-deputeti Boris Nadezhdin – u ndaluan që të merrnin pjesë në zgjedhje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Analistët dyshojnë se ata u ndaluan të garonin për shkak të pikëpamjeve të tyre kundër luftës, pasi që u krijua një nivel i entuziazmit në mesin e publikut rus, me njerëz që prisnin në radhë të gjata për të nënshkruan peticionin që Nadezhin të merrte pjesë në votime.
“Mund të mos pajtohem me atë që kanë deklaruar Nadezhdin apo Duntsova, por me qejf do të votoja për ta”, tha politikania opozitare në mërgim, Olga Sidelnikova.
Beteja për pjesëmarrje
Me kandidatët që u ndaluan të garonin, që paraqisnin një opozitë ndaj Putinit, dhe me luftën jashtë tablosë, Kremlini po bën gjithçka që mundet që të rritet pjesëmarrja në zgjedhje. Sikurse në zgjedhjet e kaluara, autoritetet veçmas kanë shënjestruar duke ushtruar presion ndaj votuesve të cenueshëm sikurse janë mësuesit, punëtorët e fabrikave shtetërore dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik.
“Nëse nuk dilni të votoni, ja ku e keni derën”, tha një rus i cili punon në një fabrikë në Shën Petersburg. Ai kërkoi që të mos identifikohej për shkaqe sigurie, duke cituar mesazhin e menaxherëve të kompanisë që ua dhanë gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar.
Mbikëqyrësi i tij, tha ky person, i tregoi atij një listë të punëtorëve që nuk kishin votuar në zgjedhjet kombëtare të vitit 2021: “Ata kanë një lloj lidhjeje [me zyrtarët zgjedhorë]”.
Një mësuese nga Shën Petersburgu i tha REL-it se stafi në shkollën e saj është riregjistruar në mënyrë që të mund të votonin në atë shkollë dhe jo në qendrat e votimit në lagjet ku ata jetojnë.
“Është e qartë se administrata ka thënë se duhet të votojnë sa më shumë njerëz”, tha kjo grua, e cila kërkoi që të mos i bëhej publik identiteti për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Analistët thanë se autoritetet po kërkojnë që zyrtarët lokalë dhe partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, të sigurojnë një dalje në zgjedhje prej 80 për qind të trupit votues, me synim që të forcohet legjitimiteti për procesin e kompromentuar. Me një pjesëmarrje të tillë në zgjedhje, thanë ata, autoritetet mund të përdorin kontrollin e tyre mbi komisionin zgjedhor në të gjitha nivelet dhe mungesa e monitoruesve të pavarur zgjedhorë do të prodhojë një mbështetje për Putinin me 85 për qind.
Komentet nga zyrtarët dhe sondazhet e sponsorizuara nga shteti kanë sugjeruar se Kremlini po synon për një rezultat me mbi 80 për qind të votave për Putinin, i cili, sipas rezultateve zyrtare kishte fituar 77.5 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2018. Atëbotë, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 67.5 për qind.
Duke u bërë thirrje rusëve që të votojnë gjatë një adresimi të shkurtër më 14 mars, Putin tha se “ne duhet të afirmojmë unitetin tonë dhe vendosmërinë tonë për të ecur përpara”. Ai tha se rusët janë “një familje e madhe”.
Me një opozitë që është e rrethuar me pengesa të shumta, detyra e saj është që të tregojë se mund të nxisë dyshim në pretendimet e Kremlinit se populli rus është i bashkuar në mbështetjen e tij për Putinin, për luftën e agresionit kundër Ukrainës dhe për konfrontimin me Perëndimin.
‘Mesdita pa Putinin’
Demonstrimi i mbështetjes për Nadezhdinin dhe Duntsovan nuk ishin vetëm tregues të mospajtimit me Putinin dhe politikave të tij në Rusi. Mijëra njerëz të guximshëm, që nuk iu frikësuan pranisë policore, bënë homazhe për Navalnyn gjatë funeralit të tij në Moskë më 1 mars. Familjarët e ushtarëve të mobilizuar për muaj të tërë vazhdimisht mbajnë protesta, duke shprehur zemërimin lidhur me trajtimin e më të dashurve të tyre që gjenden në front. Mijëra njerëz në rajonin e Bashkortostanit protestuan në janar për të mbështetur një aktivist njohur lokal i cili u dënua, një valë protestash që sipas analistit Gallyamov u nxitën nga “ankesat e akumuluara dhe perceptimi se regjimi po dobësohet”.
Të inkurajuar nga zhvillime të tilla, udhëheqësit opozitarë po provojnë një taktikë zgjedhore të quajtur “Mesdita pa Putinin”. Kjo ide, thanë ata, është që të gjithë ata që e kundërshtojnë Putinin të dalin para qendrave të votimit fiks në orën 12:00 më 17 mars, për të treguar fuqi masive dhe krejtësisht të ligjshme.
“Protesta e mesditës i jep kujtdo shansin për të shprehur veten si të duan në përputhje me zemërimin e tyre apo refuzimin e regjimit”, tha ligjvënësi nga Shën Petersburgu, Maksim Reznik, i cili shpiku këtë ide.
“Më e rëndësishmja është bashkimi në kohë dhe në vend… Sigurisht, sot kjo nuk ka të bëjë vetëm me këto zgjedhje. Ka të bëjë me përshtypjet”.
Sapo votuesit të shkojnë në qendrat e votimit, tha Reznik, ata mund të bëjnë çfarë të duan: të mos votojnë, të prishin votën e tyre, të votojnë për njërin nga tre kandidatët e tjerë: Nikolai Kharitonov, Leonid Slutsky dhe Vladislav Davankov.
Navalny kishte mbështetur idenë e “Mesditës pa Putinin” në një prej postimeve të tij të fundit në rrjetet sociale para se të vdiste, kur kishte shkruar se “mund të jetë një demonstrim i fuqishëm i gjendjes së shtetit”.
“Do të jetë një akt proteste në mbarë Rusinë kudër Putinit që po ndodh pikërisht afër shtëpisë suaj”, shkroi ai. “Të gjithë, kudo mund të marrin pjesë. Miliona njerëz mund të marrin pjesë dhe dhjetëra miliona mund t’i shohin ata”.
Shumica e opozitës, megjithatë, ka dyshime për dobinë e gjesteve të tilla simbolike, duke argumentuar se Kremlini me lehtësi mund të paraqesë radhët e gjata para qendrave të votimit si shenjë të mbështetjes për Putinin.
Dita pas zgjedhjeve
“Çfarë vërtetë ka rëndësi është se çfarë do të ndodhë një ditë pas zgjedhjeve, më 18 mars”, shkroi në Facebook aktivisti Aleksei Manannikov, ish-anëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus.
“Këta njerëz a do të vazhdojnë si zakonisht duke montuar tanke dhe dronë, të transportojnë pajisje ushtarake për në front. A do vazhdojnë të krijojnë armë të reja dhe të paguajnë taksa juntës çekiste, në mënyrë që lufta të vazhdojë”, shkroi ai, duke përdorur termin historik për policinë sekrete, për të treguar mbizotërimin e zyrtarëve të sigurisë në rrethin e Putinit. “Apo do të qëndrojnë në shtëpi? Apo do të dalin të protestojnë kundër luftës?”.
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Aleksandr Podrabinek, në një ese për Shërbimin rus të REL-it tha se protesta e mesditës pa Putinin, “është një dhuratë e çmuar për propagandën e Kremlinit” dhe se rezultati i vetëm i kësaj proteste është se do të lejojë njerëzit që të tregojnë se “nuk kam bërë asgjë kur shteti po shkatërrohej”.
Përderisa për rezultatin e zgjedhjeve nuk ka dyshime, ajo se çfarë do të vijë më pas është më pak e qartë.
Gjatë adresimit drejtuar kombit më 29 shkurt, Putin gjerësisht injoroi luftën dhe shpalosi një vizion të shtrenjtë për zgjerimin e programeve sociale, për zhvillimin e infrastrukturës dhe për rritjen ekonomike.
Kritikët, megjithatë, thanë se vizioni i tij nuk është real, duke pasur parasysh presionin që vjen nga lufta që vazhdon dhe përplasja me Perëndimin. Ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë në mandatin e ri gjashtëvjeçar të Putinit, thanë ata, është përshpejtimi i militarizimit të shoqërisë, përfshirë edhe mundësinë e thirrjeve për t’iu bashkuar ushtrisë, diçka që Putini ka qenë i kujdesshëm që ta bëjë, pas mobilizimit “të pjesshëm” jopopullor që ai shpalli përmes një dekreti në shtator të vitit 2022. Kritikët po ashtu presin në mandatin e ri të Putinit që të rriten taksat. Për më tepër, ka tregues se Qeveria po përgatitet për kufizime të reja në qasjen në internet dhe hapa të tjerë që do t’i izolonin edhe më shumë rusët nga Perëndimi.
Sipas sondazhit të grupit hulumtues Khroniki, pothuajse dy e pesta e rusëve presin që të ketë një mobilizim të ri ushtarak gjatë mandatit të ardhshëm të Putinit dhe gati tre të katërtat e të anketuarve presin që të ketë rritje të shpenzimeve ushtarake. Vetëm 28 për qind kanë parashikuar rivendosjen e raporteve me Perëndimin. I njëjti studim, duke përdorur pyetje indirekte në një përpjekje për të anashkaluar hezitimin e publikut për të diskutuar lirshëm për luftën, gjeti se 17 për qind e rusëve janë “mbështetës të luftës” ndërkaq 19 u deklaruan si “kundërshtarë” të luftës. Pjesa tjetër e të anketuarve u shprehën se kanë pikëpamje të paqarta./REL