Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në mbledhjen e fundit të vitit një sërë lejesh ndërtimi, kryesisht në kryeqytet dhe bregdetin e jugut.
Shumë prej lejeve të miratuara nga KKT më 26 Dhjetor 2023 shkojnë për biznesmenë që kanë përfituar të tilla më herët me firmën e Kryeministrit Edi Rama, për ata që kanë përfituar nga ligji i qeverisë për investitorët strategjikë dhe të tjerë të njohur për fondet e marra përmes prokurimeve publike.
Ndërtimet në bregdet
Një prej vendimeve të miratuara është leja e zhvillimit për objektin: “Kompleks rezidencial dhe turistik “Delta Gardens”, me vendndodhje në Palasë, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “White Roads Hotel” sh.p.k.
Struktura turistike pritet të ndërtohet në një sipërfaqe rreth 12 mijë metra katrorë, nga e cila një e katërta është tokë private, ndërsa tre të katërtat, ose rreth 9 mijë metra katrorë, janë pronë shtetërore. Më herët shoqëria private ka siguruar primatin e tenderave publikë të zhvilluar nga qeveria “Rama” për procesin e Rindërtimit. Gjithashtu “Gjikuria” ka siguruar edhe një koncesion qeveritar për ndërtimin e rrugës Porti i Jahteve Orikum-Dukat, me vlerë 50.5 milionë euro. Në verën e vitit 2021 u raportua se kompania “Gjikuria” u përfshi në një hetim penal për ndërtim të paligjshëm, pasi kishte nisur punimet për rrugën koncensionare pa u pajisur më parë me lejet e ndërtimit.
Një tjetër leje ndërtimi në bregdet është dhënë për “Resort turistik dhe rezidencial ‘Village Square'” në Dhërmi, Himarë, nga “Seaside Construction” sh.p.k. Firma është me administrator Fation Bojarin, e themeluar para rreth një viti në nëntor 2022, me vetëm 1 milionë lekë të vjetra kapital.
Leje ndërtimi për komplekse turistike me disa kate janë dhënë po ashtu në zona të tjera të bregdetit nga veriu në jug, si Lezha, Durrësi, Vlora, Himara e Saranda.
Kullat
Lejet për ndërtime në Tiranë janë më të dendura, ku nuk mungojnë as ato për kulla.
Një prej tyre është leja e ndërtimit për objektin: “Godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie 6, 13, 20, 27, 34 dhe 41 kat dhe 5 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rr. “Muhamed Gjollesha”, Bashkia Tiranë, me subjekte zhvilluese shoqëritë “Develalb Construction” sh.p.k dhe “Edonil Konstruksion” sh.p.k. Përfituesit janë shoqëritë “Develalb Construction”, me aksioner kryesor Ilir Shtufin, dhe “Edonin Konstruksion”, me aksioner kryesor Agron Meçen, të cilët do të ndërtojnë një kullë me 41 kate mbi tokë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Në “rrugën e Kavajës” është dhënë leje të ndërtohet një kullë 58-katëshe nga shoqëria “Classi S&J” sh.p.k. në pronësi të Agron Papulit.
Po në Tiranë, është dhënë leje të ndërtohet edhe kulla e quajtur “Kompleks Multifunksional Hometown” nga shoqëria “Epoch Construction” në pronësi të Altin Çelës.
Nuk mungon si përfitues i lejeve të ndërtimit edhe Shkëlqim Fusha, shoqëria e të cilit “Fusha sh.p.k.” do të ndërtojë një kullë 33-katëshe dhe me katër kate parkim.
Kullave të mësipërme do t’u shtohet një godinë 17-katëshe mbi tokë e shoqërisë “Aulonamar”, në pronësi të Isuf Berberit dhe Ektor Pustinës.
Në rrugën “Hysni Gerbolli” do të ndërtojë Rrok Gjoka, pronar i “Gjoka Konstruksion”, e cila ka përfituar leje për të ndërtuar një kullë me 36 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë.
Në rrugën “Liman Kaba” do të ndërtohet një kullë 19-katëshe prej shoqërisë “TDT & Partners”, në pronësi të Petrit Ismailit.
“Afera korruptive”
“Lëvizja Bashkë” i cilëson lejet e firmosura nga KKT me drejtues kryeministrin Edi Rama si korruptive.
“Këto janë në vazhdën e aferave korruptive që Edi Rama po bën me të ashtuquajturit ‘investitorë strategjikë’. Të gjitha këto janë metastazat e një kanceri korruptiv që nis nga Edi Rama dhe vazhdon me oligarkët dhe gangsterët më të rrezikshëm të vendit tonë. Po Shqipëria nuk mund të jetë pafundësisht çiflig i keqbërësve të dukshëm e të padukshëm. Plazhet, parqet, hapësirat publike, lumenjtë dhe pasuritë e nëntokës i përkasin popullit”, shrephet “Lëvizja Bashkë” në një reagim.
Më tej, njofton nisjen e një aksioni anti-korrupsion për të ngritur ndërgjegjen qytetare ndaj asaj ç’ka e quajnë “të keqen e madhe”.
“Ne, viktimat e panumërta të korrupsionit e kapjes së shtetit, duhet të bashkohemi dhe të ngremë zërin në kupë të qiellit për të drejtat dhe mundësitë që po na mohojnë përditë e më shumë”, shprehet “Lëvizja Bashkë”.