Partia Demokratike ka depozituar në SPAK një kallëzim penal për “faljen”, sipas tyre, të sipërfaqes së tokës në rrugën “Ndre Mjeda” drejtuesit të mediave Carlo Bollino nga qeveria e Edi Ramës, e cila ishte destinuar për ndërtimin e një shkolle e falur nga familja Begeja, por që më pas u ngritën godina e redaksive të mediave të Bollinos. Bëhet fjalë për një sipërfaqe të përgjithshme 4021.5 m² e cila është dhënë me qira për 1 euro me VKM.
Të kallëzuarit penalisht janë kryeministri Edi Rama, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Arian Kraja, ish- Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Teritorrit, Ledia Tota dhe Carlo Bollino.
Ata janë kallëzuar penalisht për kryerjen e 10 veprave penale si: “Shpërdorimi i detyrës”, ”Mashtrimet”, ”Përpilimi i deklaratave të rreme”, “Dhënia e informacioneve të rreme”, ”Falsifikimi i dokumenteve”, “Përfitimi i paligjshëm i interesave”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
“Kabineti qeveritar dhe agjencitë në varësi të tij, janë vënë në dispozicion të shtetasit Carlo Bollino, duke I plotësuar atij çdo kërkesë, në kohë rekord, duke ndryshuar vendime të Këshillit të Ministrave, para dhe post faktum. Sa herë që zoti Bollino, ka paraqitur kërkesa pranë Ministrisë së Fiancave dhe Ekonomisë, ato janë trajtuar, brenda 48-orëve, duke vënë në lëvizje dhe Këshillin e Ministrave, i cili ka miratuar vendime Brenda 24-orëve nga propozimi. Kjo mënyrë veprimi, e vlerësuar në kombinim me politkën edioriale të Report TV, tregon fare qartë se korrupsioni në këtë rast ka të bëjë me përfitime që vijnë nga trajtimi i veprimtarisë së qeverisë nga televizioni Report Tv, sikur ky televizion të ishte strukturë apo në varësi të qeverisë/mazhorancës.” – thuhet në dokumentin ku kallëzues është deputeti i PD-së, Flamur Noka.
Më tej në dokument thuhet se nëse kallëzimi vlerësohet me kujdes, mund të rezultojë që në këtë veprimtari kriminale, do të mund të ketë dijeni, apo të jetë i përfshirë edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe funksionarë të tjerë të kësaj maxhorance.
“Jam i bindur se, nëse ky kallëzim penal, vlerësohet me kujdesin e duhur, me objektivitet, duke kryer veprime hetimore të thelluara, proaktive, diskrete, dhe me kurajo, mund të rezultojë që në këtë veprimtari kriminale, do të mund të ketë dijeni, apo të jetë i përfshirë edhe Kryetari aktual i Bashkisë Erion Veliaj, Kryeministri Edi Rama, dhe funksionarë të tjerë të kësaj maxhorance në varësi apo të lidhur me ta, që kanë lejuar, bërë të mundur, lehtësuar, favorizuar apo pse jo, dhe realizuar që, prona dhe fondet publike të destinuara sipas ligjit për tu përdorur për interes publik, dhe përmes një konkurimi të lirë, në fakt, janë keqpërdorur përmes procedurave të prokurimit ku fituesit janë të paracaktuar, siç qartësisht rezulton e provuar në këtë rast përfituesi është kompania e MTSC, në pronësi të z.Carlo Bollino. Jo vetëm kaq, por duke shtrembuar faktet dhe të vërtatat, njëkohësisht janë dëmtuar dhe interesat e pronarëve të truallit, që kanë gëzuar të drejta parablerje mbi godinat shtetërore, të cilat sic rezulton i janë dhënë përmes një procesi fiktiv korruptiv e fiktiv zotit Bollino.” – thuhet në dokument.
Sipas Partisë Demokratike, kjo lloj veprimtarie e kundraligjshme, ndër të tjera, ka si pasojë:
- Shkeljen e legjislacionit të konkurimi publik, përmes zhvillimit të ankandeve fiktive, në dëm të interesit të shtetit dhe të shtetasve;
- Prona publike godina janë prishur me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim që zoti Bollino të përfitonte truallin. Kjo nga njera anë ka sjellë përfitimin e padrejtë të një sipërfaqe trualli shtetëror, nga ana tjetër ka krijuar një dëm financiar që lidhet me vlerën “reale” të godinave të prishura prej 34 000 000 lekë, dhe nga ana tjtër detyrimin e shtetit për të kompensuar pronarët me cmim tregu, për tokën ndërkohë që shteti nuk ka realizar të njëjtin shkëmbim me zotin Bollino.
- E gjithë kjo veprimtari ka cenuar rëndë tërësinë e marrëdhënieve juridiko shoqërore të vendosura në mbrojtje nga legjislacioni penal, parashikuar në cdo dispozitë të Kodit Penal, për të cilën paraqitet ky kallëzim.
Duke prezantuar kallëzimin penal nga selia blu, deputeti Flamur Noka u shpreh se faktet janë tronditëse dhe ulëritese, ku sipas tij, Rama bën pronarë me firmën e tij brenda 24 orësh, Karlon e vet.
“Jam sot përpara jush për të informuar publikun për një kallëzim penal që kam depozituar para dy ditësh pranë Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Siç e dini, pasi është bërë publike dhe denoncuar disa herë nga kryetari i PD, Sali Berisha, ky kallëzim penal vjen si pasojë e të gjitha shkeljeve penale që ka kryer direkt Edi Rama dhe qeveria shqiptare në bashkëpunim me shtetasin Karlo Bolino. Dua t’u sqaroj në vija të përgjithshme se në thelb në këtë denoncim, ne kemi të bëjmë për të publikuar angazhimin direkt të Edi Ramës, të ministres Anila Denaj dhe të gjithë qeverisë, por edhe të Erion Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës, për t’i dhënë Karlo Bolinos në kundërshtim me ligjin, një pronë të destinuar për shkollë publike, një pronë të falur, të dhuruar nga familja Begeja. Bëhet fjalë për një seri ndryshimesh të VKM-së numër 54 të vitit 2014. Konkretisht Edi Rama dhe qeveria e tij në katër VKM, me referencë specifike kompaninë Bolino, vjedhin 1500 metër katrorë tokë të falur nga familja Begeja, trashëgimtar i të cilës është zoti Malltezi. Bëhet fjalë për një vendim të KKT të firmosur nga Edi Rama dhe 1.4 milionë euro para të taksapaguesve shqiptarë, që kanë shërbyer për të konvertuar Karlon në pronar të një prej medieve personale të pushtetit. Një media, e cila e nis dhe e mbyll ditën me shpifje, me trillime, me sulme, me baltosje dhe mashtrime kundër opozitës dhe kryesisht PD-së. Edhe pse Edi Rama dhe qeveria e tij i kanë të gjitha pushtetet në dorë, i kanë të gjithë firmat, vulat dhe mekanizmat, ata përsëri nuk ndalen në avazin e tyre, falsifikimin dhe mashtrimin me dokumentet zyrtare të shtetit. E gjitha kjo bëhet vetëm e vetëm që Karlo Bolino dhe grupi i tij mediatik, një media banale, të shndërrohet në media të madhe. Edi Rama e dinte shume mirë që ajo pronë, ai truall prej 4,021 m2, nuk mund të merrej dot nëse ai nuk do të falsifikonte dhe do të urdhëronte Anila Denajn, të cilën e ka rikthyer serish në kabinetin e hajdutëve, që të shkelte çdo ligj në shërbim të Karlos. Faktet janë tronditëse dhe ulëritese. VKM-ja e jashtëligjshme e Karlos miratohen çuditërisht brenda 24 orëve. Kontratat e Karlos firmosen me falsifikime të rënda fap-fap-fap nga Edi Rama. I zbardhet leja e ndërtimit mbi dokumente të falsifikuara dhe i jepen milionat e eurove tendera nga AKSHI, Karlo bëhet jo vetëm biznesmen, por edhe pronar televizioni dhe trualli. Ndërkohë që pronaret e vërtetë të atij trualli, që përfaqësohen nga zoti Malltezi, përndiqen, hetohen dhe burgosen, njësoj si në periudhën e errët të diktaturës hoxhiste, vetëm pse për 14 vite kanë rifituar ligjërisht 410 m2 tokë të rrëmbyer për 5 dekada nga regjimi komunist. Sali Berisha burgoset pse procedura e rikthimit te truallit tek pronarët legjitimë zgjati 14 vite dhe në këtë procedure nuk ekziston asnjë firme e tij as dhe dëshmi kundër tij. Ndërkohë Edi Rama bën pronarë me firmën e tij brenda 24 orësh, Karlon e vet. Ndërkohë në dosjen e mbushur me trillime dhe mashtrime kundër Sali Berishës, ka vetëm një firmë të jashtëligjshme dhe flagrante, dhe ajo është firma e vetë Edi Ramës si kryetar bashkie dhe ka vetëm një person të dënuar nga gjykata me 320 mijë euro për shkelje ligji dhe ai është Edi Rama. Ndërkohë që Dumanët, Krajat dhe Millonaitë e SKAP-it të partisë, refuzojnë jo vetëm ta shohin këtë firmë, por kanë frikë dhe t’i përmendin emrin në dosje Edi Ramës. Në kallëzimin tonë penal, të cilin pas kësaj konference do t’ua vëmë në dispozicion të gjithë mediave, prokurorët e SPAK e kanë punën të kryer dhe nuk do munden dot të fshehin asnjë emër dhe asnjë firme, pasi faktet janë flagrante dhe te pamohueshme. Kemi kërkuar hetim penal për Edi Ramën, Anila Denajn, Karlo Bolinon, Engjëll Agaçin dhe disa zyrtarë të tjerë të lidhur me këtë procedurë antiligjore.” – u shpreh Flamur Noka.
Ndërkohë, anëtari i Kryesisës së PD-së, Belind Këlliçi, teksa dha detaje mbi mënyrën se si i është dhënë prona Carlo Bollinos, i bëri apel SPAK-ut që të hetojë me përparësi këtë dosje, e cila është e mbushur plot me fakte te pakontestueshme dhe e cila do të shërbeje për të hedhur dritë mbi mënyrën mafioze se si kreu i qeverise Edi Rama, blen dhe përdor mediat e vendit, për të goditur opozitën dhe kundërshtaret e tij politikë, me falsifikime qeveritare dhe para të Inceneratorit fantazmë të Tiranës.
“Procedura nis me buletinin Nr.29 datë 22.07.2019 të Agjencisë së Prokurimit Publik, Ministria e Financave dhe Ekonomisë rezulton të ketë shpallur njoftimin për “Dhënien me qira të pasurisë 7/649 me sipërfaqe të përgjithshme 4021.5 m²”. Me pas Anila Denaj shpall fitues Carlo Bollinon, duke i propozuar Këshillit te Ministrave qe Carlo te mos paguante me 6,300 euro qira ne muaj, por ta përfitonte atë me vetëm 1 euro. Duhet thënë se ky ndryshim i VKM nr. 54, qe i kursente zotërisë ne fjale qiranë, është bere nga qeveria Rama.
Momenti kryesor nga ku fillon paligjshmëria është miratimi i lejes se ndërtimit me date 13 janar, 2020. Këshilli Kombëtar i Territorit, me Kryetar Edi Ramen, miraton një leje ndërtimi per nje godine te vetme. Kontrata e qirasë përcaktonte fare qarte se Carlo Bollino do te duhej te rikonstruktonte 3 godina, e me pas t’ia kthente ato shtetit shqiptar. Pra, siç rezulton, kompania MTSC sh.p.k, në momentin e marrjes së Lejes së Ndërtimit në datë 13.1.2020, leje kjo e dhënë për ndërtimin e një godine unike, dhe jo rikontruksionin e tre godinave të ndryshme ekzistuese shtetërore, siç parashikohej në kontratën e qirasë, kompania nuk dispononte të drejta pronësie apo qiramarrjeje, mbi katin e dytë të godinës kryesore, e cila i është dhënë kësaj kompanie vetëm me VKM Nr. 157, datë 19.02.2020, ndërkohë që Leja e Ndërtimit ishte dhënë 30-ditë më parë në datë 13.1.2020. Atëherë lind pyetja:
– Si e dinte KKT, që Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë do të propozonte shumë shpejt një vendim, dhe ky do të miratohej nga Këshilli i Ministrave, për t’i dhënë zotit Bollino një sipërfaqe shtesë në godinat shtetërore?
– Si e dinte KKT, që godinat shtetërore që ishin dhënë me qera nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, do të prisheshin, me propozim të kësaj të fundit, ndërkohë që KKT ka dhënë Lejen e Ndërtimit më datë 13.1.2020, ndërsa prishja e godinës do të ndodhte 4 muaj më vonë?!!!
– Nëse Leja e Ndërtimit jepet nga KKT, në 13 Janar 2020, a është ky akti që ka diktuar marrëdhënien e qerasë apo vet ekzistencën e godinave shtetërore dhe njëkohësisht dhe fatin truallit, dhe po ky akt me Kryetar të organit z. Edi Rama, ai që ka urdhëruar zonjën Anila Denaj, që të ndryshojë kushtet e Kontratës e më pas vetë ekzistencën e godinave në shkelje të urdhërimeve të ligjit ?!
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.368 , datë 6.5.2020, “Për shembjen e tre objekteve të dhëna me qera është vendosur:
1. Shembjen e 3 objekteve me emërtimet “Objekti nr. 1” 2 kat, “Objekti nr. 2” 1 kat, “Objekti nr. 3” 1 kat, me sipërfaqe totale ndërtimore 2497.06 m2, të dhëna me qira me kontratën e qirasë nr. 2604 rep, nr. 727 kol, datë 14.10.2019, me tarifën 1 euro kontrata, ndryshuar me anekskontratën nr. 479 rep, nr. 189 kol, datë 28.02.2020, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës , dhe shoqërisë “MTSC” , sh.p.k, si qiramarrës.
Pra, vetëm dy muaj, pasi Këshilli i Ministrave me VKM Nr. 157, datë 19.02.2020, ia dha zotit Carlo Bollino të drejtën e qiramarrjes për katin e dytë të godinës, me një tjetër vendim, po Këshilli Ministrave vendosi që kjo godinë të mos ekzistojë më, por të prishet. Kjo tregon, se veprimtaria publike, që po realizohej sipas këtyre akteve, ishte dhënia e gjithë pasurisë publike, me qira përpara prishjes së tyre, me qëllim që zoti Bollino të përftonte maksimalisht gjithë sipërfaqen e truallit funksional dhe nën objekt të tyre. Me pas, konkretisht, në korrik të vitit 2020 miratohet vendimi i Këshillit të Ministrave, VKM 589 datë 22.07.2020. Përmes kësaj VKM-je, ndryshon objekti i kontratës së qirasë, ndërkohë që asnjë godinë e qiradhënësit shtet, tashmë nuk ekzistonte, sepse vet qiradhënësi, me VKM kishte vendosur shembjen totale të tyre.
Atëherë lind pyetja: Cila është ajo pasuri publike, që zoti Bollino kishte të drejta qiraje dhe do të rikonstruktonte për ndërtimin e një Televizioni me kushte bashkëkohore ?!
Për të mbuluar sado pak, këtë injorancë/makutëri në shpërdorimin e pasurisë publike, rezulton se Këshilli i Ministrave është investuar sërish për të plotësuar, aktet rregullatore, në kushtet kur objekti i qiradhënies nuk ekzistonte më. Konkretisht me propozim të zonjës Anila Denaj, Këshilli i Ministrave, miraton VKM nr. 589 datë 22.07.2020, përmes të cilës ndryshon Nenin 2 të kontratës së qerasë. Pra Neni 2 “Qëllimi i Përdorimit” dhe pika 5.7 e nenit 5 “Të drejtat dhe detyrimet e qiramarrësit”, fjalët “rikonstruksion total” zëvendësohen me “rikonstruksionin minimalisht të totalit”.
Pra lind pyetja: Në kushtet kur objekti u shemb, kush nga objektet do të rikonstruktohej, dhe sipas Këshillit të Ministrave, në mënyrë “minimalisht të totalit” ?
Kjo lloj zgjidhje tregon se Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave, përpiqen të mbulojnë paligjshmërinë flagrante të veprimeve të tyre, në shërbim të zotit Bollino dhe Televizionit të rij, “të pavarur”! Ne këtë moment ndodh dhe paligjshmëria me flagrante. Ne datën 24 korrik te vitit 2020, pas miratimit te VKM, firmoset Aneks Kontrata mes Ministrisë se Financave dhe subjektit MTSC. Por kjo kontrate nuk shërbente për zbardhjen e lejes, pasi gjithmonë flitej për rikonstruksion te godinave qe tashme ishin prishur, po me vendim te firmosur nga Edi Rama. Prandaj me date 4 gusht 2020, firmoset nje Aneks Kontrate e re ku si baze ligjore është po e njëjta VKM e muajit Korrik 2020, por tashme fjala rikonstruksion total, zëvendësohet me ‘rindërtim jo me pak se sipërfaqja e godinës ekzistuese”. Kjo fjale nuk përmendet ne asnjë moment te VKM. Pas ketij falsifikimi firmoset dhe zbardhja e lejes se ndërtimit, bazuar ne po ketë Aneks Kontrate.
Te nderuar qytetare, Kallëzimi ka ne brendësi dhe shume fakte te tjera ku përfshihen dhe tentativat e Bashkise Tirane, si administratore fillestare e pronës, për ta dhenë dy here me qira. Do ti duhet SPAK te faktoje nëse dhe ne rastin e Bashkise Tirane, kjo prone do ti jepej Carlo Bollinos. Një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij kallëzimi janë dhe paratë e përfituara nëpërmjet kompanisë bije C-7 Integrated Communication Systems nga tenderat publike te AKSH-it.
I bëjmë serish thirrje SPAK, qe te hetoje me përparësi këtë dosje, e cila është e mbushur plot me fakte te pakontestueshme dhe e cila do te shërbeje për te hedhur drite mbi mënyrën mafioze se si kreu i qeverise Edi Rama, blen dhe përdor mediat e vendit, për te goditur opozitën dhe kundërshtaret e tij politike, me falsifikime qeveritare dhe para te Inceneratorit fantazme te Tiranes.” – u shpreh Këlliçi.
Më poshtë kallëzimi i plotë dhe vendimet e Këshillit të Ministrave: