Gjykata e Apelit ka liruar nga burgu këtë të mërkurë ish-Drejtorin e ASHK Sarandë, Mariel Murati, i akuzuar për “Falsifikim dokumentash” dhe “Ndërtim pa leje”.
Murati qëndroi për 26 ditë nën arrest, prej ditës kur u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë caktoi më 31 Mars, masën e sigurisë “Arrest në burg”, por ka qenë gjyqtari Genti Shala ai që ka ndryshuar sot vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke vendosur lirimin në sallë të gjyqit për Muratin.
Mariel Murati akuzohet nga Prokuroria e Sarandës se ka ndërtuar pa leje një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës dhe më pas e ka legalizuar atë. Pasi legalizimi u kap me shkelje nga KLSH dhe ju vendos masë kufizimi, dyshohet se Murati ka paraqitur në ASHK një akt ekspertimi të falsifikuar.
Ndërkohë po ditën e sotme është shqyrtuar masa e sigurisë edhe për 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT.
Dy prej tyre janë lënë në masë “arrest në shtëpi”, 3 në masë “detyrim paraqitje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, 4 në masë “detyrim paraqitje” dhe 1 vijon të jetë ende në kërkim.
Më konkretisht është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Sarandës për masat e sigurisë:
– “Arrest në shtëpi” për zyrtarët e ASHK, Erald Lika dhe Ermen Stroka.
-“Detyrim paraqitje” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e ASHK dhe IKMT, Andri Dhima, Ina Papa, Denis Balili e Manushaqe Saliko .
-“Detyrim paraqitje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e IMT të Bashkisë Sarandë, Viktor Qesari, Tonin Simoni e Oltion Durmishi.
Ndërkohë në kërkim vijon të jetë ish-Drejtoresha e ASHK Sarandë, Kozeta Statha.
Zyrtarët e mësipërm akuzohen për “shpërdorim detyre” pasi kanë lejuar të ndërtohet dhe më pas kanë legalizuar hotelin 7 katësh në pronësi të Mariel Muratit.
LEXO EDHE:
Dosja/ Falsifikimet dhe legalizimi i paligjshëm i hotelit 7-katësh në Sarandë