Keqpërdorimi i Fostoksinës, një pesticid që blihet lirisht pa recetë pavarësisht rregullave ligjore ka çuar në rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Vetëm në dy muajt e parë të vitit, janë raportuar shtatë përpjekje vetëvrasjeje me përdorimin e Fostoksinës, ku vetëm dy të mitur kanë mbijetuar. Qasja e lehtë në këtë substancë vdekjeprurëse, pavarësisht kufizimeve ligjore, nënvizon një çështje serioze të shëndetit publik. Profesionistë nga fusha të ndryshme, përfshirë mjekësinë, toksikologjinë dhe psikologjinë, theksojnë nevojën urgjente për kontroll më të rreptë dhe ndërgjegjësimin publik për të luftuar këtë tendencë. Rritja e numrit të vetëvrasjeve lidhet me indiferentizmin shoqëror dhe humbjen e besimit te institucionet. Është koha për të hapur debatin për ndalimin e Fostoksinës në Shqipëri?
Shtatë raste të tentativës për vetëvrasjes me anë të vetëhelmimit me Fostoksinë janë regjistruar në të gjithë vendin vetëm për dy muajt e parë të këtij viti.
Nga të 7 rastet e publikuara në media dhe të raportuara nga Policia, vetëm dy të mitur, një 15-vjeçare nga Fieri dhe 17-vjeçar nga Elbasani kanë mundur të marrin në kohë ndihmën e mjekëve dhe t’i mbijetojnë vetëhelmimit. Pesë personat e tjerë që i dhanë fund jetës, katër prej të cilave janë gra, përdorën Fostoksinën për t’i dhënë fund jetës (një 61-vjeçar dhe një 18-vjeçare nga Lushnja, ndërkohë që personat e tjerë që ndërruan jetë ishin nga Dimali (45 vjeç), Durrësi (41 vjeç) dhe Berati (45 vjeç)).
Tritan Shehu, dikur me profesionin e mjekut dhe ish-Kryetar i Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë thotë për “Sinjalizo” se në Shqipëri është krijuar një lidhje psikologjike midis Fostoksinës dhe personave që kanë ndërmend të ndërmarrin aktin e vetëflijimit. Ky medikament bujqësor është kthyer në nxitës dhe në “zgjidhjen” e këtyre personave për t’i dhënë fund jetës.
Nëse ata që kanë vendosur t’i japin fund jetës me anë të vetëhelmimit nuk i nënshtrohen kujdesit të mjekëve në orën e parë pasi kanë kosumuar fostoksinën, stomaku i tyre arrinë të përthithë të gjithë toksinën dhe lufta për të mbijetuar është e humbur, thotë Shehu.
Numri i vetëvrasjeve dhe tentativave për t’i dhënë fund jetës në Shqipëri ka njohur ndryshim nga viti në vit. Policia e Shtetit me anë të një përgjigjeje zyrtare për “Sinjalizo” tregon se në vitin e kaluar, 2023, në të gjithë vendin kanë kryer vetëvrasje 96 persona me anë të konsumimit të Fostoksinës, hedhjes nga lartësia e pallateve, mbytjes me litar, mbytjes në lumë dhe me anë të përdorimit të armës. Gjithashtu, kanë mbetur në tentativë 70 raste.
Sa e lehtë është të gjendet fostoksina në Shqipëri?
Ligji shqiptar “Për mbrojtjen e bimëve” përcakton fostoksinën si një ‘bar’ shumë helmues dhe me rrezikshmëri të lartë, tregtimi i të cilit nuk mund të kryhet nëse blerësi nuk është i pajisur me recetë nga specialisti agronom. Pavarësisht këtyre përcaktimeve në ligj, ky helm i rrezikshëm për jetën e çdokujt mund të blihet lirisht pranë farmacive bujqësore nga kushdo pa patur nevojë për recetë nga agronomi.
Met Salliu, një fermer në fushën e Myzeqesë, (Golem, Lushnje) thotë për “Sinjalizo” se sasinë e nevojshme të këtij helmi që i nevojitet për produktet bujqësore të mbjellura e merr prej tregtarëve që njeh dhe nuk i nevojitet as vërtetimi se është fermer, dhe as receta e agronom.
“Kur shkojmë në farmaci bujqësore na kërkojnë kartën e identitetit dhe na pyesin se çfarë pune bëjmë”,- thotë Salliu duke shtuar se një kg i këtij helmi bujqësor të importuar kushton 4000 mijë lekë të vjetra. Ky helm përdoret kryesisht për trajtimin e grurit, fasuleve dhe për të ruajtur drithrat.
Në një studim të realizuar nga mjeku toksikolog Zihni Sinaj dhe kolegët e tij, tregohet se si gjatë periudhës 2013-2019 mjekët u përballën me 140 humbje jete të të miturve dhe të personave në moshë madhore për shkak të fostoksinës, të blerë në farmacitë bujqësore.
Miga Mataragu, mjeke toksikologe thotë për “Sinjalizo” se Fostoksina mbetet ende lehtësisht e aksesueshme në vend.
“Problemi është që gjendet lehtësisht kudo dhe mund të blihet nga kushdo”,- thotë Mataraku, ndërkohë që për Tritan Shehu është e menjëhershme nevoja e heqjes së këtij helmi nga fermakopea shqiptare dhe zëvendësimi i tij me pesticide të tjera më pak toksike. Ai thotë për “Sinjalizo” se prej vitesh ka ngritur zërin në Parlament për ndalimin e qarkullimit të këtij helmi, por thirrjet kanë rënë në vesh të shurdhët duke u përballur me indiferentizmin e politikës ndaj jetës së njerëzve.
“Është e detyrueshme që dhe ne te ndjekim atë që po bëjnë vende të tjera që e kanë hequr nga përdorimi bujqësor. Nga ana tjetër, problemi qëndron se fostoksinen e gjen në rrugë, e gjen ne kioska, e gjen në tezga, por ai është shumë i fortë. Edhe medikamentet mjekësore jepen me recetë, kurse fostoksinën njerëzit e marrin dhe e gjejnë kudo ku është”,- përfundon Shehu.
Psikologia Arjana Muçaj thotë për “Sinjalizo” se rritja e numrit të vetëvrasjeve në vend lidhet me indeferentizmin e shoqërisë shqiptare dhe me humbjen e besimit tek institucionet shtetërore. Sipas saj, shifrat e vetëvrasjeve janë tregues të depresionit social dhe ekonomisë në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare.
“Jetesa midis ankthit ndaj të panjohurës se si do të reagojnë të tjerët por edhe format e përjetimit të stresit për një periudhë të gjatë e të vazhdueshme i çon individët në forma depresioni të pashpresë për t’ia dale duke i çuar drej humjes së jetës ose dëmtim të vetes”,- thotë Muçaj.
Vetëvrasjet ndër vite
Vetëvrasja nuk është një problematikë pak e njohur për shoqërinë shqiptare. Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT dhe Instituti i Shëndetit Publik, në vitin 2022 numri më i madh i vetëvrasjeve u realizuan nga persona me sëmundje të shëndetit mendor.
“Përafërsisht 130 vdekje janë shkaktuar si pasojë e sëmundjeve mendore, ku numrin më të lartë të vetëvrasjeve e zë grup-mosha 20-44 vjeç e ndjekur nga 45-64 vjeç dhe 65-79 vjeç”,- thuhet në publikim, ku theksohet se përpara dy vitesh nuk u regjistruar asnjë rast vetëvrasjeje nga persona nën 20-vjeçarë të cilët kishin probleme të shëndetit mendor.
Në muajin janar “Sinjalizo” nëpërmjet publikimit të artikullit “Sa shumë stres, sa pak psikologë” nxorri në pah problematikën e lidhur me pacientët me probleme të shëndetit mendor, të cilët nuk arrijnë të marrin të plotë shërbimin e ofruar nga Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor, Spitalet Psikatrike dhe psikologët. Mes këtij zinxhiri të marrjes së shërbimit mjekësore nuk ekziston një koordinim apo harmoni për ofrimin e duhur të shërbimit duke e bërë të vështirë ardhjen në ndihmë të pacientit.
Në vitin 2018 shkalla e vdekshmërisë si rezultat i vetëvrasjes në vend ishte 4.5 vdekje për 100 mijë banorë. Ndërkohë, në vitet 2016 dhe 2017 Shqipëria shënonte 5.4 vdekje për 100 mijë banorë si rezultat i vetëvrasjes.
Për të adresuar problematikën e vetëvrasjeve në Shqipëri dhe për të siguruar jetën e qytetarëve, është e rëndësishme të ndërmerren masa të menjëhershme dhe të koordinuara nga institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe komuniteti në tërësi. Në këtë drejtim, është domosdoshmëri që të thellohet ndërgjegjësimi publik në lidhje me rrezikun e përdorimit të substancave toksike si Fostoksina , duke nxitur kujdesin dhe përgjegjshmërinë për jetën dhe shëndetin e çdo individit.
/Qëndra për Gazetari Cilësore (ACQJ)