Mbi 100 piktura, ikona dhe sende antike të dyshuara të trafikuara janë sekuestruar në Fier, ndërsa dy persona janë vënë në pranga.
Të arrestuarit Shpëtim Kalemi, 51 vjeç dhe Pandeli Petani, 57 vjeç, akuzohen se kanë trafikuar vepra arti nga Greqia drejt Shqipërisë me qëllim për ti shitur në vendin tonë.
Hetimet
Hetimet për rastin kanë nisur më herët gjatë vitit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije këtë të martë se “specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet inteligjencës policore, siguruan informacion për një rast të trafikimit të veprave të artit dhe kulturës, të cilin e referuan në Prokurori”. Prokuroria e Fierit regjistroi procedimin penal, që u ndoq për rreth 5 muaj, me metoda proaktive.
Në kuadër të hetimeve u ushtrua kontroll në dy banesa në qytetin e Fierit, ku efektivët e Policisë gjetën dhe sekuestruan si prova materiale 107 vepra arti, për të cilat grupi hetimor dyshon se janë të trafikuara nga shteti grek. Sipas bluve, mes veprave të artit të sekuestruara, janë “ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro”.
Të njëjtat burime shtuan se u sekuestrua edhe “automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një peshore elektronike”.
Akuzat
Banesat ku u gjetën sendet e sekuestruara u arrestuan. Ata janë Sh. K., 51 vjeç dhe P.P., 57 vjeç, të dy banues në Fier. Ndaj tyre janë ngritur akuzat për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.
“Nga hetimi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shtetit grek, për t’i shitur në Shqipëri”, njofton policia, që shton se hetimet për rastin vijojnë, në bashkëpunim edhe me policinë greke.
Lexo edhe:
“2 në pranga për 1.5 mln € vepra arti”, kryeplaku i fshatit: I shisnin për 500 Lekë