Në fushatën e zgjedhjeve vendore, që u mbajtën vjet në maj, kryeministri Rama shpalli ambicien që Shqipëria të kishte 10 mijë euro për frymë në 2030-n. Verifikimi zbulon se shifrat joshëse nuk përkthehen domosdoshmërisht në mirëqenie, sidomos me inflacionin që arriti majat. Dekadën e fundit, 65% e rritjes së të ardhurave për frymë shkoi për pagesën e boxhit publik, por ‘Djalli’ fshihet tek detajet që propaganda elektorale i zbukuron. Një nga skenarët e arritjes së objektivit për të ardhura 10 mijë euro për frymë në 2030-n, është ulja e numrit të popullsisë, çka vijon për shkak të migracionit dhe zhvlerësimi i valutës, një skenar jo fort optimist për Shqipërinë.
“Ambicia ime të shkojmë patjetër në një pagë minimale 60 mijë lekë dhe në të ardhura për frymë në 10 mijë euro. Kjo është maja që shoh drejt Shqipërisë së 2030.” – tha kryeministri Rama në 25 prill 2023 në Patos gjatë fushatës për zgjedhjet vendore.
Ambicien për të rritur të ardhurat për frymë kryeminsitri Edi Rama nuk e fshehu as përballë përfaqësuesit të bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas më 4 prill 2023.
“Mbani parasysh që të ardhurat për banorë në vit në Shqipëri janë rritur nga 3.300 euro kur ne morëm detyrën, në 6.190 euro sot. 87.5 %, gati dyfish.” – argumentoi kryeministri Rama.
Ana tjetër e medaljes së “të ardhurave të dyfishuara për frymë”
Vlera totale e përkthyer në para’ e produkteve dhe shërbimeve të prodhuar në vend gjatë vitit 2022, shënoi vlerën 19.9 miliardë euro. Në atë periudhë, bazuar tek shifrat zyrtare të INSTAT, në Shqipëri jetonin 2.8 milionë banorë.
Të ardhurat mesatare për frymë llogariten si raporti mes Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe popullsisë. Pra në vitin 2022, mesatarisht një shqiptar pati 6 mijë e 443 euro. Krahasuar me vitin 2013, të ardhurat për frymë janë gati dyfishuar.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë nga ana tjetër se nga rreth 9 miliardë euro në 2013-n, stoku i borxhit publik në fundin e vitit 2022 arriti në gati 14 miliardë euro. Duke krahasuar shifrat e dy viteve që i ndan një dekadë, kuptojmë se nga më pak se 2 mijë e 500 euro, borxhi për frymë arriti në 4 mijë e 116 euro në fund të 2022-shit duke u zgjeruar kështu me 64 për qind.
“Duke iu referuar komenteve të kryeministrit Rama dhe shifrave nga instituionet rezulton i vërtetë pohimi se të ardhurat për frymë janë zgjeruar me 87.5 për qind në harkun kohor 2013-2022, por nga ana tjetër edhe borxhi për frymë është rritur me gati 65 për qind. Po të shohim të dy anët e medaljes rezulton në fakt që zgjerimi neto i të ardhurave për frymë në një dekadë të jetë vetëm 22.5 për qind” – shpjegon eksperti kontabël, Eduart Gjokutaj.
Të ardhurat mesatare për frymë përdoren për propagandë
“Nëse unë ha dy pula dhe ti asnjë, i bie që mesatarisht ne kemi ngrënë nga një pulë secili.” Kjo thënie ilustron atë që rëndom shprehet nga institucionet publike si “mesatare”. Pra vërtetë mesarisht një shqiptar pati 6 mijë e 433 euro të ardhura për frymë në fund të vitit 2022, por mënyra se si janë të shpërndara realisht këto para ka më shumë rëndësi.
“Të ndalemi te mentaliteti që “djalli qëndron në detaje”. Pra mund të kemi rritje ekonomike të mirë, por na ndodh kështu, në mënyrë krahasuese që në botë 8 miliarderët më të mëdhenj kanë pasuri sa 3.5 miliardë banorë, mund të ndodhë edhe në Shqipëri, në modelin ekonomik që është zgjedhur që paraja të jetë e përqendruar në pak duar, në pak kompani.” – argumenton ish-minsitri i Financave, Arben Malaj.
Për të shkuar më tej me argumentet e “mesatares” mjafton t’i referohemi të dhënave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Për vitin 2022 rezultoi se 4.4 për qind e individëve patën gati 60 për qind të depozitave në vend, ndërsa gati 900 mijë llogari bankare ishin bosh.
Rritja ekonomike jo domosdoshmërisht nënkupton më shumë mirëqenie
Kur ekonomia e një vendi rritet, kjo rrjedhimisht përkthehet në më shumë mirëqenie për njerëzit. Kjo është një tezë tashmë e gjithë-pranuar në pjesën dërrmuese të ekonomive në botë. Por analiza e shifrave tregon se rritja ekonomike në Shqipëri nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për familjet dhe individët.
Viti 2022 (të dhënat e vitit 2023 ende nuk kanë dalë të plota) ishte i mbarë për arkën e shtetit, por jo edhe aq për buxhetet e familjeve shqiptare.
Në një kohë që rritja ekonomike ishte gati 5 për qind, shpenzimet mujore të familjeve në raport me vitin 2021 u zgjeruan me vetëm 4.5 për qind. E përkthyer në para, 3 mijë e 819 lekë më shumë në muaj. Një shtim i shpenzimeve të familjeve me 4.5 për qind, në një kohë që ekonomia rritet me gati 5 për qind do të ishte një lajm i mirë. Por kjo nuk mund të thuhet në rastin e Shqipërisë, të paktën për vitin e shkuar. Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmimeve shënoi nivelin më të lartë që nga 1998, në mesatarisht 6.7 për qind.
“Familjet nuk është se patën më tepër para në xhepa, por thjesht shpenzimet u rritën nga inflacioni. Pra shqiptarët duket se kanë jetuar gjatë vitit 2022 më keq se sa gjatë vitit 2021. Me pak fjalë, ndërsa çmimet janë rritur, shqiptarët kanë blerë më pak mallra e shërbime se sa gjatë vitit 2021”, argumenton ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
“All in” për t’u ushqyer
Gati 40 për qind e asaj që një familje shqiptare shpenzoi gjatë vitit 2022 shkoi për t’u ushqyer. Në vendet e Rajonit ky tregues nuk e kalon nivelin 27 për qind, ndërsa në Bashkimin Europian vetëm 15 për qind.
Fakti që pesha e shpenzimeve për ushqim në raport me totalin në vend është në nivele kaq të larta nuk do të thotë se shqiptarët ushqehen më mirë se qytetarët e tjerë të Europës apo Rajonit.
“Kjo vjen për dy arsye. E para janë të ardhurat e ulëta. Duke qenë pagat e ulëta, atëherë një pjesë e mirë e tyre, rrjedhimisht shkon për ushqime. E dyta është se në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë ndjeshëm më të larta se në vendet e Bashkimit Europian”, shpjegon studiuesja e ekonomisë, Teuta Nunaj.
Inflacioni vijon të gërryejë të ardhurat për frymë
“Faktoje” pyeti disa qytetarë se si ka ndryshuar jetesa e tyre në 10 vitet e fundit.
“Unë kam gati 20 vite që punoj si infermiere. Rrogën e kam pasur 44 mijë lekë dhe tani e kam 47 mijë lekë. Tre mijë lekë më shumë në 10 vite. Hajde bëjmë llogaritë. Sa janë shtrenjtuar çmime? Para 10 vitesh me 500 lekë të reja shkoje në supermareket e bleje diçka. Sot nuk guxon t’i afrohesh se ato lekë nuk vlejnë për asgjë” – i tha “Faktojes” infermierja Teuta Bregasi.
Edhe më pak e kanë ndierë rritjen e të ardhurave për frymë pensionistët.
“Pensioni im në 10 vite është rritur me 2 mijë lekë, 200 lekë të reja në vit. Ça të them më! Mosha kalon, sëmundjet shtohen dhe paratë më shumë harxhohen. Në ajër thuhen shumë gjëra, por ne nuk prekim asgjë!” – ankohet Rauf Prifti, një pensionist 79 vjeçar që jeton në Tiranë.
Shqipërisë po i shterojnë burimet e rritjes ekonomike
Ndërkohë bujqësia, sektori me të cilin jeton dhe punon gati gjysma e popullsisë kontribuoi negativisht në rritjen ekonomike gjatë vitit të shkuar. Për ta kuptuar më thjesht, nëse në vitin 2022 ajo që prodhoi bujqësia vlente 100 mijë lekë, në 2023-shin vlejti 99 mijë e 997 lekë.
“Kur flitet për rritjen ekonomike duhen marrë në konsideratë debatet e diskutimet e shumta me natyrë ekonomike, financiare e sociale, të cilat nuk e absolutizojnë apo cilësojnë atë si shkopi magjik, që zgjidh gjithçka. Rekomandohet që këto të vlerësohen e të shoqërohen gjithnjë me pyetje e konkluzione të tilla si: në çfarë niveli rritja ekonomike shndërrohet në zhvillim ekonomik e social, sa dhe si përkthehet ajo në mirëqenie dhe progres? Kemi të bëjmë me rritje ekonomike sasiore apo cilësore?, si ndikon rritja ekonomike në zhvillimin e qëndrueshëm?- thotë eksperti i Ekonomisë, Eduart Gjokutaj.
Jemi 40 vite mbrapa në krahasim me ekonominë e vendeve të BE
Sipas Bankës Botërore, me një rritje ekonomike prej mesatarisht 4 për qind, Shqipërisë do t’i duhen rreth 36 vite që të arrijë mesataren e të ardhurave mesatare për frymë të vendeve të BE-së. Nëse do të ndiqet kjo ecuri e shënuar deri në gjysmën e parë të vitit, vendit do t’i duhen më shumë se katër dekada për të arritur këtë objektiv.
“Tri dekada janë mjaftueshëm për të mos mbetur ende në bisht të Europës me të ardhurat për frymë. Justifikimet nuk qëndrojnë! Shqipëria ka mjaftueshëm burime natyrore nga ajri, deti dhe toka për të jetuar në një mirëqenie që duhet të jetë të paktën në rritje më të lartë se vendet e tjera të rajonit. Dhe të mos llogariten këtu kapacitetet njerëzore që janë në rritje e forcim dhe që dukshëm konkurrojnë fort me kapacitetet e rajonit.” – argumenton Gjokutaj.
Nevoja për një model të ri ekonomik
“Faktoje” pyeti dhe mori përgjigje nga Fondi Monetar ndërkombëtar dhe Banka Botërore mbi rrugën që Shqipëria duhet të ndjekë për të pasur rritje ekonomike që përkthehet në mirëqenie për shqiptarët.
Duke iu referuar Artikullit IV të konsultimeve me Shqipërinë, FMN vlerëson: “Ndërsa vendi është në rrugën e anëtarësimit në BE, autoritetet po përballen me disa pengesa që ndikojnë produktivitetin dhe arritjen e standardeve më të larta të jetesës.”
FMN rekomandon konsolidim fiskal kuptimplotë, që të jetë i bazuar në rritjen e të ardhurave, duke filluar nga viti 2024. Kjo do të ishte thelbësore për të ndërtuar hapësirën fiskale për politikën e ardhshme kundërciklike. Masat shtesë fiskale neto kumulative prej rreth 1½ për qind të PBB-së do të çonin në një ulje më të shpejtë të borxhit dhe do të reduktonin nevojat për financim bruto.
Ndërsa Banka Botërore e vë theksin te kapitali njerëzor dhe diversifikimi i burmeve të rritjes ekonomike.
“Për t’i kaluar sa më lehtë ditët e vështira që duken në horizont, Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma strukturore, të mbajë në kontroll borxhin publik, të thithë sa më shumë investime dhe të rrisë produktivitetin në tregun e punës.”
Janë këto disa nga rekomandimet e Bankës Botërore, me fokus kryesor mbajtjen burimeve njerëzore dhe investime në teknologji për të përballuar sa më shumë krizën ekonomike që pritet të prekë të gjithë, pa përjashtuar Shqipërinë.
“Rritja ekonomike e viteve të fundit nuk ka qenë e ndarë në mënyrë të drejtë mes grupeve sociale. Ndaj ne shohim që papunësia është rreth 11 për qind. Ky tregues tregon për varfëri dhe nevojë për më shumë ndihmë nga shteti. Kjo pasi numri më i madh i atyre që kërkojnë ndihmë sociale, merr më shumë para nga buxheti. Vetë Banka Botërore dhe gjithë institucionet kanë theksuar se skema e mbrojtjes sociale nuk është efektive dhe duhet rishikuar për të shkuar te “dinjiteti ekonomik”. – argumenton ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga institicionet shqiptare, ato të huaja dhe argumenteve të ekspertëve të ekonomisë, ajo që mund të thuhet mbi objektivin “10 mijë euro për frymë” shpallur nga kryministri është: “Të ardhurat për frymë në 2030-n, mund të arrihen në nivelin 10 mijë euro nëse ritmet e migracionit do të vijojnë të njëjtat, bashkë me “superlekun” që vijon të qëndrojë në pozita të forta. Të ardhurat për frymë llogariten si përpjestim i totalit të PBB në një vit me numrin e popullsisë dhe kur popullsia ulet, të ardhurat për frymë në duke rritjen. Gjithashtu kur valuta nënçmohet, rrjedhimisht më pak lekë vlejnë më shumë.” – argumenton ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj.
Por, arritja e objektivit nga këta dy skenarë do të ishte vetëm një lajm i keq që nuk do të bënte askënd të ndihej krenar për “përmbushje zotimesh”. Kujdes nga propaganda me shifrat!
/Faktoje