“Lefter Koka është një ladrino i vogël, një vjedhës i vogël në krahasim me Erion Veliajn, Edi Ramën, Engjëll Agaçin dhe enturazhin e tyre.” Kështu është shprehur kreu i PD-së, Sali Berisha teksa ka komentuar masat e arrestit të lëshuara nga SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha u shpreh se Erion Veliaj është personi kryesor përgjegjës pasi është autori i ndryshimit të trajtimit të mbetjeve në Tiranë nga metoda pa djegie në metodën me djegie, teksa “zbërtheu” akuzat ndaj kryebashkiakut, edhe pse ai është lënë i lirë nga SKAP.
Duke iu referuar burimeve të tij, Berisha u shpreh se Erion Veliaj po bën gati valixhet që t’ia mbathë, teksa u bëri thirrje vendeve partnere dhe vendeve të tjera që të refuzojnë çdo kërkesë për azil të tij
Berisha: Mbrëmë ishte një natë në të cilën mediat e vendit, me përgjegjësi të plotë para publikut shqiptar dhe ndërkombëtar, faktuan në mënyrën më të pakundërshtueshme se të amnistuarit e SKAP-it të partisë janë njëkohësisht autorët kryesorë ët vjedhjes të shekullit, konkretisht Erion Veliaj, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe natyrisht aksionerë të tjerë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mërtiri, Zoto dhe ndonjë tjetër. Mbrëmë mediat dështuan totalisht një përpjekje kriminale të SKAP-it të partisë për të paraqitur vjedhjen e shekullit si vepër të një grupi të Lefter Kokës dhe zyrtarëve përreth tij. Duke thënë këtë, theksoj se pa diskutim se Koka është një ladrino i vogël, një vjedhës i vogël në krahasim me Erion Veliajn, Edi Ramën, Engjëll Agaçin dhe enturazhin e tyre. Erion Veliaj është personi kryesor përgjegjës pasi është autori i ndryshimit të trajtimit të mbetjeve në Tiranë nga metoda pa djegie në metodën me djegie. Pa këtë ndryshim, nuk do mund të flitej për djegës. Erion Veliaj është personi që me firmën e tij, siç faktojnë shkresat, që ai si kryetar bashkie i dërgon Shkëlqim Canit dhe Arben Ahmetajt, i del zot studimit të fizibilitetit për djegësin e Tiranës, studim që falsifikon me qëllime fitimi leverdisshmërinë e këtij djegësi. Erion Veliaj duke falsifikuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka dhënë garanci me firmën e tij pa mbledhur këshillin, për pagesën 92 milionë euro për djegësin e Tiranës, çka do të thotë se ai është padron i padiskutueshëm, por edhe një manipulues dhe falsifikator. Erion Veliaj, duke falsifikuar ka thënë garanci për Këshillin e Qarkut të Tiranës, dmth për bashkitë e të tjera të qarkut, se do paguajnë tarifën e kërkuar nga sipërmarrja. Erion Veliaj ka pasur në KVO dy përfaqësues, të cilët me guxim kanë deklaruar se Bashkia e Tiranës nuk ka mundësi të paguajë tarifat financiare për djegien e mbetjeve. Të dy ata janë në burg, kurse Erion Veliaj që ka mashtruar është i lirë. Erion Veliaj ka bërë presion vetë dhe me Velicën ndaj anëtarëve e KVO për dhënien e bonusit prej 8 pikësh për kompaninë e tij. Erion Veliaj ka firmosur vetë faqe për faqe kontratën e djegësit të Tiranës, djegës i cili pas gjashtë vitesh, nuk ekziston. Erion Veliaj ka firmosur vetë të gjitha përgjigjet e letrave të Damian Gjiknurit dhe Belinda Ballukut mbi përgjegjësinë e tij direkte për mbikëqyrjen e punimeve në djegësin e Tiranës, që nuk ekziston. Erion Veliaj është përgjegjës direkt për pushtimin me dhera të mëse 150 mijë metër katror, pa asnjë lloj shpronësimi nga askush të djegësit të Tiranës. Erion Veliaj ka përdorur një seri mekanizmash për vjedhjen e shekullit, që do jenë objekt i konferencave të mëvonshme.
Këtu do u lexoj vetëm një korrespondencë të tij, sepse u bë përpjekje e madhe për ta paraqitur djegësin si një aferë të Lefter Kokës. Këtu unë do u lexoj ju në faqen 31 të vendimit për Arben Ahmetajn, prokuroria ka administruar një komunikim shkresor mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Tiranës. Në shkresën me numër 34881/1, datë 6.10.2017, të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është përcjellë ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, një kthim-përgjigje ku thuhet: Bashkia e Tiranës ka detyrim buxhetor që derivojnë nga kontrata e koncesionit për ndërtimin e landfillit. Sipas kësaj kontrate, Bashkia e Tiranës duhet t’i paguajë koncesionarit një shumë të barabartë prej 29 eurosh për ton. Në shkresën numër 292/1, datë 13.10.2017, Ministria e Mjedisit i përcjell informacion Ministrisë së Financave: Nga përmbajtja e kësaj kontrate, nuk ëshët përcaktuar në asnjë dispozitë që Ministria e Mjedisit të ketë marrë përsipër pagesën e ndonjë tarife apo detyrimi financiar ndaj koncesionarit. Por janë njësitë vendore të Tiranës që duhet të paguajnë për koncesionarin, pagesën për depozitimin e mbetjeve. Pra, çdo gjë, fakton se djegësi i Tiranës është djegësi Veliaj, natyrisht nuk ndodhte kurrë pa firmën, bonusin e Edi Ramës. Natyrisht, nuk mund të ndodhte kurrë pa firmën, bonusin e Edi Ramës. Pra, ëshët djegësi Rama-Veliaj. Së fundmi, Erion Veliaj që mbrëmë ka kaluar nga studio në studio me presine të tmerrshme ndaj medieve, sipas disa burimeve po bën gati valixhet t’ia mbathë. Ndaj u bëj thirrje vendeve partnere dhe vendeve të tjera që të refuzojnë çdo kërkesë për azil të këtij megahajduti në vjedhjen më të madhe të shqiptarëve ose në vjedhjen e shekullit.