Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi një vendim të marrë nga Gjykata Kushtetuese në 11 dhjetor 2023 për pezullimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e përkohshëm të emigrantëve afrikanë në vendin tonë, për të shpallur se “ky është një fakt që dëshmon që nuk kontrollon sistemin e drejtësisë”.
Në këtë mënyrë, Rama u rrek të bindë autoritetet e Athinës, të cilët kanë krijuar bindjen se ai ka përdorur diktatin politik mbi drejtësinë për të mbajtur pas hekurave kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, përfaqësues i minoritetit grek.
Por, ndërkohë që Rama përmend vetëm një vendim pezullues dhe të përkohshëm për të treguar se Gjykata nuk janë nën kontrollin e tij, “Boldnews.al” ka identifikuar të paktën 15 vendime, të cilat dëshmojnë se “garantët e Kushtetutës” janë nën kontrollin e kryeministrit.
1. Në Dhjetor të vitit 2019, maxhoranca socialiste e Edi Ramës miratoi me urgjencë shkarkimin e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, i zgjedhur nga vetë deputetët e majtë.
Malaj, një ish-ministër i Financave nga radhët e socialistëve, shprehur publikisht rezerva mbi vendimmarrje financiare të qeverisë së Edi Ramës, duke shkaktuar irritimin e tij, e cila u finalizua me shkarkim nga detyra.
Arben Malaj u ankua në Gjykatën Kushtetuese, për cënim të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe procesit të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 76, dt. 3 Korrik 2020, vendosi “moskalimin në e çështjes seancë gjyqësore”.
2. Gjykata Kushtetuese legjitimoi zgjedhjet mono-partiake lokale të vitit 2019. Me vendimin nr. 63, dt. 7 Prill 2021, trupa gjykuese vendosi të mos kalonte për shqyrtim në seancë gjyqësore kërkesën e subjektit politik Partia Konservatore Kombëtare, e cila kërkoi shfuqizimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershor 2019, ku mori pjesë vetëm Partia Socialiste e Edi Ramës.
3. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 132, dt. 15.11.2021, vendosi të mos kalojë për shqyrtim në seancë kërkesën e Institutit Shqiptar të Shkencave, i cili kundërshtonte rregullat ‘emergjente” të prokurimit publik, të aplikuar nga qeveria e Edi Ramës pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Procedurat e prokurimit publik në kuadër të “Rindërtimit” janë kritikuar se shkelin parimet e konkurencës së ndershme dhe transparencën me përdorimin e fondeve shtetërore.
4. Gjykata Kushtetuese vendosi, me me shumicë votash të mos kalonte në seancë gjyqësore kërkesën e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), aktualisht Partia e Lirisë, e cila kërkoi shpalljen anti-kushtetuese të disa ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga maxhoranca socialiste në vitin 2019, tek ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.
LSI argmentoi në atë kohë se ndryshimet ligjore cënonin autonominë vendore. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë kërkesë me vendimin nr. 151, dt.13.12.2021.
5. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 31, dt. 28 mars 2022, vendosi me shumicë votash që të mos merrte në shqyrtim kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për shpalljen anti-kushtetues të ligjit të maxhorancës së Edi Ramës “Për korporatën e investimeve”.
6. Gjykata Kushtetuese refuzoi të shqyrtonte kërkesën e kompanisë “AL-DE Corporation Limited”, e cila kundërshtoi procedurat e ndjekura nga qeveria e Edi Ramës për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe operimit të Aeroportit të Vlorës. Vendimi i Kushtetuese është numër 43, dt. 12 Prill 2022.
7. Me vendimin nr. 141, dt 28 tetor 2022, Gjykata Kushtetuese refuzoi të kalojë për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e jo më pak se një të pestën e deputetëve për shpalljen si anti-kushtetuese të vendimit të Parlamentit për ngritjen e komisionit hetimor për “Investimet strategjike”.
8. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 7, datë 20 janar 2023, ka mbajtur një prej qëndrimeve me nota vasaliteti maksimale ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Çështja në shqyrtim ishte kërkesa e Alancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për shpalljen anti-kushtetuese të ligjit dhe të gjithë procedurave që u finalizuan me shkatërrimin nga themelet të godinës së Teatrit Kombëtar.
Në atë vendim, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një ligj, i njohur si “ligji Fusha”, të cilin vetë Edi Rama e kishte nxjerrë nga zbatimi. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese nuk pati guximin të shprehej nëse vendimi i Bashkisë së Tiranës së Erion Veliajt për të rrënuar Teatrin Kombëtar ishte apo jo kushtetues.
9. Në vendimin nr. 2, datë 20 janar 2023, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos pranojë kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve për të shqyrtuar drejtëpërdrejtë ligjshmërinë e mandatit të ligjvënëses socialist, Olta Xhaçka, duke pranuar kërkesën e një të dhjetës së deputetëve, të cilët kërkonin që Kushtetuesja të detyronte Parlamentin për të sjellë rastin e Xhaçkës para asaj gjykate.
Vendimi i Kushtetueses ishte një lloj “cirku”, pasi, ndërkohë që e kishte kërkesën për mandatin e deputetes Xhaçka në tavolinë, vendosi t’ia ridërgojë Parlamentit dhe ky i fundit t’ia dërgonte sërish Kushtetueses. Ka kaluar më shumë se një vit nga ky lloj “cirku” dhe Parlamenti ende nuk ka dërguar çështjen e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetët e opozitës e akuzojnë Xhaçkën se ka shkelur Kushtetutën, pasi bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik, duke përfituar lehtësira qeveritare për biznesin e tij privat.
10. Në 7 mars 2023, Gjykata Kushtetuese miratoi me shumicë votash vendimin nr. 51, në bazë të të cilit vendosi të mos kalonte në seancë plenare kërkesën e jo më pak se një e pesta e deputetëve për “papajtueshmërinë e ushtrimit të detyrës të kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi”.
11. Me vendimin nr. 36, datë 16 Qershor 2023, Gjykata Kushtetuese rrëzoi me një shumicë të brishtë kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve për shpalljen anti-kushtetuese të ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”.
Ky ligj, i iniciuar si vullnet personal i kryeministrit Edi Rama, vendosi shndërrimin e Portit Tregtar të Durrësit në një Marinë Jahtesh private në favor të biznesmenit saudit Mohamed el Alabar dhe të tjerë personave “të padukshëm” deri në këtë moment.
12. Me vendimin nr.178, të datës 18 Korrik 2023, Gjykata Kushtetuese refuzoi të kalonte për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e shoqërisë “AYEN AS ENERGY” SH.A., e cila kërkonte shfuqizimin e ligjit nr. 98/2022, datë 22.12.2022 “Për krijimin e kontributit të solidaritetit gjatë kohëzgjatjes së periudhës së krizës energjetike”. Për kërkuesin, ligji parashikonte një taksë të jashtëzakonshme, e cila nuk mbështetej në kritere objektive.
13. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 179, datë 18 Korrik 2023, vendosi të mos kalojë në seancë plenare kërkesën e shoqërisë koncesionare “Ems Albanian Port Operator” sh.p.k, e cila kërkonte shpalljen anti-kushtetuese të ligjit që miratonte Marrëveshjen mes qeverisë së Edi Ramës dhe shoqërisë “Eagle Hill Real Estate” për shndërrimin e Portit të Durrësit në një Marinë Jahtesh.
14. Në 20 Dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese njoftoi se, me shumicë votash, ka vendosur të mos kalojë në seancë gjyqësore kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve, të cilët kërkonin zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Gjykatës së Posaçme dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Në tetor 2023, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” të deputetit Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, pa marrë më parë autorizimin nga Parlamenti.
Për këtë arsye, 35 deputetë kërkuan nga Kushtetuesja interpretimin e nenit përkatës kushtetues dhe zgjidhjen e konfliktit të kompetencave.
Gjykata Kushtetuese refuzoi ta merrte në shqyrtim këtë kërkesë, duke deklaruar se një e pesta e deputetëve nuk legjitimohet për këtë çështje, duke ngritur pikëpyetje të fuqishme mbi integritetin e kësaj gjykate.
15. Në 27 Dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka rrëzuar kërkesën e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët kundërshtonin Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 495, dt. 21 korrik 2022, për miratimin e “Hartës së re Gjyqësore”.
Harta e re gjyqësore shkaktoi reagime të fuqishme në komunitetin e juristëve, ndërkohë që avokatet bojkotuan seancat për më shumë se një muaj. “Greva” e tyre u thye nga presioni që ushtroi kryeministri Edi Rama dhe qeveritarët e tij, duke kërcënuar avokatët me pasoja të rënda nëse nuk pranonin verdiktin e kabinetit qeveritar.