50 milionë lekë të vjetra i detyrohet shtetit ish-Drejtori i ALUIZNI, Mariel Murati, i shpallur në kërkim prej 48 orësh me urdhër të Prokurorisë së Sarandës për ndërtimin e paligjshëm të një hoteli 7-katësh.
Siç zbulohet nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i dërguar në 31 korrik 2023 në ASHK Sarandë, Mariel Murati, në vitin 2019 është pajisur me një tjetër leje legalizimi. Bëhet fjalë për lejen me nr. 1042561 datë 21.02.2019 për “Shtesë anësore 4 kate dhe në lartësi 1 kat me funksion social-ekonomik” dhe i pajisur me certifikatë pronësie për pasurinë nr. 26/385 regjistruar në vol.23, faqe 174 me sipërfaqe 188 m2 “ND” dhe sipërfaqe të parcelës ndërtimore 470 m2 në emër të tij.
Atij nuk i është përllogaritur vlera e truallit, sipërfaqja e parcelës ndërtimore prej 470 m2 bazuar në VKM e miratuar sipas zonës kadastrale, duke shkaktuar të ardhura të munguara në shumën prej 5.065.190 lekë. Nuk dihet për cilin objekt dhe truall bëhet fjalë, por KLSH i ka rekomanduar ASHK Sarandë që të njoftojë poseduesin Mariel Murati që të kryejë këtë pagesë dhe deri sa të ndodhë kjo gjë, në kartelën e pasurisë së tij të vendoset “Kufizim i përkohshëm”.
Të shtunën masat e sigurisë
Nga ana tjetër prokuroria e Sarandës mësohet se ka caktuar ditën e shtunë si ditën kur do të paraqiten para Gjykatës se Sarandës për vlerësim të masës së sigurisë 6 zyrtarët e arrestuar dhe 2 zyrtaret femra që janë lënë të lira deri në njohjen me masën e sigurisë.
/Boldnews.al/