Heqja e TVSH-së për ushqimet e shportës bazë ishte kali i betejës elektorale të socialistëve në 2013. Premtimi i bujshëm ka një dekadë që nuk është përmbushur ndërkohë që shqiptarët paguajnë ushqimet më të shtrenjta në Europë. Faktoje verifikoi se si ndikon shkelja e këtij zotimi tek buxhetet familjare. Njihuni me historinë e një pensionisti që merr 10 mijë lekë në muaj dhe paguan ushqimet bazë më shtrenjtë se në Itali, ku pensioni mujor është dhjetëfish më i lartë.
“Nuk do t’i kërkojmë më familjes së zakonshme të këtij vendi të paguajë 20% taksë për kg e bukës, 20% taksë për kg e qumështit, 20% taksë për kokrrën e vezës, apo të vajit, miellit, orizit. Ne do t’i bëjmë zero taksat e ushqimit për popullin”, u shpreh kryetari i PS, në atë kohë kandidat për kryeministër, Edi Rama në fushatën elektorale në 2013.
Qytetarëve me të cilët zhvilloi bashkëbisedim, teksa shpalosi programin e elektoral të PS, Rama iu zotua se do t’u jepte llogari nëse nuk e realizonte këtë premtim brenda 4 viteve.
Shqipëria duhet ta kishte të zeruar taksën e ushqimeve të paktën prej vitit 2017.
Një dekadë pas premtimit
Agim Rrëshiti, është zhvendosur nga Përmeti në Tiranë në vitin 2008. Agimi merr një pension 10 700 lekë të reja dhe jetesa në kryeqytet i duket e papërballueshme.
“10 mijë lekë të vjetra i shpenzoj për ilaçet e tensionit. Ushqimet janë shumë shtrenjtë. Me pensionin vetëm drita dhe ujë paguaj unë. Blejmë vaj, makarona, fasule, një bidon qumësht në 2 ditë, kafe dhe sheqer. Dy thela mish kushtojnë 13 mijë lekë të vjetra, shumë rrallë i blejmë. Pa ndihmën e fëmijëve nuk do të mund të jetoja. Pensioni nuk mjafton për ushqime!”, tregon ai për Faktoje duke shtuar:
“Ka kohë që më është djegur dushi, kushton 150 mijë lekë (të vjetra), nuk e blej dot. Lahem me sapllake (tas) si qëmoti.”
Djemtë e Agimit kanë zgjedhur të mos emigrojnë. Nga njëra anë i moshuari ndihet mirë që i ka pranë, por nga ana tjetër shqetësohet për të ardhmen e tyre kur sheh se çmimet rriten e bëhen gjithnjë e më të papërballueshme.
“Të ishin më lirë ushqimet do kishim mundësi të blinim më shumë. Jeta ime iku, por edhe fëmijët nuk arrijnë të rehatohen e ndërtojnë familjet e tyre për shkak të të ardhurave të ulëta”.
Për vetëm gjashtë produkte ushqimore Agimit i duhet të shpenzojë një të dhjetën e pensionit (941 lekë). Nëse TVSH do të ishte zeruar ai do të paguante diku te 780 lekë. (Që gjithsesi janë shtrenjtë për pensionin që merr.)
Ndërkohë që si për ironi, në Imola (një zonë afër Bolonjës) të Italisë ku pensioni mesatar varion në 800 – 1100 euro, të njëjtat produkte, kushtojnë më lirë se në Tiranë.
Blerja e gjashtë produkteve në Itali shkoi 8.29 euro (e barabartë me 865 lekë). Për më tepër, TVSH-ja për produktet ushqimore në Itali varion në 4-5%.
Propaganda me TVSH-në e ushqimeve
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion, Këshillit të Ministrave, Kryeministrit dhe Ministrisë së Financave në datën 19 janar për të kuptuar nëse ndonjëhërë u mor ndonjë nismë për realizimin e premtimit më të bujshëm të 2013-s.
Nga zyra e shtypit të kryeministrit morëm si përgjigje një argument të njohur tashmë kur shmangen përgjegjësitë.
“Duke qënë se në emailin tuaj nuk i referoheni ndonjë dokumenti nëpërmjet të cilit kërkoni të informoheni, lutem të saktësoni formatin në të cilin ky dokument gjendet”.
Për të siguruar një përgjigje shteruese ndoqëm logjikën se si zbatohet një premtim elektoral.
Programi me të cilën forca politike erdhi në pushtet duhej të analizohej nga ekspertët dhe vit pas viti, të realizohej zbatimi i saj. Si do të bëhej realitet heqja e tvsh-së për ushqimet e shportës?
Ministria përkatëse në bashkëpunim me ministrinë e Financave harton një draft, të cilin ia dërgon Këshillit të Ministrave, drafti diskutohet, shkon në komisionet kuvendore, më pas në Parlament ku votohet dhe si pëfundim zbatohet.
Eksperti i çështjeve ekonomike dhe ish ministër, Zef Preçi shpjegon se asnjë nga këto hapa nuk kanë ndodhur.
“Mungon një e dhënë për nivelin e varfërisë. Ekspertët duhej të kryenin një analizë të hollësishme, më pas dy ministri të propozonin një draft në qeveri për heqjen e tvsh-së, ku të diskutohej e më pas të kalonte në Kuvend. Kjo do t’i hapte rrugë heqjes apo reduktimit të tvsh-së 20%”, argumenton Preçi.
Faktoje iu drejtua sërish Kryeministrisë dhe Ministrisë së Financave duke kërkuar në formën e saktë këtë herë, nëse ka një draft-propozim me nismën për heqjen e tvsh-së së ushqimeve dhe nëse jo, kur planifikohet të ketë një të tillë. Në përgjigjen zyrtare nga Ministria e Financave theksohet ndër të tjera:
“Në paketën fiskale 2024 nuk ka pasur ndryshime ligjore të dërguara në Qeveri apo Kuvend për heqjen e TVSH-së për ato që quhen produkte shporte. Ndryshimet ligjore përgjithësisht miratohen me paketat fiskale, të cilat shoqërojnë projektbuxhetin e vitit pasardhës. Ndryshimet e shpeshta të legjislacionet tatimor dhe sidomos jashtë paketave fiskale që shoqërojnë buxhetin krijojnë probleme në administrimin e tatimeve dhe taksave.”
Jetojmë për të ngrënë dhe prapë nuk mjafton!
Pano Soko njohës i çështjeve ekonominë llogarit se në çfarë mase ndikon tek qytetarët me të ardhura të mesme dhe të ulëta tvsh-ja 20%.
“Taksa 20% e produkteve për familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta për çdo blerje u merr 1/5 e shpenzimeve dhe kjo kategori shpenzon pothuajse 100% të të ardhurave për ushqime”.
Rritja e çmimeve pas pandemisë bëri që qytetarët të mos arrijnë të sigurojnë as ushqimet bazë në tryezën e tyre.
Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2023, arriti 115,8 kundrejt muajit Dhjetor 2020, që do të thotë se rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4.8 % ndërsa një vit më parë ishte 6,7 %.
Shkak për këtë barrë që rëndon kryesisht mbi familjet në nevojë, sipas Sokos, është vështirësia e madhe e institucioneve që t’i vjelin taksat. Realizimi i premtimit elektoral, zerimi i tvsh do t’i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 100 milionë euro.
“Nuk aplikohet në Shqipëri, për shkak të neglizhencës. Nuk është se ka pasur një llogaritje të saktë për të kuptuar se sa do t’u kushtonte shqiptarëve, por mund të jetë rreth 100 mln euro për mallrat e domosdoshme të konsumit. Ne nuk jemi të mirë në mbledhjen e taksave, institucionet tona cedojnë në mbledhjen e tyre. Po të mos ishin këto taksa të konsumit që janë taksa bazë tvsh-ja, taksat e naftës apo akciza e cigareve etj. ne e kemi shumë të vështirë për të plotësuar atë buxhet të nevojshëm që duhet për të realizuar ato detyrime që ka shteti shqiptar”, thotë Soko.
Në mungesë të zerimit të TVSH-së, eksperti i ekonomisë Klodian Muço sugjeron:
“Diferencimi i tvsh-së për produktet e shportës së konsumit në vendin tonë do të ishte pozitiv, nëse mekanizmat e kontrollit nga ana e institucioneve publike do të ishin efikase. Në këtë mënyrë reduktimi i çmimit si pasojë e reduktimit të tvsh-së të shkojë te konsumatorët dhe jo të ngelet në xhepat e tregtarëve, siç ndodhi kur u hoq tvsh-ja nga shërbimet arsimore apo kur u reduktua ajo në hoteleri. Këto lloj politikash zbatohen në momente të caktuara krizash apo inflacioni të lartë”
Sipas tij kjo politikë zabtimi duhet të jetë e përkohshme për dy arsye.
“Së pari është rritur kursimi privat (depozitat bankare). Gjatë pandemisë u rritën kursimet dhe duke marrë në konsideratë rritjen e çmimeve që vjen nga inflacioni që po prek gjithë botën, mënyra më e mirë për të mbështetur konsumin është reduktimi i tvsh-së dhe frenimi i kursimit. Së dyti, Shqipëria është një vend me evazion të lartë të tvsh-së, diferencimi dhe reduktimi i saj për produktet ushqimore do të ndihmojë tregtarët e ndershëm pasi do të shesin më shumë”, sqaron Muço.
Nisma e vetme për reduktimin e TVSH-së, u rrëzua në 2022
Me dështimin e premtimit utopik të moxhorancës pas ardhjes në pushtet, opozita paraqiti në vitin 2022 nismën për reduktimin në 6% të tvsh-së për ushqimet e shportës. E prezantuar në formën e një drafti me 10 pika, PD i kërkoi Kuvendit miratimin, por nisma u rrëzua me votat kundër nga shumica parlamentare më 24 mars të atij viti.
INSTAT: 39% e të ardhurave shpenzohen për ushqime
Raporti i INSTAT për vitin 2022, për ushqime, konstaton se familjet shpenzojnë 39.7%, e barabartë me thuajse gjysmën e të ardhurave, të cilat vijnë me rritje 0.3% nga viti paraardhës.
Europa shpenzoi mesatarisht 13.6 % të totalit të buxhetit për ushqim, gati tri herë më pak sesa Shqipëria.
Që në vitin 1996, kur Shqipëria nisi aplikimin e TVSH-së, norma nuk ka ndryshuar, duke mbetur në të njëjtat nivele, 20%. Në vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, por edhe në shtetet e BE-së aplikohen norma të reduktuara, apo të përkohshme me qëllim lehtësimin e qytetarëve. Ndërsa mesatarja për produktet ushqimore është 9%. Shqipëria nuk aplikon tvsh të reduktuar për Ushqimet dhe Produktet e Shportës duke mbetur kështu vendi me përqindjen më të lartë të tvsh-së për këto produkte në Europë dhe Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, Serbia në artikuj bazë aplikon taksën 10 %, Kosova 8 %, Mali i Zi 7 %, Maqedonia e Veriut 5 %. Edhe Bosnjë Hercegovina që nuk aplikon normë të reduktuar, ka një barrë fiskale më të ulët, pasi norma standarde është 17 %, sërish më e ulët se ajo e Shqipërisë.
“Vendet e tjera nuk janë më institucionalisht të dobëta dhe për këtë arsye kanë vendosur të reduktojnë tvsh-në e të kalojnë peshën fiskale nga konsumi në familjet e varfëra, te kapitali. Këtë bëjnë vendet kur zhvillohen. Ne nuk jemi zhvilluar akoma, nuk jemi në nivelin e vendeve të rajonit, sepse edhe vendet e rajonit e kanë të përshkallëzuar tvsh-në”- shpjegon Soko për Faktoje, arsyet përse vendet e tjera, aplikojnë taksë të reduktuar në krahasim më Shqipërinë.
Përfundim
Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e fushatës së 2013-s, për zerimin e TVSH-së së ushqimeve bazë, ta kategorizojmë Premtim të Pambajtur.
/FAKTOJE