Kohët e fundit, Rusia e ka sulmuar Ukrainën me disa raketa balistike të prodhuara nga Koreja e Veriut, sipas një deklarate të 4 janarit nga Shtëpia e Bardhë e SHBA-së. Kjo është hera e parë që armët më të reja të Koresë së Veriut janë përdorur në një fushëbetejë.
Ja çfarë dihet deri më tani për raketat dhe se nga erdhën ato:
Çfarë raketa përdori Rusia?
Përderisa Shtëpia e Bardhë nuk specifikoi konkretisht se çfarë lloj raketash kishte dërguar Peniani në Rusi, Kirby tha se ato kanë një rreze prej rreth 900 kilometrash dhe publikoi një grafikë që dukej se tregonte raketa balistike të llojit KN-23 dhe KN-25 me rreze të shkurtër veprimi.
Joost Oliemans, një studiues dhe ekspert holandez i ushtrisë së Koresë së Veriut, tha se imazhet e publikuara nga ukrainas në rrjete sociale tregojnë qartë fragmente që janë karakteristike për llojin Hwasong-11 të raketave të Koresë së Veriut, ku përfshihen edhe llojet KN-23 dhe KN-24.
Raketa KN-23 u testua për herë të parë në maj të vitit 2019 dhe ka për qëllim ta shmangë mbrojtjen nga sistemet e mbrojtjes ajrore me raketa duke fluturuar në një trajektore më të ulët, thonë ekspertët.
Koreja e Veriut e ka testuar lëshimin e saj në mënyra të ndryshme, si me mjete lëshimi me rrota, vagonë trenash e nëndetëse të zhytura në ujë.
“Pavarësisht karakteristikave të jashtme dhe asaj që disa mund ta thonë për këtë çështje, kjo familje raketash nuk duket se është e lidhur thelbësisht me Iskanderin rus 9K720, por është një zhvillim indigjen i Koresë së Veriut”, tha Oliemans.
KN-24, i cili fuqizohet edhe nga karburanti i ngurtë, u testua për herë të parë në vitin 2019 dhe duket se tashmë është duke u prodhuar masivisht dhe duke u dislokuar nëpër njësi ushtarake.
Raketa KN-24 i ngjan Sistemit amerikan të Raketave Taktike të Ushtrisë MGM-140 dhe, si KN-23, është projektuar për ta shmangur mbrojtjen nga raketat duke fluturuar në një trajektore më të rrafshët se raketat balistike tradicionale.
Për shkak se verikoreanët mund t’i kenë konfiguruar lëshuesit e tyre bazuar në përvojën e tyre të madhe me pajisjet e vjetra sovjetike, ekuipazheve ruse mund të mos u duhet shumë kohë për të mësuar se të operohen sistemet e importuara nga Koreja e Veriut, tha Ankit Panda, nga Carnegie Endowment for International Peace, me qendër në SHBA.
“Këshilltarët teknikë të Koresë së Veriut mund të jenë të pranishëm në Rusi për ta këshilluar [ushtrinë] mbi përdorimin e këtyre sistemeve”, tha ai.
Ku i mori raketat Rusia?
Koreja e Veriut ka qenë nën një embargo armësh të vendosur nga Kombet e Bashkuara që kur testoi për herë të parë një bombë bërthamore në vitin 2006. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB – të miratuara me mbështetje nga Rusia – ua ndalojnë vendeve të tjera të tregtojnë armë ose pajisje të tjera ushtarake me Korenë e Veriut.
Në nëntor, autoritetet e Koresë së Jugut thanë se Koreja e Veriut mund ta ketë furnizuar Rusinë me raketa balistike si pjesë e një marrëveshjeje më të madhe armësh, që përfshinte edhe raketa antitank dhe kundërajrore, predha artilerie, mortaja dhe pushkë.
Si Moska, ashtu edhe Peniani kanë mohuar më parë arritjen e ndonjë marrëveshjeje armësh, por vitin e kaluar u zotuan t’i thellojnë marrëdhëniet ushtarake.
Që nga gushti, në portin Rason në bregun verilindor të Koresë së Veriut janë evidentuar vizita nga anije ruse të lidhura me sistemin e logjistikës ushtarake të Rusisë, sipas zyrtarëve të SHBA-së dhe Koresë së Jugut dhe raporteve të studiuesve perëndimorë që citojnë imazhe satelitore.
Deri në nëntor, Koreja e Veriut kishte dërguar rreth 2.000 kontejnerë transporti nga Rason të dyshuar se mbanin armë, duke përfshirë potencialisht edhe raketa balistike, ka thënë Koreja e Jugut.
Raketa KN-24 besohet se është montuar në një fabrikë armatimesh në Sinhung, që u vizitua nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në gusht, tha Oliemans.
“Ekzemplarët e fotografuar në atë kohë mund të jenë dërguar në Rusi vetëm disa muaj më vonë”, tha ai.
Lideri verikorean ka bërë thirrje që industria e mbrojtjes ta rrisë prodhimin e saj për t’iu përgjigjur “kërcënimeve të SHBA-së”, por nuk ka përmendur furnizimin me armë për Rusinë.
“Përgatitjet për luftë ofrojnë një mburojë nacionaliste për ta rigjallëruar industrinë ushtarake, për t’i rimbushur stoqet që supozohen se janë varfëruar, dhe potencialisht për të vazhduar t’i sigurojë Rusisë rezerva shtesë në vijim”, tha Jenny Town, drejtore e Programit 38 North të Qendrës Stimson, që studion Korenë e Veriut.
Çfarë fiton Koreja e Veriut nga marrëveshja?
Kirby tha se inteligjenca amerikane sugjeron se në këmbim të raketave dhe armatimeve të tjera, Koreja e Veriut po kërkon ndihmë ushtarake nga Rusia për mjete si avionë luftarakë, raketa tokë-ajër, automjete të blinduara, pajisje ose materiale të prodhimit të raketave balistike dhe teknologji të tjera të avancuara.
Disa ekspertë kanë vënë në dyshim nëse Moska do të ishte e gatshme t’i jepte Penianit teknologji të ndieshme ushtarake, por theksojnë se ka një gamë të gjerë fushash ku dy fqinjët e izoluar politikisht dhe ekonomikisht mund të bashkëpunojnë.
Koreja e Veriut do të përfitonte nga çdo e dhënë lidhur me performancën e raketave të saj në fushëbetejë, por është e paqartë nëse Rusia do t’i ndajë këto të dhëna me Korenë e Veriut, tha Panda.
“Të dhënat më të vlefshme do të ishin ato lidhur me performancën e këtyre raketave kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore ukrainase, përfshirë ato të furnizuara nga NATO”, tha ai./REL