Prokurorja e Elbasanit, Pranvera Stafa Selita nuk u paraqit në seanën e dytë dëgjimore të mërkurën më 6 mars, por ajo u përfaqësua nga mbrojtësi i zgjedhur prej saj, avokati Fatmir Lushi.
Gjatë seancës së të mërkurës që zgjati për afro katër orë, Komisioni konstatoi pamundësi financiare të subjektit dhe familjarëve të saj për krijimin e disa depozitave, si dhe disa barra prove në kriterin profesional, për të cilat avokati Lushi pretendoi se i kishin përmbysur gjetjet. Për pastërtinë e figurës, Stafa mori vlerësim pozitiv.
Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokuroren Stafa po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësnë e vëzhguesit ndërkombëtar, ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Pranvera Stafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989. Ajo punon prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Elbasanit.
Barrat e provës për pasurinë
KPK nuk ka gjetur probleme për një apartament të përfituar nëpërmjet privatizimit nga familja e origjinës së subjektit, pasuri në të cilën kjo e fundit zotëron ¼-ën pjesë takuese. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme as për apartamentin e fituar po me privatizim nga familja e bashkëshortit, banesë në të cilën jetojnë.
Ndërkohë, Komisioni konstaton pamundësi të subjektit për të krijuar me burime të ligjshme një pjesë të një depozite bankare ne emër të saj të hapur në vitin 2006 me shumën 5246 euro, që në vitin 2017 ka arritur në vlerën 8259 euro. Si burime të kësaj pasurie, Stafa ka deklaruar kursime familjare dhe interesat e vetë depozitës të marra ndër vite. Gjatë hetimit administrativ ka renditur të ardhurat konkrete që kanë shërbyer si burime: kursimet nga puna e bashkëshortit në vitet 1984 – 1993 si mësues e drejtor shkolle; nga puna në emigrim në vitet 1993-1995 në Turqi; nga aktiviteti privat i bashkëshortit në fushën e tregëtimit me shumicë e pakicë gjatë periudhës 1995-2001; të ardhurat nga puna e saj si prokurore dhe e bashkëshortit si mësues; si dhe pension invaliditeti dhe kudjestarie për djalin në vitet 1999-2004.
Relatorja Bekteshi sqaroi se verifikimi burimeve ka filluar prej vitit 2004, kur është zanafilla e krijimit. KPK vëren se subjekti ka shpjeguar se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të vërtetuar me dokumentacion ligjor të ardhurat nga emigracioni dhe aktiviteti privat, për shkak të kohës së largët. Ndërkohë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit ka qenë i regjistruar si person juridik me vendim gjykate të vitit 1997, por ky mbetet i vetmi dokument i administruar, pasi dhe Dretjoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka konfirmuar të dhëna për të ardhura të përfituara nga ky aktivitet.
Nisur dhe nga fakti se subjekti nuk ka shënuar kursime cash në deklaratën e parë të vitit 2003, KPK e ka kryer analizën për vitin 2004 duke mos konsideruar të ardhurat e viteve të mëparshme. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit ka investuar dhe në dy depozita të tjera në vlerat 10 mijë dollarë dhe 700 mijë lekë. Nga analiza financiare për këtë periudhë, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 347 mijë lekë për të celur depozitën 6 mijë euro dhe rreth 1.7 milionë lekë për shtesat, depozitat e tjera dhe përballimin e shpenzimeve familjare.
Ndërkohë, subjekti ka rezultuar se subjekti ka pasur mundësi për krijimin e kursimeve cash 750 mijë lekë në 2016-ën, me burime kursimet familjare dhe të ardhurat e krijuara nga shitja e një automjeti.
Megjithatë, është konstatuar pamundësi për blerjen e këtij mjeti në vitin 2007 për 7700 euro. Si të ardhura në atë vit, bashkëshorti subjektit ka deklaruar edhe 400 mijë lekë të përfituara nga lojërat e fatit. Pasi këto të ardhura nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor, si dhe as pagimi tatimit, KPK nuk i ka konsideruar në analizën e blerjes së makinës, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 480 mijë lekë.
KPK nuk ka gjetur probleme për dy depozita dyemërore, në emër të bashkëshortit të subjektit, dhe të dy fëmijëve, vajzës dhe djalit.
Për një depozitë në vlerën 2 milionë lekë të çelur në emër të bashkëshortit në vitin 2015, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 327 mijë lekë. Subjekti ka shpjeguar historikun e kësaj depozite të hapur fillimisht në vitin 2005 dhe me shtesa të mëvonshme nga intresat bankare. Si burim të depozitës fillestare të vitit 2005, janë deklaruar të ardhurat nga puna dhe pensioni invaliditetit të djalit.
Në vijim, Bekteshi konstatoi se subjekti duket se nuk ka pasur mundësi për krijimin e një depozite 9 mijë euro në vitin 2010 dhe se nuk ka deklaruar atëherë burimet e krijimit. Sipas Bekteshit, Stafa ka shpjeguar se për krijimin e kësaj depozite kanë shërbyer dhe 6000 euro kursime të prindërve të bashkëshortit, shumë që i’ua kanë kthyer më pas. Por, sipas KPK, nuk është arritur të provohet mundësia e prindërve të bashkëshortit për krijimin e kësaj shume, pasi pensionet e tyre ishin të pamjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të jetesës.
Sipas Komisionit, nga analiza financiare paraprake e përgjithshme e kryer për periudhën 2003-2016, është konstatuar bilanc negativ në vlerën rreth 2.7 milionë lekë, ndërsa pamundësia financiare në datat dhe periudhat e investimeve, të marra të gjitha së bashku kapin vlerën rreth 3.8 milionë lekë.
Avokati Fatmir Lushi solli në vëmendje të Komisionit se me shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti është arritur të përmbysen barrat e provës në të dy kriteret e rivlerësimit ku janë gjetur probleme. Lidhur me pasurinë, ai vërejti se subjekti dhe bashkëshorti i saj nuk kanë krijuar asnjë pasuri të paluajtshme dhe se jetojnë ende në apartamentin me sipërfaqe 65 m2, e fituar me privatizim nga familja e origjinës së bashkëshortit.
“Duket sikur nuk kanë krijuar të ardhura e nuk kanë kusyer para vitit 2003”, i’u referua Lushi analizës së Komisionit, që nuk ka konsideruar kursime të krijuara deri në vitin 2003, pasi nuk është deklaruar gjendje cash e mbartur nga ajo periudhë.
Ai shpjegoi se depozitat janë çelur si pasojë e probleme që kanë ardhur për trajtimin e fëmijës së sëmurë derisa ai ishte në jetë. Sipas Lushit, subjekti dhe bashkëshorti ishin duke kërkuar mundësi për ta kuruar djalin jashtë shtetit dhe se nevojiteshin depozita për të marrë vizë.
Në vijim, Lushi pohoi se vetëm të ardhurat e subjektit për periudhën para vitit 2003 ishin në shumën afro 5 milionë lekë dhe se po të ndahej përgjysmë kjo vlerë, atëherë mbulohej bilanci negativ i konstatuar nga KPK.
Ai pranoi se Stafa kishte qenë e paqartë për mënyrën e deklarimit në vitin 2003 dhe prandaj nuk kishte shënuar kursime cash të krijuar për periudhën e mëparshme. Lushi pretendoi se nëse do të konsidrohej mundësia e kursimit para vitit 2003 më burimet e ligjshme të provuara, atëherë do të rezultonte se kishte pasur mundësi për krijimin e depozitës në vitin 2004 e për depozitat në vijim.
Avokati Lushi këmbënguli se kjo pasaktësi nuk mund të sillte penalizim dhe solli në vëmendje të Komisionit vendime të KPK dhe KPA për subjekte të tjerë rivlerësimi që kishin deklaruar moskuptimin drejtë të mënyrës së deklarimit fillestar të pasurisë.
Për të ardhurat nga aktiviteti privat, Lushi tha se subjekti gjendej në pamundësi objektive për të siguruar dokumentacion provues. Megjithatë, ai u shpreh se balanca negative mbulohej edhe pa përfshirë në analizë këto të ardhura.
Lidhur me shumën 6000 euro të marrë nga bahskëshorti prej prindërve të tij për çeljen e një depozite në 2010-ën, Lushi shpjegoi se ato para ishin marrë vetëm për përdorim për dy muaj. Ai kundërshtoi konstatimin për pamundësi të prindërve të bashkëshortit të subjektit për krijimin e kësaj shume, duke argumentuar se kishin jetuar së bashku për një periudhë kohe duke pasur ekonomi të përbashkët. Sipas Lushit, motra e bashkëshortit ishte divorcuar dhe ishte kthyer të jetonte me prindërit. Ai pohoi se kunata e subjektit kishte krijuar të ardhura të konsiderueshme në emigracion, ndërkohë që dhe në Shqipëri punonte si mësuese, e për rrjedhojë kishin pasur mundësi për kursimin e kësaj shume.
Lushi kundërshtoi pamundësinë e konstatuar për blerjen e automjetit në vitin 2007. Sipas tij, subjekti kishte reth 600 mijë lekë kursime në fund të vitit 2006, që i kishte përdorur në 2007-ën për blerjen e makinës. Megjithëse i cilësoi si të ligjshme të ardhurat e fituara nga bashkëshorti subjektit në lojërat e fatit, Lushi argumentoi se edhe pa këtë vlerë, rezultonte bilanc pozitiv për blerjen e makinës. Ai kërkoi që të konsiderohet në vitin 2007, shuma 600 mijë lekë që përfaqësonte gjendjen e cash-it në fund të 2006-ës.
Pikëpyetje mbi profesionalizmin
Në aspektin profesional u evidentuan ndër të tjera dy gjetje të vëzguesit ndërkombëtar lidhur me kërkimet e prokurores Stafa për caktimin e masës së sigurimit perosnal “arrest në burg” në një rast për një person të proceduar për vjedhjen e dy gërshërëve dhe një tjetër invalid, i papunë dhe më fëmijë të mitur, për vjedhje të energjisë elektrike.
Vëzhguesi ndërkombëtar ka parashtruar se masa e sigurimit “arrest në burg” në këtë rast duhej të vlerësohej në raport me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohen se masat e sigurimit duhet të vendosen vetëm kur plotësohen kriteret ligjore, se duhet të jetë gjithmonë të përshtatshme dhe në proporcion me rëndësinë e veprës penale, si dhe me jurisprudencen e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas Jacobs, rethanat e vjedhjes së energjisë elektrike, që nuk konsiderohet vepër aq e rëndë, ku i dyshuari e ka pranuar fajin menjëherë, si fakti se ai rezultonte i martuar dhe me dy fëmijë të vegjël, janë rrethana që nuk krijonin premisë për ndonjë rezikshmëri të veçantë apo arratisje të mundshme, për pengim të hetimeve apo përsëritje të veprës penale.
Vëzhguesi ndërkombëtar ka ngritur dyshime në lidhje me aftësinë e subjektit për të interpretuar dhe zbatuar saktë ligjit dhe për të kryer hetime duke respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
Për çështjen tjetër, lidhur me masën e sigurisë të kërkuar për vjedhjen e dy gërshërëve, ONM ka kërkuar rhapjen e hetimit që është pranuar nga Komisioni. Bekteshi relatoi se çështja në kishte të bënte me vjedhjen e dy palë gërshërëve me vlerë minimale monetare e cila nuk është vepër e një rëndësie të jashtëzakonshme, për të cilën subjekti ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për të proceduarin. Po ashtu, është konstatuar se nuk jane përmbushur dhe mbrojtur plotësisht të drejtat procedurale të të ndaluarit, pasi duket se ka miratuar veprimet arbitrare të oficerit të policisë gjyqqësore, si dhe nuk është kryer hetim i plotë. Po ashtu është konstatuar vonesë në lejimin e avokatit të zgjedhur nga familjarët e të proceduarit që të paraqitej të takonte klientin e tij.
Lidhur me të arrestuarin për vjedhje të energjisë elektrike, Lushi shpjegoi se rëndësia e kësaj vepre penale evidentohet nga statistikat dhe për atë situatë. Ai argumentoi se vjedhja e energjisë elektrike ishte kthyer në një fenoment që ishte problem për sigurinë dhe rendin, pasi rrezikonte kolaps në fushën e energjisë elektrike. Për këtë arsye, sipas tij u vlerësua që të përcaktohej si një vepër penale nga ligjvënësi. “Nëse do të shkonte në gjykatë me masë tjetër, do të binte ndesh me ligjin”, pohoi Lushi ndër të tjera.
Lushi këmbënguli se subjekti kishte siguruar mbrojtjen e të drejtave të të gjithë të hetuarve prej saj. Ai theksoi se të dy të proceduarit në këto dy çështje kishi nënshkruar kartën e njohjes me të drejtat e personit nën hetim. Avokati shtoi se personi i proceduar për vjedhjen e gërshërve ishte pyetur në prani të avokatit të caktuar kryesisht. Në vijim solli në vëmendje se autori ishte përsëritës. “Gjyqtarët kanë qenë më të ashpër në rastet e vjedhjes së pasqyrave të makinave”, pohoi Lushi dhe shtoi se nuk ka pasur pengesë për avokatin e zgjedhur nga familjarët e të hetuarit.
Jacobs tha se ndihej i surprizuar me qëndrimin e subjektit për kërkimin e caktimit të masave të sigurimit personal më të rënda për këta dy të hetuar. “Vjedhja e dy gërshërëve nuk është e barabartë me vjedhjen e një Lamburgini”, pohoi Jacobs dhe shtoi se personi tjetër invalid, kishte bërë diçka të paligjshme pasi nuk kishte para për të ushqyer fëmijët. “Ti vendosësh në burg, kjo nuk i shërben askujt. Ajo që shikoj tek prokurët shqiptarë është se janë të ashpër ndaj personave të dobët që janë në kushtet e mbijetesës, kurse të fortët janë të paprekshëm”, vërejti Jacobs ndër të tjera.
Avokati Lushi tha se prokurori nuk mund të dilte mbi ligjin, por duhej ta zbatonte atë. “Nuk mund të justifikonte bukën e fëmijës me këtë gjë”, pohoi Lushi ndërsa për rastin tjetër tha se nuk mund të tolerohej një person që kryente veprën penale në mënyrë të hapur, para kamerave, pasi duket me rrezikshmëri.
Lushi kundërshtoi edhe barrat e tjera të provës në kriterin profesional për moskrerje hetimesh në çështje për të cilat ka vendosur mosfillim ose pushim.
Në përfundim ai kërkoi kualifikimin në detyrë të prokurores Pranvera Stafa Selita. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 8 mars, në orën 09:50.
/Reporter.al/