Dy dekada më parë, vendi ishte shumë më i varfër por shumë më optimist. Ekonomia shqiptare për frymë ishte në atë kohë sa 18% e mesatares së BE-së. E megjithatë, llogaritë e thjeshta ekonomike sugjeronin se në tre dekada, falë kushteve gjeografike e demografike, Shqipëria do të mund të arrinte nivelin mesatar të BE-së. Dy dekada më pas, llogaritë e BERZH tregojnë se do të duhen edhe 70 vjet të tjera. Çfarë shkoi keq?
Nga Gjergj Erebara
Në vitin 2000, kur ne të gjithë ishim 24 vjet më të rinj, Shqipëria kishte një ekonomi të mjerë. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se prodhimi i brendshëm për frymë i Shqipërisë në atë kohë, ishte vetëm 18% e mesatares së Bashkimit Evropian. Me një fjalë, nëse një evropian fitonte 10 euro, një shqiptar fitonte 1.8 euro.
Megjithatë, në atë kohë kishte shpresë për optimizëm. Shqipëria ishte një vend me popullsi të re dhe energjike. Gjeografikisht gjendet në mes të një oqeani me mirëqenie dhe politikisht, duke qenë pranë BE-së dhe kandidat për anëtarësim në BE, logjika ta donte se të gjithë përbërësit për rritje ekonomike të fortë dhe të shëndetëshme ishin aty.
Të qenit i varfër, siç ishte Shqipëria në atë kohë, bart diçka që quhet “avantazhi i prapambetjes”. Ndërsa një vend i pasur mund të shpresojë që të rrisë ekonominë e vet me 2 apo 3 për qind në vit, një vend i varfër mund të rritet pa ndonjë problem të madh me 6 apo 7 për qind në vit. Dhe nëse rritesh me 7 për qind në vit, ekonomia e vendit dyfishohet çdo dhjetë vjet. Me pak fjalë, 1.8 euroshi i shqiptarit të vitit 2000 do të ishte bërë 3.6 në vitin 2010, 7.2 në vitin 2020 dhe 14.4 në vitin 2030. Ndërsa 10 euroshi i evropianit, duke qenë se do të rritej me 2% në vit, në vitin 2030 do të ishte bërë rreth 18 euro.
Problemi qëndron te një tregues i quajtur rritja mesatare afatgjatë. Në rastin e Shqipërisë, që nga viti 2000 deri në vitin 2024, rritja ekonomike afatgjatë nuk ka qenë 7 për qind në vit, nuk ka qenë 6, nuk ka qenë as 5 për qind në vit. Të dhënat e FMN-së tregojnë se rritja ka qenë mesatarisht 4.2%.
Kjo gjithsesi është rritje e konsiderueshme, në rast se do të ishte e shëndetshme dhe e qëndrueshme. Me një ritëm rritjeje prej 4.2%, një ekonomi dyfishohet çdo 18 vjet. Problemi është se rritja mesatare prej 4.2% i përket periudhës 2000-2010. Pas kësaj periudhe, rritja është ngadalësuar. Në dekadën 2000-2010, rritja ishte mesatarisht 6 për qind ndërsa në periudhën nga viti 2010 deri më 2024, rritja mesatare ishte 2.9 për qind. Parashikimi i FMN-së për vitet në vijim flet për një rritje ekonomike më pak se sa 4 për qind. Me një ritëm të tillë të ngadaltë, arritja e mesatares së BE-së bëhet arithmetikisht më e largët. Dhe përveçse më e largët, bëhet edhe më e pasigurtë.
Përveç rritjes shumë më të ngadaltë nga sa mund të ishte, Shqipëria përgjatë këtyre viteve të fundit duket se ka humbur edhe fuqinë njerëzore, e cila është parakusht për rritjen ekonomike. Ndërsa emigrimi gërryen nga të rinjtë dhe lë pas mesoburra dhe mesogra dhe pensionistë, mundësia për të rritur ekonominë, pakësohet.
E megjithatë, vendi mbetet i njëjtë. Shqipëria është një nga vendet më të varfra të njërit prej kontinenteve më të pasura të globit. Shqipëria i ka mundësitë, së paku në rrafshin teorik, për të përjetuar rritje ekonomike të fortë, të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Përgjigjja më e thjeshtë se pse rritja ekonomike është e ngadaltë ka të bëjë me keqalokimin e burimeve. Logjikisht, tregu vetërregullohet dhe burimet ekonomike në dispozicion, vetvetiu alokohen aty ku ka më shumë leverdi. FMN përdor për këtë situatë termin “rritje ekonomike në potencial”.
Burimet ekonomike ndahen në kategoritë: Puna, toka, kapitali dhe menaxhmenti. Pengesat politike janë ato që bëjnë që këto burime ekonomike të mos përdoren aty ku ka më shumë efikasitet dhe leverdi, por të çohen dëm. Fjala vjen, paratë që duhet të investohen në infrastrukturë, në vend që të përmirësojnë kushtet e jetesës dhe shpejtësinë e qarkullimit në ekonomi, vidhen dhe përdoren për ndërtimin e vilave për vjedhësit. Ose, në vend që paratë të paguhen për punëtorët që prodhojnë vlerë të shtuar, mblidhen në formë taksash dhe përdoren për të mbajtur në punë administrata të tejfryra, produktiviteti i ulët i të cilave pengon rritjen ekonomike. Ose akoma më tutje, paratë që duhet të përdoren për konsum mallrash apo shërbimesh të prodhuara nga kompani me rendiment, përfundojnë në xhepat e pronarëve të monopoleve, ligjore apo faktike, të cilat nuk kanë eficiencë dhe rrjedhimisht, pengojnë rritjen ekonomike.
Shiko për shembull, tregun e sigurimeve. Një monopol ligjor i mban çmimet të ngurta dhe strukturën e tregut jokonkurruese. Në një vit normal, shqiptarët paguajnë 220 milionë euro prime për të përfituar 70 milionë euro kompensime, pra kostoja e funksionimit të kompanive të sigurimit është 70% dhe kostoja e shërbimit të ofruar është vetëm 30%. Ose bankat, të cilat, në vend që të punojnë në ekonominë reale, vegjetojnë me komisione të larta të siguruara nga kufizimet horizontale në konkurrencë. E nëse sheh më nga afër segmente të tjera të ekonomisë, do të vëresh shenja kufizimi konkurrence thuajse çdokund. Te tregu i ndërtimit, kostoja e ndërtimit vijon të jetë as 300 euro, ndërsa çmimet kanë vajtur katër apo pesë herë më të larta. Apo në tregun e prokurimeve publike, apo në tregun e telekomunikacionit apo në atë të imputeve bujqësore.
Zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve lidhet me sistemin politik. Nëse korrupsioni nuk luftohet, por përkundrazi, bëhet faktor kyç në suksesin politik, rritja ekonomike do të jetë e ngadaltë dhe arritja e mirëqenies evropiane do të mbetet ëndërr. Dhe nëse korrupsioni është faktor kyç për sukses politik, nuk ka se si të ketë investime efikase, administratë publike funksionale apo tregje me konkurrencë të hapur. Dhe në këto kushte, 70 vitet e llogaritura nga BERZH, vështirë se do të mjaftojnë për të arritur mesataren e BE-së, sepse korrupsioni gërryen mbi ekonominë ekzistuese, deri në atë pikë sa rritja, edhe ajo e vogla prej 2 apo 3 për qind në vit, bëhet e pamundur.
/BIRN