Dy termocentralet lundruese që janë vendosur në zonën e Triportit në Vlorë, jo vetëm që nuk e shpëtuan Shqipërinë nga kriza e çmimeve të larta të energjisë elektrike, por po kthehen në një kosto të panevojshme për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare- një kompani publike që është pronë e qytetarëve.
Për dy sezone me radhë, Piranjat ju kanë treguar se kontraktimi i dy anijeve gjeneratorë u bë nën stuhinë e shkeljeve të procedurave të rregullta të prokurimit duke u maskuar nën ‘një tender emergjent’. Anijet Tigri 1 dhe Tigri 3, u morën pa asnjë leverdi ekonomike. KESH do të paguajë 46 milion dollarë qera, ne nje kohe kur anijet janë shitur te kontraktori i KESH ‘Excelerate Energy Global Operations’ për 15 milion dollarë, pra trefish me lire kosto e blerjes krahasuar me ate te qerase. Një absurditet qe ben te ulërasë çdo ekonomist.
Gjithashtu, kompania që i solli anijet dhe ka nënshkruar kontratën me Korporatën nuk është ajo amerikane e listuar në bursë Excelerate Energy, por një firmë offshore që pronarët nuk njihen.
Ju kemi treguar gjithashtu edhe për alarmin e ekspertëve të mjedisit për ndotjen që do të shkaktojë në gjirin e Vlorës prodhimi i energjisë nga djegia e mazutit.
Të gjitha këto fakte, të publikuara javë pas jave tek Piranjat, nuk kanë marrë asnjë përgjigje të vetme shterruese nga KESH. Vetë drejtori Ergys Verdho, mundohej të ironizonte kur pyetej për këtë aferë korruptive me shifra të frikshme.
Pas gjithë këtyre denoncimeve të njëpasnjëshme që ende nuk kanë asnjë përgjigje nga autoritetet, sot jemi përpara skandalit të radhës, sepse e gjithë procedura ligjore për marrjen në dorëzim të anijeve po kthehet në një ‘nul’ nga ana juridike por dhe nga pikëpamja financiare. Për ta kuptuar më mirë, mjafton të keni pak durim dhe vëmendje tek detajet.
Që nga shpallja e emergjencës në sektorin e energjisë elektrike më 8 tetor të vitit 2021, kanë kaluar plot dy vjet e katër muaj. Afati i emergjencës në sektorin e energjisë elektrike u la deri më datën 15 prill 2022.
Pra, vetëm 6 muaj! Por çfarë bën qeveria shqiptare?Ajo miraton një vendim në datën 22 tetor 2021 i cili i jep KESH-it detyrimin për blerjen e energjisë. Disa ditë më vonë ky vendim ndryshon dhe në datën 9 dhjetor 2021 KESH-i ngarkohet dhe si autoriteti që do të kryejë procedurën e marrjes me qira të aseteve termike. Apo më qartë, dy anijeve që do të vendoseshin në zonën e Triportit në Vlorë. Dikush mund te pyese: ku është gabimi këtu?
Në fakt do të ishim të kursyer nëse do e quanim gabim, pasi ajo që kanë bërë të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave është një shkelje ligjore që mund të shkojë në kufijtë e shpërdorimit të detyrës. Nëse KESH ngarkohet që të marrë anijet që prodhojnë energji në emër të emergjencës, atëherë përse këto asete lejohet të merren 1 deri në 2 vjet, kur vetë qeveria ka vendosur një afat prej 6 muajsh?Por le të vazhdojmë më tej.
KESH bën shpalljen në Buletinin Zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike vetëm 3 ditë, nga data 24 në 27 janar, ndryshe nga 10 ditë që është detyrimi ligjor për pritjen e ofertave dhe në rastet e procedurave emergjente. Fituesi u shpall në muajin shkurt. Në datën 4 prill, 10 ditë përpara se të përfundonte emergjenca e vendosur nga Këshilli i Ministrave, KESH lidh kontratën me kompaninë offshore Excelerate Global Operations dhe Renco SPA.
Qeveria miraton disa herë shtyrjen e emergjencës në sektorin e energjisë elektrike duke i lënë afat të fundit dhjetorin e vitit 2023. Në momentin që u mor ky vendim, duhet pranuar se çmimet ishin të larta, por situata parashikohej të normalizohej gjatë vitit 2023. Mbase autoritetet menduan se anijet do të mbërrinin shpejt dhe do të dilnin dhe afatet e reja për pagesën e qirasë, e cila është plot 63 mijë usd në ditë. Por anijet mbërritën vetëm ne shtator të vitit 2022 dhe që nga ajo kohë ne zonen e Triportit është ngritur një kantier ndërtimi, fakt që e kemi treguar në episodet e mëparshme.
Gjendja teknike e anijeve me Tec nuk jepte asnjë garanci për vënien në punë, ndaj dhe kompania mori punëtorë nga Bangladeshi, shteti nga ku firma Excelerate bleu anijet. Kjo skuadër teknikësh po punojnë prej 17 muajsh në zonën e Triportit. Por dhe pse të huajt e mbërritur nga Azia për këtë punë u përpoqën, nuk arritën dot të kapin afatet e emergjencës! Pavarësisht kësaj, KESH po bëhet gati për të marrë në dorëzim dy anijet gjenerator, ndoshta me shpresën se askush nuk do të kujtohet qe VKM-së së emergjencës që i lejonte kontraktimin e tyre i ka mbaruar afati. Duke kryer një tjetër shkelje të rëndë ligjore.
Këtë e konfirmon vetë edhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare në përgjigjen e kthyer për Piranjat ku thotë fjalë për fjalë se ‘jemi një hap përpara fazës së komisionimit. Me kalimin me sukses të testeve të komisionimit shkohet drejt fazës së marrjes në dorëzim të objektit dhe vënies në punë të anijeve TEC.’
Për të vënë në jetë këtë plan që e përsërisim, është në shkelje të plote te ligjit, KESH ka hapur disa ditë më parë tenderin për sigurimin e dy anijeve që do të prodhojnë energji, siç e detyron dhe kontrata që ka me firmat Excelerate Global Operations dhe Renco S.P.A. Ky operacion do te kape vleren e 1,7 milion euro.
Megjithatë, kjo pagese e radhës, nuk do te jete aspak fundi i kësaj historie, ashtu siç nuk është as me pagesën e 64 milion euro për qira dhe operim, as me dhënien nga KESH të 460 mijë euro për zhdoganimin e anijeve, as me 1.71 milion të tjera për furnizimin me vaj lubrifikues dhe as me 7.2 milion euro që po jepen për qiranë e depozitave të lëndës djegëse që duhet për të prodhuar energji. Kosto më e madhe për buxhetin e KESh do të jetë blerja e mazutit për prodhimin e energjisë, ku vetëm një ton sot në bursë kushton 540 euro.
KESH ka hapur thirrjen për të blerë 4 mijë ton HFO me përqindje squfuri jo më të lartë se 0.5, të cilat do të kushtojnë bashkë me premion afërsisht 2.3 milion euro. Në fakt mund të duket shifër e vogël me milionat që përmendëm, por këtu duhet pak vëmendje, sepse me sasinë e lëndës djegëse që po ble KESH anijet mund të punojnë me kapacitet të plotë vetëm për 8 ditë!
Per ta bërë të kuptueshme për të gjithë, prodhimi i 1 megavat orë energji elektrike kërkon 229 kilogram lëndë djegëse dhe vënia në punë e tyre me kapacitet të plotë shkakton konsumin e 500 ton në ditë. Për të prodhuar 1 megavat orë energji elektrike me anijet gjenerator, KESH do të duhet të paguajë 270 euro, ndërsa në bursë energjia elektrike sot kushton 58 euro për megavat orë. Tre herë më pak. Po pse duhet bere kjo manovër?
Për të bërë një përmbledhje. Prodhimi për 19.200 megavat orë energji nga dy anijet gjenerator do të na kushtojë vetëm për lëndën djegëse plot 2.3 milion euro. Dhe mos harrojmë se këtu nuk kemi te llogaritur koston e qerase. E njëjta sasi energjie, nëse do të blihej në bursë do të kushtojë 1.3 milion euro. Pra 1 milion euro me shume për 8 ditë prodhimi energjie elektrike, ose 125 mijë euro dëm ekonomik në ditë. Dhe te mendosh se kjo sasi energjie mbulon vetëm 20% të nevojës për konsum në vend.
Ndërkohe, nëse anijet do të vihen në punë me kapacitet të plotë gjatë gjithë vitit, e barazvlefshme me 876 mije megavat ore energji, kosto e prodhimit do te arrinte në total vleren e 105 milion euro vetëm për lëndën djegëse, pa llogaritur shpenzimet e tjera. Nëse sot kjo sasi kontraktohet në bursë përmes një kontrate afatgjatë energjie, do të kushtonte 60 milion euro. Pra, nje humbje prej 45 milion euro. Kaq te paafte i paskemi drejtuesit e KESH-it?
Këtë më mirë na e sqaron SPAK. Gjithmonë nëse ka vullnet.
/Emisioni “Piranjat”