Në vitin 2023, eksportet arritën në 440 miliardë lekë, sipas të dhënave të INSTAT.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, vlera e mallrave të shitura jashtë vendit shënoi një tkurrje prej 9.5%, teksa në dy vitet e mëparshme (2021 dhe 2022) eksportet ishin zgjeruar me ritme dy shifrore.
Rënia në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për shumë muaj për shkak të pandemisë dhe eksportet ranë me rreth 9% me bazë vjetore atë vit, nga 9.5% që u tkurrën në 2023.
Zhvlerësimi i euros vlerësohet një nga faktorët që i ka dhënë goditjen më të madhe eksportuesve, krahas shtimit të kostove dhe konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare. Euro u kwmbye mesatarisht me 108.7 lekw nw 2023, duke zbritur nw verw afwr 100 lekwve, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.
Të gjitha grupet, me përjashtim të “ushqimeve, pije e duhan” shënuan tkurrje në 2023. Rënia më e fortë ishte për Minerale, lëndë djegëse, energji (-12.5%) dhe “Mat, Ndërtimi, metale” (-21%), që janë dy sektorë të varur nga konjuktura e tregjeve ndërkombëtare. Në rënie ishte dhe industria e tekstile e këpucë me 6.6%, makineri e pajisje me 1.6%, ndërsa ushqimet pije e duhani u rritën me 7.6%, si rrjedhojë e ecurinë së mirë në pjesën e parë të 2023-t, ndërsa muajt e fundit edhe ky grup ishte në rënie.
Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +0,8 pikë përqindje.
Që nga marsi, eksportet nuk po arrijnë ta marrin veten, duke shënuar ecurinë më të keqe që nga periudha e pandemisë. Në janar, shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për tu ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9% për të vijuar në shtator me -12.8%. Në tetor, tkurrja u ngadalësua në 4.3% dhe nëntor u thellua me 21,8%.
Në dhjetor 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me -6,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më par Efektin më negativ në rënien e nëntorit e ka shënuar industria tekstile dhe e këpucëve. Rënie e dhjetorit u ngadalësua si rrjedhojë e ecurisë pozitive të grupit materiale ndërtimi e metale, që pothuajse dyfishoi shitjet në muajin e fundit të vitit.
Sipas INSAT, gjatë muajit Dhjetor 2023, në uljen e eksporteve prej -6,6%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -10,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,1 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -1,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +11,3 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,9 pikë përqindje.
Fasoni, shtohen falimentimet
Industria e tekstileve e këpucëve, që punon me material porositësi (fason) dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend (kryesisht shtresave me të ardhura të ulëta), kaloi një situatë të vështirë në 2023, e ndikuar nga rritja e kostove (kryesisht të punës) dhe sidomos rënies së euros.
Në 2023-n, ky sektor realizoi shitje prej 126 miliardë lekësh, me rënie prej 6.6% me bazë vjetore. Tendenca rënëse vijoi dhe në dhjetor, me -15.4%.
Sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shoqata e Eksportuesve njofton përditë mbylljen e kompanive dhe shkurtimin e punonjësve, teksa shumë partnerë po i zhvendosin porositë në vende me kosto më të lira prodhimi, si Tunizi, Marok e Egjipt.
Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 104-105 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.
Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 29% të totalit.
Mineralet e lëndët djegëse, me rënie
“Mineralet dhe lëndët djegëse” ranë me 34.5% në dhjetor. Ecuria e eksporteve të këtij grupi varet nga energjia si dhe nga numri i anijeve që arrin të dërgojë në një muaj Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, si dhe eksporteve të energjisë. Për 12-mujorin, grupi ka shënuar një tkurrje prej 12.5%,.
Materialet e ndërtimit e marrin veten në dhjetor, por e mbyllin vitin me rënie të fortë
Materialet e ndërtimit dhe metalet iu rikthyen rritjes së fortë në dhjetor, pasi kishin shënuar një tendencë negative përgjatë gjithë 2023-t. Në dhjetor, shitjet u rritën me 83%. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si tendenca e çmimeve, por dhe ecuria e kërkesës.
Pavarësisht ecurisë së mirë të dhjetorit, për 12-mujorin, ky grup u tkurr me 21%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve.
Ushqimet, pijet dhe duhani, të vetmet me rritje vjetore, por u tkurrën ndjeshëm në dhjetor
“Ushqimet, pijet dhe duhani” ishin sektori me ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve në 2023, duke e mbyllur vitin me rritje pozitive prej 7.6%. megjithatë, kjo rritje i dedikohet ecurisë së mirë në pjesën e parë të vitit, ndërsa në muajt e fundit të 2023-t shitjet ishin me rënie. Moti i pafavorshëm dhe rritja e kostove kanë ndikuar negativisht ecurinë e sektorit. Në dhjetor, eksportet e këtij grupi ranë me 13.3%, hera e parë në 2023 që tkurrja ishte dy shifrore.
Industria automotive e mbyll vitin me rënie të lehtë, ndërsa tkurren ndjeshëm në dhjetor
Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive.
Por, në muajt në vijim ky grup shënoi ecuri negative. Sipas përfaqësuesve të kompanive, kjo tendencë lidhet me pasojat që po jep zhvlerësimi i euros në aktivitetin e fabrikave që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimit për industrinë automotive. Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e kostove po e bën industrinë më pak konkurruese. Për 12-mujorin grupi është tkurrur me gati 2%. Vetëm në dhjetor, shitjet e industrisë automotive ranë ndjeshëm me 20%.
Ulet deficiti tregtar
Sipas INSTAT, Gjatë vitit 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 440 mld lekë, duke u ulur me -9,5%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 873 mld lekë, duke u ulur me -8,2%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 432 mld lekë, duke u ulur me -6,7%, krahasuar me vitin 2022.
Bien eksportet me Italinë e Spanjën, rriten me SHBA-të e Kosovën
Sipas INSTAT, Në muajin Dhjetor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Dhjetor 2022 janë: Italia (11,3%), Spanja (28,7%), Gjermani (6,8%), etj.
Ndërsa vendet me të cilët eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: SHBA (611,9%), Kosova (1,8%), Greqi (4,0%), etj.
Gjatë këtij viti vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,2%), Gjermania (27,7%), Spanja (19,1%), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kosova (8,3%), Greqia (13,1%), Kina (2,7%), etj.
Në muajin Dhjetor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (14,1%), Kina (14,9%), Turqia (24,5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Dhjetor 2022 janë: Gjermania (5,6 %), SHBA (69,5%), Mbretëria e Bashkuar (44,5%), etj.
Gjatë këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (5,9%), Turqia (26,2%), Greqia (23,6%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (21,0%), Gjermania (5,2%), SHBA (32,3%), etj.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 52,7%, të gjithë tregtisë. Në Dhjetor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 59,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 49,1% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (25,5%), Kina (8,5%), Turqia (7,1%) dhe Gjermania (6,6%).
Shkëmbimet tregtare, për vitin 2023, me vendet e BE-së zënë 57,9% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Dhjetor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,8% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,2%), Kina (7,9%), Turqia (6,8%) dhe Greqia (6,5%)./ MONITOR