Euroizimi i ekonomisë shqiptare është një fenomen i pashmangshëm.
Ekonomisti Selami Xhepa thotë në një intervistë për “Monitor” se ulja e euroizimit do të jetë e vështirë, ndaj përpjekjet e institucioneve duhet të përqendrohen kryesisht në administrimin e rreziqeve që shtron një ekonomi, me përdorimin paralel të dy valutave.
Zoti Xhepa mendon se masat kufizuese për përdorimin e valutës së huaj në ekonomi nuk do të kishin efikasitet, ndërsa ai shprehet kundër edhe adoptimit të një kursi këmbimi të fiksuar.
Ai sugjeron që operatorët në sektorin privat duhet të mendojnë për të diversifikuar portofolin e tyre financiar dhe për të përdorur instrumente të reja të menaxhimit të rrezikut të kursit të këmbimit.
Si i vlerësoni rezultatet e deritanishme të strategjisë së deeuroizimit në sektorin financiar që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë?
Banka e Shqipërisë është angazhuar që prej vitit 2018 në një fushatë për të ulur përdorimin e Euros në ekonomi.
Mendoj se është një masë e arsyeshme, brenda mandatit të Bankës së Shqipërisë, sepse një përdorim i lartë i valutës së huaj zvogëlon eficiencën e politikës monetare, përtej rreziqeve të tjera që shtron për stabilitetin e sistemit financiar.
Pra, në analizë të fundit, Banka e Shqipërisë, nëpërmjet kësaj strategjie, synon të bëjë më efektive politikën monetare dhe të mbajë nën kontroll rreziqet për stabilitetin financiar.
Megjithatë, nëse shikojmë shkallën e përdorimit të Euros, mendoj se ajo vazhdon të mbetet e lartë, pavarësisht masave rregullatore që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë. Më e rëndësishmja, mendoj unë, është mosremunerimi i rezervës së detyrueshme për detyrimet në euro, çka e bën për sektorin financiar mjaft të kushtueshëm mbajtjen e depozitave dhe ndërmjetësimin financiar në monedhën europiane.
Deri tani, strategjia e Bankës së Shqipërisë nuk duket të ketë sjellë rezultate të ndjeshme. Ka një rënie të lehtë të kredisë në Euro për ekonominë e brendshme, por përsëri unë këtë nuk e shoh si element suksesi.
Në kushtet kur depozitat në Euro janë rritur dhe këto para nuk ndërmjetësohen në ekonominë e brendshme, një pjesë e madhe e tyre shkojnë jashtë vendit. Pra, sistemi ynë financiar i shërben më pak kreditimit të ekonomisë shqiptare, ndaj në këtë këndvështrim, nuk e konsideroj ndonjë sukses shumë të madh.
Nga ana tjetër, një pjesë në rritje e borxhit publik është e denominuar në monedhë të huaj, kryesisht në Euro. Euro është një monedhë që përdoret gjerësisht në transaksionet ekonomike në tregun e brendshëm, dhe unë besoj se pesha e saj është po aq e rëndësishme sa para strategjisë së deeuroizimit.
Mendoj se përdorimi i lartë i Euros motivohet nga faktorët objektivë dhe kjo e bën të vështirë arritjen e synimit të Bankës së Shqipërisë.
Ne jemi një ekonomi e vogël dhe e hapur, me shkallë të lartë të emigracionit të popullatës, faktorë që i bëjnë prurjet valutore të rëndësishme. Pra, Shqipëria ka arsye objektive për të pasur shkallë të lartë të përdorimit të Euros.
Deri tani, masat për uljen e nivelit të euroizimit janë të kufizuara në sektorin bankar. Besoni se do të ishte e dobishme që Qeveria të kufizonte përdorimin e Euros në transaksionet e brendshme ekonomike?
Sigurisht që një strategji efektive kërkon koordinim midis të gjithë aktorëve. Por, personalisht mendoj se përpjekjet për ta ulur euroizimin e ekonomisë shkojnë kundër drejtimit që ka marrë ekonomia shqiptare.
Ne jemi një ekonomi e hapur prej tre dekadash dhe në mënyrë të vazhdueshme, pesha e monedhave të huaja ka qenë e lartë.
Efektiviteti i politikave monetare në një mjedis të tillë sigurisht që do të jetë i kufizuar dhe nuk besoj se do të arrijmë të ulim Euroizimin në ato përmasa që synon Banka e Shqipërisë, 30-40%.
Tashmë është një realitet psikologjik që pjesa më e madhe e transaksioneve kryhen në monedhë të huaj.
Mendoj se zgjidhja më e mirë është që të lejohet një gjë e tillë, sepse çdo kufizim që do të vendoset thjesht do të devijojë fitimet, nga qytetarët, drejt subjekteve të tjera, si për shembull pikat e këmbimit valutor.
Në thelb, për konsumatorin nuk do të ndryshojë asgjë. Objekti final i politikave publike duhet të jetë konsumatori, jo mënyra si ndahet e ardhura.
Në vitet e fundit, Leku po shfaq një tendencë graduale mbiçmimi në kursin e këmbimit me Euron, por kjo nuk duket të ketë ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë. Pse po ndodh kjo?
Ka dy modele që shpjegojnë euroizimin e ekonomisë, ose përdorimin e valutave të huaja në një ekonomi.
Modeli i parë, është modeli i histerisë. Kur një vend e ka pësuar një goditje të fortë makroekonomike, njerëzit tentojnë të gjejnë strehë në një monedhë të huaj. Rikthimi i besimit te monedha e brendshme kërkon një kohë të gjatë.
Ky është modeli që shpjegon pse në vende si Shqipëria, njerëzit zhvendosen drejt valutave të huaja, për të ruajtur vlerën e kursimeve të tyre. Në këtë kontekst, mendoj se politika e deeuroizimit mund të mos ketë sukses, nëse shkalla e lartë e zëvendësimit monetar shpjegohet pikërisht me këtë model.
Rasti i dytë është kur njerëzit e përdorin monedhën si pjesë të strategjisë së ndërtimit të portofolave, për efekte fitimprurëse. Kjo teori nuk e shpjegon qëndrueshmërinë e euroizimit, në kontekstin aktual, kur euro po zhvlerësohet.
Nëse do të ishte kështu, do të kishim heqje dorë nga Euro dhe investim në monedhën kombëtare.
Edhe për këtë arsye, mendoj se euroizimi i ekonomisë shpjegohet kryesisht me faktorë objektivë dhe kostot që kemi pasur në të shkuarën nga destabiliteti monetar. Ky fenomen është vërejtur edhe në ekonomi të tjera.
Monedhat tona nuk janë aq të rëndësishme sa të përdoren si instrumente investimi nga agjentët e tjerë ekonomikë.
Prurjet e përhershme në valutë të huaj vazhdojnë të jenë të rëndësishme dhe kjo ndikon në nivelin e euroizimit dhe në përdorimin e Euros në transaksionet e brendshme.
Besoni se një regjim me kurs të fiksuar të këmbimit valutor mund të jetë një zgjidhje për të shmangur problemet që shkaktojnë luhatjet e kursit në ekonomi?
Nuk mendoj se lëvizja drejt kurseve fikse të këmbimit është një alternativë. Historia ka treguar se vendet që kanë adoptuar kurse fikse këmbimi kanë pësuar kriza për shkak të disbalancave ekonomike.
Alternativë mund të jetë zëvendësimi monetar, pra, heqja dorë nga monedha kombëtare. Mendoj se Shqipëria mund të kishte zgjedhur me kohë edhe një Euroizim të njëanshëm, siç bëri Mali i Zi dhe Kosova.
Por, në periudhën e daljes së monedhës së përbashkët kishte pasiguri të mëdha, lidhur me sasinë e valutave europiane që qarkullonin në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ndaj vetë Banka Qendrore Europiane dekurajoi një euroizim të njëanshëm.
Edhe sot mund të bëhet edhe në mënyrë të njëanshme, por është një lëvizje që sjell ndryshim rrënjësor, ndaj mendoj se është e vështirë që të realizohet në kushtet e sotme.
Në këtë kontekst, ky mund të quhet një moment historik i tejkaluar, por mendoj se aktualisht, menaxhimi kursit të këmbimit duhet të merret përsipër nga vetë operatorët privatë.
Banka e Shqipërisë duhet të ketë një prani në treg për të zbutur luhatjet e forta të kursit të këmbimit, për të shmangur goditje të forta në sektorin real të ekonomisë.
Por, në thelb, kursi do të shprehë raportet e kërkesë/ofertës dhe ekonomia duhet t’i përthithë këto efekte negative.
Operatorët në sektorin privat duhet të mendojnë për të diversifikuar portofolin e tyre financiar dhe për të përdorur instrumente të reja të menaxhimit të rrezikut të kursit të këmbimit.
Cilat mendoni se do të jenë tendencat e euroizimit të ekonomisë për vitet në vazhdim?
Mendoj se euro do të vazhdojë të jetë po kaq e rëndësishme sa është tani. Kjo do të varet nga prurjet, por gjasat janë që prurjet në të ardhmen do të vazhdojnë të jenë të larta, duke pasur parasysh perspektivën e një sektori të fortë turistik.
Turizmi po bëhet një sektor edhe më i rëndësishëm se eksporti i mallrave, ndërsa duket se edhe perspektivat e Investimeve të Huaja Direkte janë pozitive. Edhe qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë huamarrëse në tregjet europiane të borxhit.
Edhe sikur të kemi një ulje të prurjeve nga kanalet informale dhe nga ekonomia e paligjshme, përsëri prurjet valutore do të vazhdojnë të jenë të mëdha dhe roli i Euros do të vazhdojë të jetë po kaq i rëndësishëm sa është edhe tani.