Nga Andi Bushati
Në PD po ndodh ajo që dukej e pamundur dy vite më parë, kur vëllezërit armiq demokratë luftuan me hunj dhe gaz lotësjellës kundër njëri tjetrit. Mbështetësit e Gazmend Bardhit që përfaqësojnë pak më tepër se 20 deputetë, janë rikthyer në mënyrë simbolike në selinë zyrtare duke e njohur atë si shtëpinë e demokratëve. Ata kanë zhvilluar aty një tubim të përbashkët me deputetët berishistë dhe më pas kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të zgjedhur vetëm nga Rithemelimi. Po ashtu, së bashku, kanë vendosur që deputetët të zbresin në bazë për të organizuar mitingun e 20 shkurtit.
Nga pikpamja formale, PD ngjan e unifikuar dhe në sipërfaqe të gjithë ata që po i fryjnë burive të bashkimit duket se kanë të drejtë. Por përtej kësaj fasade, jo gjithçka është krejtësisht rozë. Sepse këto flukse që ndoshta i bën njësh beteja kundër Edi Ramës, ndahen mes tyre nga hendeqe të mëdha.
Fryma e atij që jemi mësuar ta konsiderojmë për lehtësi emërtimi si “grupimi Bardhi” ka në themel të tijin një sërë tezash që janë katërcipërisht të papajtushme me frymën e idhtarëve të Berishës. Ata mohojnë të njohin gurin kilometrik që përçau PD, dhe që ishte shpallja non grata e Sali Berishës. Ata nuk e konsiderojnë veprimin e sekretarit Blinken si produkt të një lobimi të fëlliqur nga Tirana e për pasojë, vazhdojnë të këndojnë skenarin idiotesk të partneritetit me aleatin tonë strategjik edhe kur përfaqësuesit e tij bëjnë gafa kolosale në këtë vend. Si rezultat i këtij pro amerikanizmi qesharak, ata janë të kujdeshëm edhe jo kritikë ndaj SPAK-ut edhe kur ky i fundit dëshmon se është i zhytur kokë e këmbë në axhendën e pushtetit.
Një tjetër pikë e diskutueshme e tyre është se ata nuk e njohin Berishën si lider të padiskutueshëm të PD dhe aq më pak e pranojnë atë si kandidat për kryeministër. Shumë prej eksponentëve në grupin parlamentar, janë të bindur se lideri historik nuk mund ta shpjerë më PD-në në fitore dhe e quajnë të pa imagjinueshme që ish presidenti dhe dy herë kryeministri i larguar nga pushteti me mbi 1 milionë vota, ti prijë edhe njëherë fushatës së ardhme elektorale.
Nga ana tjetër, foltoristët, që tashmë kanë uzurpuar karriget dhe postet kryesore në parti, duke u votuar vetëm nga pjesa berishiste e opozitës, flasin me gjuhën e të qenit shumicë. Ata janë radikalë jo vetëm në betejën ndaj Ramës, por edhe ndaj kujdo që e ndihmon atë, qofshin këta prokuror të Posaçëm, qofshin diplomatë të kallëpit, Lu, Kim apo Escobar.
Kritikave për gjithë pushtetshmërinë e Berishës, ata i përgjigjen me argumentin numerik se në demokraci vendosin votuesit. Kërkesave për zvoglimin e rolit të liderit historik, ata i kundërvënë si argument primaret, parimin një anëtar një votë dhe asnjëri prej tyre nuk guxon të shqiptojë se Berisha mbi 80 vjeçar, për më tepër i izoluar, nuk do ti prijë fushatës së ardhshme.
Pra, nëse e shohim pak ftohtë dhe me distancë logjike, askush nuk mund të thotë se si mund të ngjizen dy grupe me mentalitet krejt të ndryshëm. Të parët flasin në emër të një PD-jë të hapur ndaj publikut, të dytët në emër të antarësisë. Njëra palë e vë theksin tek mos konfrontimi me institucionet e drejtësisë, tjetra tek radikaliteti i qëndrimeve që duan militantët. Të ardhurit rishats duan dëshpërimisht një aleancë me diplomatët perendimorë, qëndrestarët u kujtojnë se ata i kanë shërbyer më së shumti regjimit të Edi Ramës dhe kanë goditur pareshtur opozitën. Ata që shohin nga e ardhmja, megjithëse i’a njohin forcën Berishës, nuk e perceptojnë më atë si shpresë, ata që privilegjojnë historinë, këmbëngulin se pa të nuk ka më PD.
Kjo papërpuethshmëri në koncepte është e tillë edhe në qëllime. Sot është Berisha që ka nevojë për “grupin Bardhi”, për t’u pranuar si lider, për të çarë vargonjtë e izolimit dhe për të forcuar aksionin opozitar. Por ama nesër, kur të trokasin votimet dhe hartimi i listave të deputetëve, do të jenë jenë të ardhurit e fundit ata që do të duan rezervuarin e madh të militantëve të Berishës, për të vijuar karierrën politike.
Prandaj pyetja që shtrohet është: si mund të unifikohen këto teza dhe interesa në një trup të vetëm? Për këtë sllogani i betejës kundër Ramës nuk mjafton. Aq më pak lufta e karrigeve dhe bilbilave apo një protestë e vetme si ajo e 20 shkurtit.
Për këtë duhet një pakt politik. Grupi Bardhi duhet të pranojë se është pakicë. Si të tillë pjestarët e tij, duhet të jenë të gatshëm “të hanë bar” dhe të njohin një ‘non grata’ si liderin e tyre. Duan, s’duan, ata duhet të denoncojnë lojën politike të SPAK-ut me shefin e opozitës. Ata duhet të pohojnë me gojën plot se cilës anë i përket vula dhe përfaësimi dhe të bien dakord se prijësin e fushatës së ardhshme e përcakton shumica.
Në këmbim të këtyre koncesioneve të forta, që bien ndesh me bindjet e deritanishme, ata duhet të rimarin vendet e tyre në PD, në kryesi, Këshill Kombëtar dhe listat e ardhshme të deputetëve. Por kjo kalon automatikisht përmes insitucionalizimit të një fraksioni. Vetëm një i tillë mund ta bashkojë realisht PD-në.
Vetëm të organizuar brenda tij, ata që nuk besojnë tek Berisha, do të vijojnë qoftë dhe si kritikë të tij, të garantojnë të ardhmen e tyre politike.
Vetëm kështu PD-ja mund të zgjidhë, jo konfliktin e viteve të fundit, por atë që e ka shoqëruar që prej fillim viteve ’90, atë të një partie ku janë të parfaqësuar edhe demokratët anti berishistë. Pra formuala është: pakica duhet të sakrifikojë duke njohur shumicën dhe kjo e fundit të bëjë të njëjtën gjë duke i siguruar minorancës të gjithë të drejtat që bëjnë të mundur një unifikim të pathyeshëm politik.
Pa e hedhur këtë hap, sa do të bukura të duken ngjarjet që ndodhën këtë të hënë, ato nuk do të kenë efekt. Ato ato mund të zhbëhen me të njëjtën lehtësi që u ngjizën, kur një apo disa deputetë të largohen me porosi të aleatit strategjik, apo disa të tjerë të sakrtohen nga listat para zgjedhore, me sebepin se njerëzit nuk i duan, ngaqë kritikojën Berishën.
Këto anomali mund të shmangen vetëm me një formulë, atë të krijimit të fraksionit, i cili i garanton të gjithëve të bëjnë përpara, pa mohuar vetveten.
/Lapsi.al/