Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Nushi, u përball të hënën më 29 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime për një apartament në pronësi të vjehrrit, pasuri për të cilën u ngritën dyshime për fshehje, si dhe për gjetjet në kriterin profesional. Nushi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për prokurorin Dritan Nushi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me anëtar Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Dritan Nushi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Ai është transferuar në Prokurorinë e Kavajës për vitet 2007-2013. Në vijim është rikthyer në Prokurorinë e Tiranës ku dhe e ushtron aktualisht funksionin.
Barra e provës për pasurinë
Komisioni nuk ka gjetur probleme për një depozitë në shumën 1 milion e 480 mijë lekë, për llogaritë rrjedhëse, dhe një autoveturë të trashëguar nga babai, blerë nga ky i fundit kur nuk ishin në të njëjtën ceritifikatë familjare. Po ashtu, nuk u evidentuan probleme për pjesën takuese në një apartament në Fier të trashëguar nga babai, pasuri të cilën e kishite përfituar gjyshja nëpërmjet privatizimit. KPK nuk ka konstatuar gjetje as në verifikimin e llogarive bankare në emër të bashkëshortes së prokurorit Nushi, si dhe të pasurive në emër të familjes së tij të origjinës.
Subjekti ka deklaruar se jeton një apartament me sipërfaqe 93 m2 në Tiranë, të blerë nga vjehrri në vitin 2001. Nushi ka deklaruar përdorimin pa kundërshpërblim. Ai ka shpjeguar se vjehrri i’a ka lënë të bijës këtë pasuri para martesës dhe para fillimit të detyrës.
KPK ka kryer analizën e burimeve nga të ardhurat e vjehrrit nga puna, nga aktiviteti privat në sektorin e ndërtimit dhe të ardhurat e vjehrrës si stomatologe, prej nga ka rezultuar një bilanc negativ në shumën rreth 2 milionë lekë. Megjithatë, relatori Komici vërejti se për arsye se kjo pasuri është blerë para fillimit të detyrës dhe para martesës, është konsideruar se nuk ka lidhje me procesin e rivlerësimit.
Hetimit të Komisionit i është nënshtruar edhe një shtesë e ndërtuar nga vjehrri në vitet 2009-2010 mbi apartamentin që përdoret nga subjekti, pasuri për të cilën është aplikuar për legalizim në vitin 2013 dhe është marrë certifikata e pronësisë nga vjehrri në 2015-ën.
Shtesa është dhënë me qira dhe vjehrri ka autorizuar të bijën me prokurë të posaçme për kryerjen e këtij transaksioni.
Ndërkohë, sipas Komicit, prokura shënonte dhënien me qira të një apartamenti me numër 25, ndërkohë që subjekti përdor apartamentin 27, banesa të ndryshme nga shtesa. Nga hetimi ka rezultuar se nga llogaria prokurorit Nushi është paguar një taksë 16 mijë lekë për regjistrimin e shtesës në pronësi të vjehrrit.
Relatori Komici vërejti se vjehrri ka lëshuar deklaratë ku shpjegon se nuk ka apartamente të tjera në pronësi, por ka qenë lapsus i noterit që ka shënuar numrin 25.
Nisur nga fakti se shtesa duplex është ndërtuar kur vjehrri subjektit jetonte dhe punonte ne Elbasan, Komisioni konstaton se duket se ai nuk e ka pasur një nevojë të tillë. Për rrjedhojë, janë ngritur dyshimet se mund të jetë pasuri e fshehur e prokurorit Nushi në emër të vjehrrit të tij.
Në analizën financiare përllogaritjet janë kryer bazuar në çmimet mesatare të ndërtimit sipas Entit Kombëtar të Banesave, duke u konkluduar se janë shpenzuar rreth 4.4 milionë lekë për shtesën. Komici tha se subjektit i është kaluar barrë prove për të vërtetuar ligjshmërinë e burimeve financiare të shtesës, si dhe se nuk gjendet në kushtet e fshehjes së kësaj pasurie.
Nga analiza financiare e shpenzimeve të familjes së subjektit, nuk janë gjetur pamundësi financiare.
Prokurori Nushi deklaroi se nuk kishte lidhje me ndërtimin e shtesës apo përfitim nga kjo pasuri. Lidhur me të ardhurat e vjehrrit nga kompania e ndërtimit, ai theksoi se ishte provuar se kishte pasur aktivitet që prej vitit 1994. Por, sipas tij, vetë institucionet kishin deklaruar se nuk kishin informacione për gjithë të ardhurat e për rrjedhojë gjendej në pamundësi objektive për t’i vërtetuar ato.
Nushi deklaroi se provohet me dokumentacion ligjor se vetëm me të ardhurat e viteve 2005-2010 justifikohen dhe tejkalohen shpenzimet dhe investimet e kryera nga vjehrri. Ai shtoi se vjehrra ka ushtruar aktivitetin si stomatologe në ambientin e një të afërmi, pa kundërshpërblim.
Lidhur me arsyen e investimit të shtesës, subjekti shpjegoi se atë periudhë familja e tij dhe e motrës së bashkëshortes ishin shtuar me fëmijë dhe për këtë arsye vjehrri dhe vjehrra kishin vlerësuar të transferoheshin në Tiranë për t’u qëndruar pranë dhe për t’i ndihmuar të rritjen e fëmijëve.
Subjekti kundërshtoi vlerën e ndërtimit të përcaktuar nga Komisioni. Sipas tij, është e vërtetuar se ndërtimi nuk është standard, por me pjesë hekuri dhe materiale të ricikluara prej vjehrrit. Sipas tij, kjo kuptohej dhe me sy të lirë për shkak se dyert dhe dritaret nuk ishin të njëjta.
Për numrat e apartamenteve ai këmbënguli se ishin lapsuse të noteres dhe se apartamenti nr.25 vërtetohej me dokumentacion se zotërohej nga të tjerë persona.
I pyetur lidhur me likujdimin e shumës 16 mijë lekë nga llogaria e tij për regjistrimin e shtesës në emër të vjehrrit, subjekti deklaroi se kur kishin shkuar tek ALUIZNI, kishin mësuar për këtë pagesë. Nushi pohoi se nuk kishte pasur as ai dhe as vjehrri këtë shumë cash me vete dhe kishin parë se tek zyrat e ALUIZNI-t gjendej një sportel i bankës ku merrte pagën. Subjekti deklaroi se nëse do kishte pasur diçka për të fshehur lidhur me shtesën, nuk do ta kishte kryer pagesën nga llogaria e tij, por mund ta tërhiqte cash shumën 16 mijë lekë. Sipas tij, ky veprim është kryer që vjehrri të mos shkonte në Elbasan e të kthehej për të kryer regjistrimin një ditë tjetër.
Profesionalizmi
Në aspektin profesional, Komici relatoi gjetje që kishin të bënin më së shumti me çështje të denoncuara nga publiku.
Për një procedim të vitit 2015, u konstatua se dukej se Nushi kishte pushuar hetimin për një shtetas meksikan të dyshuar se përdorte pasaportë të falsifikuar, pa kryer më parë ekspertim. Subjekti deklaroi se kishte një akt ekspertimi, që ishte vendosur në dyshim pas sigurimit të provave të reja. Ai shpjegoi se Ambasada Meksikane në Romë kishte konfirmuar se personi në fjalë kishte dokumentacion të rregullt. I pyetur nga Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me këtë situatë, Nushi pohoi se shtetasi meksikan kishte pasur me vete dhe dokumente të tjerë ku përputheshin të dhënat dhe fotoja e tij. Subjekti shtoi se nga hetimi kishte rezultuar se ai person nuk kishte qenë i dyshuar për ndonjë vepër penale në asnjë shtet.
Kessler e pyeti nëse mund të ngriheshin dyshime mbi një person që udhëtonte nga Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Danimarkë, më pas në Koraci, Malt të Zi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Turqi, Dubai, Indi dhe në fund rikthyer në Meksikë. Nushi tha se kishte kryer verifikime dhe për personalitetin e të proceduarit, por deri në momentin e vendimarrjes së pushimit të çështjes nuk kishin konstatuar ndonjë problem.
Subjekti ka pushuar edhe një hetim që kishte të bënte me kallëzimin e kryer nga administratori i një pike shitjesh karburantesh, që kishte pretenduar se më të padrejtë policia i kishte bllokuar aktivitetin dhe i kishte dëmtuar pajisjet, duke i sjellë një dëm të madh. Sipas denoncuesit, Nushi nuk ka kryer hetime.
Nushi deklaroi ngjarja kishte ndodhur në vitin 2013 dhe se nuk kishte prova, por vetëm thënie dhe kundërthënie. Subjekti shtoi se vetëm gjatë procesit të vetingut kishte mësuar se vendimmarrja e tij ishte prishur nga Prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe. Sipas, Nushit, kishte kërkuar për dosjen por nuk gjendej në prokurori. Ai theksoi se vendimmarrja nuk ishte prishur nga gjykata.
Prokuori Nushi kundërshtoi edhe konstatimin se duket se nuk ka kryer hetime të plota për një person dhe një notere lidhur me aktin e lëshuar prej saj. Sipas subjektit, çështja kishte 9 vjet që shqyrtohej në gjykatë lidhur me aktin e lëshuar nga noterja dhe për këtë arsye duhej pritur ajo vendimmarrje. Nushi sqaroi se akti ishte i vitit 1989 dhe për rrjedhojë edhe nëse do të ishte i falsifikuar, ishte parashkruar vepra penale. Ai vërejti se vendimmarrja e tij nuk ishte ankimuar dhe se nuk e kuptonte pse kallëzuesi nuk ishte tani dakord.
Lidhur me konstatimin e KPK se subjekti ka trajtuar tre të pandehur në të njëjtën mënyrë pavarësisht veprave penale për të cilat akuzoheshin, subjekti shpjegoi se një prej tyre ishte punonjës policie që kishte bashkëpunuar me krimin kundrejt pagesës, duke u siguruar të dhëna sensitive. Sipas Nushit, për një punonjës policie që kryen veprime të tilla duhet kërkuar dënimi maksimal që parashikon vepra penale. Ai mohoi që t’i kishte trajtuar njëlloj të pandehurit, duke shpjeguar se për njërën që ishte nënë me fëmijë, kishte kërkuar pezullimin e dënimit.
Nushi tha se nuk qëndronin pretendimet e një denoncuesi tjetër për hetime të paplota dhe cënim të së drejtës së të dëmtuarit për t’u njoftuar. Ai theksoi se kishte provuar se kishte kryer hetime të plota dhe se ankesat e denoncuesit ishin kryer rreth 10 ditë para se çështja të depozitohej në prokurori. Sipas tij, megjithëse gjykata urdhëroi kryerjen e dy veprimeve hetimore, çështja sërish shkoi në gjykatë për pushim dhe u pranua.
Për pretendimin e një denoncuesi për zvarritje të gjykimit, subjekti tha se nuk kishte qenë i pranishëm vetëm në një seancë dhe kjo jo për faj të tij. Ai sqaroi se kishte pritur mbi një orë për të marrë pjesë në seancë dhe se kjo vërtetohet me procesverbal. Nushi pohoi se kishte tentuar të komunikonte me gjyqtarin e çështjes, por kishte qenë e pamundur.
Lidhur me një pretendim të ngritur në një media se subjekti nuk ka kryer hetime për rreth dy muaj e gjysmë lidhur me një çështje, Nushi sqaroi se dosja administrohej nga një tjetër prokuror që ishte shkarkuar. Sipas tij, megjithëse shorti i kishte caktuar atij vijimin e hetimeve, dosja fizike ishte marrë më vonë.
Subjekti pohoi se në rastin në fjalë nuk kishte vepër penale dhe se detyrat e lëna nga gjykata kishin të bënin me ballafaqimin e dy personave që nuk ngrinte peshë.
Në vijim ai shpjegoi lidhur me pretendimet për zgjatjen e hetimeve të një procedimi mbi dy vjet. Sipas subjektit, në rastet kur nuk ka emër personi nën hetim nuk ka afate të tulla.
Në përfundim, prokurori Dritan Nushi deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 31 janar, në orën 09:45.
/Reporter.al/